Në vend të recensionit/ Ne Foto:Rexhep Dedushaj/
Rexhep Dedushaj: “Isha në Amerikë”, Prishtinë 2016./
Shkruan: Mikel GOJANI/
Publicisti i mirënjohur, Rexhep Dedushaj, kohë më parë lexuesve iu ka dhuruar një libër tepër interesant, që mund ta quajmë “Libër – ditar i jetës”, sepse në të ngërthen një pjesë të jetës së tij, kryesisht të asaj jete rreth tre dekadëshe të cilat i kaloi në Amerikë. Libri titullohet “Isha në Amerikë”, dhe është i konceptuar në disa kapituj, që përmbajnë një strukturë unifikuese, si Kthim prapa, Pse u shpërngula vetë më vonë, Më në fund arrita në Amerikë, Takimi me njerëz të njohur e të panjohur, U bëra përsëri mësues, Zhvillimet politiko – shoqërore dhe arsimore dhe Meditime.
Librit i paraprin një moto e autorit, që përçon një mesazh tepër interesant, që përmes fjalëve të atit të tij, Manit, autori këtij teksti i jep kuptimin shumëdimensional: “Mi ka falë zoti tre djem të mirë e nuk mundem me i hupë. Dua me i shkollue“- janë këto fjalët e babait tim, Manit, që i përsëritet shpesh kur do kumbarë, emigrantë nga Shqipëria e ftonin të shkonte me ta në Amerikë në vitet e gjashtëdhjeta të shek XX …
Libri, “Isha në Amerikë”, ngërthen në vete një histori të vërtetë, një ditar të vetë autorit, shtegtimin e tij, si në tokën e vet, por dhe në tokën huaj, që e pranon, e strehon dhe i jep ngrohtësi e rastin për të punuar e vepruar, si njeri e qytetar i lirë për 28 vjet me radhë.
Përmes këtij libri – ditari, mund ta përfytyrojmë mësuesin, intelektualin dhe veprimtarin, Dedushaj, me një çantë në krah plaçka dhe libra, i cili, gjatë fundviteve të ’80-ta nis një rrugë të vështirë dhe plot të mundimshme. Posa të arrijë në Amerikë, njeriu shqiptar, duke e ditur që prapa e ka lënë vendlindjen e tij, ku ka jetuar, gjendet në kërkim të një pune. Të gjitha këto vështirësi, i ka përjetuar edhe prof. Dedushaj, por në kujtesë janë të regjistruara edhe aktet solidare, ndihmesat që japin shqiptarët kudo që janë: në rrugëtim, nëpër azile, në rrugët e kërkimit të vështirë të punës. E kur gjendet ajo punë, njeriu shqiptar, si profesor Dedushaj, jepet shumë pas saj për të siguruar mirëqenie. Dhe, pas shumë dekadash pune dhe jete në Amerikën e “tokën e premtuar” apo në Amerikën e “mundësive të mëdha”, Dedushaj nuk artriti të bëhet një afarist i suksesshëm dhe që do të kishte një biznes të suksesshëm sikur shumë mërgimtarë tanë atje, sepse ai këtu në Kosovë, me ata jo shumë dollarë të punës që i përfitonte në “rufet” e atjeshëm dhe shumë punë të tjera, mbante familjen e tij të madhe në Kosovë, duke ua siguruar kafshatën e bukës. Dedushaj, pra, edhe pse jetonte shumë larg vendlindjes së tij, familjes së tij, larg babait, nënës, vëllezërve, motrave, bashkëshortes, fëmijëve, edhe pse jetonin në kushte jo të volitshme, përkatësisht me ato para që ai u dërgonte nga atje, asnjëherë nuk kishte pretenduar që familjen ta tërheq atje dhe të lë dheun e të parëve të tij. Gjithmonë jetoi me ndjenjën e kthimit në vendlindje-atdhe, dhe më në fund këtë betim edhe e realizoi, ku pas qëndrimit afër tre dekada në vitin 2015n përfundimisht u kthye ne vendlindjen, gjegjësisht atdheun e tij. Ky, bashkëkombës yni, Rexhep Dedushaj, dikur mësues në disa shkolla të Dukagjinit, në Radoniq, Drenoc, Tërboviq etj., i cili për shkak te veprimtarisë së tij në shërbim të arsimit shqip, në shërbim të kombit përgjithësisht, u detyruar që të migrojë duke u vendosur në Amerikë, ku i kaloi rreth 28 vite. Ndonëse në mërgim, e pas gjithë asaj që kishte përjetuar familja e tij, përkatësisht ai personalisht, para afër tre dekada u largua nga vendlindja e tij dhe u vendos në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork, ku i kaloi gjithë këto vite dhe më në fund duke u kthyer në vendlindje të cilin e kishte gjakim dhe nga i cili, edhe pse për këto vite fizikisht jetoi po kaq larg tij, mirëpo me zemër dhe me shpirt gjithherë ishte me vendlindjen dhe në vendlindje.
