Mehmet Prishtina/

Konferenca e Paqes e Parisit (18 janar 1919 – 21 janar 1920) duhej të ripërpilonte hartën e Europës. Vendimet e shteteve-krijuese të sistemit të Versajës bazoheshin në teoritë e realizmit dhe liberalizmit klasik.
Duke u nisur nga idetë e liberalizmit klasik, pjesëmarrësit e Konferencës së Paqes të Parisit u përpoqën të krijonin parakushte, që shtetet e reja të jenë të “afta për jetë” (fr. “viables”), me fjalë të tjera, që territoret e tyre të mos jenë nën një prag të caktuar, të pajisen me burime ekonomike, me dalje në det etj. Nga pikëpamja e “aftësisë për jetë”, nevoja, për shembull, e Greqisë nga pjesa jugore e Maqedonisë, konsiderohej jetike. Me këtë sqarohet se përse shtetet-krijuese të sistemit të Versajës nuk e trajtuan çështjen maqedonase. Maqedonia, sipas tyre, duhej të mbetej e ndarë.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kishin një qasje krejtësisht të ndryshme ndaj çështjes shqiptare. Britania e Madhe, përballë kufizimeve të Traktatit të Londrës të vitit 1915, kërkoi mënyra për të krijuar supozime për një bashkim të mundshëm të popullit shqiptar. Por sipas Britanisë së Madhe, të mbështetur nga Franca, rruga e bashkimit duhet të kalojë përmes shpërbërjes (ndarjes) së nevojshme, me ndarjen e Kosovës dhe pjesëve veriore të territoreve shqiptare në një njësi autonome.
Si rezultat i rezistencës së vendosur të organizuar nga veprimtarët kombëtarë shqiptarë dhe mbështetjes së Udro Uillsonit, më 17 dhjetor të vitit 1920, Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin e Shqipërisë. Në vitin 1921 u përcaktuan kufijtë e Shqipërisë së pavarur, që në përgjithësi nuk ndryshonin nga kufijtë e përcaktuar në vitin 1913. Mospërputhja midis kufijve shtetërorë të Shqipërisë me kufijtë e pretenduar nga pala shqiptare e la të hapur çështjen e bashkimit të popullit shqiptar brenda një shteti.
Prandaj, pavarësisht nga fakti nëse qëndrimi i shteteve fitimtare në Luftën e Parë Botërore ishte pozitiv (rasti i çështjes shqiptare) apo negativ (rasti i çështjes maqedonase), ato, për shkak të kufizimeve të ndryshme, nuk ishin në gjendje të realizonin plotësisht të drejtat e popujve për vetëpërcaktim. Prandaj, duke u mbështetur te stabiliteti dhe siguria, shtetet fituese ishin të vendosura të zëvendësonin parimin e vetëvendosjes, i cili nuk njihej si normë juridike, me krijimin e një sistemi për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Në këtë mënyrë, në sistemin e Versajës nuk mbeti vend për lëvizjet nacional-revolucionare, të cilat kërkonin zgjidhjen e çështjeve kombëtare përmes zbatimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje. Shteti Sovjetik ishte i vetmi që shpalli të drejtën e popujve për vetëvendosje, si një nga parimet themelore të politikës së tij.
Dallimi në qasjet për të drejtën e kombeve për vetëvendosje nga ana e shteteve-krijuese të sistemit të Versajës dhe nga shteti sovjetik përcaktoi pashmangshmërinë e lëvizjeve nacional-revolucionare në Ballkan, duke i varur shpresat e tyre në shtetin, i cili, ndër të tjerat, edhe rregullimin e tij shtetëror e ka bazuar mbi të drejtën e vetëpërcaktimit.
Por për BRSS-në, lëvizjet nacional-revolucionare ishin të rëndësishme jo vetvetiu, por si forca lëvizëse e revolucionit të ardhshëm, sepse qëllimi i Bashkimit Sovjetik në periudhën nga viti 1922 deri në vitin 1928 ishte organizimi dhe zbatimi i një revolucioni botëror.
Kominterni, Komisariati Popullor për Punët e Jashtme (NKID), Kundërzbulimi Politik (INO e OGPU-së), Këshilli Ushtarak Revolucionar (Реввоенсовет) dhe Kundërzbulimi Ushtarak u përfshinë kryesisht në përgatitjen e revolucionit botëror. Funksionin drejtues e kishte Byroja politike e Komitetit Qendror të PKR-së (b)/ PKBS (b).
