Prof. as. dr. VINÇENS MARKU/
Njohja e njanës prej figurave mâ të rândsishme të kulturës shqiptare, sikursè âsht edhè ajo e At Gjergj Fishtës, nuk mundet me kênë e plotë kurrsesí pa studimin e të gjithë personalitetit të tij dhe pa marrë parasysh të gjithë ndihmesën qi ai ka dhânë për këtë kulturë dhe përtej. Fishta në studimet e deritashme kryesisht âsht perceptue, si: poet, publicist, politikan, orator dhe ndoshta si françeskani shqyptar mâ në zâ. Përpjekjet për nji vështrim sa mâ të plotë të këtij personazhi të pazakontë në skenën e botës shqiptare nga fundi i shekullit XIX dhe gjysma e parë e shekullit XX, i cili pati nji ndikim të padiskutueshëm në të gjithë veprimtarinë politike, shoqnore dhe artistike të vendit, duket si nji nismë njimend e zorshme me u përmbushë. Pa ndonji mëdyshje të madhe mundemi me thanë se kjo sipërmarrje nuk ka gjetë ende nji përgjigje të kënaqshme. Për veprimtarinë e tij epistolare janë bâ krejt pak studime.
Nga kandvështrimi i rândësisë historike, mâ i ploti âsht ai i At Pál Dodajt tek artikujt: A. Gjergj Fishta O. F. M. në korrespondencë me nji sivllá të përzemërt dhe A. Gjergj Fishta, Deputet në Parlament e udhëtimi i tij per Amerikë, në të cilin jepen fragmente letrash me gjatësí të ndryshme, të shkrueme prej Fishtës në italisht qi ia çonte Át Palit dhe sivllazenve të vet. Studiues të tjerë, tue perjashtue veprën Estetikë dhe Kritikë (nji Antologjí e përgatitun nga Persida Asllani, e cila na sjell disa fragmente të përkthyeme nga ky epistolar, qi lidhen me çashtjen e artit të letërsisë), në rastin mâ të mirë të tyne i kalojnë kësaj veprimtarije përreth, por pa u futun në mbrendësí të saj.
Botimi i tashëm nuk mbart në vetvete pretendimin e pathemeltë se në këtë vëllim ka me u sjellë i gjithë letërshkëmbimi i Fishtës, madje as pjesa mâ e madhe e tij, por vetëm nji pjesë, e quejtun prej nesh si mâ e mundshmja dhe ndoshta edhe mâ e rândsishmja. Pamundsija për të pasë tash për tash, e me gjasë përgjithmonë, botimin e plotë të korrespondencës së autorit buron nga disa faktorë: 1. Humbja përfundimtare e nji pjese të saj, sikursè dëshmohet nga Át Pali tek artikulli i sipërpermendun; 2. Humbja nga sekuestrimet shtetnore të Kuvendit të Françeskanve në Shkodër me 11 dhjetor 1946 e në ditët në vazhdim dhe nga papërgjegjësija e sekuestruesve; 3. Shkatrrimi perfundimtar i letrave nga frika e dërguesve dhe marrësve të tyne, miq të Fishtës, qi rrezikonin burgosjen, pas vitit 1944 deri në vitin 1990, kurse ata qi ishin mâ guximtarët duhet t’i kenë ruejtë në ndonji vend në shtëpitë e tyne si relike të çmueshme, por sikursè ndodh jo rrallë fatkeqësisht, pasardhësit e tyne, tuj mos kenë në naltësinë e prindëve dhe tuj mos ia ditë vlerën, i kanë mbajtë ose i mbajnë ato vend e pavend, derisa fati apo rastsija të na çojë në zbulimin e tyne. Në këtë rast e mira e lyp qi këto letra t’i dhurohen Provincës Françeskane, e cila i ka vu veprat e veta në shërbim të studiuesve; 4. Shkujdesja dhe velja e Fishtës, në moshë të thyeme, ndaj letrave qi Ai i quente të panevojshme edhe për me i lexue, tuj kërkue qi të ndizet zjarmi me to; 5. Pamundësija e jonë, për çashtje kohore, për me përkthye, në këtë përvjetor të 80-të të kalimit në amshim, të gjitha letrat, qi duhet të jenë, në tanësi, minimumi dy-trefishi i këtyne qi po botojmë. Prandej e quejmë me vend të merremi tashti me nji analizë të këtij epistolari qi po botohet për herë të parë në këtë përmasë.
