Nga FEDERICO FUBINI/
Dy herë Henry Kissinger ka thënë diçka që është dukur jashtë boshtit kundrejt vijës së G7 për Ukrainën. Më shumë se një muaj më parë në Davos ish sekretari I Shtetit amerikan, tashmë gati njëqindvjeçar, ka vërejtur se bisedimet për paqe do të duhej të fillonin brënda fundit të korrikut “më parë se të krijohen kryengritje dhe tensione që mund të bëheshin të papërballueshme”. Kissinger ka shtuar më pas një fjali që duket si një ftesë Kievit për të hequr dorë nga Krimea dhe pseudo-republikat e Donjeckut e të Luganskut: “Idealisht gjëndja do të duhej të kthehej në status quo ante (më 24 dhjetor (shën. i dr.). Besoj se vazhdimi I luftës përtej asaj pike do t’a shndërronte në një luftë jo për lirinë e Ukrainës, por kundër Rusisë”. Gari Kasparov, kundërshtari I madh rus, I është përgjigjur se ajo ide është treguar e gabuar: t’I lëshohen territore Kremlinit “nuk është e përkrahëshme, sepse me kohë diktatorët kanë nevojë për luftë”. Në të vërtetë lënia e Krimesë më 2014 veçse ka shtuar etjen e agresionit të Vladimir Putinit.
Megjithatë javën e shkuar Kissingeri u këthye në temën me Luigi Ippolito në Corriere. Duhet thyer mësyemja e Ukrainës, tha, “jo Rusia si Shtet” dhe duhet “kthyer në rrugën historike për të cilën Rusia është pjesë e sistemit evropian”. Dhe ka vazhduar: “Kemi arritur në një çast në të cilin duhet përballuar çështja e fundit të luftës në termat e synimeve politike po aq sa edhe ushtarake. Nuk mund të vazhdohet thjesht të luftohet pa patur një synim”.
Çfarë donte të thonte Kissingeri? Pa dyshim sheh edhe ai vështirësitë në të cilat ndodhet Ukraina në përplasjen. Ushtria ruse është kthyer në taktikën cariste të tokës së djegur me artileri e vetëm më pas të përparohet me këmbësori; Lugansku është marrë dhe tani po depërton thellësisht në Donjeck. Është e mundur që ukrainasit të orvaten në një kundërsulm në Jugë me hedhësit e raketave t’arritura nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, sulmet ajrore ruse, nga dyzet deri në pesëdhjetë në ditë, shkatërrojnë sasi të mëdha të armëve të dhëna nga perëndimorët dhe i shkaktojnë humbje ushtrisë së Kievit: simbas disa përllogaritjeve, deri në 40 % të ushtarëve ukrainas janë vrarë apo nuk janë në gjëndje të luftojnë (të tjerë qindra mijra njerëz në trupat e rendit publik kanë nevojë për stërvitje që të shkojnë në luftë).
Putini ka kryer gabime trashanike në dimër por asnjëri nga veprimet e tanishme, fatkeqësisht, nuk duket i rastit. Raketat mbi mbitregjet ose mbi pallatet e Kievit, të Kramatorskut apo të Odesës i shërbejnë terrorizimit të civilëve, por edhe ngritjes së çmimit psikologjik e (sigurues) për qeveritë dhe ndërmarrjet perëndimore që premtojnë të rindërtojnë Ukrainën. Rusifikimi i territoreve të pushtuara i paraprin një orvajtjeje bashkëngjitjeje me një vlerë ligjore të mbrapshtë: për Moskën, çdo kundërsulm në Donbas do të kthehej n’atë pikë në një sulm të territorit të vetë Rusisë, e si i tillë do të ngrinte çështjen e doktrinës së frikësimit bërthamor.
Edhe Kremlini po paguan një çmim të lartë, natyrisht: disa pasoja të sanksioneve perëndimore fillojnë të bëhen të dukëshme. Prodhimi i automobilëve në Rusi ka rënë me 97%, huatë e bankave ruse me 27 %. Por ndoshta çasti i katastrofës ekonomike ruse nuk do të jetë nesër. Një veteran i industrisë së naftës të Moskës, së fundi i ikur jashtë, Sergei Vakulenko, i ka shpjeguar Corriere-s se koha është faktori thelbësornë luftën ekonomike mes Rusisë dhe Evropës. Në periudhën e shkurtër logjika e Putinit çon në pakësimin skajor të furnizimeve me gaz të evropianëve, në mënyrë që të shkaktojë inflaksion, racionim në dimër, pra armiqësi të opinioneve publike kundrejt politikanëve nëse këta të fundit mbështesin Ukrainën. Nuk është e rastit që qeveria franceze ka paraqitur një projekt-ligj që i lejon shtetëzimin e çentraleve me gaz në rast piskame. Në të njëjtin skenar, në Berlin zhvarroset një normë e viti 1960, për t’i lejuar qeverisë të marrë kontrollin e gjithë industrisë kombëtare e të vendosë se cilët sektorë duhet të ngadalësojnë apo të ndalojnë. Çështja se si do të përballohen kriza të mundëshme të furnizimit në muajt e ardhshëm do të vihet edhe n’Itali.
Vetëm në rrethin e një apo dy viteve raporti i forcave do të përmbyset. Evropa do të zëvendësojë gazin rus. Dhe mungesa e përbërësve industrialë, e vendosur nga sanksionet, do të bëjë që koha të fillojë të luajë kundër Moskës, duke i sjellë dëme serioze sistemit të saj prodhues. Rrëshqitja e rërës në klesidrën luan për Putinin në nëntë apo dhjetë muajt e ardhshëm, mbrapa kundër tij. Në këto kushte qeveritë evropiane duhet t’i përgjigjen pyetjes më të pavolitëshme sot: a me të vërtetë mendojnë se vetëm Volodimir Zelenski ka të drejtë të përballojë çështjen se kur dhe si do të ndiqet armëpushimi? Mario Draghi pak ditë më parë e ka përmbledhur kështu qëndrimin e G7: “Nëse do të ketë një gatishmëri për bisedime, jemi gati”. Duket e qartë se do të jetë shumë e vështirë të rimerren territoret tashmë të përfunduara nën kontrollin rus e të kihet iluzioni për t’i marrë, tani, mund të sillte tjetër gjak. Duket po aq e qartë se të njihet sot pushtimi nuk do bëjë tjetër veçse t’i japë kohë e arsye Putinit për të përgatitur të tjera agresione nesër. Ndërmjet këtyre dy pohimeve, vështirësisht të rrëzueshëm, por të papajtueshëm, përvijohet misioni më i ashpër për evropianët në muajt e vitet e ardhëshme: të mbahet shtrënguar zbatimi i sanksioneve, të veçohet Rusia deri sa t’i bëhet i papërballueshëm çmimi i zgjedhjeve të saj. Megjithatë dëshira për t’u kthyer në bussines as usual është përtej qoshes: Draghi është i vetmi udhëheqës evropian që ka thënë se Vëndi i tij nuk do të blejë më energji ruse, deri sa Putini të qëndrojë në Kremlin.
“Corriere della Sera” 6 korrik 2022 Përktheu Eugjen Merlika