Nga Betim Muço/
Të nderuar familjarë, miq e dashamirë,/
Jemi mbledhur sot këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një gruaje që u lind larg prej këtij vendi por që kjo tokë bujare u bë dhe toka e saj për rreth 15 vitet e fundit të jetës. Përcjellja nga kjo jetë e njeriut të dashur është një rit aq i lashtë sa vetë njerëzit mbi dhe. Kurdoherë në këto raste për ta thuhen fjalë rë mira e lavdëruese shpesh herë edhe kur këto fjalë nuk janë merituar. Por kjo e fundit nuk ndodh e nuk ka sesi të ndodhë në këtë përcjellje mortore të Dritës sonë të dashur. Ç’fjalë të tjera mund të thuhen për të përveç kurajos e heroizmit që demonstroi në jetë, përveç inteligjencës e punës së palodhur, përveç mirësisë, fisnikërisë e dashurisë që ajo shpëndau aq bujarisht?
Drita Siliqi Shundi lindi e u rrit në mesin e një familje të shquar për atdhedashuri e profesionalizëm, vendosur në Tiranë qysh në fund të shekullit të 17-të. Shumë djem e vajza nga kjo familje përfunduan studimet universitare dhe gjatë shekullit të 20-të punuan si mësimdhënës të shquar nëpër shkolla të larta, nëpër qendra studimore e institucione të rëndësishme. Dashuria e lidhi atë me pinjollin e një familjeje tjetër të shquar nga Shkodra, Drago Siliqin, një shkrimtar, kritik e botues i ri e premtues për kohën. Nuk dihet se si do të kishte qenë fati i Dritës në qoftë se i shoqi i saj i ri nuk do të kishte humbur jetën në aksidentin tragjik. Me talentin, temperamentin e iluminizmin e tij, vështirë se Drago Siliqi, njeriu që u dha një pranverë të vërtetë botimeve në vitet ’60 në Shqipëri do të qe pajtuar me fushatat komuniste anti-kulturë që pasuan. Këtë ma ka thënë dikur me bindje miku i tij i asaj kohe, Ismail Kadare. Jam i sigurtë që gruaja e tij e dashur do ta kishte ndjekur atë burgjeve e internimeve. Po fati e solli ndryshe. Drita Siliqi rrojti shumë pakë me të dashurin e saj por e mbajti dashurinë e tij si yllin polar gjithë jetën. Me një heroizëm e kurajo të pashoqe ajo rriti e edukoi dy vajzat e saj, Laurën e Darinën duke qënë për to babë e nënë në të njëjtën kohë. Ndërkohë mëkoi me letërsinë breza nxënësish e studentësh si mësuese në shkolla të mesme e pedagoge në universitet dhe punoi e palodhur në organet e shtypit. Ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë letrare e botuese, që nga botimet e antologjive poetike, problemet e gruas shqiptare në shtypin e rilindjes, pavarësisë dhe luftës çlirimtare e deri te përkthimet siç ishin librat më të fundit nga Oriana Fallaçi. Vitet e fundit të saj u jetuan në trekëndëshin Amerikë-Kanada-Shqipëri. Këtu në kontinentin e ri ajo pa të rriten nipërit e mbesat, stërnipërit e stërmbesat. Jetoi mes dashurisë së vajzave të saj, të dhëndurëve Gjergjit e Arbenit dhe të gjithë atyre që e njihnin dhe e çmonin. Duke ikur, Drita e la pas dritën e saj për të gjithë të dashurit. Lum si ajo që la pas kaq dritë e dashuri dhe u kujtoftë përherë me mall sa qofshim gjallë.
*Fjala e lamtumires qe mbajti shkrimtari Betim Muço ne ditepercjelljen e se ndjeres Drita Siliqi 9 gusht, 2013
KUSH ISHTE DRITA SILIQI
Drita Siliqi Shundi (2 mars 1933-5 gusht 2013)
Drita Siliqi (Shundi) lindi në Tiranë, më 2 mars të vitit 1933, në një familje patriote tiranase. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tirane. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga nje familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit.
Ndërsa ishte student në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme Petro Nini Luarasi dhe Sami Frashëri të Tiranës, dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën Shqiptarja e Re.
Në vitin 1957, Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat Darinën dhe Laurën.
Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ja dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e nje shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e Rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur”dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci.
Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj. Ajo la prapa prapa vajzat e saj Darina Demiri (Siliqi) dhe Laura Konda (Siliqi) me bashkëshortët e tyre Arben Demiri dhe Gjergj Konda, mbesat Lora Carlessimo (Demiri) me familjen e saj dhe Stella Demiri, nipërit Tedi Konda dhe Martin Konda, si dhe një stërnmbesë e një stërnip.(Ne Foto Drita dhe Drago Siliqi)