1. PARAQITJA STRUKTURORE
Përmbledhja, e përbâme prej 152 letrash, âsht konceptue nga ana strukturore e ndame me dy pjesë: I. Fishta letërdërguesi (114) dhe II. Fishta letërmarrsi. Pjesa e parë, qi âsht njikohësisht edhe mâ e madhja, ndahet në dy kapituj të gjatë: 1. Letra në shqip (37) dhe Letra në Italisht (77), ndërsa kapitulli i dytë ndahet në tre nënkapituj: 1. Letra dërgue Át Pál Dodajt (71 letra); 2. Letra dërgue Êmzot Vinçenc Prennushit (2) dhe 3. Letra dërgue auktoriteteve (4). Pjesa e dytë e përmbledhjes Fishta letërmarrsi âsht konceptue si nji e tanë dhe përbâhet prej 38 letrash, qi janë shkrue nga personalitetet mâ të përmenduna të kohës: Lamberci, Jokli, Bumçi, Bardhi, Gjeçovi, Konica, Pekmezi, Çabej etj. Letrat janë paraqitë simbas nji rendi kronologjik për çdo ndamje apo nëndamje.
1.1. Hedhja e tekstit në Word
Letrat janë transliterue me përpikmeni, tue ruejtë me besnikní tekstin e dorshkrimit, p.sh., në italisht âsht respektue drejtshkrimi i kohës, ajuto në vend të aiuto, me qëllimin qi lexuesi të takohet vetëm me autorin dhe jo me autorin dhe ndërhyrsin e tij në tekst. Madje kemi ruejtë edhe lapsuset shkrimore. Hedhja e tekstit në Word âsht pshtetë tek parimi i origjinalitetit të tekstit, domethânë, te shkruemja e çdo germe ashtu sikursè e kemi edhe te teksti dorshkrimor, pa ndërmarrrë asnji ndreqje.
1.2. Paraqitja e faqeve dorshkrimore
Ndërsa për me kuptue se ku fillon dhe mbaron nji faqe dorshkrimore kemi ndjekun paraqitjen e maposhtme: në kllapat katrore me bold me nji numër të brendashkruem, p.sh., [1] apo [12], kemi shënue numrin e faqes dorshkrimore të letrës.
Për humbjet e tekstit kemi ndjekun këtë paraqitje: kllapat katrore pa bold me tri pika të brendashkrueme […], nënkuptojnë: 1. Palexueshmëninë e germave; 2. Mungesën e nji fragmenti ose 3. Mungesen e nji faqeje ose mâ shumë. Për çdo rast të tillë âsht dhanë shënimi përkatës.
1.3. Kriteret e përkthimit
Për kapitullin e dytë të pjesës së parë të përmbledhjes, qi përbâhet prej 77 letrash të përkthyeme nga italishtja, kemi ndjekun, nëpërmjet nji përkthimi filologjiko-estetik, kriterin e ruetjes së stilemave të tekstit të letrave në shqip qi Fishta u dërgon të tjerëve, pra stilemat e letrave të kapitullit të parë të pjesës së parë të përmbledhjes. Tue pasë parasysh edhe evoluimin e gjuhës së Fishtës në rrjedhën e viteve, jemi përpjekë qi letrat e përkthyeme të ruejnë, simbas kronologjisë, po ato stilema të letrave të shkrueme në shqip nga autori në periudhën kohore qi âsht shkrue edhe letra në italisht. Po sjellim mâ poshtë disa shembuj stilemash qi i përkasin rrafsheve të ndryshme gjuhësore. Për shembull, lidhza kushtore se e italishtes mund të përkthehet në shqip: nëse, n’, në koftë/qoftë se, po të, po kjè/qe se, bâ me kênë se. Fishta përdor, në letrat shqip, mâ shpesh dhe me denduní të njajtë vetëm: në koftë se dhe po kjè se, por asnjiherë nëse. Mâ rrallë po të dhe nji ose dy herë bâ me kênë se te Proza I dhe II. Pra shifet kjartë përzgjedhja e Fishtës. E njajta gjâ për Ti abbraccio, qi duhet me e përkthye, në këtë kontekst, Të marr ngrykë dhe jo Të përqafoj apo Të kacarroj apo ndonji sinonim tjetër, sepse Fishta dy sinonimet e fundit nuk i përdor kurrnjiherë dhe shkruen gjithmonë Të marr ngrykë. Mâ poshtë po sjellim disa stilema nga mâ të përdorunat:
