Ledio Xhoxhi, Historian/
Fan Stilian Noli është një nga figurat me njohuri të thella në historinë e Shqipërisë. Ai u shqua në shumë fusha. Noli ishte shkrimtar, filozof, publicist, poliglot, përkthyes, orator, diplomat, politikan, historian, muzikant e teolog. Ai është themelues i Federatës Vatra, si dhe themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Figura politike e Fan Nolit mbetet një nga më të shndritshmet në panteonin shqiptar të baballarëve të kombit. Ai vazhdoi veprën e tyre të lavdishme si një nga bashkëkohësit e denjë të rilindësve tanë. Ai u mor me pothuajse të gjitha fushat ku kombi dhe shteti shqiptar kishin nevojat e tyre. Ai u mor me përkthimin në gjuhën shqipe të librave të shenjtë, u shugurua prift në SHBA në kohën kur kërkohej themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare duke e çuar punën e tij deri në konsolidimin e autoqefalisë së kësaj Kishe. Noli shkëlqeu në veprat historike për Skënderbeun, i cili ishte guri i themelit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Diplomatin Fan Noli e gjeje në të gjitha konferencat ndërkombëtare ku vendosej fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ai përktheu kryeveprat e letërsisë botërore duke mbetur edhe sot një nga përkthyesit më të mirë dhe njëkohësisht iluministi i elitave shqiptare drejt ideve të Perëndimit.
Fan Noli hyri fuqishëm në jetën politike të viteve 1920-1924 duke qenë edhe kryetar i Shoqatës Panshqiptare “Vatra”. Përplasjet e shumta që karakterizuan periudhën pas Kongresit të Lushnjës bën që situata në Shqipëri të degradonte deri në buzë të anarkisë totale. Shembulli i kësaj është ndërrimi i disa qeverive në harkun e katër viteve. Parlamenti shqiptar i kësaj periudhe u bë arenë e përplasjeve të rrymave të ndryshme politiko-sociale, krahinoro-fetare, si dhe i lojërave të ndryshme parlamentare që shqiptarët deri atëherë pa përvojë kishin filluar t‘i mësonin.
Copëtimi i Shqipërisë që kishte sjellë ndarjen nga trungu shqiptar të viseve më të pasura dhe të asaj popullsie që kishte dhënë kontributin kryesor në shpalljen e Pavarësisë, shto këtu edhe odisenë e gjatë të njohjes dhe të përcaktimit të kufijve të shtetit shqiptar, po e kthenin Shqipërinë në një “tokë të askujt”. E gjithë kjo kishte sjellë krijimin e dy blloqeve kryesore në skenën politike shqiptare. Blloku i parë ishte ai i bejlerëve dhe pronarëve të mëdhenj të tokave, të cilët duke përfituar nga pushteti ekonomik, si dhe përvoja e gjatë administrative që nga koha e Perandorisë Osmane, kërkonin me çdo kusht ruajtjen e pushtetit politik si garantues të interesave të tyre ekonomike, duke kundërshtuar çdo lëvizje ose reformë liberale. Ahmet bej Zogolli, me plot ambicie për pushtet, ishte figura kryesore e këtij grupimi. Ahmet Zogolli ishte një bej shumë i vogël krahasuar me oxhaqet e mëdha shqiptare që e mbështesnin dhe që ai i përfaqësonte. Në bllokun tjetër që ishte mjaft heterogjen bënte pjesë borgjezia e re shqiptare, intelektualët e rinj të shkolluar në Perëndim, rinia shqiptare e inkuadruar nën shoqërinë “Bashkimi” me në krye Avni Rustemin, si dhe emigrantët kosovarë të tubuar rreth Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Me këtë bazë sociale e strukturore opozita mblodhi rreth vetes figura të shquara që kishin luajtur një rol të dorës së parë në shpalljen e Pavarsisë, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau e tjerë. Përplasjen kryesore këto dy grupe e patën në vjeshtën e vitit 1923 