JULIA GJIKA/
Eshtë dita e parë e vitit të ri!
Mos fillo asnjë punë, clodhu, se ke punuar dje,
dje, sa për një vit të tërë !
Një vit të plotë, sa për dhjetë vjet!
Le të qeshim në ditën e parë të vitit.
Le të mendojmë për ata që na duan,
që i kemi afër apo larg, nëpër botë.
Le të kujtojmë ata që na kanë harruar.
Ata që ikën pa na thënë lamtumirë .
Le të ëndërrojmë në ditën e parë të vitit,
sa për njëmijë vjet, aty është forca, e pandryshuar,
që nuk na braktis.
Kjo ditë e parë e vitit,
e bekuar, në palcë të dimrit, erdhi me diell.
Mjafton të themi: është ogur i mirë .
Le të shpresojmë, le të ëndërrojmë!