Nga Fadil LUSHI/
Që ky vështrim i radhës të jetë deri në fund i strukturuar dhe që të mos krijojë huti te miqtë tanë, s’do mend se fillimisht na duhet të gjykojmë argumentet dhe pastaj na duhet t’i referohemi (si gjithmonë) Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe në lidhje me dy fjalë a nocione, siç janë: HESHTJERËNDË mb. poet. Që e ka mbuluar një heshtje e thellë, ku s’pipëtin asgjë; që rri në heshtje dhe është shumë i ngrysur; që është mbuluar nga heshtja e plotë. Njeri heshtjerëndë…, rri heshtjerëndë dhe, ZHURMËMADH mb. 1. Që nxjerr shumë zhurmë, që bën zhurmë të madhe, i zhurmshëm. Lumë (përrua) zhurmëmadh. Ujëvarë zhurmëmadhe. Aeroplan (traktor, tank) zhurmëmadh. 2. Që ka shumë lëvizje dhe zhurmë, i zhurmshëm; që bëhet me zhurmë të madhe. Jetë zhurmëmadhe. Dëfrim zhurmëmadh. 3. Që flet me zë të lartë, që bën zhurmë e rrëmujë; i zhurmshëm. Njeri zhurmëmadh. Të rinj (fëmijë) zhurmëmëdhenj. Turmë zhurmëmadhe. 4. keq. Që bëhet qëllimisht me shumë zhurmë e bujë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve; i bujshëm, zhurmëshumë. Mbledhje zhurmëmadhe. Deklarata zhurmëmëdha. Reklamë (propagandë) zhurmëmadhe.
Tekefundit, parashtrimi i argumenteve tona si dhe (ri)shpjegimi i dy nocioneve të lartpërmendura, besojmë se do përjashtojnë çdo keqkuptim a përplasje me lexuesit, qoftë ajo të jetë edhe në distancë, sidomos me ata që dinë të lexojnë mes rreshtash dhe që nuk dinë a nuk parapëlqejnë që çështjet, vakitë a meseletë t’i paragjykojnë. Për këtë e për disa arsye të tjera, jam në të drejtën time të besoj se këtë që shkruaj është me tamam. Ne, ç’është e vërteta, në këtë vështrim nuk do të bëjmë denoncime në adresë të askujt, përkundrazi do të mundohemi të parashtrojmë vetëm ca fakte a prova sa i përket mega-projektit “Shkupi 2014”, sheshi i të cilit është shndërruar në një kantier të madh lapidarësh. Se a do t’i quash lapidarë, buste a statuja nuk ndryshon gjë, sepse në etimologjinë dhe në sintaksën e tyre kanë pothuaj një kuptim. Se ata lapidarë u ngjitën a u vendosën me (pa) të drejtë gjithandej hapësirave të sheshit të Shkupit, se ato buste kishin a kanë shikim nga Greqia, Serbia, Bullgaria, Shqipëria dhe nga orienti (hiq mënjanë oksidentin, sepse me oksidentin kanë pak gjë të përbashkët), është pak e rëndësishme. Nuk është me rëndësi dita a data kur edhe u ideua “Shkupi 2014”…, apo se ideatori ishte i marrë a një nacionalist provincial, se ky projekt është një marrëzi a edhe çmenduri që habiti shumë njerëz e shtete, nuk është me rëndësi, se me vendosjen e lapidarëve dikush mendoi se do t’i kthehet historisë së humbur dhe të harruar, se me këta lapidarë do të kërkojë identitetin…, edhe kjo ka pak rëndësi…, se gjithë ai debat mediatik që u bë për këtë vaki kishte moral apo jo, nuk na hyn në punë, se dikush në kuzhinat politike kishte zier atë çorbën bajate, nuk ka rëndësi…, për ne me rëndësi është prova apo pyetja: “Ç’kërkuan” shqiptarët në projektin “Shkupi 2014”…, pse pranuan që të kenë hise në të, pse që në fillim nuk e kundërshtuan…, pse sot reagimet e tyre duhet të jenë të zbehta, joserioze, pse sot me “fener” në dorë duhet të kërkojmë një cep për të vendosur lapidarin e shqiptarit e të tjera e të tjera.