gjithmonë jo gjithnji, përherë
kurrnji mâ rrallë asnji (po kështu e fjalët e tjera me kurr)
kam me ardhë jo do të vij (pra formën kam + paskajore dhe jo do të)
do mâ rrallë disa asnjiherë ca,
ndoj mâ rrallë ndonji
tue/tuj Jo duke
posë/perposë jo veç/perveç
porsa jo sapo
Kështu kishim me mujtë me sjellë nji listë të gjatë stilemash edhe në rrafshin fonetik, lidhun me ranien e tingujve nëpërmjet apostrofimit. Ajo qi duhet me u nënvizue këtu âsht se kurnji fjalë apo frazë idiomatike nuk âsht përdor gjatë përkthimit, nëse ajo nuk âsht e pranishme te letrat e tij në shqip. Për çdo dyshim i jemi drejtue tekstit të letrave të shkrueme prej tij në shqip, por jo dërguesve të letrave në shqip drejtue Fishtës, sepse kemi vu n’oroe se “drejtshkrimi” i Fishtës nuk âsht i njajtë me atë të të tjerëve, madje edhe me bashkvllaznit.
2. PARAQITJA PËRMBAJTËSORE
Lidhun me tematikën e kësaj përmbledhje mundet me u thanë se ajo përbâhet prej tri linjave kryesore qi sundojnë të gjithë anën përmbajtësore të letrave. Ato janë: 1. Tema e përpjekjeve për Pamvarsí dhe e Njohjes ndërkombtare të Shtetit Shqyptar; 2. Tema e artit të letërsisë dhe natyra e tij; 3. Tema e Jetës së Provincës Françeskane dhe marrëdhaniet mes sivllazënve. Kto linja përbâjnë edhe temat kryesore të të gjitha letrave të marruna në tanësi. Njana prej tyne âsht së paku tek çdo letër, pra te nji letër kemi të pranishme ose të gjitha temat e sypripërmenduna ose dy prej tyne ose vetëm njanen prej tyne. Duhet theksue se në rrjedhën e kohës prej afer 40 vjetësh secila prej këtyne temave merr nji përparsí të ndryshme. Deri në vitet 20 të shekullit të shkuem duket se përparsí marrin tema e parë dhe e dytë. Pra binomi Fé dhe Atmè, qi âsht edhè motivi kryesor i temës së parë, bâhet parim i të jetuemit për Fishtën, por jo mâ pak i rândsishëm për të bâhet edhe përpjekja për të emancipue shpirtin e shqiptarit me mjetin e letërsisë dhe me perkthimet e veprave letrare mâ të mira evropiane. Ndersa tema e tretë merr terren me Provinçialatin Shqyptar dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të kenun, me të përkohshmet e ndryshme, e sidomos me Hyllin e Dritës, votra e zhvillimit dhe e debatit të hapun.
2.1. Tema e Pamvarsisë dhe e Njohjes ndërkombtare
Kjo temë, qi në vetvete âsht edhe mâ delikatja për me u shtjellue, rrahet nga autori në pjesën derrmuese të letrave, sidomos te korrespondenca në italisht me Át Pal Dodajn dhe Át Vinçens Prennushin, në të cilat shqetësimi, madje shpesh ankthi se mos Atmja e tij po coptohej nga fqinjët ose qi ishte e pamujtun me pasë nji Atdhe, sikursè e dishron Fishta me bashkvllaznit e tij haset qi në letrat e para të këtij letërshkëmbimi: “Lum ti qi nuk i ké kalue të tridhetat dhe endè mundesh me pasë ndijime patetike! sá per mue, të tham të verteten, se sod kishe me u perpjekë me i vrá mendime të tilla, në mos tjeter, me nji shishe mastikë; sepse kishte me kênë njisoj sikur me lakmue të pamûjtunen: dhe âsht e pamûjtun qi na të mûjmë me pasë nji Atdhé simbas idealit t’onë.” Këtu në fakt kemi ndoshta edhe mëdyshjet e para për sipërmarrjen e tyne si dhe shkallën e naltë të vështirsisë qi paraqet ajo, simbas idealit patriotik qi frymzohet prej Fishtës në veprimtarinë e tij.