Për hir të shtjellimit të plotë të problemeve dhe për miratim sa më operativ dhe efikas të zgjidhjeve, pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKR-së (b)/ PKBS (b) u krijuan komisionet e ashtuquajtura “tematike”. Më 29 korrik të vitit 1924, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKR-së (b), bazuar në vlerësimin e Kominternit për ekzistencën e kushteve për një kryengritje të armatosur në Bullgari, mori vendimin për krijimin e një komisioni të posaçëm bullgar nga përfaqësues të Kominternit, Komisariati Popullor për Punët e Jashtme, Këshilli Ushtarak Revolucionar (RVS), INO i OGPU-së, Federata Komuniste Ballkanike dhe PKB-ja (e. s.).
Duke e paramenduar revolucionin në Bullgari vetëm si pikënisje të një aksioni të përgjithshëm revolucionar ballkanik, anëtarët e Komisionit Bullgar në shtator të vitit 1924 e transformuan atë në Revolucion Ballkanik.
Komisioni, qëllimi i të cilit ishte përgatitja e një revolucioni punëtor-fshatar mbarëballkanik, duhej t’i koordinonte “linjat e veprimit” me organet e interesuara sovjetike dhe të Kominternit, në raport me çështjet që lidhen me luftën revolucionare në Ballkan dhe të përcaktonte domosdoshmërinë nga zbatimi i veprimeve praktike në Ballkan.
Veprimet e përbashkëta të Kominternit, Komisariatit Popullor për Punët e Jashtme, Këshillit Ushtarak Revolucionar, INO-s së OGPU-së, Federatës Komuniste Ballkanike nën udhëheqjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKR-së (b)/ PKBS-së (b), në drejtim të përgatitjes së një revolucioni botëror, sipas metodave, mënyrave, praktikave të aplikuara etj., G. V. Çiçerin, Komisar Popullor për Punët e Jashtme (1923-1930), i etiketoi me kusht, me termin “diplomaci ilegale”.
Në parim, përkufizimi i “diplomacisë” si një mjet për arritjen e qëllimeve të politikës së jashtme lejon përdorimin e nocionit “diplomaci ilegale” në lidhje, ndër të tjera, me veprimtarinë e përgjithshme ilegale për realizimin e një prej qëllimeve të shtetit të Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1928 – revolucionin botëror.
Por, a duhet të kufizohet përdorimi i termit “diplomaci ilegale” nga kornizat e theksuara më lart? Një pyetje e tillë nuk është parashtruar kurrë më parë. Duket në rregull, që çdo veprimtari e paligjshme që synon përmbushjen e detyrave të politikës së jashtme të një shteti të caktuar, të emërtohet si “diplomaci ilegale”. Është i padiskutueshëm fakti, që në praktikën e politikës së jashtme, vende të caktuara përdorin metoda, mjete etj., nga diplomacia ilegale, por një gjë e tillë vështirë mund të provohet. Zbatimi i nenit 9 (1) të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike nga viti 1961 mund të konsiderohet si një konfirmim indirekt i këtij konstatimi: Shteti i cili akreditohet, mundet në çdo kohë dhe pa detyrim për të shpjeguar vendimin e tij, të njoftojë shtetin, i cili akrediton se përgjegjësi ose çdo anëtar i stafit diplomatik të misionit është “persona non grata”, ose se çdo anëtar tjetër i stafit të misionit nuk është i pranueshëm. Shteti i cili akrediton, më pas do të tërheqë personin për të cilin bëhet fjalë, ose do t’i bllokojë funksionet e tij në atë mision sipas rastit. Një person mund të shpallet si “persona non grata” ose si person i papranueshëm edhe para se të vijë në territorin e shtetit ku është i akredituar.[1]
Specifikimi i diplomacisë ilegale sovjetike në periudhën nga viti 1922 deri në vitin 1928 u përcaktua me qëllim për përgatitjen e një revolucioni botëror, për realizimin e të cilit si mjet kryesor shërbeu diplomacia ilegale. Ashtu si organizimi i revolucionit botëror ishte një fenomen, në kuptimin e një dukurie të pazakontë në sferën e politikës së jashtme, ashtu edhe diplomacia ilegale sovjetike në periudhën nga vitit 1922 deri në vitin 1928 ishte një fenomen në sferën e diplomacisë.
