

Në datëlindjen e 110 të tij –
Nga Visar Zhiti
Jezusi thirri me zë tē madh: “Lazẽr dil jashtẽ”. Dhe ai qẽ pat vdekur doli jashtē i lidhur duarsh e kēmbēsh me rripa pẽlhure. Fytyrēn e kishte tē mbēshtjellē me rizẽ. Jezusi i tha: “Zgjidheni dhe lẽne tẽ ecẽ”.
Gjoni 11:43–44
TË PASHË ME ÇIZME TË ZEZA BALTE
DHE THINJA SHENJTI…
Kështu kisha shkruar dikur
nga “Mall për Ty”… Ka vite që ke ikur, por prapë je, jo vetëm kujtesë dhe imazh, por dhe vepër dhe frymë…
Jo të gjithë mundin të të kujtojnë, edhe pse ishe mik i madh, as institucionalisht, megjithëse dhe vetë mbetesh një institucion, por edhe kanë frikë prej teje, megjithëse ishe tejet njerëzor, i urtë, at’ dhe kryefamiljar në atë kasollen tënde, në internim, se familjen nuk e bëjnë muret e pallatit, pasqylirat, pasuria, etj, por dashuria dhe përkushtimi, nderi dhe dinjiteti…
Më shfaqesh në rrugët e Lushnjës, kur vije nga internimi për ndonjë punë, i heshtur dhe vetmitar, truplartë, me çizmet e zeza të baltës dhe thinja shenjti, vërtet monumental.
E dija që im atë të kishte mik, pastaj dhe unë, u miqësova me djemtë e tu, Ninin dhe Luçin, me dhëndrin, Dinen, kemi qenë bashkë në burg, flisnim dhe për ty, kur ti ishe liruar, por në internim gjithmonë, për dorëshkrimet e tua…
Nuk t’u drejtova me “ju”, as “Zotni Lazer”, – do të thosha, – por me “ti”, se nuk e doja largësinë, edhe pse ke ikur larg në Qiell e tani je shpirt dhe frymë dhe frymëzim. Je shkrirë në ne me dritë të qirinjtë..
Por po të tregoj se unë kam botuar një libër-ese, “Kartela të Realizmit të Dënuar”, studim i gjerë për autorët që kanë qenë burgjeve dhe internimeve, ju keni qenë te të dyja
Po sjell këtu ç’kam shkruar për ju:
KARTELA E DËNIMIT
DHE SI TRASHËGIMI
Lazër Radi
(1916 – 1998)
dhe Jozef Radi, i biri…
Erdhi nga Prizreni, vendlindja e tij, kryeqyteti përbashkues i shqiptarve që t’i shpëtonte përndjekjes jugosllave, në Tiranën kryeqytet i ri.
Një rrugëtim-ëndërr për në Shkodër, kryeqyteti kulturor dhe pastaj më tej përtej detit, në Europë, në Romën e përjetshme, kryeqytet perandorak, për të studiuar në Universitetin e madh e të hershëm “La Sapienza”, për Drejtësinë, që mungon aq shumë.
Si bohem kryeqytetesh nuk do të ketë fat. Siç duket Lazër Radin Zoti e ngarkoi me një misionin ndryshe golgotian. Mbas Luftes II Botërore do të burgoset e deri sa bie perandoria komuniste veçse ndërron burgje e e kampe internimesh si rrathët e ferrit, edhe për shoqe të jetës do të merrte një grua që kishte qenë në burg politik dhe qëndresa e tyre do të jetë e njëjtë, lufta për të mbetur njerëz në çdo rrethanë, dhe në skëterrë, pa ndryshuar karakter, as zemër, as besim.
Studioja e Lazrit do të ishin qelia, përkthyes brenda telave me gjemba dhe kasollja e mjerimit në internim, me hijen e policit mbi mur.
