Nga Arjan Th. Kallço/
Lamtumira është fjala që na ndan me njerëzit tanë më të dashur. Fjalë e dhimbshme dhe plot peshë, sidomos kur të largohet përgjithmonë një mik i vërtetë me të cilin ke ecur në rrugën tënde të krijimtarisë, aq më shumë që ka qënë mësuesi yt i madh i jetës. Lamtumira është fjala e fundit që i ndan njerëzit që ndoshta njohjet i kanë patur të pakta, por sado të pakta t’i kenë patur, ka mbetur diçka në jetë që të rilidh me të. Por edhe ata që nuk e patën mundësinë që ta njohin nga afër, përsëri sado egoistë dhe nihilistë të tregohen, përsëri, herët a vonë, do të ndeshen me emrin dhe veprën e tij. E prej Çeramit na ka mbetur një pasuri e tërë letrare, kinematografike e skenike, kështu që do të kemi padiskutim momente të bukura ritakimi me të. Edhe për ne shqiptarët e përtejdetit do të ishte mirë që jo vetëm filmat, por edhe veprën e tij letrare ta njohim, duke e sjellë në gjuhën tonë. Kjo është detyra e përkthyesve dhe e shtëpive botuese që të mos ezitojnë, por të fillojnë nga puna qysh tani. Janë mbi 30 vepra të shkruara prej tij që presin të përkthehen, ose të paktën prej tyre disa nga kryeveprat të cilat e bënë të famshëm autorin më parë si shkrimtar e pastaj si skenograf. Besoj se në të gjithë atë përvojë ka gjithmonë leksione që duhen lexuar dhe mësuar, për secilin prej nesh.
Lindi në Romë në vitin 1940, shkrimtar, dramaturg, poet, skenograf. Në vitin 1976 botoi romanin e parë Një borgjez i vogël, i vogël; Prani e dashur 1978; Lamtumirë Lenin 1981; Djali prej xhami 1983; Lepuri 1988; Hipokriti 1991; Njerëzit 1993; Zoti ‘900 1994; Këshilla një shkrimtari të ri 1996; Takimi 2005; Jetë të gënjeshtra 2007.
“Desha ta falenderoja publikisht mikun Çerami, është një person shumë bujar, ëmbëlsia e tij të gjeg. E fuste dorën në xhep dhe nxirrte jashtë futrunë. Më ka mësuar shumë gjëra. Që në fillim më mësoi se frymëzimin e presin diletantët, të tjerët i përveshin mëngët dhe i futen punës. Më mësoi sintaksën, sintezën. Është një njeri që ia hap zemrën të gjitha enigmave dhe di t’i zgjidhë të gjitha ato. Po e përshëndet me fjalët e një poeti të madh: Vinçenco, mos rri e vështro, mos u shqetëso, nëse bien yjet, por shikoji që t’i mbash mend. E ardhmja sapo filloi” – u shpreh aktori i çmimit Oskar Beninji.
Kur i propozuan çmimin e merituar të karrierës, ai nuk shkoi vetë, ashtu si Benini dhe Piovani, të tre të bashkuar nga një lidhje dhe bashkëpunim mbi 20 vjeçar, por dhe nga përvoja magjike që i çoi deri tek Çmimi Oskar për filmin Jeta është e bukur. Në takimin me presidentin Napolitano vajza e vet lexoi mesazhin e të atit, duke e mbyllur me fjalët : Shpresa jonë, në errësirën në të cilën luftojmë është se më në fund shteti dhe ndërmarrjet private duhet të vendosin bashkë të investojnë për bukuritë e Italisë dhe të bëhen të vetëdijshëm se kultura, talenti, fantasia janë një burim real. Lidhja me Romën e shkrimtarit të njohur mbeti shumë e fortë, pasi ai lindi në zemrën e Italisë, të artit dhe kulturës. Ja si shprehet ai për qytetin e tij që aq shumë e deshi dhe e respektoi, pasi dhe vetë qyteti e deshi birin e vet: “Të gjitha librat e mi dhe romanet janë plot me qytetin e Romës. Në të gjitha vendet ku kam shkuar Roma më ka sugjeruar gjithmonë diçka që më pas e futa në shkrimet e mia”.
Shpesh kemi dëgjuar dhe shkruar se jeta e një njeriu të madh në fillesat e saj nuk ka qënë prej një gjeniu, përkundrazi të jepet përshtypja se nuk do ta lidhë asgjë me pasionet e jetës. Një ditë përgënjeshtrohen të gjitha dhe talenti i fshehur shpërthen fuqishëm dhe e ngre zërin e vet. Më pas është një punë e madhe që e kalit atë dhe e vë para provave të jetës, të profesionit dhe kulturës. Edhe Çerami është një prej atyre rasteve që ndoshta edhe vetë mësuesi i tij nuk e besonte, por surprizat në jetë nuk mbarojnë kurrë.
Një prej kujtimeve të para për të kur ishte nxënës e sjell një profesor : “Vinçencoja është shumë i drojtur, mbeti vitin e kaluar, se nuk u përgjigjej pyetjeve. Duhet ta kuptojmë, sepse ishte i sëmurë”. Ai profesor ishte 28 vjeçari Pier Paolo Pazolini që nuk ia doli që t’ia kthente fjalën Vinçencos së vogël, por në sajë të një teme : Një të dielë në mal, e ndihmoi të kuptonte se fjalët do të ishin më tej jeta e vet.
“Ishte një temë për friulianë, ku dija unë gjë për mallet? Kisha parë vetëm një, Terminilon dhe në verë”- thotë Cerami. E shpiku në përshkrimin e vet : Terminilo e shkatërruar nga orteqet dhe e banuar nga njeriu i urryer i borës. Druhej se e kishte tepruar, por Pazolinit i pëlqeu, e lexoi me zë në klasë. Sukses i madh.
“Më bëri përshtypje. Mezi pres të shkruaj një tjetër. Pa e ditur e zbulova letërsinë” – u shpreh autori. Më vonë Pasolini e mori si ndihmësregjisor në filmat e vet. Lidhjet me kinemanë vazhduan dhe romani i tij i parë, Një borgjez i vogël, i vogël, u bë film me aktorin Alberto Sordi. Ka shkruar për emrat e mëdhenj të kinematografisë italiane Belokio, Amelio, Bertoluci, Skola, Veronezi, Moniceli etj. Por Çerami ishte dhe poet. Epitafin e shkroi vetë në një prej poezive të tij të fundit : “Çdo mëngjes prej vetes më pëlqen e ardhmja e shkuar / dhe në mbrëmje qaj për të”. Kryebashkiaku Marino u shpreh se me vdekjen e tij, Roma humbi një mik. Vërtet një mik të dashur, në një dashuri ëndrrash midis Qytetit të përjetshëm dhe atij që me veprën e tij ia shtoi përjetësinë. Po e mbyll me fjalët e Beninjit, shenja e mirënjohjes më të ndjerë ndaj tij që vështirë se do të harrohet: “Pa të nuk do të kisha mundur as të ecja në muzikën e jetës. I detyrohem për gjithçka. Sot kemi një poet më pak në botë, një gjë që na bën të gjithëve më të trishtë”.