Pasi njohu mundësinë e ndërtimit të socializmit në një shtet të veçantë, Bashkimi Sovjetik në politikën e jashtme kaloi në konceptin e sigurimit të interesave kombëtarë (në frymën e teorisë së Hans Morgentaut), duke lënë pas idenë e revolucionit botëror. Në periudhën nga viti 1922 deri në vitin 1928, qendra e diplomacisë ilegale sovjetike e ngarkuar me punë në Ballkan ndodhej në Vjenë.
Një rol të veçantë në zhvillimin e negociatave me Todor Aleksandrovin në Vjenë, për botimin e të ashtuquajturit “Manifesti i Majit”, në formimin e VMRO-së (së bashkuar) dhe KONARE-s etj., luajti anëtari i Departamentit të Jashtëm të OGPU-së, Efroim Sollomonoviç Goldenshtejn, i cili njihej me pseudonimet “Çerski” dhe “Doktori”.
E. S. Goldenshtejn punoi në Vjenë nën “mbulesë diplomatike”: zyrtarisht ai gjendej në Vjenë në cilësinë e sekretarit të dytë të Përfaqësisë së Autorizuar të BRSS-së në Austri.
Diplomacia ilegale sovjetike kishte për detyrë të tërhiqte krah të saj dy organizatat luftarake më të forta dhe më të përgatitura në Ballkan, VMRO-në e Todor Aleksandrovit dhe Komitetin e Kosovës, për të bashkuar lëvizjet revolucionare shqiptare dhe maqedonase, për të krijuar një front të gjerë të vetëm revolucionar etj. Me fjalë të tjera, diplomacia ilegale sovjetike duhej të siguronte forcat shtytëse të revolucionit ballkanik.
Udhëheqësi i VMRO-së, Todor Aleksandrov, hyri në negociata me palën sovjetike për të forcuar pozitën e Organizatës në Mbretërinë e Bullgarisë, ku ndodhej baza e saj, për të nxjerrë në pah VMRO-në si të vetmen organizatë që lufton në emër dhe për emër të popullit maqedonas dhe për pavarësinë e tij, si i vetmi subjekt që përfaqëson popullin maqedonas në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Duke përgatitur “Draftin e marrëveshjes midis VMRO-së dhe Republikës Sovjetike Ruse”, Todor Aleksandrov, në fakt, shpresonte të vendoste marrëdhënie diplomatike midis dy entiteteve të barabarta, BRSS-së dhe VMRO-së në cilësinë e një kuazi-shteti. Kjo është arsyeja, pse Todor Aleksandrov erdhi në Vjenë. Por aty mësoi se pala sovjetike nuk kishte ndër mend të nënshkruante asnjë marrëveshje me VMRO-në, që do t’i jepte organizatës njohje juridike ndërkombëtare (diplomatic recognition – njohje diplomatike).
Kështu, në vend që Todor Aleksandrov të fitonte një instrument për të ndikuar në qëndrimet e autoriteteve zyrtare të Bullgarisë dhe të shteteve-krijuese të sistemit të Versajës, ai vetë u përball me përpjekjen për t’u kthyer në një instrument të zbatimit të politikës së BRSS-së. Sipas vërejtjes ironike të kreut të Organizatës Ushtarake në PKB (e. s) Kosta Jankov, ndër kërkesat ultimative të palës sovjetike ndaj Todor Aleksandrovit, mungonte vetëm një gjë, që “Tod Aleksandrov të shpallë një republikë sovjetike në Bullgari”.
Todor Aleksandrov u tërhoq nga Vjena pa e nënshkruar deklaratën e njohur si “Manifesti i Majit”. Por pala sovjetike, duke mos dashur t’i linte Todor Aleksandrovit mundësinë për të manovruar, e botoi “Manifestin e Majit”, duke theksuar se ai ishte nënshkruar nga të gjithë anëtarët e KQ të VMRO-së. Sipas pretendimeve të Dimitar Vllahovit, E. S. Goldenshtejn, duke pasur parasysh se në këtë mënyrë Todor Aleksandrov nuk do të kishte zgjidhje tjetër, veçse të bëhej instrument i politikës sovjetike ose, në rastin e largimit të tij, forcat e majta do të merrnin organizatën dhe ajo do të bëhej sërish instrument i politikës sovjetike.
