Nga Ilir Levonja/
1)Lëri të shajnë Arben. Lëri të akuzojnë. Mos u mbro me deklarata heronjsh, të tilla si, ”shlyva dënimin për fajin e tjetrit”. Ne nuk kemi nevojë për heronj. Se po të kishim, nuk do ankoheshim akoma për mungesën e ujit. Pastaj ajo që është më e rendësishmja, është taktikë e gabuar për tu bërë sërish deputet.
2)Shtypi shqiptar e bëri punën e vet, dje! E përhapi me vrull një letër shpjeguese, apo ndjesuese të deputetit të Lezhës. Edhe pse ambasada e Amerikës nuk dha emër konkret. Por e përgjithësoi. Ashtu mjergull, tha që në parlamentin tuaj është një deputet me kësisoj problemesh. Trafik qëniesh njerëzore, etj. Mirëpo si gjithmonë tek ne, për së pari ndjehen viktima të akuzuarit. Qofshin këta edhe të supozuar. Hoven vet. Sikur edhe rastësore të kenë qënë vërtetë këto, çështje. Këta hoven.
3)Pak melankoli dhe letra jote do ishte më e bukur. Më e bukur artiskisht, jo s’e nuk funksionoi. Megjithatë kot shqetësohesh. Sinqerisht kot. Ti je prapë deputet i Lezhës. Ti je prapë deputet i saj i ardhshëm. Lëri të thonë çfarë të duan. Lëri të shfryhen. Të kënaqen. Mundësisht edhe më zi se kaq. Që ta kesh edhe më të çimentuar, më solide rrugën dhe deputetllëkun. Lëri dhe ata të LSI ta shesin sa më shumë vidon e koridorit të Kuvendit. Atë ku ty i futesh paq me grushta kokës, atij kaçurrelsit të Shijakut. Bën efekt të kundërt në Shqipëri. As mos u druaj për këtë. Ne Shqiptarët e kemi memorien manovër të çastit. Jo kohë të refleksionit. Me një fjalë, të qetësohemi e të gjykojmë se përse ndodhi kështu apo ashtu. Dhe ta bëjmë ndryshe. Nuk e them dot togun e fjalëve, ta bëjmë më mirë. Nuk është në oreksin tonë, kështu. Ndaj them lëri. Ose u thuaj të vazhdojnë të flasin edhe ca ditë. Biles edhe ambasadës së Amerikës. Lëri. Sa më shumë të të shajnë, sa më shumë të të thonë për ty, sa më shumë të çirremi, sa më shumë të të akuzojmë, sa më shumë të shqyhemi, je i fituar. Edhe ti, sa më shumë të demaskosh pijanecët, sa më shumë të krahasohesh me liderin e opozitës, sa më shumë të shfrysh për Shqupin, sa më shumë të flasësh për ata që ranë nga kali si Sali Berisha dhe familja e tij, sa më shumë të rrëfesh që të janë lutur nga PD, që të kanë mbrojtur dhe mbuluar akuzat që të bënin këta me të cilët ti sot je…, i bën ata të fituar në sojin e tyre. Tek ne kështu është shkruar.
4)Pak histori rrevoltash, letrash apo indinjatash të tilla ka në mëndjen tonë. Sa të duash. Dhe më mirë nga ne e kanë kuptuar liderët tanë. Që domethënë shaje tjetrin sa më shumë, demaskoje, sa më shumë, me televizorë, kamera të fshehta, ambasada…, për t’ia garantuar rrugën e lavdishme të deputetit. Tek programi për administrim është i zvetënuar në programin e sharjeve. Qëllimi është kush shanë, kush akuzon, kush mbretëron kësisoj.
Kjo është një temë magjike që mua më pëlqen ta çek hera-herës. Efektin e kundërt.
Ndaj paragrafin e mësipërm e bëra me frazë kilometrike, sa më shumë të të shajnë, sa më shumë zi, vrer, e çfarë të them unë. Të thonë kundër teje. Ke gjasa të bëhesh edhe lider. Kryeministër. Ky është një investim. Ke gjasa që nesër të gdhihesh numri dy i PS. Ashtu si Arbeni i PD. Ai që ti e quan pijanec. Se ç’është e vërteta. Vetëm në Shqipëri ndodh që një kryetar Komisioni Zgjedhor. I afruar nga shoqëria civile. Gdhihet nënkryetar i një force të madhe politike. Kështu, mos u habit që edhe kjo që është sot aty. Të gdhihet në zgjedhjet e ardhshme nënkryetare e dubluar e PS. Pra deri tani je në rregull. Dhe ne socialistët e mirë, edhe ti. Ne që çfarë nuk thamë për Lefterinë. Do ta mbrojmë deri në pikën e fundit të gjakut. Do zbulojmë vetëm aftësitë e magjishme të saja. Ashtu sikur e bëm edhe me ty. Sikur e bëri dhe PD-ja dje me ty. Kështu dhe nuk e luan topi. Ndaj lëri të thonë sa më shumë. Për ty, karrierën tënde. Për bizneset e të tjera. PD-ës nuk i duhet borxhi, kujtesa këshillë e FMN-ës në lidhje me ekonominë e bjerrur të vendit. I duhet ekzistenca jote me probleme me drejtësinë italiane. Fakti që sot këto dite të nxehta, diskutohet uji i pijshëm. Në një vend buzë ujit. Ta dish është investim për ty, jo për vëndin. Kështu që je në rregull.
5)Me që ra fjala tek bizneset e tua. Tek postet e nderuara që ke drejtuar në kohën e PD. Prapë për të mirën tënde është. Merr rastin e minsitrit aktual të shëndetësisë, zotit Beqja. Iu hoq mandati për konflikt interesi, që do të thotë shkelje e ligjit. Që do të thotë njësoj krim. Ndëshkim etj. Shikoje e ke ministër sot. Dhe një nga më babaxhanët. Të gjithë biznesmenët e ”suksesshëm” kanë poste drejtuese qeveritare. E gjitha është sakrificë. Ndaj edhe njerëzit ua dinë për nder. U japin votën. Pasi suksesi në biznes, mbajtja me bukë e disa familjeve, edhe pse pa asnjë të drejtë civile të punëtorit apo nënpunësit bashkëkohor, prapë konsiderohet nder i madh nga ana juaj. Ndaj ata u vlerësojnë, u japin votën. U jepni edhe ca lekë partive dhe normalisht, që partitë duhet t’ua shpërblejnë. Tenderin e radhës. Ka konflikt interesi? Këputi një të ndarë me gruan, kaloja të gjitha asaj. Biles është rast i mirë t’i japësh edhe pak post drejtues. Dhe gjithçka në rregull. Por nëse partia nuk të jep tendera, prapë punë e madhe. E ke të garantuar vendin tek partia tjetër. Lëri le ta bëjnë sa më të zezë, punën tënde. Ndaj sinqerisht po e përsëris, mos u justifiko me deklarata lakonike, që unë e ”shlyva” dënimin për fajin që ka bërë ai tjetri. Se dolëm jashtë modës. Nuk i duhen Shqipërisë heronjë të tillë.