Profesor Ymer Berisha- 1912-1946
Prof. dr. Lush Culaj
Luftëtar për çlirimin kombëtar në Kosovë, veprimtar i lëvizjes demokratike. Lindi në fshatin Gjurgjevik i Madh, komuna e Klinës më 1912. Pas kryengritjes së vitit 1919 në Kosovë, për shkak të represionit, iku bashkë me të atin në Shqipëri. Shkollën fillore e filloi në Krumë dhe e përfundoi në Fushë Krujë. Ndoqi Normalen e Elbasanit ku pati mësimdhënës figura të çmuara të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvanin, Ahmet Gashin etj. Pas diplomimit në vitin 1932, punoi për një periudhë të shkurtër si mësues në disa shkolla të Shqipërisë. Me bursën e dhënë nga shteti shqiptar vazhdoi studimët në Itali, ku përfundoi Akademinë Ushtarake dhe Fakultetin e Histori-Gjeografisë. Pas kthimit punoi si mësimdhënës në disa fshatra të rretheve të Shqipërisë. Ishte ndër intelektualët më të shquar kosovarë në Shqipëri dhe aktivist i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Në vitin 1941 pas okupimit të Jugosllavisë nga nazi-fashizmi prof. Berisha u kthye në Kosovë ku filloi punën si mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Ymer Berisha ishte pjesë e Shtabit të Shaban Polluzhës në luftën e Drenicës në fillim-vitin e vitit 1945 dhe një ndër njerëzit më të respektuar të tij.
Pas shuarjës të rezistencës të Shaban Polluzhës, Berisha mbeti njëri nga prijësit e dalluar të Rezistencës së Kosovës. Ai kaloi në malet e Llapushës dhe nga aty filloi përpjekjet për organizimin e rezistencës. Konsiderohet njëri ndër ideologët dhe krijuesit e platformës politike për mbrojtjen e kufijve etnikë të trojeve shqiptare. Ishte luftëtar kundër fashizmit e komunizmit. Si truri dhe nervi dirigjues i levizjes ilegale siq e cil;sojn; edhe dokumentet e CIA-s amerikane. kishte dhenë kushtrimin për formimin e një fronti unik politiko-ushtarak të të gjitha rrymave. Ai dhe organizata e tij Besa Kombetare ishin përcaktuar për luftë të armatosur me program demokratik properëndimor, duke promovuar kështu edhe nacional-demokracinë e Kosovës (e cila do të bëhet model edhe për lëvizjet e mëvonshme politike në Kosovë, si ato të viteve ’90).
Kuvendi i Dobërdolit i gushtit 1945 e zgjodhi profesor Berishën udhëheqës politik. Në Kuvend prezantimi i problemeve që kërkonin zgjidhje nga prof. Berisha ishte shumë përbajtësor.
Prof. Berisha mbante lidhje me forcat anglo-amerikane. Veçohen letrat e profesorit që i këmbente me misionin anglez, respektivisht me gjeneralin Hadson. Në një raport me 22 tetor 1945 prof. Berisha e informonte atë për situatën e rëndë politike në Kosovë. Peticioni në emër të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme për gjeneralin Hadson, kishte për qëllim që Britanisë së Madhe t’i ofrohej një pasqyrë reale mbi gjendjen e shqiptarëve. Lidhjet ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare” dhe misionit anglez, mbaheshin me vështirësi të mëdha.
Në vitet 1945-1947, në radhët e LNDSH-së të udhëhequr nga Profesor Ymer Berisha, Halim Spahia, Gjon Serreqi, Selman Riza, Marije Shllaku etj, kishte në radhët e veta mbi 30.000 anëtarë aktivë në të gjitha territoret e Kosovës, Maqedonisë e Bujanocit me rrethinë. Kjo e dhënë flet qartë se çfarë rezervash kishin shqiptarët ndaj forcave komuniste.
Në Kongresin e Lipovicës (Blinajës) të 25 korrikut 1946 prof. Ymer Berisha u emërua Komandant i UPNDSH-së dhe Kryetar i tërë Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare. Në fakt detyra më e lartë komanduese e udheheqjes aë mbarë levizjes profesorit iu dha në mungesë, sepse ai tashmë ishte eliminuar fizikisht. Sipas të dhënave që i jep eprori komunist jugosllav Gojko Medenica, më 11korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, Ymer Berisha u vra ku ishte se bashku me liderin e Lugut te Drinit Ndue Përlleshin.
Ai vdiq si vdesin trimat dhe as sot nuk i dihet varri i saktë. Uroj që brezat e ardhshëm të mësojnë të vërtetën veprimtarinë e Komandantit të Maleve Dardane, Durim Vullnetit, alias Ymer Berisha, politikan, strateg, ushtarak, filozof, gjuhëtar, historian, gjeograf, arkeolog, e mbi të gjitha humanist.
