Mjaftime Dushallari/
Janë shumë njerëz që mund të flasin dhe të shkruajnë për të nderuarin, z. Naum Prifti, i cili u nda nga jeta duke lene ne hidherim te thelle familjaret, te afermit dhe shume miq te tij. Janë kolegët e tij shkrimtarë, artistë apo studiues, që punuan dhe njohën nga afër veprën e tij shumëvjecare në Shqipëri dhe më gjerë. Janë bashkëkombasit e tij patriotë që e njohën, u aktivizuan dhe punuan krah tij në tubime të ndryshme të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe vecanërisht në organizatën e mirënjohur Pan-Shqiptare Vatra ku u zgjodh edhe sekretar i saj për shumë vite. Edhe unë kam pasur mundësinë të shpreh në shtyp mendimin tim për personalitetin e spikatur dhe vlerat e veprës letrare të z. Naum Prifti.
E kam njohur emrin e tij që kur isha nxënëse shkolle dhe lexoja veprat e tij të përfshira në antologjitë letrare. Në kohën e lirë më kënaqte leximi i librave të tij për fëmijë. E njoha personalisht Naum Priftin kur punoja në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe ai, i qetë dhe pa bujë, futej në katedër ose në auditor për të marrë pjesë në ndonjë sesion shkencor apo në mbrojtjen e diplomave të studentëve, ku dëgjonte paraqitjen dhe mbrojtjen e diplomës së ndonjë studenti që drejtonte, ose ku paraqiste me profesionalizëm ndonjë recensë diplome që i ngarkohej.
Ishte Amerika që na afroi, na miqësoi dhe na njohu më shumë me njëri tjetrin. Pa i hequr asgjë atyre që kam thënë më parë për këtë personalitet të shquar të kulturës shqiptare, do të doja të shtoja disa ndjesi të miat personale dhe të familjes time, por besoj dhe të miqve që ishin pranë nesh, që kam ndjerë nga afërsia dhe miqësia që na ofroi z. Naum Prifti dhe familja e tij në vitet e para të emigrimit në Amerikë, që flasin shumë për zemrën e tij të madhe dhe mendjen e tij të hapur. Ishin vitet e përpjekjeve dhe vështirësive të shumta për të përballuar jetën dhe për t’u integruar denjësisht në jetën amerikane, që për moshën tonë nuk ishte e lehtë. Shumë intelektualë bënin punë të rëndomta, disa ropateshin me përpjekjet për të mësuar anglishten, të tjerë ishin ende të papunësuar. Edhe në ato kushte, z. Naum Prifti, që kishte ardhur në Amerikë me familjen para nesh, si një baba i kujdesshëm dhe si një intelektual i mencur, na bëri të ndiheshim përsëri intelektualë.
Takimet e para familjare ishin shumë të ngrohta sepse dhe arsyet dhe mënyra se si kishin ardhur të dy familjet tona në Amerikë ishin të njëjta. Gjithashtu, me z.Naum dhe dy vajzat e tij, që unë kam pasur fatin t’i kisha studente në degën e Letërsisë, përbënim një grup që kishim c’të bisedonim. Diskutimet për letërsinë, artin, për jetën amerikane, mbushnin bisedat tona dhe na jepnin kënaqësi të vërtetë. Do te na mungojne historite interesante dhe humori i natyrshem qe i shoqeronte perhere.
Pjesëmarrja në aktivitete të tilla si promovimet e librave me platformë gjithëkombëtare “Shekulli 21” -Mendime dhe Opinione për të Ardhmen e Shqipërisë, të librit “Kombi” – Rrugët e Bashkimit Kombëtar, për të cilët Naum Prifti ishte koordinator, redaktor dhe korrektor letrar, na bënin të ndiheshim mirë mes intelektualësh dhe na jepnin mundësinë të njihnim këndvështrime të ndryshme të botës së gjerë intelektuale shqiptare për probleme madhore të kombit si dhe për të ardhmen e tij. Dhënia e ndonjë opinioni për fushën tonë, na jepte kënaqësinë e profesionit me të cilin sikur ishim shkëputur përkohësisht.
Telefonatat e z.Naum dhe vajzave të tij për t’u përfshirë në aktivitete të ndryshme shoqërore dhe politike të komunitetit shqiptar, i prisnim gjithmonë me kënaqësi e gatishmëri të plotë. Njohja dhe pjesëmarrja në aktivitetet e organizatës së grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”, ku fillimisht shkonim me Julikën dhe Rafaelën, ishin në ato vite dhe mbetën ende takime të dëshiruara shoqesh, kolegesh, konsulentesh, intelektualesh dhe motrash shqiptare.
