Të ashtuquajturat “Letra të Panamasë”, të cilat zbuluan se dhjetëra figura globale kanë fshehur shuma të mëdha parash jashtë vendeve të tyre, sipas analistëve në Prishtinë, mund të përfshijnë edhe njerëz nga Kosova.
Aktualisht, organet e hetuesisë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse ka indikacione fillestare për nisjen e ndonjë hetimi.
Kurse përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se përfshirja e mundshme e personave nga Kosova, qofshin ata politikanë, zyrtarë të lartë apo biznesmenë, mund të arsyetohet me faktin se, siç thonë ata, “Kosova është e njohur për dukurinë e nivelit të lartë të korrupsionit dhe atë të shpëlarjes së parave”.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përfshirja e mundshme e njerëzve nga Kosova në këtë skandal global financiar, do të ishte një fatkeqësi e madhe për vendin. Sipas tij, në këto raste kërkohen transaksione të mëdha buxhetore, që për fuqinë ekonomike të Kosovës, do ishte një vlerë e madhe.
“Duke parë që edhe vende shumë më të varfëra sesa Kosova, dhe politikanë që nuk janë menduar fare që kanë fshehur pasurinë e tyre, dolën se ata kanë bashkëpunuar me firmën në Panama dhe kanë pasur fonde të fshehura në këto banka, atëherë është e mundur që edhe individë nga Kosova të jenë përfshirë në këtë skandal”, thotë Demi.
Në anën tjetër, edhe Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë që vështron dhe avokon kundër korrupsionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk do të habitej aspak nëse në këtë skandal global, do të përfshiheshin zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës.
“Pritet që të dalin edhe letra të tjera dhe nuk e di nëse Kosova do të jetë e përfshirë, mirëpo dihet se pastrimi i parave bëhet në mënyra të ndryshme edhe në Kosovë. Nëse do të dalin individë nga Kosova në këtë skandal, do të tregonte një trend që jemi në harmoni me vendet e korruptuara”.
“Por, nuk e di se si do të reagojnë zyrtarët e Kosovës, nëse do të jenë të përfshirë në këtë skandal, a do të veprojmë si pjesë e vendeve me demokraci të zhvilluar sikur Islanda kur kryeministri jep dorëheqje, apo do të jemi shtet sikurse Rusia ku presidenti Vladimir Putin e quan këtë problem të brendshëm familjar dhe spekulim”, vlerëson Canhasi.
Megjithatë, Canhasi konsideron se zyrtarët e lartë të Kosovës, fshehjen e të ardhurave të tyre apo shpëlarje të parave shumë lehtë mund ta bëjnë edhe në Kosovë, përmes patundshmërive të ndryshme.
“Sistemi financiar në Kosovë nuk është edhe i pa fuqishëm, megjithatë nuk ka personel të mjaftueshëm që të bëjë këto kontrolle, dhe kjo duhet të fuqizohet tutje. Njësia e Inteligjencës Financiare në Kosovë, duhet të shtojë kapacitetet e saj që të bëjë këto kontrolle”, vlerëson Canhasi.
Ndërkohë, projekti për Raportimin mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) pritet të nxjerrë brenda dy javësh informacionet për Ballkanin që përfshihen tek “Dokumentet e Panamasë”.
Redaktorja e këtij projekti, Miranda Patruçiq ka thënë për Zërin e Amerikës, se mund të priten informacione konkrete për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
Nisur nga kjo, Drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi, thekson se për përveç politikanëve që mund të jenë të përfshirë në këtë skandal, mund të jenë edhe njerëz nga biznesi në Kosovë.
“Por, edhe nëse nuk ka ndonjë politikan, do të duhej të shikohej nëse ndonjëri nga bizneset e mëdha ka pasur një llogari të tillë, pasi që edhe në rastet e vendeve të tjera shumica e njerëzve ishin biznesmenë, por të ndërlidhur me politikën”.
“Duke marrë parasysh si funksionon politika dhe ekonomia tek ne, çdo biznes i madh që është krijuar pas luftës është krijuar përmes lidhjeve politike, sidomos duke marrë kontrata publike”, shton Demi.
Kosova në vazhdimësi nga ekspertët e fushës së ekonomisë në Kosovë, ishte konsideruar se është shndërruar në terren të përshtatshëm për shpëlarjen e parave.
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2015, mbi 1.5 milionë euro është vlera e konfiskimit të parave, për veprat penale që lidhen me krim të organizuar, pastrim të parave dhe veprave tjera penale.
Por, përfaqësues të shoqërisë civile vlerën prej 1.5 milionë euro, e kishin konsideruar se është vlera minimale e konfiskimit të parave nga aktivitetet e dyshimta në Kosovë.(Luljeta Krasniqi-Veseli)