Pas burgosjes së Lazrit nga fitimtarë që sa morën pushtetin, mbeti vetëm e shoqja me foshnjën në krahë, por do të burgosnin dhe atë dhe vajza e vogël u vdes, Bëhet engjëll dhe ikën në qiell, sa më larg tmerreve të kësaj toke.
Internimi, burrë e grua, i priste pas burgut të të dyve, puna e rëndë kanaleve për të siguruar bukën e përditëshme. .
Në internim do të lindnin tre fëmijët, që do t’u vinin emra shprese dhe drite: Adriana, Jozef, Luçian, që ua kishin ndaluar të drejtën e shkollimit, por dashurinë për librat nuk ua hiqnin dot…
Kishin lindur të dënuar dhe ata. Ashtu siç trashëgohet titulli “princ”, do të trashëgohej dhe titulli i mynxyrshëm “i dënuar”. Fëmijët e të burgosurve, të të internuarve nuk kishin të drejtën e shkollimit të lartë, të botimit jo dhe jo. Burgu i priste sa të rriteshin dhe ca.
Pas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe perandorisë komuniste, ku diktaturat ranë njëra pas tjetrës, edhe kjo jona, Lazri plot gjallëri dhe vrull të riu do t’i përvishej punëve të letërsïsë, aty ku ia kishin ndërprerë, të sistemonte ç’kishte shkruar fshehurazi.
Dhe unë i propozova, sikur të dilte me një libër së bashku me të birin, që shkruante poezi, për të parë se trashëgimia e tij nuk ishin vetëm dënimi, baraka e internimit, por dhe të shkruarit, librat të shkruar dhe të pa shkruar..
Dhe doli “Muret e muzgut”, me autorë Lazër dhe Jozef Radi, me një parathënie timen, “në emër të atit dhe birit”.
Pastaj Lazri do të tregonte si askush vitet ‘30 të Shqipërisë, atë pluralizëm e zhvillim mendimi të pa besueshëm, europian më shumë, ku bënte pjesë dhe vetë.
Do të pasonin kujtimet me Migjenin që njohu në Pukë, si njeri të shenjuar nga vdekja dhe si shkrimtar të pa mort. Unë e kisha lexuar dorëshkrimin, që kur isha gjimnazist në Lushnjë e Lazri i internuar në Savër, se qarkollonte fshehurazi ndër miq të paktë. Mahnitesha që unë shikoja rrugëve një burrë që kishte njohur Migjenin.
Pastaj do të botonte për Mirash Ivanajin “Misteret e një ministri”, “Ministër i hekurt” në botimin e dytë, mësues i tij i plotdijshëm dhe bashkëvuajtës, për Musine Kokalarin shkrimtare, e para disidente grua në gjithë perandorinë komuniste, etj, tregoi “gjyqin special”, të vetin dhe të të tjerëve, familjet e mëdha, rimëkëmbjen, do të sillte në shqip Platonin, histori europiane, poetë ballkanikë, një malazias të shquar, poezië e të cilit ia kisha çuar dikur, natën në internim, donim të dinin si shkruani fqinjët, etj, etj.
E gjithë krijimtaria e Lazër Radit do të niste të ribotohej nën kujdesin e trashëgimtarëve, të Jozefit, për të cilën në fillim ai e kishte lodhur që gjuhën t’ua kthente në standartin letrar, pastaj do të lodhej dhe vetë që t’i kthente edhe një herë siç ishin, në “të folmen e Lazrit”, në “gegnishten e ambël”..
Ndërkaq dhe i biri, Jozefi, boton artikuj të ndryshëm, dhe drejton të përkohëshme, ndërsa në vitin 2000 nxjerr vëllimin me poezi “Kujtesa e mjegullës”, 10 vjet më vonë “Fletorja e vjeshtës”, pasatj dhe një përmbledhje dy gjuhëshe, shqip dhe italisht, e boton në Itali, ku dhe banon dhe merret dhe me përkthime, nxjerr antologjinë me 20 poetë “Veç mundem me të dashtë kështu siç je”, teksa mbush gazetën e tij elektronike “Radi and Radi” me shkrime të vuajtjes së madhe, të kujtesës dhe me zëra të rinj.