Parashikimet e palës sovjetike nuk u përmbushën. Vrasja e Todor Aleksandrovit në thelb u lejoi autoriteteve zyrtare të Mbretërisë së Bullgarisë ta vinin “nën kontroll” VMRO-në. Veprimtarët maqedonas që mbronin pavarësinë e lëvizjes çlirimtare maqedonase (Dimo Haxhidimov, Arseni Jovkov, Vlladislav Kovaçev etj.) u ekzekutuan me urdhër të Ivan Mihajllovit dhe ata që arritën të shpëtonin, u detyruan të largoheshin nga Bullgaria. Prandaj, “fitorja” ndaj Todor Aleksandrovit e diplomacisë ilegale sovjetike u kthye në një dështim të plotë, të cilin pala sovjetike jo vetëm që nuk e njohu, por u përpoq ta paraqiste si një lloj suksesi.
Në negociatat me Todor Aleksandrovin u shfaqën tiparet karakteristike të veprimeve të diplomacisë ilegale sovjetike: mosrespektimi dhe padurimi ndaj palës tjetër, mungesa e fleksibilitetit, përpjekja për të arritur një rezultat urgjent, pavarësisht nga mjetet (mënyra e veprimit me sulm të stuhishëm), shkurtpamësia etj.
Të njëjtat tipare të diplomacisë ilegale sovjetike u shfaqën edhe në rastin e negociatave për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe BRSS-së, ndonëse ato negociata supozohej të ishin vepër e diplomacisë zyrtare.
Pas ardhjes në pushtet, Fan Noli nëpërmjet përfaqësuesit të tij në Itali, i propozoi palës sovjetike që, në mënyrë të thjeshtë, duke shkëmbyer letra dhe përfaqësues të autorizuar, të vendosen marrëdhëniet diplomatike. Duke marrë parasysh rëndësinë e Shqipërisë për BRSS-së si një “pikë vëzhgimi në Ballkan” dhe si “bazë e mundshme” për veprimtarinë e diplomacisë ilegale, autoritetet kompetente dhanë një mendim pozitiv për propozimin e Fan Nolit.
Por në këtë proces ndërhyri Qendra e Vjenës. Përfaqësuesit e diplomacisë ilegale sovjetike, së bashku me përfaqësuesit e Komitetit të Kosovës, vendosën të përgatisin një draft-notë, të cilën Fan Noli më pas duhej ta dërgonte sërish në Vjenë si dokument zyrtar. Ndërhyrja e Qendrës së Vjenës bëri një rrëmujë të paprecedentë në këto negociata. Te Komisari Popullor për Punët e Jashtme, G. V. Çiçerin, vonesa e negociatave madje shkaktoi dyshime, se dikush po i sabotonte qëllimisht ata. Megjithatë, vështirësitë lindën nga përpjekja e diplomacisë ilegale për të marrë në duart e saj punën e diplomacisë zyrtare, si dhe për shkak të ngadalësisë së makinerisë burokratike sovjetike.
Çështja e vendosjes së marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe BRSS-së u zgjidh kur qeveria e Fan Nolit u gjet në një gjendje kritike. Largimi i personit të autorizuar sovjetik, A. A. Krakovecki, u kthye në “operacionin special” të Qendrës së Vjenës, i cili, ashtu si negociatat me Todor Aleksandrovin, i solli qendrës një dështim të plotë. Zëvendëskomisari e Popullit për Punët e Jashtme, M. M. Litvinov, tërë situatën e ngatërruar nga ana e Qendrës së Vjenës, me ironi e quajti si “Albaniada”.
Fan Noli, duke i propozuar Bashkimit Sovjetik vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, shpresonte të forconte pozitën e qeverisë së tij, dhe me këtë të fitonte një instrument ndikimi në pozicionet e vendeve-krijuesve të sistemit të Versajës. Por, në vend të kësaj, veprimet e Qendrës së Vjenës patën një efekt të kundërt. Jo vetëm që Fan Noli dhe përkrahësit e tij humbën pushtetin, por edhe Komiteti i Kosovës humbi bazën e tij.