për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese, e cila kishte si detyrë përcaktimin e formës së regjimit, caktimin e kryeqytetit dhe në njëfarë mënyre caktimin e rrugës nga do të shkonte Shqipëria. Sistemi i votimit në dy shkallë, si dhe shfrytëzimi i pushtetit nga Ahmet Zogu në postin e kryeministrit, bën që situata paszgjedhore të ishte e nderë. Nuk munguan as akuzat e të dy palëve për shantazh, vjedhje dhe blerje votash. Megjithë pretendimet e opozitës, rezultatet e zgjedhjeve ofruan një grafi të saktë të klimës politike në Shqipëri. Asnjë nga grupet nuk siguroi dot shumicën. Në Asamblenë me 102 vende kandidatët e opozitës fituan 39, ndërsa Zogu me të tijët 44 vende. Të tjerët ishin kandidatë të pavarur konservatorë që anonin nga krahu i Zogut. Ajo çka për fat të keq treguan këto zgjedhje ishin dasitë e mëdha krahinore e fetare. Opozita fitoi në Jug dhe në Veri, ndërsa Zogu me pasuesit e tij në Shqipëri të Mesme dhe në Dibër. Atmosfera e nderë paszgjedhore u zhvendos në sallën e Parlamentit. Më 24 shkurt të vitit 1924 Kryeministrit Ahmet Zogu iu bë atentat në hyrjen e Parlamentit nga matiani Beqir Valteri. Meqënëse atentatori ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, pasuesit e Zogut e lidhën atentatin me dhe kryetarin e saj Avni Rustemin. Zogu u tërhoq nga posti i Kryeministrit duke ia lënë vëndin vjehrrit të tij, Shefqet Vërlacit. Pavarësisht prej këtyre lëvizjeve politike, situata ishte mjaft e nderë. Në marsin e vitit 1924 qeveria kishte dy kundërshtarë të vendosur, forcat përparimtare të mbledhura rreth Fan Nolit dhe Komitetin e Kosovës.
Ajo që ndezi flakë situatën ishte vrasja e Avni Rustemit, një figurë mjaft popullore, e cilësuar si trubuni i rinisë shqiptare. Vrasësi, Isuf Reçi ishte mbështetësi i Esat Pashës i cili “mori hak” për vrasjen e pashait. Sipas Eqrem bej Vlorës, ky ishte qenë një akt hakmarrjeje që përputhej me rregullat e kodit të vendetës shqiptare, si dhe pajtonte dy rrymat e ndara politike, esadizmin dhe ahmetizmin. Vrasja e Avni Rustemit solli acarimin e të gjitha grupeve heterogjene të opozitës rreth Fan Nolit, si figura qendrore e saj. Varrimi i Avni Rustemit u kthye në sinjalin e fillimit të kryengritjes. Futja në lojë e dy garnizoneve ushtarake, të atij të Shkodrës nën komandën e Rexhep Shalës, dhe atij të Përmetit, komanduar nga Kasëm Qafëzezi, si dhe mësymja e forcave të Bajram Currit nga Kruma, bënë që qeveria të largohej nga Shqipëria së bashku me Ahmet Zogun dhe pasuesit e tij. Më 19 qershor 1924 qeveria e koalicionit, e kryesuar nga Noli, shpalli programin e saj ku përfshiheshin reforma të thella sociale dhe politike që kërkonin kthimin e shtetit shqiptar drejt Perëndimit për t’u bërë si kombet e qytetëruara.
Kur Noli mori postin e Kryeminisrit, gjendja ekonomike dhe politike në Shqipëri ishte e vështirë. Në aspektin ekonomik, Shqipëria vuante nga një prapambetje e theksuar. As që bëhej fjalë për zhvillim industrial, dega kryesore e ekonomisë ishte bujqësia. Në fshat ekzistonte një e çarë e madhe mes fshatarësisë dhe klasës sunduese, bejlerëve. Pjesa më e madhe e tokës ishte në pronësi të një numri të vogël familjesh çifligare, që ushtronin dhunë ekonomike mbi fshatarësinë e varfër. Gati 85% e popullsisë jetonte në fshat, vetëm 9% e tokës ishte e punueshme, shtatë familje të mëdha çifligare (Vrioni, Vërlaci, Zogu, Toptani, Libohova, Vlora, Këlcyra) zotëronin 2000 ha tokë, kurse shumica e fshatarësisë kishin në zotërim më pak se 1.8 ha tokë dhe shumë të tjerë nuk kishin fare.
