Vullnet Mato/
LAGJIA IME NGJYRË BRONZI/
Jetoj te lagjia e “Tironës” me gjuhë lirie,/
ku jehon tallavaja me tonalitete histerike/
dhe dëgjohet shprehja:“O, me rob shpie!”/
siç bie sahati i madh te xhamia islamike./
Quhem “gaxhoi i mirë që shkruan llogje”./
Kur zbres nga makina bidonat me ujë Selite,/
më rreshtohet emrat e skuadrës me yje bote,/
nga lista ndërkombëtare e futbollistëve./
Fundjavën e kam me net pagjumësie,
nga ekstazat dasmore të miqve komshi,
që më urojnë nga larg me litërshe rakie
dhe hedhin valle nate te rrugica me shi.
Djemtë e vajzat me xhinse poshtë mesit,
me kërthizat si mikrofona që thithin deri tutje,
u dridhet barku nga ritmet marroke të xhezit,
tek kërcejnë, si kukullat me fije të padukshme.
Zhurmëtarët e mi lindin e shuhen si meteor,
por humbjet ua plotëson karvani me kokorroçë.
Çuditen kur shkoj në zi, i ngushëlloj mbi arkivol,
ku ata zbrazin dhimbjen më të hidhur në botë…
Jetoj te lagjia e “Tironës” me gjuhë lirie,
ku jehon tallavaja me tonalitete histerike.
Ndryshoj nga ngjyra por në shpirt jam një prej tyre,
më gufon zemra, njësoj si rom me pasion muzike…