
Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, Ambasadori Frymëzim Isufaj, i shoqëruar nga Lulzim Krasniqi-Këshilltar, bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh në varrezat e vëllezërve Bytyqi. Këto homazhe, të cilat organizohen çdo vit nga Batalioni Atlantiku, bëhen në nderim të Epopesë së UÇK-së-rënies heroike dhe sakrificës kolosale të familjes Jashari. Ambasadori Isufaj tha se duke kujtuar Ditët e Epopesë së UÇK-së, përulemi me nder përpara sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Ditët e lavdishme të UÇK-së-5,6 dhe 7 marsi të vitit 1998 qenë thirrje e kushtrimit për liri. Ato çuan te mobilizimi kolektiv për të triumfuar të keqen. Ishin ditët e ngritjes së ndërgjegjes sonë kombëtare për rimëkëmbjen e identitetit tonë.Familja Jashari dhe të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës do të mbesin vlerë kombëtare e historisë sonë më të re.