VATRA PROMOVOI VEPRAT “ALIDA” DHE “GJYQI I SHOPENHAUERIT” TË ADRIANA DHE DINE DINES /
Sokol PAJA – DIELLI/
Të Shtunën më 29 Maj 2021, në orën 11.00 AM, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” u bë promovimi i librave “Alida” i Dine Dines dhe “Gjyqi i Shopenhauerit” të Adriana dhe Dine Dine. Me dhjetëra pjesëmarrës, miq, të ftuar, vatranë, mësues, gazetarë, intelektualë, shkrimtarë e patriotë ishin prezentë në festën e librave-letërsi e burgut të shkrimtarit antikomunistit Dine Dine. Novela “Alida” është një rrëfim fantastik mbi dashurinë e pafat dhe dashurinë e pamundshme. “Alida” është një novelë që të mban gjallë deri në fund përmes rrëfimeve të rralla, përjetimeve të forta dhe kujdesit mjeshtëror për të portretizuar dashurinë edhe kur ajo është e pamundur.“Gjyqi i Shopenhauerit” është një përmbledhje me tregime e rrëfime mbi dramën dhe persekutimin familjar të autorëve Adriana dhe Dine Dine të cilët në libër paraqesin vuajtjet dhe tmerrin që kaluan familjarisht në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me anë të këtij promvimi dëshmuan edhe një herë se janë një model bashkëpunimi e suksesi në përçimin dhe promovimin e vlerave kombëtare e të shkrimtarëve elitë siç është Dine Dine dhe letërsia e tij e veçantë, letërsia e burgut. Në fjalën e hapjes moderatorja Marjana Zeneli Bulku u shpreh se sot ne promovojmë në Vatër librat e autorit Dine Dine (Nasufi) një emër i shquar i rezistencës antikomuniste dhe biri i një preh familjave më të shquara dhe me kontribut në histroinë e shtetit shqiptar. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha me rastin e promovimit deklaroi se veprat “Alida” dhe “Gjyqi i Shopenhauerit” janë dy libra memorie që na rrëfejnë persekutimin komunist të një prej familjeve më fisnike e patriotike shqiptare. Këto libra sipas z.Berisha na kthejnë pas në një kohë të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, diktatura e proletariatit, ky sistem politik përbindësh që shkatërroi çdo intelektual, klerik të nderuar, familje fisnike dhe ide opozitare. Librat e Dine Dines “nëpërmjet rrëfimeve të ndjera, historive, personazheve, ngjarjeve dhe detajeve që rrëfen, është jo vetëm një pasqyrë e ferrit që përjetuan shqiptarët në diktaturë por mbi të gjitha na fton të mendojmë, meditojmë dhe të reflektojmë thellë për të vuajtjet dhe perskutimin deri në absurd që përjetuan shumë shqiptarë të pafajshëm” u shpreh kryetari i Vatrës Elmi Berisha. Mhill Velaj, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në kumtesën e tij rreth novelës “Alida” të Dine Dines u shpre se kjo novelë i ngjane një triptiku kohor që ngërthen në vete magjinën dhe dramën e dashurisë se dy te rinjeve në kohëra të errëta të regjimit totalitar komunist. “Alida” sipas z.Velaj rrefen e zberthen ëndrrën e një të riut për të dal nga ky labyrinth sa i magjishëm po aq sfidues, për kurthet që ti ofron jeta. “Alida” sipas z.Velaj është lloj drame shpirtërore e dy të rinjëve si një lloj pararoje ndaj hipokrizisë dhe kufizimeve njerëzore zhytur në maskën e sistemit dhe ideologjisë së regjimit të dikurshem. Protagonist i novelës ndjen dyzim në shpirt e karakterin e tij. Ai ëndërron fatin jetësor në të i lidhur këmbë e duar nga sfidat e shekullit. “Protagonisti i novelës i gjendur në mes të dy dashurive asaj idealiste ndaj Alidës dhe dashurisë spontane ndaj Lilit, përjeton ferrin Dantesk të dilemave, sfidave e përballjeve në raport me diktaturën e proletariatit e cila dinte ta diktonte edhe vullnetin rinor, frymëmarrjen dhe ëndrrën e të riut perse jo edhe shtigjet e dashurisë” citoi në kumtesën e tij z.Mëhill Velaj. Editori i Diellit z.Dalip Greca tek analizoi dy librat e Dine Dines,tha nder te tjera se autori me krijimtarinë e tij të pasburgut, vjen me dëshmi autentike të Diktaturës më mizore që ka njohur Shqipëria, dhe jo vetëm, duke sjellë prova të pakontestueshme se diktatura burgosi jo vetëm Dinen, por dhe shpirtin e tij krijues, Letërsinë, edhe pse letersia e tij erdhi bashke me lirine….pas denimit. Sipas z.Greca “Alida” përbën një rrëfim që i ka të gjitha elemntët, dashurinë e pastër si ndjenjë sublime, ka lirizmin e rrëfimit, idelizimin në perfeksion të dashurisë si nocion.Nga autori, Alida pikturohet (jo me penel, por me magjinje e fjalës) si diçka e përsosur, e paarritshme, mitike dhe toksore njëkohësisht, me bukuri të pakrahasushme, me sytë blu. Shpirti artistik i rrëfimtarit fisnik e ka stolisur atë në mënyrë të tillë, që ta ruaj edhe nga vetja. Është një dashuri që të sugjestionon. Greca analizoi thuajse te gjithe tregimet dhe novelen e “Turisti” te librit “Gjyqi i Shopenhauerit” si dhe pese rrefimet e bashkeautores se librit Adriana Dine. Ai u ndal ne stilin e vecante te autorit, ne punen kembengulese me detajin, si dhe gjuhen individualizuese te personazheve.