Rëndësi ka që Vepra e Lazër Radit tashmë iu shtua asaj tradite të mirë e të çmuar, që ishte mohuar, me thyerjet dramatike si koha e me mungesat si vetë historia, jo vetëm e Tij, por dhe e Shqipërisë.
STRAGJIA E HARRESËS
– dhe tani e revanshit –
Lazri im!
E di që ka nga ata që nuk e duan ringjalljen e atyre që ishin burgjeve dhe internimeve? Nga Judë të kuq janë bërë Judë të zinj, i kanë valixhet me dollarë, që e urrenin dikur si agjentë të socializmit. Tani Inatçorë kanë shkuar në Perëndim e SHBA, jo në Kinë e Rusi për të cilat e djeg zemra, nëse kanë zemër dhe përflasin keqas kapitalizmin kafeneve, ku janë dhe pronarë dhe me Inteligjencë Artificiale shkruajnë dhe kritika, megjithëse s’dinë të lexojnë dhe nuk durojnë dot burgun tuaj, as si metaforë, ndjehen keq që kanë qenë aq të këqinj kur burgoseshin njerëz nga regjimi i tyre, spiunë të të cilit ishin. Le që do kenë marrë urdhër si patronazhistë të krekosur dhe shajnë e shajnë sa shkumë e vrerosur u del nga goja librat e burgut tuaj. Por burgu nuk është juaji, është i tyre, sistemi i tyre i ndërtoi, por jo, atë s’e prekin dot, janë të kapur te miti i së keqes e nuk dalin dot nga ato kthetra dhe dhëmbë, madje janë paisur dhe vetë me to. Si do t’i thërrisje ti: fëlliqsana, të dalun mendsh, të çoroditun, pa farë e fis e pa emën!
E nisën me strategjinë e harresës dhe të kujtesës së tyre vrastare…
Prandaj me mashtrime… dhe Lazër Radi duhej të lihej, ja ashtu si dikur në terrin e burgjeve dhe në braktisjet internimeve. Sidomos vepra e tij. Vuajtjen edhe mund të bëjnë kinse se e nderojnë, mund të kenë dhënë dhe dekorata, që sipas tyre ajo e mbyll plagën, sidomos dekorimet pas vdekjes i kanë më qejf, se duan vdekjen e tjetrit, që s’ẽshtë si ata, edhe vdekjen e librave tuaj, sidomos po të kenë qenë shkruar në burg, se sfidohen studiot e realizmit socialist apo bunkerët, ku takoheshim tinëz me punonjësit operativ të Sigurimit të Shtetit dhe i raportinin.
Dhe ato që shkruajnë sot ngjajnë me ato fëlliqësira…
Tani janë në revansh. Ç’djall i nxi-t?Po le t’i lëmë ata “në djallninë e tyne” dhe lejomë të kujtoj, krahas seriozitet tuaj aurelian dhe humorin Tuaj, shakatë apo s’kemi kohë për to?…
[…]
Si është ajo shprehje Orwelliane që ne nuk e kemi problemin si të ndërtojmë të ardhmen, por si të ndërtojmë të kaluarën. Në fakt ai ka shkruar në ‘84 “Who controls the past controls the future. Who controls the present controls the past”. “Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen; kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën.”
Ato lloj monstrash duan që ‘84 të mos mbarojë kurrë. Të jetojmë në kohëra të atilla “si në rrethim”, ndërkaq vidhen ide tuajat, emocione poezie, ato gjetje në romane, që kanë fatin tuaj, por atyre u duket se u takojnë gjithmonë atyre, të shquarve të hierarkisë, ata e duan dhe vuajtjen e papatur, edhe desidencën e stisur… ja, ashtu siç bënin dikur me përkthimet tuaja në burg, të bashkëvuajtësve, që dilnin me emra të tjerë, se edhe emrat donin t’ju vidhnin etj, etj.
