Kuvendi i Kosovës, rezolutë për lirimin nga arresti në Serbi të drejtorit të Policisë së Mitrovicës/
-Pika 1 e Rezolutes: Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të z. Nehat Thaçi, epror Policisë së Republikës së Kosovës/
-“Ministria e Drejtësisë kundërshton çdo formë të juridiksionit të Serbisë, duke përfshirë bazën e parimit të juridiksionit universal, ku akuzohen shtetas të Republikës së Kosovës për vepra të kryera në Kosovë”, thekson ministria kosovare duke njoftuar se për këtë i është dërguar notë verbale Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë/
PRISHTINË, 12 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës sot në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme, të nisur dje pasdite, të kërkuar me nënshkrimet e mbi 40 deputetëve, pas debatit, miratoi me shumicë votash Rezolutë ku kërkohet lirimi i menjëhershëm i drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, i arrestuar nga ana e autoriteteve të Serbisë.Pas debatit, të djeshëm deputetët u dakorduan që nëpërmjet përfaqësuesëve të grupeve parlamentare të harmonizohet një tekst i Rezolutës, por sot në votim dolën dy propozim rezoluta, njëri i koalicionit qeverisës, i cili kaloi, dhe tjetri i opozitës që nuk mori votat e mjaftueshme, ndërsa kërkonte pezullimin e dialogut Prishtinë-Beograd deri në lirimin e zyrtarit të policisë kosovare, Thaçit. Ministria kosovare e Drejtësisë ka deklaruar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet në kompetencën e vet kundër arrestimit të nënkolonel Thaçi, duke theksuar se ai është ndaluar padrejtësisht nga organet serbe në 29 shtator 2016 në territorin e Serbisë, ku kishte hyrë në udhetim transit drejt një shteti tjetër.
“Ministria e Drejtësisë kundërshton çdo formë të juridiksionit të Serbisë, duke përfshirë bazën e parimit të juridiksionit universal, ku akuzohen shtetas të Republikës së Kosovës për vepra të kryera në Kosovë”, thekson ministria kosovare duke njoftuar se për këtë i është dërguar notë verbale Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të nënkolonel Thaçit.
Nota është dërguar nga Ministria e Drejtësisë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd. Kjo është nota e parë që dërgohet në Beograd drejtpërdrejtë përmes kanaleve diplomatike pa kaluar nëpërmjet Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.
REZOLUTA
Deputetët e Kuvendit tw Kosovws sot me shumicë votash përkrahen projektrezolutën e propozuar nga PDK, LDK dhe 6+, e cila ka këtë përmbajtje:
- Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të z. Nehat Thaçi, epror Policisë së Republikës së Kosovës.
- Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes mekanizmave të saj, të ndërhyjë te Qeveria e Serbisë për lirimin e eprorit, Nehat Thaçit.
- Ç’do komunikim i Qeverisë së Republikës së Kosovës për rastin e arrestimit të z. NehatThaçi, deri në lirimin e tij, të bëhet vetëm nëpërmjet Zyrës së Mogherinit, si përfaqësuese e lartë e BE-së.
- Qeveria e Republikës së Kosovës t’i bëjë me dije BE-së se, veprimet e tilla të Serbisë në raport me institucionet dhe qytetarët e Kosovës, po e rrezikojnë thellë përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe dialogu në mes dy vendeve duke na detyruar në reciprocitet.
- Misioni i EULEX-it të deklarohet për rastin e z. Thaçi, njëherësh kërkojmë angazhim të drejtpërdrejtë si mision me kompetenca të veçanta.
- Kërkojmë nga Interpoli që, Policia e Kosovës të bëhet pjesë e kësaj organizate, njëherësh insistojmë që fletarrestet politike të shpallura nga Serbia, të largohen nga sistemi i tyre ligjor.
KOMUNIKATA E MD: MINISTRIA E DREJTËSISË KA REAGUAR PËR RASTIN E ARRESTIMIT TË NËNKOLONEL NEHAT THAQI
Prishtinë, 11 Tetor 2016 – Ministria e Drejtësisë kundërshton çdo formë të juridiksionit të Serbisë, duke përfshirë bazën e parimit të juridiksionit universal, ku akuzohen shtetas të Republikës së Kosovës për vepra të kryera në Kosovë.Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet në kompetencën e vet, kundër arrestimit të nënkolonel Nehat Thaqi, të ndaluar padrejtësisht nga organet serbe më 29 Shtator 2016 në territorin e Serbisë.
Nënkolonel Thaqi është ndaluar mbi bazën e akuzës se ka kryer veprën penale të terrorizmit në Korrik të vitit 1999 si dhe në dhjetor 1999 dhe janar 2000 në Lipjan. Akuza daton nga viti 2010 por nuk është komunikuar asnjëherë te organet e Republikës së Kosovës.
Më 3 tetor 2016, Ministria për Punë të Jashtme, Ministria për Punë të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, nën bashkërendimin e Zyrës së Zëvendëskryeministrit të Parë, dhe në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, janë dakorduar për të dërguar notë formale drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të nënkolonel Thaqit.