Lufta e NDSH-së është një kaptinë më vete e historisë shqiptare, ku forcat e rezistencës nacionaliste u thyen si rezultat i raportit të disfavorshëm të forcave si dhe të mospërkrahjes së mjaftueshme të faktorit ndërkombëtar.
Sipas propagandës komuniste, ata u trajtuan si element që mbështeteshin në reaksionin e jashtëm, e sidomos në atë anglez. Shqipëria në periudhën e parë të pasluftës ishte shndërruar në një satelit të Beogradit.
Ymer Berisha dhe shumë intelektualë të tjerë në Kosovë bënin propagandë në Kosovë për lidhje bashkëpunimi me aleatët anglo-amerikanë.
Lëvizja e rezistencës shqiptare, qysh prej ditëve të para të formimit dhe të veprimtarisë, mbante lidhje të ngushta ndërmjet vete. Këto lidhje ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare” dhe misionit anglez mbaheshin me përkushtim dhe sakrifica. Zakonisht ato udhëhiqeshin përmes lidhjeve, përmes ambasadave, që ndodheshin në Shkup e në Tiranë. Dëshmia më e mirë, e cila e shpjegon ketë gjendje të këtyre forcave është raporti i profesor Ymer Berishës dërguar gjeneralit anglez Hadgson më 22 tetor 1945. Njoftimi me kohë për gjendjen aktuale dhe për dhunën ishte i rëndësishëm. Jo pa qëllim Ymer Berisha i drejtohet Hadgsonit, në emër të popullit të Dardanisë antike Iliriane për të dëshmuar lashtësinë dhe autoktoninë e këti populli. Duke përshkruar situatën e rëndë politike të shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi dhe vrasjët e mijëra shqiptarëve theksohët se tash e 11 muaj janë duke luftuar pandërprerë kundër partizanëve, duke vuajtur për mungesë të ushqimit dhe veshmbathjes. Ai konstaton se rreth 4.000 ushtarë të zgjedhur janë në male me armë në dorë dhe se i tërë populli i Kosovës, është i gatshëm që në sinjalin e dhënë të çohet në këmbë që të luftojë kundër partizanëve.
Profesor Berisha në emër të shqiptarëve i lutët aleancës anglo-amerikane, që të ndërprerë dhunën partizane në Kosovë dhe se dëshira e popullit është për bashkim në një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Ushtria jonë është e organizuar në çeta. Me vete, me shpirt e me zemër e ka tërë popullin, mirëpo fatkeqësisht na mungojnë armatimi dhe pajisjet. Për këtë shkak presim nga ju ndihmë.
Autori i kësaj përkujtese si dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore po përjetonin çaste nga më të vështirat. Në rrethana tejet të vështira, një pjesë e nacionalistëve nuk u lëkundën, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për shpëtim dhe liri.
Berisha me shokë nuk zgjodhën rrugën e servilizmit ndaj pushtetit të ri që do t’u siguronte pozita dhe privilegje. U përcaktuan për liri pavarësisht nga çmimi. Realisht Britania e Madhe nuk e shihte me sy të mirë regjimin e ri komunist shqiptar. Madje, raportet në mes dy vendeve ishin të tilla që i shkonin më për shtat gjendjes së luftës, sesa asaj të paqes.
Nga të dhënat e lartshënuara dhe burimet arkivore shihet se Hadgsoni kishte informata të shumta për gjendjen e shqiptarëve në viset shqiptare në Jugosllavi.
Ndonëse ishte i informuar për bashkëpunimin ndërmjet PKJ-së dhe PKSH-së, Ymer Berisha në promemorien e tij nuk flet dhe nuk e akuzon shtetin shqiptar. Në fakt Hadgsoni për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi e fajësonte edhe PKSH-në dhe udhëheqjen e saj duke u deklaruar se “fakti që kanë rënë dakord ta humbasin këtë hapësirë me shumicë shqiptare konfirmon se sa të shitur janë tek Jugosllavia”.
Formulimi i kësaj promemorieje ishte edhe një apel, në mënyrën më të civilizuar e humane, për situatën që përjetonte gjysma e kombit. Promemoria për Hadgsonin nga Berisha, në emër të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme, kishte për qëllim që Britanisë së Madhe t’i ofronte një pasqyrë reale mbi vuajtjet e tyre. Duke e paraqitur qëllimin e Beogradit zyrtar, Mbretëria e Bashkuar do të informohej lidhur me veprimet që bënin pushtuesit e që ishin:
- persekutime të të gjitha llojeve për ta bërë të detyrueshëm nënshtrimin dhe pranimin e okupatorit të vjetër me emër të ri;
- akuza ndaj shqiptarëve se kishin bashkëpunuar me okupatorin dhe
- dhunë e vrasje për ata që nuk pranonin të nënshtroheshin.
