Nga Keze Kozeta Zylo/
Vdekja jote më la nje boshllëk në zemër, por ajo do të mbushet me dashurinë që ndamë u shpreh bashkëshorti i saj Lekë Preçi.Me dhimbje dhe lot në sy e morëm lajmin e trishtë nga Marko Kepi për ikjen e parakohshme të mikes sonë Blerina Bardhok Loka. Komuniteti Shqiptar në New York dhe më gjerë u trondit thellë nga ikja e parakohshme e Blerinës e cila e la jetën e saj përgjysmë në moshën e trëndafiltë, 36 vjeçe.Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. anëtare e së cilës është prej vitesh, ndërsa bashkëshorti i saj Lekë Preçi është n/kryetar, me lot ne sy e pritën vdekjen e saj. Lekë Preçi bashkëshorti i saj, kur vajtëm në spital me Qemalin në Manhattan këto ditë tek Blerina për ta vizituar, më tregoi se e dinte që ishte e sëmurë që kur u martuan në Itali, më 2014, por dashuria dhe sinqeriteti i saj triumfoi mbi të keqen. Ne e jetuam jetën të dy si bashkëshort, sepse ajo e donte jetën me shpirt, e donte familjen, e donte Amerikën. Unë pashë tek ajo magjinë e shpirtit të kristaltë, bukurinë e sjelljes dhe më bënte që të mos i ndjeja kurrë sakrificat. Ajo që më dhëmb në shpirt ( ndërkohë ndalon dhe ngashëehet në lot) është princesha Altea se do të rritet pa nënë. Sa e dobët ishja përballë kësaj situate, por natyrshëm mora forcë pë t’i dhënë kurajo, për t’i qenë pranë familjes në këto momente duke i thënë se Altea ka një baba që do t’i jetë pranë gjithë jetën e saj. Ajo e kishte ëndërr tha Leka që vajza jonë princesha Altea të lindte në Amerikë dhe e realizuam. Ajo u kurua në spitalet më të mira në botë. Amerika ia zgjati jetën, ndërkohë që në Shqipëri dhe Itali i kishin dhënë shumë pak vite shpresë. Sa herë e takoja shihja tek Blerina se kishte një sens humori dhe paqe në sytë e saj të mëdhenj dhe të bukur. Kur ai fliste për virtytet e mrekullueshme të Blerinës, i thashë nuk më duket çudi Lekë, ngase ajo është mbesa e Zef Lokës, një nga burrat e rrallë dhe shumë finsik që kam njohur. Është shumë e dhimbshme të shikoje Nënë Davën duke i ndenjur tek koka ardhur enkas nga Shqipëria për të qenë pranë ditëve të fundit të saj, apo vëllain Ndrecën i cili nuk pushonte së gëlltituri lotët e tij. Ndërkohë telefonatat binin papushim si psh e vëllait të saj Gjovalinit nga Tirana i cili po bëhej gati për të ardhur në New York. Çfarë situatash të dhimbshme sheh dhe që nuk ke si i mposht, por ja duke qenë bashkë tha Mark Qehaja kryetar Nderi pranë kësaj shoqate dhe duke ngushëlluar njeri-tjetrin dhimbjet bëhen dhe më të lehta. Blerina iku në muajin e çeljes së gjethit, në muajin e pranverës, në muajin që do të blerojnë fushat, pemët, ashtu siç kishte emrin e blertë. Ajo lindi, më 5 Maj 1986 në Fan të Mirditës dhe mbaroi sot, më 1 Mars, 2023, në New York. Ajo është bijë e Fanit të Mirditës dhe shkollën e mesme e ka kryer atje, ndërsa më vonë jetoi në Tiranë, Itali dhe New York. Që nga viti 2015 ajo është banore e Nju Jorkut bashkë me Lekën i cili ka hapur një kompani ndërtimi dhe është I suksesshëm. Ajo la pas vajzën e saj Altea e cila e rriti plot pekule nëne. Altea është 8 vjeçe dhe jetoftë sa malet e Shqipërisë.Blerina dha frymën e fundit në spital në Manhattan, në “Memorial Sloan Kettering Cancer Center”, rrethuar nga bashkëshorti i saj Leka, nënë Dava, vëllezërit Gjovalini dhe Ndreca, motra Diana, dhe dy kunatat e saj Martine dhe Tone. Humbja e një bashkëshorteje është një nga dhimbjet më të vështira emocionale që një person duhet të durojë, por gjen ngushëllim kur kujton jetën e bukur që ka kaluar dhe pasurinë e patundshme që i ka dhuruar si princeshën Altea.Dashuria e Blerinës është gjithmonë me Altean e saj. Humbja e nënës është një nga dhimbjet më të thella që një zemër mund të njohë. Por mirësia, kujdesi dhe mençuria e saj do te jetojnë – si një trashëgimi dashurie per Altean dhe Lekën. Të qoftë dheu i lehtë Blerina jonë!Drite të pastë të shpirti në Parajsë atje ku ke vendin nuse e bukur dhe e blertë!1 Mars, 2023Staten Island, New York