“Rrëfimi”Shpirti i një nënë” i Adriana Dines kushtuar nënës së Dines-Sulltana Dine Kaziu- është një monument shpirtëror për një fisnike të rrallë, që Adriana, duket se ka qarë edhe kur e ka shkruar. Është një përkushtim i ndjerë që përcjell jo vetëm dramën që mbart ajo nënë, por edhe dramën e vet Adrianës. Rrëfimi “Nga ferri” i Qafë Barit te “parajsa” e një familje qafbarase…ka aq shumë dramacitet e realizëm sa e ke të vashtirë të analizosh. Mendoj se të pesta rrëfime e Adrianes do të ishin të denjë për t’u përfshirë në antologji në shkollat e mesme të Shqipërisë” përfundoi kumtesën e tij Editori i Diellit. Moderatorja e promovimit, gazetarja Marjana Zeneli Bulku deklaroi se letêrsia e burgut prodhoi kolanën e saj të autorëve të cilëve edhe pse ju mohua e drejta, e deshën dhe mbrojtën atë, edhe pse ju mohua fjala, e gdhendën bukur atë në letërsi e gazetari, edhe pse ju mohuan shkollat dhe edukimi, e vetkrijuan atë si autodidakt dijesh, gjuhësh, literaturash që njohin në mënyrë ekselente gjuhën universale atë të paqes e fisnikërisë çka ishte e huaj dhe e urryer për mynxyrën komuniste që shpiku ndarjen dhe përçarjen, izolimin dhe persekutimin, luftën e njeriut nga njeriu; vêllai miku e shoku, burgun, frikën, dhunën, injorancën duke e shndërruar në viktimë të kohës jo vetëm individin por një shoqëri të tërë. Sipas gazetares Marjana Zeneli Bulku, Vatra ka rastin që lirinë e letërsisë së burgut ta shndërrojë në pjesë të asaj kombëtare si ndjesë dhe reflektim e pse jo edhe si iluminim të ndërgjegjes dhe arsyes çka përbën trurin e çdo akti veprimi e ndërveprimi në të ardhmen tonë këtu dhe atje për të mos përsëritur një të kaluar që ende kullon plagë. Sipas gazetares Marjana Zeneli Bulku te novela “Alida” nuk mungojnë analizat e thella të ndërgjegjes, përshkrimet plot detaje reale herë- herë sarkastike ndaj një Shqipërie Burg që dhunonte tërë shoqërinë duke ndërtuar kaq shumë burgje edhe të ndërgjegjes,kampe internimi dhe kufinj mes shqipëtarësh ku gjysma ishtë përtej telash ndërsa gjysma tjetër mbeti në tentativën konstante për ti kapërcyer ato, pak a shumë e njejta situatë siç është edhe sot”- përfundoi ajo. Shkrimtari i mirënjohur Visar Zhiti në letrën e tij përshëndetëse më rastin e promovimit është shprehur se Dine Dine përfaqësonte njerëzit më të denjë në qëndresën natikomuniste në burg dhe ishte një luftëtar i papepur i së keqes. Sipas z.Zhiti novela “Alida” është një novelë e shkëlqyer jo për dashurinë por për pamundësinë e saj dhe fiksimin e pashpjegueshëm erorik si patalogi, me sfond vuajtjen në internime dhe burgje të rrëfimtarit. Kjo novelë sipas z.Zhiti të kujton rrëfimet alla Turgeniev e Cvajg një klasicizëm që autori e ndiqte me ëndje dikur si letërsi e ndaluar. “Pathosi dhe e çiltërsia, maskokëçarje ndaj të vërtetës, dënimeve, families, etj janë përqendruar në një obsesion, që i tutet arritjes së një dashurie reale , duke e besuar këtë si dashuri dhe kështu iluzioni Alidë bëhet më fortë. Dine Dine tashmë është autor në letrat e diteve tona. Unë sapo kam botuar librin ” Kartela të Realizmit