Ymer Berisha e informonte Hadgsonin se nacionalistët e Kosovës, ndonëse bukur mirë të armatosur, duke parë se partizanët në atë kohë kanë qenë të ndihmuar nga anglezët, nuk iu kundërvunë atyre, duke shpresuar se nuk do të guxonin nga aleatët të shkaktonin dhunë ndaj shqiptarëve. Arsyetimi tjetër i Berishës ishte se rezistenca kundër partizanëve, derisa forcat gjermane ishin në trojet shqiptare, dukej e dëmshme për ushtrinë aleate.
Në fakt partizanët, duke e marrë pushtetin, i çarmatosën shqiptarët me premtimet se do t’u jepej liria e plotë. Por, në vend se t’u japin lirinë, filluan t’i robërojnë. Shtrohet pyetja: nga kush e kishin frikën pushtuesit e rinj komunistë? Pikërisht nga paria, nga familjet e mëdha e të njohura për tradita atdhetare, nga bajraktarët dhe familjet që kishin reputacion. Ata ishin të vetëdijshëm që me nënshtrimin e atyre familjeve me tradita dhe autoritet nënshtroheshin shumë më lehtë familjet e vogla.
Duke e informuar gjenaralin për luftën e Drenicës, Berisha përshkruante fenomenin e ballafaqimit babë e djalë; se si babai ndodhej në ushtrinë çlirimtare të Shaban Polluzhës, kurse djali, i mobilizuar me dhunë, ndodhej tek ushtria partizane për të luftuar ndërmjet tyre.
Tashmë, pas rezistencës së njohur, më 18 shkurt 1945, kishin rënë në frontin e luftës edhe katër komandantët e rezistencës kombëtare: Shaban Polluzha, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe togeri Gani Agaj i Llaushës. Të gjithë ishin atdhetarë të shquar dhe nga familje të mëdha me tradita. Profesor, Berisha, te raporti për gjeneralin anglez, për herë të parë, jep një shifër për numrin e të vrarëve të shqiptarëve të mobilizuar në Masakrën e Tivarit, ku thekson se numri i të vrarëve saktësisht nuk mund të dihet. Dihet vetëm se në Mal të Zi janë vrarë brenda 24 orëve 1670 njerëz.
Ai thekson, jo pa qëllim, se shqiptarët presin nga Anglia, si sjellëse e lirisë në Evropë, dritë dhe shpëtim. Shpresën shqiptarët e kishin orientuar në tërësi në drejtësinë anglo-amerikane. Duke i njohur shumë mirë qëndrimet antikomuniste anglo-amerikane, Berisha konkludon se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm të luftojnë kundër partizanëve.
Promemoria ishte shkruar në emër të Organizatës “Besa Kombëtare” dhe ishte nënshkruar nga vetë autori profesor Ymer Berisha si Kryetar i Kuvendit të Organizatës dhe Kryetar i Kuvendit të Ushtrisë Kombëtare si dhe nga anëtarët e kryesisë që ishin prezentë. Gjatë pasqyrimit dhe vlerësimit mbi gjendjen e rëndë të bashkëkombësve të tyre tek Ymer Berisha nuk manifestohej kurrfarë dashaligësie kundër popullit jugosllav, por dilte qartë revolta kundër dhunës që ushtrohej ndaj shqiptarëve dhe dëshira për lirinë e tyre. Prej aty kuptohet se shqiptarët e kishin kuptuar prej kohësh se, vetëm përmes qëndrimeve dinjitoze politike e njerëzore, akteve të mençura diplomatike e trimërisë qytetare e kombëtare, çështja shqiptare do të mund të merrej në konsideratë nga Qeveria e Londrës, çfarë ishte pikësynimi jetik i Ymer Berishës.
Me ndjesinë e thellë që e karakterizonte profesor Ymer Berishën, ai i parashtroi vetes dy misione. Së pari të demantonte përrallat serbe për respektimin e të gjitha të drejtave për shqiptarët dhe së dyti t’u binte kambanave për veshin e aleatëve anglo-amerikanë. Siç vërehet, nëpërmjet të dhënave të detajuara, Berisha përpiqet të gjejë forma më të avancuara shpjeguese, si orientim për udhëheqjen e aleatëve anglo-amerikanë drejt thelbit të këtyre problemeve. Gjatë paraqitjes së këtyre të dhënave, nuk është e vështirë ta dallosh intuitën e tij për të nxjerrë në pah telashet e të sotmes dhe dilemat e së ardhmes.
Se kush ishte realisht Ymer Berisha e dëshmon raporti i më vonshëm i CIA-s amerikane i datës 7 janar 1953 ku theksonte se: “Profesor Ymer Berisha ishte shpirti, forca dhe truri i rezistencës nacionaliste në Kosovë”.