Dedushaj nuk kishte harruar atdheun-vendlindjen, edhe në atë kohë kur dirgjej e qelbej nën çizmen e okupatorit të atëhershëm serb, e as njerëzit e një gjuhe e një gjaku, por ishte dhënë në shërbime të tyre, mirëpo atdheun-vendlindjen nuk e harroi as kur përjetoi frymën e lirës, deri në momentin e kthimit për të jetuar përgjithmonë.
Autori dhe protagonisti i librit, Dedushaj, gjatë gjithë atyre viteve të jetës së tij në mërgim, gjegjësisht në Amerikë, edhe përkundër vështirësive të shumta me të cilat fillimisht u ballafaqua, të cilat përballje në mënyrë mjaft të mprehtë herë-herë edhe në mënyrë mjaft patetike, ky patetizëm dhe këto emocione që i shpreh janë shumë të ligjshme, sepse pasqyrojnë gjithçka të asaj pjese të jetës së tij.
Pra, përkundër këtyre vështirësive, autori – përkatësisht kryeprotagonisti i librit, profesori dhe veprimtari Dedushaj, edhe në Amerikë, duke iu bashkëngjitur plejadës së veprimtarëve të tjerë të shumtë që vepronin atje, vuri në shërbim të atdheut, dijen, mundin e djersën, si në rrafshin politik, po ashtu edhe atë ekonomike humanitar.
Autori i këtij libri, zoti Dedushaj, e ka pasur të vështirë se si ta sistemojë e përmbledh sa më dendur-materialin e bollshëm, të historisë e veprimtarisë së tij dhe të shumtë veprimtarëve të tjerë shqiptaro-amerikanë, të cilët nuk kursyen asgjë me qëllim të sensibilizimit dhe internacionalizimit të çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare përgjithësisht, duke depërtuar nëpër të gjitha kancelaritë vendimmarrëse të politikëbërjes amerikane, me qëllimin e vetëm të njohjes me realitetin e Kosovës dhe të popullit shqiptar përgjithësisht, po ashtu me kërkesën e vetme për ta ndihmuar Kosovën për t’u shkëputur nga kurthet shekullore të hegjemonisë serbe.
Profesor Dedushaj flet për aktivitete të shumta që ka zhvilluar në kuadër të Degës së LDK-së në Nju Jork, por edhe në shoqatat tjera, si “Plavë Guci”, ,,Kraja”, ,,Ulqini”, ,,Ana e Malit” ,,Dedë Gjo’ Luli”, ,,Malësia”, ,,Dibra”, ,,Rugova”, ,,Peja”, ,,Lugina e Preshevës” etj., po ashtu edhe te Fondi “Vendlindja thërret”, Fondi Humanitar ,,Plavë – Guci”, që u formua në prill të vitit 1994 dhe shumë shoqata dhe asociacione të tjera që vepronin në Amerikë. Pra, profesor Dedushaj, krahas angazhimeve në punë, gjithmonë gjeti kohë dhe për çështjen madhore, te atdheut të robëruar, çlirimin e tij por dhe me pas në lirinë e brishtë. Pra, për asnjë çast nuk e mos kurseu vetën, në rrafshin arsimor, kombëtar e humanitar. Kontributi i zotit Dedushaj, ishte i madh edhe në internacionalizimin e sensibilizimin e opinionit paqedashës në Amerikë, për çështjen shqiptare në Kosovë. Shumë takime lobuese e informuese me zyrtarë të lartë amerikanë e botërorë, pjesëmarrja ne shumë protestat, demonstrata, mbledhjen e fondeve për ndihme Luftës Çlirimtare në Kosove-këtë të fundit, pra e gjejmë në të gjitha që u zhvilluan në ato kohë- e që nuk ishin te pakta.
