
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/
Legjitimiteti është një fjalë e ardhur nga latinishtja që do të thotë e drejta shtetërore. Ajo ka të bëjë me: arsyetimin e shtetit, për fuqinë sunduese dhe për veprimet e ndërmarra nëpërmjet vlerave dhe ligjeve më të larta, për dallim nga veprimet formale ligjore. Për nga pikëpamja historike duhet të dallojmë parimin e legjitimitetit mbretëror, i cili bazohet në besimin që oborri sundues vinte nga “Mëshira e Zotit”, dhe parimi i legjitimitetit demokratik sipas të cilit fuqia shtetërore vinte nga populli. Si arsyetim vlen vetëm rendi sundues i dalë nga populli apo i dalë nga një kuvend i zgjedhur prej tij dhe një qeveri që kontrollon zbatimin e fuqisë.
Legjitimiteti, është identifikimi i popullsisë së një vendi me shtetin dhe pranimi i detyrimeve e përgjegjësive të shtetit dhe të ligjeve. Legjitimiteti është i brendshëm dhe i jashtëm. Legjitimiteti i brendshëm i një kombi është nënshtrimi apo bindja e tij karshi ligjeve në fuqi të shtetit të tij. Legjitimiteti i jashtëm varet nga zotësia e shtetit për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera, ku në bazë të një legjislacioni të caktuar janë të detyruar të respektojnë e zbatojnë normat, rregullat apo ligjet e përbashkëta që ata kanë rënë dakord të zbatojnë.
Legjitimiteti i shtetit është i bazuar në njëfarë mase në aftësinë e politikës drejtuese të atij shteti, për të qënë sa më i hapur me të tjerët. Sa është ai në gjendje të hyjë në marrdhënie ndërkombëtare me shtetet e tjera, sa është ai në gjendje të krijojë aleanca dhe koalicione në drejtim të krijimit të një ambjenti sa më të sigurtë brenda vendit për qytetarët e tij. Ai ka të bëjë me autonominë e shtetit. Humbja e autonomisë automatikisht që nënkupton, humbje e legjitimitetit. Në këtë rast, shteti mund të fajësohet për gjëra që nuk i ka nën kontroll.
Legjitimiteti i popullit. Të kesh legjitimitetin ta përfaqësosh popullin, do të thotë të ndjehesh përgjegjës për fatin e atyre që ta kanë dhënë atë legjitimitet. Të kesh legjitimitetin e popullit, do të thotë, të veprosh kujdesshëm politikisht, gjithmonë të jesh i gatshëm të japësh llogari përpara atyre që të kanë dhënë legjitimitet t’i përfaqësosh në organet më të larta shtetërore; të veprosh ashtu, që të mos e lëndosh të sotmen e popullit që përfaqëson, dhe të mos e rrezikosh të ardhmen e shoqërisë në të cilën vepron. Legjitimiteti i dhënë nga populli është mbi të gjitha besim, i cili duhet arsyetuar, është mundësi që i jepet një përfaqësie politike të një shteti të caktuar, që ajo të dëshmojë kapacitetet e saj dhe potencën vetvepruese në kuadër të një realiteti politik, realitet i cili jo gjithmonë mundëson që të realizohen ngutazi të gjitha idealet e një populli, të gjitha kërkesat që nuk janë realizuar shumë dekada me radhë.
Ka edhe një dimension tjetër të funksionit të shtetit që ka të bëjë me kompetencën që ushtron ai në zbatimin e ligjeve të tij. Shteti ideal nuk përpiqet të ushtrojë shumë autoritet, siç po ndodh në disa vende të Ballkanit, përfshi edhe vendin tonë. Shteti është mjaft i fuqishëm sa të vërë në zbatim rregulla në disa fusha kyçe, siç janë veprimi i ligjit, mbrojtja e pronës apo të drejtat e individit, etj. Institucionet e forta shtetërore kanë rëndësi kritike dhe jetike në mirëfunksionimin e shtetit.
Një mënyrë për kuptimin e shteteve është sesa ambiciozë janë ata. A i vënë ata rregulla industrisë? A përpiqen ata të vënë nën mbrojtjen e tyre njerëzit e varfër? A i transferojnë ata të ardhurat apo kanë një politikë industriale? Revolucioni Reagan-Thatcher, që filloi në vitet 80-të ishte një reagim kundër shtetit që përpiqet të kontrollojë gjithçka.
Kufizimet strategjike të legjitimitetit në të gjitha rastet që kanë të bëjnë me sigurinë janë përcaktuese. Një mësim i qartë është se në qoftë se nuk ka siguri nuk ka as zhvillim ekonomik.
Ndër objektivat e shumta që kanë individët dhe qeveritë, siguria është objektivi më i rëndësishëm dhe me karakter më të përbashkët. Ai është kushti kryesor për të gëzuar vlerat e tjera, siç janë: pasuria, mirqënia, afeksioni etj, me shpresën se ato do të vazhdojnë të ekzistojnë të paktën për një periudhë kohe të gjatë. Për shumë njerëz, sigurimi përfaqëson, gjithashtu, një vlerë në vetvete. Por, përderisa ai përbën mënyrën dhe kushtin për të gëzuar shumë vlera të tjera, kuptimi i tij shpesh është i dyanshëm. Kapacitet vëndas dhe mbikqyrje nga jashtë.