Momente të rândsishme, mes mjaft prej tyne, janë ato të Konferencës së Paqit në Paris (1919) dhe udhtimi i Fishtës për në Amerikë (1922). Në Konferencën e Paqit, bashkë me Êmzot Bumçin, kryetar, dhe Luigj Gurakuqin, si pjestarë të Dërgatës Shqyptare (në fakt Fishta ishte sekretar i saj, madje pergatiti edhe fjalimin e famshëm “Të drejtat e Shqypnisë dhe kufijtë e saj”), mprojti me energjí dhe zotsí çashtjen shqyptare. Por në nji letër qi i çon Át Vinçenc Prennushit shprehet me keqardhje si për paaftësinë e dërgatave shqyptare për të dalë me nji mendim dhe njikohësisht edhe papregatitjen intelektuale të pjestarëve të këtyre dërgatave, perposë Z. Luigj Gurakuqi: “Në kjoftë se perjashtohet Gurakuqi, qi vetem aj ká nji kulturë të pasun, ká nji atdhetari të shndoshë dhe nji njohje të gjânë per njerzt dhe per gjânat e Shqypnís, kurrnji prej antarve të Qeverís, si ajo e mâparshmja si dhe ajo e tashmja, nuk mund thohet se mundet me perfaqsue me dinjitet Shqypnín dhe me mprojtë sikursè duhet interesat e saj. Per arsyen se nuk flasin rrjedhshem frengjishten, un rrallë herë kam kênë i pranishem nder bisedimet e shqyptarve me perfaqsues e delegát të huej; por sá herë qi m’âsht paraqitun rasa qi me kênë i pranishem, po të tham të vertetën se m’âsht dashtë me u kuqë [10] prej inferioritetit tonë”.
Kurse sa i përket Udhtimit në Amerikë dhe përpjekjeve të tij për me bâ të njoftun Shqypnin nga Shtetet e Bashkume të Amerikës duket se ia ka mbrrijtë qëllimit, sikursè dëshmon nji letër e Fishtës çue Pal Dodajt nga Parisi me 16-9-22: “Nderkaq, vizita ême në Uashington ká pasë si rezultat njohjen e Shqypnís prej Shteteve të Bashkueme të Amerikes. Të gjitha perpjekjet e mâparshme prej Qeverís t’onë dhe “Vatras” nuk kishin pasë kurrnji rezultat. Un ia kam dalë …”. Njohja e Shqypnisë nga Shtetet e Bashkume ka pasë nji rândsí të veçantë, sepse ajo do t’i çilte rrugën edhe njohjeve të tjera të Shtetit Shqyptar dhe me gjasë ka kenë edhe njohja mâ vendimtare.
Megjithatë, lypet me theksue këtu se Fishta na përcjell, te letrat e dërgueme si në shqyp ashtu edhe në italisht, rrezikun e madh për bjerrjen e territoreve shqyptare dhe kërcnimin e tyne vazhdimisht nga fqinjët jugorë dhe veriorë, por gjithashtu nëpërmjet kësaj korrispondence sjell edhe betejën e tij të pandalun dhe të sivllazënve të tij për mprojtjen e shqyptarisë.
Nji nëntemë e kësaj linje, qi nuk duhet lanë pa përmendun këtu, âsht edhe lufta e paskrupullt për pushtet dhe për pasunim material të fragmenteve të ndryshme të shtetit dhe të pushtetit, e cila ironizohet dhe stigmatizohet me rrebtësí te satira.