Në shkresë është argumentuar se Serbia nuk ka juridiksion mbi veprat penale kinse të kryera në territorin e Republikës së Kosovës. Juridiksioni i Serbisë mbi Kosovës është shuar më 10 qershor 1999, kur Kombet e Bashkuara kanë marrë përsipër administrimin e Kosovës. Qe nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, juridiksioni mbi territorin e Kosovës ushtrohet ekskluzivisht nga organet e Republikës së Kosovës.Nota e dërguar i referohet edhe procedurave të dakorduara midis Kosovës dhe Serbisë lidhur me bashkëpunimin juridik të datës 7 Tetor 2015 ku kemi kërkuar nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë që të bartë lëndën e nënkolonel Thaqit te organet e Republikës së Kosovës.
Në rast se ka bazë dhe dëshmi se nënkolonel Thaqi, si shtetas i Republikës së Kosovës, ka kryer ndonjë vepër penale në territorin e Kosovës, organet e Republikës së Kosovës do të fillojnë procedurat përkatëse sipas legjislacionit të Kosovës.
Nota është dërguar nga Ministria e Drejtësisë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd. Kjo është nota e parë që dërgohet drejtpërdrejtë përmes kanaleve diplomatike pa kaluar nëpërmjet Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian. Duhet theksuar se Ministria e Drejtësisë, në bashkërendim me Zyrën e Zëvendëskryeministrit të Parë, është konsultuar paraprakisht me Zyrën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, i cili ka refuzuar të përfshihet në komunikimin dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë rast konkret pasi që nuk është rast tipik i bashkëpunimit juridik të ndërsjellë, por komunikim i karakterit diplomatik.
Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar që nota është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë me datë 7 tetor 2016, por deri tani nuk ka ndonjë përgjigje nga pala serbe. Shkresa e Ministrisë së Drejtësisë është dërguar për njoftim edhe te Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian dhe te Shefi i EULEX-it, si dhe është shpërndarë nga Zyra ndërlidhëse në Beograd te shumica e ambasadave të huaja për të qartësuar qëndrimin e Republikës së Kosovës lidhur me ndalimin e kundërligjshëm të nënkolonel Thaqit.
Sipas informacioneve të fundit nga Ministria e Punëve të Jashtme, më 10 Tetor 2016, është mbajtur seanca dëgjimore në prokurorinë serbe për krim të organizuar ku sipas avokatëve të nënkolonel Thaqit, janë konstatuar një numër i shkeljeve ligjore lidhur me ndalimin e nënkolonel Thaqit. Kështu, për shembull, është konstatuar se nënkolonel Thaqi nuk është ftuar asnjë herë nga gjykata serbe për t’u paraqitur dhe deklaruar rreth akuzës të cila i bëhet, si dhe është vërtetuar se ai ka kaluar edhe më parë nëpër territorin e Serbisë pa u ndaluar për veprën penale për të cilën akuzohet sot.
Ministria e Drejtësisë është në bashkëpunim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila ka rolin kryesor në sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar për rastin e nënkolonel Thaqit, si dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me Zyrën e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Zyrën e Kryeministrit.
Duhet theksuar se Ministria e Drejtësisë, në tre muajt e fundit pas fillimit të mandatit të Ministres, ka ngritur një numër shqetësimesh në drejtim të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian lidhur me qasjen e Serbisë në kuadër të bashkëpunimit juridik të ndërsjellë. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë ka marrë qëndrim parimor se nuk do të ketë bashkëpunim juridik me Serbinë për rastet kur Serbia ka filluar procedura penale kundër shtetasve të Republikës së Kosovës për vepra penale kinse të kryera në territorin e Kosovës.
Ministria e Drejtësisë, po ashtu, kundërshton çdo formë tjetër të juridiksionit të Serbisë, përfshirë mbi bazën e parimit të juridiksionit universal, ku akuzohen shtetas të Republikës së Kosovës për vepra të kryera në Kosovë. Çdo kërkesë e Serbisë për bashkëpunim në këtë drejtim është refuzuar nga Ministria e Drejtësisë dhe do të refuzohet edhe në të ardhmen.
Ministria e Drejtësisë po ashtu ka marrë qëndrim parimor se do të kërkojë ekstradimin e çdo shtetasi të Republikës së Kosovës i cili ndalohet nga një shtet tjetër mbi bazën e akuzave të ngritura të Serbisë për vepra penale të kryera në Kosovë dhe ekstradimin i të cilit kërkohet nga Serbia.
Ministria e Drejtësisë do të bëjë gjithçka që është e mundshme për të evituar ekstradimin e një shtetasi të Republikës së Kosovës për në Serbi, dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, që shtetasi i Republikës së Kosovës të gjykohet vetëm në Kosovë për vepra të kryera në Kosovë nëse për këtë ka dëshmi.