Në fund të fundit, a mos vallë shqiptarët nuk e dinin se një ditë sheshi i Shkupit, do të jetë “një shprehje jokorrektese e dalë nga nacionalizmi i shfrenuar kolektiv maqedonas”, një “jokorrektesë” politike ndaj komuniteteve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, një shesh me lapidarë të vdekur, të ngurosur, të shtangur dhe pa identitete, pa çehre, pa shije dhe, së fundi, pa estetikë. Parashtrohet pyetja, si i provokoi “Shkupi 2014”, shqiptarët!? Kur duhej që të gjithë të bënim zhurmë, ne heshtëm, kur duhej të heshtnim ne u rebeluam, kur duhej të bërtasim ne ramë në heshtje varri, kur duhej ta themi të vërtetën, atëherë (o për hatër, o nga “frika”) e shtrembëruam atë…, atëherë heshti politikani, heshti edhe historiani, heshti edhe komuniteti intelektual, heshti edhe institucioni, heshti edhe ai që më pak duhej “të lidhte gojën”, heshti edhe “zhurmëtari” dhe daullexhiu më i madh (që mbase heshtjen asnjëherë nuk e ka pasur në natyrën e vet), heshti edhe “gjyqi i ndërgjegjes sonë kolektive”, heshtëm të gjithë dhe i besuam fjalës së palës tjetër. Dhe, në vend që ta heshtim “gabimin” tonë, ne sot vazhdojmë të bëjmë zhurmë të pakontrolluar, vazhdojmë të bërtasim…, dhe, në fund, kur nuk na del “hesapi”, atëherë të gjithë bëjmë “hyxhym” duke thënë se ne kishim të drejtë, ne u thamë se kjo kështu është, se e gjithë kjo dihej se kështu do të bëhet!? Ne shqiptarët e kemi në “natyrë” atë inatin që kur duhet ta themi të vërtetën, ne ndahemi në dy taborë, tabori i parë thotë se “gënjeshtra lakuriqe” është e vërtetë dhe tabori i dytë thotë se e vërteta është një sajesë jona. Sheshi i Shkupit apo “Shkupi 2014”, lëre që u bë një shesh lapidarësh, por u bë edhe “mollë sherri” mes shqiptarësh, një shesh që i doli boja, një shesh që nuk na nderon, nuk na përfill, nuk na hesapon së paku kur bëhet fjalë për vendosjen e lapidarëve dedikuar figurave tona, një shesh që i përçau shqiptarët dhe partitë e tyre politike, një shesh që prodhoi një mal thashethemesh dhe akuzash mes shqiptarësh(!?)…, një shesh hileqar që detyroi shqiptarët të marrin fenerin në dorë dhe, pas kushedi sa vitesh, të kërkojnë një vend në hapësirat e Shkupit 2014, për të vendosur një lapidar për një rilindës shqiptar…, dhe sot e kësaj dite edhe “përtej të gjitha përpjekjeve, fatkeqësisht nuk e gjetën dot!? ”
Nëse mua “do më shkonte” fjala, do të kisha thënë: Më mirë të ndërtosh një shkollë, qoftë edhe të vockël, për fëmijët e atij fshati afër Velesit, sesa “të bësh” një lapidar, më mirë të hapësh një kopsht fëmijësh, sesa “të bësh” një statujë, më mirë të ndërtosh një shkollë në Luboten, në Sllupçan, në Gjermë, në Tanushë, në Neproshten, në Vijcë…, sesa “të bësh” një bust, i cili një ditë nuk do të mirëmbahet dhe pastaj do të mbetet në mëshirën e kalorësit të rastit dhe të ndershëm… (Të tillë lapidarë të lanë pas dore ka me dhjetëra në Shqipëri…, ai i Çajupit, i Ndre Mjedës, i Migjenit, i…).
Njohësit e shkëlqyeshëm të historisë së arbëreshëve thonë se burrat arbëreshë në jetën e tyre asnjëherë nuk kanë qenë lypsarë, asnjëherë nuk e kanë shtrembëruar fjalën, asnjëherë nuk kanë lëshuar lot hidhërimi, ata asnjëherë nuk harruan vatanin, ata asnjëherë nuk harruan gjuhën, nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe traditat e tyre të pasura, veshjet dhe ritet e doket që kishin në mëmëdhe. Të gjitha i ruajtën me fanatizëm. Po ne, që nuk “jemi me tamam arbëreshë”, çka (nuk) harruam sot!?
Imzot Fan Noli, në një fjalim të tij memorial (1924) dedikuar presidentit të Amerikës, Wilson, pos të tjerash, kishte thënë: “Lufta jote s’ka qenë e kotë. Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë dhe ngjallje”. Rrjedhimisht, në sheshin e Shkupit nuk ka varre (dhe Burmali xhami) dhe, logjikisht, sot nuk mund të ketë (bashkë)jetë dhe ngjallje. A ia vlen sot të jesh “heshtjerëndë dhe zhurmëmadh”!? Ku ta dijë njeri.