2.2. Tema e artit të letërsisë dhe e natyrës së tij
Gjykimet kritike dhe kundrimet estetike janë të pranishme me shumicë në letrat qi i përkasin periudhës së parë të krijimtarisë së Fishtës deri nga mesi i viteve 20, pastaj ato reduktohen tuj u kthye në shqetësime për të Përkohshmet dhe për reçensionet qi duhet të përgatiten për to. Pikëpamjet estetike të Fishtës përkojnë me estetikën qi përputhet me qëndrimet e rrebta etike të personaltetit të tij, qi âsht mishërim i pashmangshëm i formimit të vet në mjediset ku u rrit dhe u edukue. Formimi letrar dhe njohja e thellë e letërsisë e shtyjnë atë të studiojë gjininë dramatike, i frymzuem nga gjenija e Shekspirit, të cilin e quen “auktor hyjnuer” “Ti e din qi prej tre vjetsh i jam vû studimit të dramatikes, sidomòs mbí Shekspirin”. Ai ka lexue, perposë Shekspirit, edhe Molierin, tuj studiue dramatikën e tyne dhe tuj u pshtetë te parimi estetik “me bashkue të dobishmen me knaqsín”, qi âsht në fakt parimi i klasikëve dhe i neoklasikëve evropianë.
I bân nji përshtypje të jashtzakonshme poeti H. Heine, të cilin kishte dashtë me shumë dëshirë me e imitue dhe me ndjekë mënyrën e tij të shkrimit, veçmas te vepra e tij Gjermanija nji përrall dimni, për të cilën shprehet kështu, te letra e datës 8-III-1908 çue Pál Dodajt: “Në ktò ditë kam lexue “Gjermanija” e H. Heine-s. Kúrr mâ parë nji veper letrare nuk më ká njallë tek un ndjenja zilie sá kjo poemë e shkurtë. Âsht e mrekullueshme! Un e perfytyroj si nji kokurë të mbushun me zhgjeta të perdoruna prej barbarvet: e tillë âsht ironija dhe satira qi e vesh atê prej fillimit dér në fund. Po të dojshe un me imitue dhe me folë, kishe me e marrë per prototip: aq shûm më pelqen dhe aq shûm i afrohet idealit, qi kam pasë gjithmonë per satiren.” Te Fishta dallohet lehtas damari i satirikut, por edhe ndjesija ironike dhe autoironike e artistit-intelektual të gjysmës së parë të shekullit XX, e cila duket se përshkon herë si fill i dukshëm herë si i padukshëm të gjithë korpusin e letrave qi flasin për artin.
Edhe pse tuj e quejtë komedinë si të pamujtun për me u kuptue nga gjithëkush e tuj mos e pa artin e madh ende si pjesë e natyrshme e formimit publik shqiptar, Fishta prapëseprapë âsht i kënaqun nga pritja dhe përjetimi qi ka ngjallë vepra e tij te qytetarët e Shkodrës: “Drama u duertrokit shûm. Duertrokitjet e qytetarve t’onë, âsht e vertetë, nuk janë të tilla sá me e rrit mendsh nji autor, sepse ktû, perposë disa të huejve dhe ndonji shqyptari, si Curani, nuk e kanë idén e artit komik: kishin me duertrokit çdolloj tallje të gaztorve mâ shûm se sá nji Komedi të Molierit apo të Goldonit …” âsht e kjartë se ky pasazh difton tashmâ për kërkesat e tij në rritje lidhun me Komedinë dhe gjininë dramatike, dhe njilloj keqardhjeje për gjendjen kulturore të qytetit. Por “Drama u duertrokit shûm” kallzon etjen e publikut për vepra të tilla dhe dishirin e tij të fortë për progres dhe zhvillim kombtar. Nga ana estetike ky percaktim tregon empatinë, lidhjen e madhe emocionale të spektatorit me shfaqjen dhe ngadhnjimin e veprës teatrale.
