
Rafaela Prifti/
Dy artistë shqiptarë nga Tetova Nora Halimi dhe Edin Kurtishi sollën krijimet e tyre të artit figurativ në studion MC Gallery në Manhattan, Nju Jork. Nata e hapjes ishte më 27 shtator dhe mbyllja sot më 3 tetor. Ekspozita e titulluar Layers përfshin disa dhjetra punime akrilik në leter me përmasa 21×21 cm dhe disa të tjera 58×75 cm.
Të dy artistët, të cilët janë partnerë në jetë, kanë qenë të ftuar në të njëjtën galeri në vitin 2011.
Kjo është ekspozita e tyre e parë pas pandemisë globale dhe të gjitha punimet janë krijuar gjatë këtij viti. Por aty nuk ka gjurmë të pesimizmit dhe izolimit që përjetoi njerëzimi. Madje Nora Hamili thotë se vizitorët e përgëzojnë vecanërisht për ndjenjën e haresë që përcjell freskia e ngjyrave të punimeve të paraqitura. Ata që e njohin stilin e saj artistik e dinë se Halimi, e cila është Profesoreshë në Degën e Arteve Figurative në Universitetin e Tetovës, është shumë e apasionuar pas letërsisë dhe ‘eksploruese’ e dinamikës midis gjuhës, përkatësisht fjalës, dhe larmisë së shprehjeve vizuale figurative.
Duke bërë një kapërcim te ekspozita e kaluar hapur në këtë studio në vitin 2011, Halimi thotë se aty narracioni buronte nga interesimi i saj i vazhdueshëm për të shprehur ndërlidhjet mes sferave artistike si për shembull kaligrafisë dhe poezisë, por në thelb “Boja e zezë dhe letra e bardhë janë forma themeltare e shprehjes.”
Për ekspozitën në MC Gallery, Halimi thotë se të dyve ju duk me vend të zgjidhnin titullin Layers frymëzuar nga poezia me të njëjtin titull e poetit laureant amerikan Stanley Kunitz https://www.poetryfoundation.org/poems/54897/the-layers Poezia e tij Layers hapet me vargjet “I have walked through many lives, some of them my own,/and I am not who I was,” (Kam kaluar nëpër shumë jetë, disa prej tyre të miat, dhe nuk jam ai që kam qenë.” Me intrepretimin figurativ të tyre, artistët Halimi dhe Kurtishi, i ftojnë artdashësit dhe vizitorët të shohin apo tentojnë të njohin shtresëzimet (layers) nga ato të paraqitura në formë vizuale deri te zbërthimi i domethënies së tyre filozofike.
Disa nga punimet e Nora Halimit janë të krijuara në grupe dyshe dhe të tjerat njëshe, por të gjitha janë pa korniza. Artistët shpjegojnë se duke qenë të vetëdijshëm për vështirësitë e mundshme të transportimit, ju desh t’i linin kornizat e punimeve në Tetovë. “Për këtë shkak, i kemi paraqitur në studio në këtë formë,” thonë ata.
Punimet e Edin Kurtishit, diplomuar në artet figurative, janë po ashtu akrilik në letër me përmasa pak më të mëdha. Ndonëse për shkak të hapësirës janë të vendosura në njërin kënd të studios ato kanë thellësi dimensionale të brendshme dhe stil të dallueshëm.
Ekspozita e cila mbyllet sonte mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Komuna e Çairit.