Në 16 qershor 1924 Noli krijoi qeverinë e tij, një kabinet i vogël, i përbërë nga përfaqësues të të gjithë grupimeve të kryengritjes së Qershorit, ushtrisë, bejlerëve, liberalëve, progresistëve dhe lobit shkodran. Ndërsa Komiteti i Kosovës nuk u përfshi në qeveri. Kabineti qeveritar përbëhej nga:
– Fan Noli, Kryeministër;
– Sulejman Delvina, ministër i Jashtëm;
– Luigj Gurakuqi, ministër i Financave;
– Stavro Vinjau, ministër i Arsimit;
– Kasëm Qafëzezi, ministër i Luftës;
– Rexhep Shala, ministër i Brendshëm;
– Qazim Koculi, ministër i Bujqësisë;
– Xhemal Bushati, ministër pa portofol.
Anëtarët e kabinetit përfaqësonin interesa të kundërta, mes tyre mungonte kohezioni, e vetmja gjë që i kishte bashkuar ishte qëndrimi antizogist. L. Gurakuqi ishte i moderuar, Noli dhe Vinjau ishin më radikalët, Shala dhe Qafëzezi ishin thjesht karrieristë me bindje antiçifligare, por nuk ishin për ndryshimin e sistemit të vjetër.
Në 19 qershor qeveria e Nolit shpalli programin e saj, një program reformash me 20 pika, të cilat ishin:
1) Çarmatimi i përgjithshëm dhe papërjashtim;
2) Dënim i shkaktarëve të kësaj vëllavrasje dhe i agjentëve të tyre kryesorë me përjashtim dhe konfiskim të pasurisë ose me ndëshkime të tjera sipas masës së përgjegjësisë së secilit;
3) Ristabilizim i qetësisë, i rregullit dhe të ligjit;
4) Lartësim i autoritetit të Shtetit mbi ç’do fuqi personale ose ekstralegale;
5) Çrrënjosje të feudalizmit dhe vendosje e demokracisë në Shqipëri;
6) Reformë radikale e të gjitha degët e administratës civile e ushtarake;
7) Heqja e burakracisë tek nëpunësit;
8) Sigurimi i të drejtave dhe caktimi i përgjegjsis së nëpunësve me ligj;
9) Organizim i fshatrave duke përmirësuar gjendjen e tyre dhe fshatarve;
10) Kursime radikale t buxhetit;
11) Ndryshim i sistemit të taksave për lehtësuar popullin;
12) Përmirësim i gjendjes dhe ekonomisë së bujkut;
13) Lehtësim i hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtje e organizim i kapitaleve të vendit;
14) Lartësim i figurës së shtetit në botën e jashtme;
15) Pavarësi e vërtetë e gjyqësorit;
16) Reformë radikale e kanunevet gjyqësore të vjetëruara;
17) Rregullimi i rrugëve dhe urave, si dhe kujdes i veçantë për të gjitha komunikimet e shtetit;
18) Organizim i Degës së Shëndetësisë për të luftuar sëmundjet;
19) Organizim i Degës së Arsimit mbi baza moderne, kombëtare dhe praktike;
20) Marrëdhanje miqësore me të gjitha shtetet e veçanërisht me fqinjët.
Noli ishte i bindur se me qeverinë e tij demokratike do t’i dhuronte Shqipërisë një sistem demokratik që nuk e kishte patur më parë. Pavarësisht ambicies dhe dëshirës së madhe, Noli solli një demokraci të brishtë. Dështimi i saj vërtetoi se programi ishte më shumë teorik sesa praktik për kushtet e Shqipërisë së asaj kohe. Ai u përpoq të organizonte forcat kundër botës së feudalizmit, për ta nxjerë popullin nga errësira.