Autori gjithashtu kujdeset shumë te letrat për të skjarue edhe tematikën dhe domethaniet e veprave të tij: “Tek “Odiseja” kam dashtë me paraqitë triumfin e lirís, si te “Shen Françesku” vllaznín dhe te “Kryepremja e Shen Gjonit” [2] barazín në kuptimin e kshtenë.” Kurse te drami Shqyptari i gjytetnuem mban qëndrime estetike dhe kritike ndaj veprës, tuj e quejtë nga nji anë mâ të naltë se veprën e Shilerit, mbasi ai kishte shkrue nji vepër të ngjashme me të, por tuj e mbajtë si origjinale veprën e vet. Mbetet i entuziasmue dhe i befauem nga pritja e mirë e publikut: “Lidhun me vepren t’ême të vogël poetike, qi ti thue se e adhuron, pa e dijtë psén, po të tham, se nuk ia vlen mundin me e studjue. – Vepra âsht origjinale, me gjith se Shileri ká shkrue nji të ngjashme, qi titullohet: “Nderim per artet e bukura”. Ideja ême ishte me iu tregue shqyptarve rrugen e qytetnimit; kurse, Shiler shkruen per me josh njeriun drejt shkencës dhe arteve. Pjesa e dytë e kantatës t’ême dramatike nderthuret në shûm shprehje me vepren e Shilerit; por me gjith ket âsht krejt origjinale per sá i perket idés. Ket mundem me të thânë, se vepra ême âsht mâ e naltë se ajo e Shilerit per sá i perket idés dhe veprimit. Sigure qi shfaqja e Besimit te shqyptari, qi digjet per civilizimin, dhe ngjeshja e frazës te motetet dhe te recitativet e pjesës së parë, çon shpirtin e spektatorit shqyptar drejt idealeve të pastra dhe janë të tilla sá qi ta prekin atê fortiter et suaviter; kaq âsht e vertetë, sá qi atê mbrâmje kanë derdh lot prej entuziazmit edhè myslimantë, të cillt kishin mjaft pak interes per me pá [1] në skenë Fénë me nji Kryq në dorë.” Te ky fragment jepet edhe pëlqimi i veprës së artit, tuj mos ditë psénë, pra shkojmë tek ajo pikpamje estetike, e cila mbron idenë se veprat e artit vetëm mund të shijohen, por âsht pothuejse e pamujtun me zbulue psénë e plotë, edhe pse shpesh shkolla të ndryshme janë përpjekë dhe përpiqen për të kuptue mahnitjen e artit të madh me mjete racionale, por kjo âsht nji dukurí qi nuk âsht vetëm e tillë. Duket se Fishta âsht në kontakt me të gjitha shkollat e shijes estetike, por parapëlqimi i tij âsht për estetikën klasike qi thekson harmoninë, rregullin, proporcionin dhe simetrinë e së bukurës. Gjykimet kritike dhe estetike në letrat e Fishtës kanë për të kenë nji mjet i mirë me shpjegue dhe me njoftë mâ mirë krejt veprën e tij. Tuj qendrue besnik kritereve të nji hymjeje, – mbasi mbrenda letrave kemi kaq shumë kundrime estetike dhe gjykime kritike, sa nuk do t’i shterronte nji doktoraturë –, po e mbyllim këtu këtë tematikë.
2.3. Tema e jetës së provincës françeskane dhe e marrëdhanjeve mes sivllazënve
Në nji pjesë të mirë të letrave të dërgueme nga Fishta sivllazënve të vet, në këtë përmbledhje, lidhun me problemet dhe shqetësimet e jetës në Provincën Françeskane në Shkodër, sundohen nga nji stil i ambël dhe nji ton i butë dhe dashamirës ndaj secilit prej tyne me nji gjuhë atnore këshilluese dhe orientuese. Këtu shifet se zhguni dhe konopi i fratit janë mbi gjithshka për të. Janë simbol i ekzistencës së tij. Përvujtnija në marrdhanije me superjorët dhe ndigjesa karakterizojnë të gjithë veprimtarinë e tij prej meshtari. Në nji letër çue Át Palit ai mban nji qendrim të premë për cilësinë sesi lypej me kenë nji meshtar dhe sesi ai kishte kenë e mira me i ngja priftit të veprës Atala të Shatobrianit: “Kam lexue ktò ditë atê gur të çmuem të letersís qi âsht “Atala” e Chateaubriand-it, ku shkrimtari francez me nám pershkruen në personazhin e Át Aubrit sherbtuerin e vertetë të Krishtit, qi jeton vetëm me dashunín per Zotin dhe të afermin, se e gjith trashigimija e tij janë plágt e vulosme në trup prej damtimevet të kohnave ose prej barbarvet indianë dhe qi me jeten e tij të panjollë dhe me forcën e [1] fjales profetike arrin me zbutë bishat njerzore të burgosme në pyjet e pafundme t’Amerikës.” Këto karakteristika të fratit mishnojnë përnjimend meshtarin sesi duhet të jetë, por njikohësisht edhe modelin e tij simbas pikëpamjes së Fishtës. Nji gja të tillë ai e zbaton në vetë të parë sa herë qi në letra hapet kjo temë, tuj bâ përpjekje të vazhdueshme për me krijue harmoni e dashuní mbrenda Provinçjalatit e tuj dalë ai në krye të punëve të përditshme qi e shqetësojnë atë. Nji meshtar i papritueshëm, edhe pse veprimtarija e tij kalonte kufijtë e Provinçjes, ai kurrnjiherë dhe për asnji arsye nuk la mbasdore, interesat e bashkësisë së fretnve, por i nxiti ato, si për shembull, botimin e veprës së Át Bernardin Palit, Át Shtjefen Gjeçovit dhe përkthimin e Kanunit në italisht nga Át Pali. Dijti gjithmonë të harmonizonte interesat e meshtarisë me interesat artistike, politike dhe akademike. Megjithatë shofim se ai, me gjithë veprimtarinë e madhe letrare, publicistike, politike, të gjitha këto të fundit i ka vu në plan të dytë në krahasim me të mirën e Provincës.