të Dënuar ” një studim i gjërë mbi letërsinë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e autorëve të dënuar, që vazhdojnë e shkruajnë dhe tani, pra të një letërsie theksoj se “ Letërsia e Realizmit të Dënuar ” nuk erdhi që të zëvendësojë letërsinë shqipe, por për të sjellë vetveten, ato të vërteta të munguara, për të cilat letërsia ka aq shumë nevojë. Emrave të shkrimtarë të dënuar, një pjesë mizorisht si asgjëkund tjetër, me pushkatim nga regjimi gjakatar apo autorë të çmuar që janë shuar burgjeve, veprat e të cilëve e nderojnë letërsinë shqipe, që tregojnë se ajo qëndroi dhe dha vlera kombëtare” përfundoi fjalën e tij përshëndetëse në letrën e dërguar shkrimtari i mirënjohur Visar Zhiti. Gazetari i Diellit Sokol Paja deklaroi se letërsia që na sjell Dine Dine është një letersi morali, qëndrese, homazhi, kujtese dhe shprese. Në librat e tij heronjtë kryesorë janë bashkëvuajtësit e tij, njerëz të mrekullueshëm dhe finsikë të cilët vuajtën padrejtësisht persekutim të pashembullt, veçse donin lirinë. Letërsia e Dines vjen e përsorur në gjuhë, rrëfime të gjalla që të mbërthejnë deri në fund të tregimeve, dhe shquhet për estetikë të lartë. Në letërsinë e Dines tha z.Paja dallohet një botë e shkëlqyer shpirtërore e autorit çka refleton betejën me sistemin totalitar që synote të shkatërronte përveç trupit edhe shpirtin e të burgosurve. Bashkëvuajtësi i Dine Dines, Lek Mirakaj rrëfeu vuajtjet së bashku me Dinen në kampet e Beratit, Tepelenës, Porto Palermos ku ata ishin fëmijë të vegjël e deri në internim. Ai kujtoi jetën në Savër ku jetesa e të përsekuturve ishte në kushte çnjerëzore. Leka deklaroi se Dinen do ta kujtojë si një njeri të ndershëm, krijues, fisnik. Ky njeri ishte artist dhe në vitet më të tmerrshme në burgjet komuniste. Bashkëvuajtësi i Dine Dines në Savër të Lushnjës, Mark Mrnaçaj u ndal dhe solli në vëmëndjen e të pranishmeve kujtimet në internim me familjen e Dine Dines ku deklaroi i prekur se xhaketën e parë që kishte veshur ia kishte qepur nëna e Dine Dines. Veiz Belliun tregoi shpirtin artistik të Dine Dines dhe mbi të gjitha u ndal te fakti sesi Dine kundërshtoi dhe refuzoi me përbuzje sigurimin e shtetit. Asllan Bushati në kumtesën e tij kushtuar noveles ALIDA, u ndal te cilësia e letërsisë që sjell shkrimtari antikomunist Dine Dine. Në fund të promovimit fjalën përshëndetëse dhe përmbyllëse e mori shkrimtari Dine Dine i cili shprehi mirënjohje të thellë për të gjithë pjesëmarrësit dhe u shprehu falenderim për vlerësimet që mori për librat e tij. Në fund të promovimit, Mark Mrnaçaj bashkëvuajtës në Savër të Lushnjës me shkrimtarin Dine Dine në shenjë nderimi dhe kujtese për kohën e kaluar së bashku në internim, shtroi një koktejl surprizë dhe shumë emocionues për vetë shkrimtarin Dine dhe gjithë miqtë e pranishëm. Ishte nje koktejl i pasur me ushqime e pije, ku u ftuan edhe mesuesit e nxenesit e shkolles shqipe” Children of the Eagel me themeluse dhe drejtuse zonjën Drita Gjongecaj. Shishet e verws ilustroheshin me ballina e librave “Alida” dhe “Gjyqi I Shopenhauerit”.