Libri i ri i Naumit i botuar në vitin 2000, një përmbledhje me mite, legjenda, përralla, rapsodi, rrëfime popullore dhe fabula, i titulluar “Nëna e Diellit” u bë shkas për një takim artdashësish, për një promovim të suksesshëm në restaurantin e patriotit Bruno Selimaj. Leximi i këtij libri më bëri dhe një herë të ndalem në rrëfimet e shtruara dhe plot kolorit të tregimtarit të rrallë të letërsisë sonë.
Në ato vite, kemi pasur nderin të festojmë me familjen e tij dhe disa miq të afërm 65 vjetorin e lindjes së shkrimtarit te talentuar, Naum Priftit. Kjo festë e vogël, por e bukur familjare, na bëri të gjithëve të mendonim dhe të evidentonim dicka me vlerë nga vepra plot vlera dhe nga personaliteti i tij që e kanë bërë të ishte dhe të jetë gjithmonë njeri dhe krijues i nderuar dhe i respektuar. Natyrisht dhe ne ndiheshim mirë në një mjedis të tillë.
Me kujdesin e z. Naum kemi parë fillimisht ekspozitën e fotografit të talentuar shqiptar, Fadil Berisha ne Manhattan. Ishin këto aktivitete që na jepnin kënaqësi si intelektualë, na bënin të harronim të përditshmen, ta shihnim të ardhmen tonë më pozitivisht. Arritjet e këtyre individëve na ndihmonin të kuptonim mundësitë e pafundme që të ofron ky vend i ëndërruar nga të gjithë, vendi që i kthen ëndrrat në realitet, vendi që e bën talentin të lulëzojë.
Librat që shkëmbenim nxisnin më tej bisedat tona dhe na ushqenin njohuritë, sidomos ato rreth figurave të shquara të diasporës. Një prej të cilave është dhe monografia rreth jetës dhe veprës së vëllait të tij, Peter Priftit, patriotit, gjuhëtarit, letrarit dhe filozofit të letrave shqipe.
Edhe koha që mund të shpenzonim me z. Naum për një kafe diku, jo vetëm që nuk ishte kohë e humbur, por kthehej shpejt në moment gazmor, të këndshëm, intelektual, sidomos kur fillonim të tregonim të vërteta “me kripë apo me sheqer” nga koha e diktaturës në Shqipëri. Dhe ai gjithmonë qeshte, edhe kur dëgjonte historitë e treguara nga dikush tjetër, edhe kur tregonte vetë. Qeshte me shpirt se tregonte me shpirt, se tregonte me pasionin e krijuesit. Nuk tregoheshin barcoleta që të bëje të tjerët për të qeshur dhe vetë të mbaje qëndrim serioz. Ishin të vërtetat e kohës, të vërtetat e jetës rreth ngjarjeve dhe njerëzve realë të të gjitha kategorive. Prej atyre, ishin dhe kënaqësi që duheshin kujtuar sepse në rrethet artistike dhe intelektuale kishte dhe shume gjëra të bukura që duheshin mbajtur mënd, kishte dhe ndodhi të guximshme që dilnin nga kornizat e kohës dhe bëheshin të njohura vetëm në rrethe të ngushta të njohurish. Shumica e atyre që tregonte ishin dhe filizat apo idetë e shkrimeve të tij të arta.
Dhe ndërsa ne u përpoqëm dhe e gjetëm veten në këtë vend të madh, z. Naum Prifti vazhdoi gjithmonë të punonte dhe krijonte si “shkrimtar në profesion të lirë”. Shkruante pa pushim, edhe kur jeta e vuri në provë me fatkeqësi të rënda në familje, edhe kur pati probleme të vështira shëndetsore. Ai mbetet në kujtesën tonë si model i njeriut të punës dhe i intelektualit patriot të palodhur.
Dhe vitet kaluan pa u kuptuar derisa ne, një grup mësuesish shqiptarë, me nismën e z. Kristaq Papa, drejtues i shkollës shqipe në Astoria u mblodhëm përsëri në lokalin shqiptar “Kuq e Zi” të pronarit Kristaq Foto për të festuar 7 Marsin e vitit 2017, ditën e mësuesit dhe njëkohësisht ditëlindjen e z. Naum Prifti. Kishin kaluar plot 20 vjet. Shkrimtari 85 vjecar erdhi mes nesh më i pakët në trup, më i rezervuar në të folur, më i ngadalshëm dhe më i kujdesshëm në të ecur, por fytyra e tij ishte ende e qeshur, shkëlqimi i saj rezatonte kënaqësi e mirësi. Ajo që nuk ndryshoi kurrë te ky njeri, edhe në moshën e tretë, ishte mendja e tij e kthjellët dhe dashamirësia për të gjithe.
Edhe gjatë kohës që z.Naum ishte në spital dhe mundohej të mbijetonte, vazhdonte të shkruante dhe të mbahej aktiv. Tregimet e tij ishin te ndjera, te sinqerta, teper njerezore, art i vertete.
Mirënjohje dhe respekt për mjeshtrin e letrave shqipe, z Naum Prifti. Shpirti i tij pushofte ne paqe!