Te pjesa e dytë e përmbledhjes, Fishta letërmarrësi, dërguesit e letrave kujdesen me shumë mirësí t’i drejtohen atij për veprimtarí fetare dhe laike, tuj pa tek ai nji pshtetës të besueshëm, p.sh., letra e Pekmezit dishmon per këtë gja. Nji pjesë e letrave merren me vlersimin e tij si Poet Kombtar, tuj i dhanë Pendën e Artë dhe çmime të tjera. Vlerësimet për Lahuten e Malcís dhe për të si poet janë të shumta, p.sh., Êmzot Prof. Jul Bonatti, me nji letër nga Vlona me 9 Fruer 1938, e vlerson këtë vepër kështu: “Pá kurrfarë lajket do të thohet se Lahuta e Malcís âsht e dêjë m’u rreshtue krah në krah me kryeveprat epike mâ në zâ të letersinave të botës të moçme e të kulturës së ré.”; Çabej, me nji letër nga Roma me 29.IV.27, i drejtohet kështu: “Vjershetorit të math Arbëror!” dhe Lamberci shpreson perfundimin e epopesë: “më ka dhânë mue shpresen, se letratyra e botës mbas Lahutes e Malcís ka me marrë si dhântin prej Zotnís Sate nji epopejë popullore, nji Mahabharata ose si nji Kalevala Shqype. Edhe shpresoj edhe tash, se nuk e keni lânë poeziën e madhe, por keni me e mbarue.”. Bien në sy këtu, gjithashtu edhe letra të dërgueme nga personalitetet shqiptare mâ në zâ të kohës, si në fushën e politikës ashtu edhe botës së artit e të shkencës: Preng Bibë Doda, Konica, Hugh G. Grant, K. Cipo, Dr. Norbert Jokli, Edhem Haxhiademi etj.
Mâ në fund studiuesit dhe lexuesit do të kenë në dorë nji korpus domethanës dhe me shumë vlera të korrispondencës së njanit prej personaliteteve mâ të njoftuna të botës shqiptare, pra atë të Át Gjergj Fishtës. Kjo gjâ pa dyshim ka me ndikue në rishikimin e figurës së tij nën kandvështrimin e të dhanave të reja dhe mâ të plota për studimin e veprës dhe të autorit.
Bibliografi
Át Gjergj Fishta O.F.M. 1871-1940. Numër perkujtimuer neper kujdes t’Á Benediktit Dema O.F.M., botim II, Shkodër, 2010,
Fishta, Gjergj. Estetikë dhe kritikë. Antologji përgatitur nga Persida Asllani, Hylli i Dritës & Shtëpia e Librit Tiranë 1999.
Fishta, Át Gjergj. Letërshkëmbimi. Botime Françeskane Shkodër 2020.
Letra nga këto Burime:
1. Biblioteka Françeskane “Át Gjergj Fishta O.F.M.” në Shkodër.
2. Kuria Gjenerale O.F.M.
3. Fondi i Willy Kamsit tek Biblioteka Françeskane “Át Gjergj Fishta O.F.M.” në Shkodër.
4. Arkivi Shtetnor