“Albaniada” u bë një shembull ilustrues i problemeve me të cilat përballej diplomacia e hapur sovjetike: mungesa e mundësisë së reagimit të pavarur dhe të shpejtë, për shkak të domosdoshmërisë, që pothuajse çdo çështje të kalonte nëpër filtrat e autoriteteve partiake; dominimi i diplomacisë ilegale mbi diplomacinë e hapur; dominimi i INO-s së OGPU-së në kompetencat e NKID-it (krijimi i marrëdhënieve midis BRSS-së dhe Shqipërisë i përkiste domenit të NKID-it, kurse Qendra e Vjenës, megjithatë, përvetësoi këtë iniciativë) etj. “Albaniada” dhe epopeja e Vjenës me VMRO-në ekspozuan natyrën sistematike të sjelljes së diplomacisë ilegale sovjetike ndaj “objekteve” të interesit të saj, të cilat për arsye të ndryshme hynë në orbitën e politikës sovjetike:
“Objektet” me interes për BRSS-në u izoluan, duke u ekspozuar dhe komprometuar për të ndërprerë mundësinë e tyre të tërheqjes; një trajtim i tillë i “objekteve” shkaktoi ose vdekjen e tyre politike (në rastin e Fan Nolit), ose likuidimin fizik të tyre (në rastet e Todor Aleksandrovit, Petar Çaulevit etj.); Qendra e Vjenës i “mbuloi” dështimet e saj katastrofike, duke formuar organizata revolucionare kombëtare (KONARE, VMRO (e bashkuara) etj.), të kontrolluara dhe të financuara nga BRSS-ja.
Duke iniciuar formimin e KONARE-s dhe VMRO-së (së bashkuar), Qendra e Vjenës vendosi që ato organizata të ndërtoheshin sipas modelit të Partisë Bolshevike, pra përmes përhapjes së organeve të tyre të shtypit.
Qëllimi kryesor i VMRO-së (së bashkuar) ishte krijimi i një shteti të bashkuar dhe të pavarur maqedonas, kurse i KONARE-s ishte vendosja e sistemeve të vërteta republikane në Shqipëri, zgjerimi i kufijve shtetërorë të Shqipërisë deri në kufijtë etnikë.
Por KONARE fillimisht synonte drejt “çlirimit të Shqipërisë nga Ahmet Zogu”.
Në fakt, përmbysja e Ahmet Zogut ishte detyra që bashkoi veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ata shpresonin për ndihmë dhe mbështetje nga BRSS-ja, por pala sovjetike nuk kishte ndër mend të mbështeste një veprim të vetëm të armatosur, pa perspektivën e një revolucioni mbarëballkanik. Iluzionet e veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u shembën përfundimisht në prill të vitit 1927.
Në prill të vitit 1927, Fan Noli, K. Boshnjaku, Lano Borshi, Nush Bushati, Omer Nishani dhe Aziz Çami në emër të KONARE-s, si dhe Bedri Pejani, Qamil Bala dhe Ibrahim Gjakova në emër të Komitetit të Kosovës, vunë nënshkrimet e tyre në një deklaratë, në të cilën, ndër të tjera, dënohej kryengritja e vitit 1926 në Shqipëri dhe u theksua se organizatat nacional-revolucionare shqiptare duhet të angazhohen në punë organizative metodike dhe “luftë politike sistematike kundër regjimit gjakatar të bejlerëve të Ahmet Zogut dhe kundër planeve luftarake të imperializmit italian, serb e grek”.
Efekti (për sa u përket pasojave negative) i deklaratës së prillit mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në thelb ishte i ngjashëm me efektin e Manifestit të Majit mbi Lëvizjen Kombëtare Maqedonase.
KONARE nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të përqendrohej në veprimtarinë propagandistike.
Në vitin 1928, Bashkimi Sovjetik humbi interesin e tij për Ballkanin. Qendra e Vjenës u zhvendos në Berlin dhe Komisioni Ballkanik pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të SKP-së (b) u shfuqizua. Me këtë në fakt, fati i KONARE-s dhe i VMRO-së (së bashkuar) ishte i paracaktuar.
BRSS-ja pas vitit 1928 u tërhoq nga rajoni i Ballkanit për një kohë të caktuar, por veprimi i tij në periudhën nga viti 1922 deri në vitin 1928 pati pasoja të gjera.