Luigj Gjoka
Boston – June 22, 2024/
Më 12 Qershor 2024, në Spitalin e Përgjithshëm Massachusetts në Boston, ndërroi jetë Gjergj (Xhoxhi) Gjura, kolegu dhe miku im i çmuar duke prekur thellë zemrat e njerëzve të dashur dhe miqëve të shumtë. Me largimin në amshim të Xhoxhit, familja humbi njeriun e saj shumë të dashur e të shtrenjtë, ndërsa komuniteti i matematikanëve dhe informaticienëve shqiptarë humbi një anëtar të dalluar, një punëtor të palodhur në fushat e kërkimit, zbatimit dhe edukimit matematik e informatik.
FAMILJA
Xhoxhi, djali i dytë i çiftit Zef dhe Eftali (Lezi) Gjura, lindi me 13 gusht 1948. Në vitin 1977, Xhoxhi martohet me Fatmira (Lezha) Gjura, me profesion ekonomiste e lartë. Frut i kësaj martese janë dy djemtë Olti e Grejdi Gjura. Nën shembullin dhe kujdesin e prindërve, Olti e Grejdi, u bënë djem të të suksesshëm, mbaruan studimet universitare në Boston dhe u punësuan në profesione në pajtim me dijet e fituara, krijuan familjet e tyre, linden fëmijë të mrekullueshëm të cilët u bënë burim gëzimi e dashurie të pamatë për gjyshërit e tyre Xhoxhi e Fatmira.
SHKOLLIMI
Nën kujdesin prindëror, por edhe falë natyrës së tij kureshtare dhe etjes për dije, Xhoxhi i mbaroi gjithë ciklet e shkollës parauniversitare me rezultate maksimale. Pas mbarimit të shkollës së mesme, në vitin 1966, Xhoxhi fillon studimet universitare në “Fakultetin e Shkencave Natyrore”, “Universiteti i Tiranës”, në degën 5-vjeçare të Matematikës, dhe i përfundon ato me reultate shumë të mira në vitin 1971, duke marrë diplomën “Matematikan”. Pas përfundimit të studimeve universitare, Xhoxhi emërohet menjëherë te “Qendra Matematikës Llogaritëse” e cila më vonë u quajt INIMA ose “Instituti i Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar”.
KARRIERA
Xhoxhi, plot pasion, dashuri e talent, iu përkushtua studimit të thelluar e kualifikimit të vazdueshëm dhe, bashkë me kolegët e tij, në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, vendosen themelet akademike e shkencore në sektorët e informatikës, të kërkimeve operacionale, të statistikës matematike, të teknikës llogaritëse elektronike, të metodave të përgjithshme llogaritëse e të shërbimit masiv. Të mos harrojmë që Xhoxhi i përkiste brezit të parë të specialistëve të matematikës, informatikës, inxhinierisë elektronike etj që, të udhëhequr nga profesorët e njohur Kristian Bukuroshi, Ylli Vejsiu etj, jetësuan këtë projekt të madh në dy fusha të ndryshme, por të pandashme, “Matematikë e Aplikuar” dhe “ Informatikë”, dhe zgjidhen ndërkohë një varg problemesh në ekonominë shqiptare, si energjitikë, statistikë, demografi, gjeologji, gjeofizikë, metalurgji etj. Xhoxhi, pas disa specializimeve, kryesisht në Francë, ngriti dukshëm nivelin e tij shkencor në fushën e kërkimit e të zbatimit të metodave matematikore në degë të ndryshme të ekonomisë shqiptare. Krahas punës në INIMA, Xhoxhi jepte leksione në fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Falë punës këmbëngulëse, përvojës dhe specializimeve jashtë vendit, ai mbron doktaraturën në fushën e zbatimeve të matematikës e informatikës, duke fituar titullin “Doktor Shkencaah ” (Ph D). Për punë të çmuar në informatizimin e institucioneve qeveritare, Xhoxhit i jepet “Çmimin i Republikës i klasit të tretë”.
EMIGRIMI NË AMERIKË
Në vitin 1995, Xhoxhi largohet familjarisht në USA, ku i ati kishte punuar për shumë vite dhe kishte marrë nënshtetësinë amerikane. Vendoset në Boston, shteti Massachusetts. Bazuar në përvojën dhe karrierën e tij në Shqipëri, ai fillon punën në “Quincy College” si “Profesor Emeritus” në “Computer Science Department” ( Departamenti oi Shkencave Kompiuterike) dhe qendron aty deri sa del në pension. Një karrierë vërtet e sukseshme dhe lakmueshme!
