-Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 nuk kalon në lexim të parë, paralajmërohet të votohet edhe një here/
-Kuvendi mblidhet nesër në një seancë të re me vetëm një pikë në axhendë: Shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021/
-Qeveria e Kosovës drejt 100-ditëshit të parë, mban mbledhjen e 18-të/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/(Ne Foto: Gazetari i Dielli Behlul Jashari ne sallen e Kuvendit te Kosoves)
PRISHTINË, 6 Dhjetor 2017/ Kuvendi i Kosovës në një votim që u paralajmërua të përsëritet nuk arriti të miratoi në parim, në leximin e parë, Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, në vijimin sot në ditën e dytë të debatit të nisur dje, e që ishte gjithëditor, në seancë plenare.Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, paralajmëroi se Projektligji për Buxhetin do të vihet edhe një herë në votim gjatë kësaj seance, pa saktësuar kur, ndërsa konstatoi se në sallë ishin 88 deputetë të Kuvendit 120 anëtarësh, prej tyre 60 morën pjesë në votim -58 ishin pro, 1 kundër e 1 abstenoi.“Atëhërë, ndërkohë unë do ta vë në votim edhe një herë gjatë kësaj seance”, u shpreh kryeparlamentari Veseli, por më vonë seancën e mbylli pa përsëritje të votimit, që pritet të bëhet në një seancë tjetër.
Reagoi nga opozita kryetari i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke u shprehur se u pa se projektligji nuk kaloi dhe maxhoranca nuk i ka votat e fuqinë politike për ta kaluar.“Pas dy dite të diskutimeve për Buxhetin e vitit 2018, ne i kemi dhënë vlerësimet tona, ju sapo e nxjerrët në votim dhe votat nuk i keni, ne mund të votojmë 10 herë, deri në 12 të natës, por votat për ta kaluar projektligjin sot nuk i keni, po shihet fuqia politike që ka kjo qeveri, është mirë që të reflektoni se si të vazhdohet me tutje”, tha Hoti.Projektbuxheti, i cili parasheh të hyra të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë, nga maxhoranca kishte mbështetje me vlerësim se siguron stabilitet financiar të shtetit, e nga ana e opozitës kishte kritika e paralajmërim votimi kundër pasi, sipas saj, kthen situatën e para vitit 2015 kur ka pasur planifikim të dobët buxhetor.Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, qeveria e prezantoi dje në Kuvend pasi e ka miratuar në 31 tetor, me ç’rast kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh me vlerësim se, “Buxheti siguron qëndrueshmëri të zhvillimit ekonomik të Kosovës”.
Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, vlerësoi se “ky Buxhet do të sigurojë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit, mbështetje të veprimtarive ekonomike, rritje të transfereve sociale dhe rritje te investimeve kapitale”.“Projektligji përcakton Buxhetin dhe me miratimin e tij do të bëhet i detyrueshëm për të gjitha institucionet që përfshihen në këtë Buxhet të Republikës së Kosovës për vitin 2018”, u theksua në mbledhen e qeverisë.
Në mbrëmjen e djeshme, derisa prania e vogël e deputetëve të mbetur në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës nuk e bënte kuorumin, me propozimin dhe dakordimin e grupeve parlamentare u vendos që seanca të ndërpritet, për të vijuar sot nga ora 10:00.Në vazhdim sot të seancës, e cila u përmbyll, në shqyrtim të parë ishin dhe kaluan tre projektligje të tjera: për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; mbi masat doganore për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në një seancë të re plenare me vetëm një pikë në axhendë: Shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021. Afër tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit 2017, të gjashtave në liri e të tretave në pavarësi, Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh është konstituar në 7 shtator, kur ka zgjedhë kryeparlamentarin me 62 vota dhe Kryesinë.Pas konstituimit, seanca e parë e Kuvendit ishte e jashtëzakonshme në 9 shtator, kur me 61 vota u zgjodh qeveria e re e Kosovës, e cila nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.Edhe seanca e dytë e Kuvendit pas konstituimimit ishte e jashtëzakonshme, e ftuar sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues, nga opozita, e cila ka nisur në 10 shtator dhe ka vijuar e përfunduar në 3 tetor me debate lidhur me Parimet Programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.
Para vijimit të seancës së Kuvendit, sot në mëngjes nga ora 08:00 qeveria e Republikës së Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e cila shkon drejt 100-ditëshit të parë, mbajti mbledhjen e rregullt, të 18-ën që nga votimi i saj në 9 shtator e marrja e detyrës në 11 shtator, kur edhe ka mbajtur mbledhjen e parë në mbrëmje pasi gjatë ditës u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.