Profesor Dedushaj, qysh herët si mishërim kishte pasur edhe fushën e arsimi dhe të edukimit shqip dhe këtij profesioni i ishte qasur shumë herët duke shpërndarë rreze të dijes dhe të diturisë në shkollat e Kosovës, këtë mishërim e dëshmoi edhe në Amerikë dhe në saje të angazhimit të tij për fëmijët të komunitetit të diasporës shqiptare hapi shkollat shqipe edhe në Amerikë, ku edhe atje fëmijëve shqiptarë ju mësoi shkrimin dhe leximin shqip, po ashtu iu kultivoi edhe kulturën kombëtare.
Kontributi i tij i jashtëzakonshëm ishte edhe në fushën e informimit. Ai bashkëpunoi me disa mjete të informimit, “Dielli”, Bota sot”, radio “Zëri i Malësisë” dhe televizione të atjeshme, krejt më qëllim të informimit objektiv të atyre veprimtarive dhe aktiviteteve të tjera që komuniteti ynë i diasporës shqiptare në Amerikë kryente shumë punë, shumë veprimtari, sepse ishte edhe koha kur jetën shqiptare e bënin lufta dhe përpjekjet për çlirimin e Kosovës.
I gjithë rrëfimi i këtij libri, është i bazuar në fakte e opinione. Në libër frekuentojnë emra të shumtë të veprimtarëve dhe ngjarjeve të zhvilluara, krejt me qëllim të kontributit në shërbim të kauzës kombëtare.
Autori – protagonisti, Dedushaj, këtë libër e konceptuar mirë, që do të thotë materien e ka shfrytëzuar në mënyrë të jashtëzakonshme, duke na dhuruar një libër me plot ngjyra jete, përkatësisht copëza të jetës së tij, për ato dekada të mërgimtarit, nga Diaspora-Amerika, se largët, që dëshmon, se asnjëherë, për dyzet vjet në mërgim, as në ëndërr e as fizikisht nuk shkëputi lidhjet me atdheun…! Nuk mbeti ”gjak i shprishur”- i shpërndarë, por gjak i pastër i Malësisë, i Dukagjinit dhe i Dardanisë Antike.
Libri – ditar, “Isha në Amerikë” i autorit Rexhep Dedushaj, është një dokument i cili nuk shpalos vetëm jetën dhe veprën e këtij mësuesi, intelektuali, veprimtari dhe atdhetari të devotshëm, por, pashmangshëm, me këtë pasqyron edhe angazhimin dhe veprimtaritë e shumta edhe të bashkindealistëve dhe të bashkëveprimtarëve të tjerë të shumtë, të cilët nuk kursyen, mundin, djersën as gjakun për të mirën e atdheut të tyre, deri në sublimimin e atyre përpjekjeve që i kishin dhënë vetes obligim. Pjesë e këtyre angazhimeve dhe të veprimtarive politike, kulturore, shkencore dhe atdhetare përgjithësisht deri me kthimin e tij në atdhe, ishte vetë Rexhep Dedushaj.
Në pjesën e fundit, autori Dedushaj jep vazhdimin e angazhimit të tij pas kthimit të tij në vendlindje, përkatësisht në Kosovë, në disa veprimtari të tjera, si në fushën e informimit, arsimit etj.
Prandaj, krejt në fund lirisht mund të potencojmë se libri “Isha në Amerikë”, është një libër me vlera të mirëfillta dokumentare, që lexohet me ëndje dhe i cili e begaton fondin e librave të këtij zhanri të letërsisë shqipe.