Me ndihmën e ndërkombëtarëve, në Bosnje dhe në Kosovë u vendos paqja. Por më problematike është sesi të ndërtohet një shoqëri e fortë që të bëhet më pas një demokraci vetëvepruese. Problemi është, a pengojnë në fakt, përpjekjet e ndërkombëtarëve në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin e vendeve duke shkatërruar kapacitetin e tyre të mirëfillta? Në periudhën e rindërtimit pas konfliktit, është tipike të shohësh njerëz, nga vendet e zhvilluara, nga agjencitë shumëkombëshe të ndihmave, si Banka Botërore, donatorët, organizatat jo-qeveritare, që vinë me rroga të larta të nivelit botëror dhe me laptop dhe lënë jashtë përdorimit kapacitetin ekzistues të institucioneve vendore. Kur ata largohen, në forma të ndryshme, shoqëria mbetet më keq, nga sa ishte më parë, pasi asaj i mungon baza e përhershme për të plotësuar nevojat e popullit. Bosnja dhe Kosova, kanë probleme me Serbinë, që nuk janë zgjidhur ende. Derisa eksponentët vendas të mos bien dakord për një zgjidhje politike, si të barabartë, dhe derisa ndërkombëtarët, palët ti shikojnë si të barabartë, nuk kanë si të vendosin drejtësi, dhe për pasojë, nuk kanë si të tërhiqen.
Le ti referohemi Afganistanit! Ç’far ndodhi aty? Në Afganistan, u krijua një model interesant. Sipas pikëpamjes së analistëve të ndryshëm, Shtetet e Bashkuara shkuan atje me një plan të thjeshtë. Shumë njerëz kanë kritikuar administratën se nuk ka vënë më shumë burime në dispozicion në Afganistan. Ende popujt nuk janë të sigurt nëse strategjia amerikane është një mënyrë jo e mirë veprimi, pasi në fakt ajo ia ngarkon përgjegjësinë vetë afganëve. Pra, ata (afganët), duhet t’i gjejnë vetë zgjidhjet. Nga ana tjetër, edhe tërheqja amerikane nga Afganistani, pati dhe ngjalli mjaft diskutime dhe problematika.
Shtetet dhe organizmat ndërkombëtare, si OKB-ja, NATO, etj, duhet të përgatiten shumë më mirë pasi;
Së pari, ata duhet të jenë të kujdesshëm, kur ndërmarrin veprime të tilla që shoqërohen me gjakderdhje të mëdha, por kur merret një vendim i tillë, për të duhen bërë përgatitje për një kohë më të gjatë. Demokracia nuk mund të imponohet me bajonetë atje ku do dikush. Kjo është një lloj ideje leniniste.
Nga ana tjetër, njerëzit që mendojnë si ata zyrtarë të Departamentit të Shtetit në zyrën e gjeneral McArthurit në Japoni, të cilët ishin të bindur se Japonia nuk mund të bëhej demokraci pas vitit 1945, e kanë gabim. Kultura është e rëndësishme, por kultura ndryshon, ajo evoluon. Mendoj se, duhen balancuar si determinizmi ashtu edhe vullneti politik për të vlerësuar sesa shpejt një vend mund të ngrejë institucionet demokratike.
Legjitimiteti është një koncept i çuditshëm. Ai lidhet me parimet themelore të drejtësisë. Kur amerikanët shkuan në Irak, ata thanë: “Ne nuk kemi nevojë që Kombet e Bashkuara ta miratojnë këtë, ne po ndihmojmë popullin irakian të çlirohet nga një diktaturë brutale”. Kjo ishte shumë e vërtetë. Por nga ana tjetër, Ayatollah Sestani nuk bisedon me asnjeri tjetër, veç me një përfaqësues të Kombeve të Bashkuara. Mendoj se, ky legjitimitet i mbështetur nga disa institucione shumëkombëshe është shpesh, shumë i dobishëm për ndërtimin me sukses të shteteve në një periudhë më afatgjatë. Çdo shtet ka edhe veçorit e veta.
Por a mund të themi se në këtë mënyrë vihen në pikëpyetje aftësitë e Amerikës për të qenë efektive dhe një udhëheqëse e respektuar botërore? Natyrisht që jo! Prania amerikane ka qenë dhe është e domosdoshme.
Ndërhyrja ushtarake, me fuqinë e saj ka luftuar, dhe fituar konfliktet e armatosura konvencionale. Më pas, kur vjen puna në ndërtimin e shteteve, kjo nuk është aq e qartë. Në aspekte të tjera të pushtetit, si për shembull, aftësia për të krijuar një imazh legjitimiteti, kjo hegjemoni ka shënuar rënie. Deri tani mund te themi se janë legjitimuar ndoshta vetëm ndërhyrjet që janë bërë në Ballkan, sukses i padiskutueshëm është krijimi dhe funksionimi i shtetit Demokratik të Kosovës. Amerikanët duhet të mendojnë rreth kësaj me shumë kujdes, jo ta lënë gjithçka në dorën e europianëve.
Amerikanët kanë prirjen të thonë: “Ne po veprojmë drejt dhe kjo është e mjaftueshme”. Ata mendojnë se, institucionet e tyre kanë një rëndësi universale. Kjo bindje çon ndonjëherë në ngatërrimin e interesave kombëtare amerikane dhe interesave më të gjera të njerëzimit. Kjo nuk është karakteristikë as republikane dhe as demokrate. Kjo është një karakteristikë amerikane.
Ka ardhur koha që, evropianët, krizën ballkanike duhet ta shikojnë më me vendosmëri. Duhet një udhëheqje më e fuqishme. Këtë e ka bërë dhe po e bën Amerika. Ajo shpenzon për mbrojtjen aq sa shpenzojnë të 16 vendet e tjera të mara së bashku. Edhe sot, ajo patjetër që duhet të jetë më e kujdesshme rreth mënyrës sesi e ushtrojnë fuqinë, përndryshe reagimet do të ishin të shumta dhe negative.
New York Prill 2023