XHOXHI, KOLEGU DHE MIKU IM I NGUSHTË
Përsonalisht, e kam njohur Xhoxhin që kur ishim studentë në degën e matematikës, ku ai ishte një vit para meje. Pastaj u bëmë kolegë e miq të ngushtë. Në bisedat më të, krahas njohurive për matematikën e informatikën, binte në sy interesi i gjërë për kulturën, filozofinë dhe shoqërinë. Bisedat më te ishin shumë të këndshme; ai kishte doza të një humori të hollë e të natyrshëm ( të pasforcuar). Mund të them pa mëdyshje se Xhoxhi ishte njeri praktikisht të paqortueshëm, model i njeriut korrekt, të qetë, të mençur e të njerëzishëm.
ÇASTET E FUNDIT TË JETËS I RRETHUAR ME DASHURI E PËRKUJDESJE NGA FAMILJA
Gjatë gjithë ditëve në spital, Gjergj (Xhoxhi) Gjura qe i rrethuar plot dashuri e kujdes nga bashkëshortja, dy djemtë me nuset e tyre dhe të afërm të tjerë. Xhoxhi, megjithëse ishte plotësisht i vetëdijshëm për rrezikun e sëmundjes së pabesë, qendroi i qetë, madje u përpoq të shfaqë optimizëm, ndoshta ngaqë besonte në shërimin e tij e, ndoshta më shumë, se nuk donte të shihte të trishtuar familjen. Qetësia me të cilën e përcolli procesin e kurimit në spital preku dhe përsonelin shërbyes edhe mjekët, të cilët i falenderonte dhe u thoshte se kishte besim te puna e tyre.
MESAZHE NGUSHËLLIMI NGA MIQTË E XHOXHIT
Qindra e qindra mesazhe të përzemërta dhe prekëse janë postuar këto ditë në Fb nga dashamirësit e Xhoxhit. Unë zgjodha të sjell këtu vetëm dy prej tyre: Matematikani i njohur Prof Mina Naço, shkruan në mesazhin e tij: “Ikja e Gjergjit lë një boshllëk të madh jo vetëm në familjen e tij të nderuar, por në gjithë shoqërinë e miqësinë e tij. E kam njohur Gjergjin për shumë e shumë vite që nga koha kur ishte student. Bashkëpunëtor i heshtur, pa llafe e pa zhurmë, por gjithënjë i mrekullueshëm dhe me rezultate të shkëlqyera në çdo gjë që nxirrte nga dora. Ngushëllime Mirës dhe djemve për këtë humbje të madhe dhe të hidhur. Mbeten kujtimet që ka lënë. I paharruar kujtimi i Tij.”. Ndërsa Mira Bardhoshi, një shoqe pune e Xhoxhit, e shpreh brëngosjen e saj me fjalët shumë prekëse: “Është një nga ditët më vështira e më të trishta të jetës sime. Bashkë me të, një copë shpirti e tim, që lidhej me shoqërinë dhe miqësinë 37 vjeçare me te, ka marrë fund. I lindur për të qenë një njeri i jashtëzakonshem, iku për të mos pritur kurrë më të nesërme. Të bekuar janë ata, të cilët lënë pas respekt e dashuri ndër njerëzit me të cilët jetuan ose punuan. Dhe Xhoxhi është njeri prej tyre. Do donim shumë që Xhoxhi të jetonte edhe shumë vite të tjera që të gëzonte nipat dhe mbesat, të shfrytëzonte kohën, tashmë të lirë, për tu marrë me gjërat që ka pasur për zemër, por që koha nuk i premtonte. Boshllekun fizik e shpirtëror që ka lënë Xhoxhi te njerëzit e dashur , miqtë dhe të njohurit, koha do ta mbushë me kujtimet e paharrueshme që ai ka lënë si një bashkëshort, si prind i devotshëm e i përkorë, si pedagog i disa breza studëntesh, si hulumtues shkencor dhe si një qytetar model. U prehsh në paqe mik i dashur! Ti ishe një prej shpirtrave shumë të sjellshëm të kësaj bote. Zoti i dhëntë force bashkëshortes Mira e dy djemëve Olti e Grejdi dhe gjithë familjes (për të cilën Xhoxhi ndjehej shumë krenar) për të përballuar dhimbjen e largimit n’amshim të njeriut shumë të dashur e të shtrenjtë! Shpirti i Xhoxhit pastë dritë të përjetshme”.