Programi i hartuar nga Noli dhe qeveria e tij është vlerësuar nga bashkëkohës dhe studiues. Nolit nuk i mungonte as dëshira dhe as vullneti për ta vënë në jetë programin e tij, por pati një sërë faktorësh që ndikuan negativisht, si: mungesa e fondeve, mosdhënia e nje kredie nga Lidhja e Kombeve apo shtetet e zhvilluara, përçarjet brenda vetë qeverisë, harxhimi i energjive dhe i një kohe të gjatë për problemet në politikën e jashtme. Por për kushtet e shoqërisë, ekonomisë dhe shtetit shqiptar ishte i parakohshëm dhe siç e tregoi koha i vështirë, për të mos thënë i pamundur për t’u realizuar. Ai ishte një sfidë përballë së cilës Noli dhe qeveria e tij dështuan.
Pavarësisht nga kjo, nuk mund të mohojmë arritjet që pati qeveria e Nolit. Në aspektin financiar qeveria arriti të balancojë buxhetin e shtetit. Qeveria e Qershorit trashëgoi nga qeveritë e mëparshme një defiçit prej 7 milion franga ari dhe rroga të papaguara prej shtatë muajsh. Për të zvogëluar borxhin, qeveria pakësoi 25% të nëpunësve dhe rrogat i zbriti në 40%. Në fushën e arsimit u bënë përpjekje për të zgjeruar rrjetin shkollor dhe për të ngritur nivelin e përgatitjes së arsimtarëve. Më 10 nëntor u themelua në Vlorë një shkollë tregtare. Në kuadër të luftës për çrrënjosjen e feudalizmit u morën disa masa me qëllim lehtësimin e shfrytëzimit të fshatarësisë. U miratua dekretligji për shitjen e taksës të së dhjetës së prodhimeve bujqësore fshatit, jo myltezimëve.
Një vëmendje të madhe, Noli i kushtoi çështjes së mbrojtjes së kufijve dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Në këtë drejtim ai tregoi aftësi të mëdha diplomatike dhe arriti suksese. Noli ishte i vetëdijshëm se mënyra se si erdhi në pushtet, (me kryengritje, jo me zgjedhje popullore) e bënte të domosdoshme njohjen ndërkombëtare. Përveç kësaj Noli nuk arriti të kënaqte askënd duke krijuar një situatë amullie të brendshme. Vështirësitë ishin po kaq të mëdha edhe në politikën e jashtme. Marrëdhëniet me vendet fqinje mbeteshin të tendosura, ndërsa Fuqitë e Mëdha vazhdonin të ndiqnin rrugën e mosnjohjes së qeverisë së Nolit. Noli u përpoq (që përpara se të bëhej Kryeministër) në vendosjen e marrëdhënive miqësore me disa shtete perëndimore. Në kohën kur ai kishte postin e minsitrit të Jashtëm, SHBA-ja vendosi marrëdhënie zyrtare me Shqipërinë në vitin 1922, vetëm falë këmbënguljes së Nolit, por nuk mbajti të njëjtin qendrim ndaj qeverisë demokratike të tij; kjo ndodhi sepse kishte dyshime për ligjshmërinë e saj.
As shtetet fqinje, Greqi e Jugosllavi, nuk e njohën qeverinë e Nolit. Greqia dhe Jugosllavia, në atë kohë aleate me njëra- tjetrën, punuan së bashku për destabilizimin e qeverisë së Nolit. Noli bëri thirrje për marrëdhenie të mira me shtetet fqinje. Ai dwshironte marrwdhwnie fqinjësie të mirë me shtetin jugosllav me qëllim që të dy shtetet të jetonin në miqësi, si shtete fqinje me interesa të përbashkëta.
Qeveria e Nolit mbajti një qëndrim thellësisht kombëtar në politikën e jashtme. Në muajt shtator-tetor 1924, Noli në krye të një delegacioni shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Çështja kryesore që mbrojti delegacioni shqiptar në sesionin e Lidhjes, ishte ajo e kufijve me fqinjët ballkanikë. Jugosllavia pretendonte të merrte Shën Naumin dhe Vermoshin. Në këshillin e Lidhjes së Kombeve, Fan Noli hodhi poshtë pretendimet shoviniste të qeverisë serbe-kroate sllovene dhe të asaj greke. Qeveria e Nolit mbrojti me forcë të drejtat e popullsisë çame dhe kosovare dhe mori masa për pritjen e refugjatëve të persekutuar nga qarqet shoviniste.