“Anyway”, pashë sot që djemtë tuaj, shokë të mi, Nini me Luçin, në fb kishin nxjerrë një shkrim për ty, Atin, dhe e mora dhe unë:
“Trashëgimi Monumentale
prej 23 Vëllimesh.
Sot, Dr. Lazër Radi nuk është më i internuari i Savrës, por arkitekti i një kujtese që nuk e tret dheu. Ai na la pas një pasuri prej 23 vëllimesh, ku shkëlqejnë dëshmitë si “Nji verë me Migjenin” dhe “Shqipnia në Vitet Tridhjetë”, së bashku me studimet për Mirash Ivanajn dhe përkthimet e Platonit. “Vepra Poetike” prej 382 faqesh mbetet harta shpirtërore e rrugëtimit të tij – një ushtimë e pastër që nuk u thye kurrë.
Në këtë 110-vjetor, Dr. Lazër Radi kthehet përfundimisht në shtëpi. Ai na mësoi se liria është një gjendje e brendshme e shpirtit që triumfon mbi çdo tel me gjemba.
Përjetësisht në Panteonin e Kombit!”
Sa kanë punuar dhemtë e tu, veçanërisht Jozefi për korpusin e Veprës Tuaj, po duhej ta bënin institucionet shtetërore këtë detyrë, ato të kujtesës, akademitë, katedrat, ndërkaq vërtet është si një ringjallje, por lejomë të them dhe diçka tjetër, mbase e dini atje në qiell, në një roman timin, “Në kohën e britmës”, ju jeni personazh, përgjysmë ama, se gjysma tjetër ẽshtë im atë, ma pranoni, besoj, tregoj atë historinë kur ju erdha në internim natën dhe solla një libër që më kishte rënë në dorë fshehurazi, ishte i një autori malazias, i njohur jo vetën në Ballkan, Jevrem Brkoviq, ju na e përkthyet, se ju e dinit gjuhën e tij, një poemë kaq e bukur me një pianiste dhe kundër Stalinit, vërtet si guxuam?! Është ribotuar nja dy herë dhe unë ia dhurave dhe autorit, i shkova në shtëpi në Podgoricë dhe ai u mrekullua, nuk e dinte që ishte përkthyer dhe në shqip nga ju.
Ne kemi rrugët tona, “rrno vetëm për me tregue”…
Dhe dua të kujtoj dhe një poezi tuajën, që lë të nënkuptohet shumë:
AVE CEZAR
– nga Dr. Lazër Radi –
Gladiatorë,
namët e urrejtjes mbi ju i kam hjedhë,
jo për fatin e keq të skllavit,
as për mallkimin e hidhtë
të ndëshkimit,
veç për njat qëndrim t’ultë
të nënshtruem e lajkatar
atje poshtë, n’fund të arenës:
Ave Cezar! Ave Cezar!
Ave Cezar!?
I përgjakuni gjakatarin përshndet,
n’triumf të vdekjes!
Dhe ai gisht ogurzi, kthye poshtë,
në teh të shpatës
a në bri të demit,
mbytun n’gjak ju la…
Po ju prap
n’grahma të mbetuna t’fundjetës,
me sa frymë keni,
si t’marrë ulërini,
atje poshtë, n’fund të arenës
Ave Cezar! Ave Cezar!
Savër 1984
E keni shkruar në internim, kur diktatori ishte gjallë, i cili ende jeton në kokat e bunkerta të atyre që dhe nëse nuk kanë marrë pjesë vetë me forcat që internonin dhe burgosnin, janë me ta. Tani prapë. Djallëzisht…Hosana! – jehon ende si në një poezi klasike shqipe. Hosana…
* * *
Po Jezusi tha: “Zgjidheni dhe lẽreni tẽ ecẽ’.” Dhe Lazri i zgjidhur po shkon përpara