-Komisioneri Avramopoulos: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave/
-Presidenti Thaçi: Sot filloi shembja e murit të fundit të izolimit/
BRUKSEL, 18 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/ Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kështu, Komisioni Evropian ka kumtuar rekomandimin pozitiv për Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave. Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi Dimitris Avramopoulos dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një konferencë shtypi së bashku në Bruksel e vlerësuan shumë të rëndësishëm rekomandimin pozitiv, duke e cilësuar atë ndër hapat e fundit në Bashkimin Evropian para se të merret vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Jam i lumtur të ju njoftoj se të gjitha përpjekjet e Kosovës dhe puna e tyre drejt liberalizimit të vizave janë shpaguar dhe prandaj sot mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, theksoi komisioneri Avramopoulos.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi janë takuar me Komisionerin e BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.
Pas takimit, presidenti Thaçi dhe komisioneri Avramopoulos, kanë mbajtur konferencë për media.Kreu i shtet ka thënë se vendimi i sotëm i Komisionit Evropian për të shpallur të përmbushur edhe kriterin e fundit në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është një ndër lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës.Sipas tij, kjo përbën një moment historik dhe një njohje e përpjekjeve shumëvjeçare për të ankoruar Kosovën në zemrën e Evropës. “I nderuar Komisioner Avramopoulos, ju shpreh falënderimin për gjithë mbështetjen tuaj në ecjen tonë përgjatë kilometrave të fundit. Por, më duhet ta theksoj, se kilometrat e fundit, vërtet kanë qenë shumë të gjata. Mirëpo, jam i lumtur që së bashku kemi arritur në këtë cak të rëndësishëm, dhe jam i bindur që së bashku dhe shpejt do të vijmë te momenti ku qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka pohuar se liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin në BE.“Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane”, ka theksuar ai, duke shtuar më tej se “Lajmi i sotëm e përmbyllë një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të Komisionit Evropian. Siç edhe kemi deklaruar edhe më herët, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe sot me plot kuptimin e fjalës, kemi pajtim të plotë me partnerët tanë në Komision Evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi ka shtuar se kjo nuk ka qenë një dhuratë, por një mirënjohje e punës së vështirë që e kemi bërë së bashku.Ai ka shprehur falënderimin për secilin anëtar të delegacionit, Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrat, por edhe për gjithë spektrin politik, opozitën, qeveritë e kaluara, dhe të gjitha institucionet e vendit, organet e rendit dhe ligjit, përfshirë gjykatat për kontributin e vazhdueshëm dhe të paepur në këtë proces.
Presidenti Thaçi ka shprehur zotimin se kjo punë do të vazhdohet me përkushtimin e njëjtë edhe në fazat e mëtutjeshme.“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, por do të ketë ndikim pozitiv edhe në lëvizjen e mallrave dhe mbi të gjitha do të avancojë idealet dhe vlerat evropiane në Kosovë. Unë kam besimin dhe përkushtimin që të vazhdojmë dhe të përmbyllim këtë proces të rëndësishëm. Lajmi i sotëm do të jetë shtytës në punën tonë të përditshme në shtyrjen përpara të reformave të rëndësishme në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe në çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit”, ka theksuar kreu i shtetit.
Ai më tej ka thënë se është më se evidente që Kosova, përveç një vendi aspirues për anëtarësim, është edhe një partner aktual i BE-së në adresimin e të gjitha sfidave të përbashkëta, si në sensin e migrimit, sigurisë, ashtu dhe e të gjitha çështjet tjera ku kemi interes të përbashkët.
“Në këtë rast më duhet të them ne jemi të vetëdijshëm edhe për sfidat përbrenda vetë BE-së, sa i përket temave të Migracionit, rritjes së populizmit etj. Por, duke qenë se jemi të gatshëm dhe të përgatitur, nuk besoj që kemi kohë shumë dhe mundësi më të mirë që të merren vendime sa më shpejt dhe ta përfundojmë këtë projekt të përbashkët shumëvjeçar, në mënyrë që të përfundojë izolimi i stërzgjatur i qytetarëve të Kosovës, të vetmit në Ballkan por edhe më gjerë që nuk kanë përfituar nga kjo mundësi”, ka pohuar presidenti Thaçi.Sipas tij, institucionet e pavarura do të vazhdojnë me të gjitha përkushtimet tona në proces, në mënyrë që të kemi sa më shumë argumente edhe në përballje të mëtutjeshme edhe me shtetet anëtare.“Në përmbyllje më lejoni t’ju shpreh një falënderim të sinqertë për juve personalisht në këtë drejtim, dhe për angazhimin tuaj të madh. Shpërblimi më i madh që mund t’jua ofrojmë është vetë efekti që kjo do të ketë për popullin tonë, për ruajtjen dhe përforcimin e kredibilitetit të vetë BE-së në vendin tonë, por edhe ndikimin pozitiv që kjo do ta ketë edhe për procesin e dialogut”, ka thënë presidenti Thaçi.
DEKLARATË E QEVERISË LIDHUR ME REKOMANDIMIN POZITIV PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE NGA KOMISIONI EVROPIA
PRISHTINË, 18 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpret rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Komisioni Evropian, dhe vlerëson se kjo është dëshmi e ecjes drejtë integrimit të plotë të vendit tonë në strukturat euroatlantike.
Kjo shpreh edhe një herë përcaktimin e gjithë kosovarëve për një të ardhme euroatlantike, duke praktikuar vlerat demokratike civilizuese perëndimore.
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë koshient për faktin se në rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë, ka punë për të bërë dhe sfida, për të cilat do të ketë angazhim konkret, institucional dhe nga e gjithë shoqëria.
Ky angazhim për të përmbushur kriteret që na ofrojnë me vendet e zhvilluara evropiane do të vazhdojë.Ndërtimi i shoqërisë demokratike, të qëndrueshme, të zhvilluar dhe me mirëqenie të qytetarëve, është synim i vazhdueshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria shprehin bindjen se qytetarët dhe institucionet e Kosovës do të dinë të vlerësojnë drejtë dhe të respektojnë vendimet dhe rregullat e institucioneve evropiane për lëvizje të lirë.
Në këtë drejtim, ne garantojmë mbështetje institucionale për respektimin e kritereve, rregullave dhe procedurave që lidhen me këtë rekomandim të Komisionit Evropian.Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës presin që ky rekomandim do të marr mbështetjen edhe nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Ministrave, në mënyrë që lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në vendet evropiane të bëhet realitet deri në fund të këtij viti.
MINISTRI I JASHTËM PACOLLI: REKOMANDIMI POZITIV PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE NJË MOMENT I RËNDËSISHËM HISTORIK PËR VENDIN DHE QYTETARËT
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, ka mirëpritur rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, që u publikua sot nga Komisioni Evropian.
“Njoftimi i sotëm nga Komisioni Evropian për rekomandimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është një moment i rëndësishëm historik, i cili e bën Bashkimin Evropian të prekshëm për qytetarët e Kosovës. Ky hap drejt liberalizimit të vizave është një test për lidershipin e BE-së në rajon dhe një angazhim për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka thënë numri dy i Qeverisë së Kosovës, Pacolli.Kryediplomati kosovar, Pacolli, ka përgëzuar edhe Institucionet vendore për punën, angazhimin dhe përkushtimin institucional në përmbushjen e të gjitha kritereve të vëna nga ana e Bashkimit Evropian.