Përfundime
Noli është një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai, në bashkëpunim me patriotë të tjerë shqiptarë, zhvilloi një veprimtari të dendur atdhetare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, kryesisht në SHBA, për një periudhë afro gjysmëshekullore.
Duke analizuar të gjithë veprimtarinë e tij atdhetare dhe politike mund të themi se Noli ishte i pari që solli për herë të parë parimet e një demokracie të mirëfilltë, të cilat e patën të vështirë të mbijetonin në një shoqëri anarkike, feudale dhe të prapambetur siç ishte shoqëria shqiptare e asaj kohe.
Lëvizja e Qershorit pati një rëndësi të veçantë pasi ishte përpjekja e parë në shkallë kombëtare për çrrënjosjen e mbeturinave feudale në vend dhe vendosje e demokracisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Lëvizja e Qershorit është trajtuar edhe si kryengritje e armatosur e forcave demokratike kundër atyre konservatore, si përpjekja e parë e armatosur për të zhdukur mbeturinat feudale brenda vendit dhe për kryerjen e reformave të shpejta me karakter perëndimor e demokratik.
Noli, në gjashtë muajt e qeverisjes së tij pati suksese, dështime, gabime, në fund të fundit si të gjithë udhëheqësit e çdo kohe, e çdo vendi. Noli, ndonëse larg, në mërgim, asnjëherë nuk e shkëputi vëmendjen prej atdheut. Ai, me punën e kryer, dha një kontribut të rëndësishëm për çështjen shqiptare, në momente mjaft të vështira për këtë të fundit.
Bibliografia
- Aleks Buda, Fan Noli-individualiteti i alternativave, në studime mbi Fan S. Nolin, Vepra VII, Dudaj, Tiranë, 2008.
- Arben Puto, Demokracia e rrethuar, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, faqe 40.
- Blendi Fevziu, Si ndodhi Revolucioni i Qershorit, Korrieri, Nr. 40, 19 shkurt, 2004, faqe 14 – 15.
- Eqrem bej Vlora, Kujtime (1885-1925), Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë, 2003.
- Kaliopi Naska, Fan Noli kryeministër; një libër për kryeshtetarin erudit, akte të konferencës shkencore me rastin e 90-vjetorit të qeverisë të kryesuar prej Fan S. Nolit, në gjysmën e dytë të vitit 1924, Shqiptarja.com, nr. 66, 22 mars, 2015, faqe 22-23.
- Masar Kodra, Fan Noli në rrjedhat politike të shoqërisë shqiptare (1905-1945), Rilindja, Prishtinë, 1989.
- Mehmet Gëzhilli, Fan S. Noli (6 janar 1882 – 13 mars 2003); 120 vjet jetë dhe veprimtari, Argeta-LMG, Tiranë, 2003.
- Naim Zoto, Fan Noli kryeministër; akte të konferencës shkencore me rastin e 90-vjetorit të qeverisë të kryesuar prej Fan S. Nolit, në gjysmën e dytë të vitit 1924, M&B, Tiranë, 2015.
- Nasho Jorgaqi, Fan Noli; kryeministër i qeverisë demokratike 1924, Tirana observer, nr. 2778, 25 qershor, 2014, faqe 10 – 11.
- Nasho Jorgaqi, Fan Noli; kryeministër në muajt e parë të qeverisjes; 90 vjetori i revolucionit të qershorit; debati historik, Shqiptarja.com, nr. 146, 23 qershor, 2014, faqe 18 – 19.
- Nasho Jorgaqi, Ligjërime (1906-1964), Dudaj, Tiranë, 2002.
- Nasho Jorgaqi, Për Fan Nolin e të tjerë, Dudaj, Tiranë, 2001.
- Nasho Jorgaqi, Udhëtim me Fan Nolin, Dituria, Tiranë, 1994.
- Robert C. Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit; (demokracia shqiptare në vitet 1920-1924), Albin, Tiranë, 2003.
- Valentina Duka, Histori e Shqipërisë (1912-2000), Tiranë, SHBLU, 2007.