Rexhep Dedushaj: Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekujt, Pejë 2016 (Botimi i tretë)./
Nga Mikel GOJANI/
Këto ditë studiuesi dhe publicisti Rexhep Dedushaj ka botuar librin e tij vijues të titulluar, “Krahina e Plavë – Gucisë nëpër shekuj”, që është botimi i tretë me plotësime.
Autori i kësaj vepre, studiuesi dhe publicisti i njohur në mjediset intelektuale mbarëkombëtare, Rexhep Dedushaj nëpërmjet faqeve të këtij libri merr përsipër të lerë të shkruar një histori të gjerë për krahinën e Plavë-Gucisë, nga ka edhe origjinën, për interesin e brezave të rinj rrugëtimin historik tepër interesant të kësaj krahine bashkë me dallgët e saja, për të vënë në piedestalin e merituar të kujtesës së atyre ngjarjeve që janë zhvilluar gjatë historisë dhe të shumë personaliteteve historike të kësaj krahine që kanë lënë gjurmë të thella në historiografinë tonë kombëtare. Vepra është një rrëfim i gjatë, meqenëse kur dihet që për historinë e kësaj krahine asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha, mirëpo studiuesi Dedushaj, duke mos vënë pikë, hap shtigje studiuesve të tjera që të merren me gjerësisht me këtë temë shumë interesante dhe të një rëndësie dimensionale. Vepra është e shërbyer në sërë burimesh arkivore, pastaj po ashtu mbështetur edhe në një literaturë të pasur, por edhe përmes të dëshmive të argumentuara nëpërmjet rrëfimeve të njerëzve të shtyrë në moshë që kanë përjetuar nga një pjesë të asaj historie, por edhe duke interpretuar ngjarje dhe të bëmat e personaliteteve të shumta të atyre historive që kanë ndodhur në këtë krahinë, që ishin arkivat me autentike të historive. Libri “Krahina e Plavë- Guxisë nëpër shekuj”, i autorit Dedushaj, është i konceptuar nëpër kapituj të veçantë që ruajnë një strukturë konceptuale. Ne kapitullin e këtij libri, “Koha e lashtë”, autori Dedushaj flet për historinë e thellë që prek edhe shekujt. Dëshmitë dhe faktet historike autori mbështetet në bazë të kronikave të shkruara të shkruara dhe të zbuluara nga shumë njohës të fushës arkeologjike, si të prof. Duje Rendiqi, Mioçeviç, Gerga Novak, Josip Kroshec, Skënder Anamali, Aleksandër Stipçeviq, Artur Evans, Alojz Benac etj., si dhe të shumë shkencëtarëve, si Tumani, J.G. Haln, V. Jokli, M. Shuflaj, N. Jokli, A. Majer, e sidomos E. Çabej, të cilët dëshmojnë qartë se shqiptarët jetojnë në trojet e tyre të sotme mijëra vjet para ardhjes së sllavëve në këto vise. Autori përmes shumë fakteve dhe dëshmive të tjera, përkatësisht të varrezave, të toponimeve, makrotoponive argumenton edhe se cilët kanë qenë sundimtarët e këtij populli.
Kapitulli vijues, “Koha e Bizantit, ardhja e sllavëve dhe e turqve”, autori jep të dhëna dhe fakte historike mbi kohën e Bizantit dhe depërtimin e sllavëve dhe turqve në Ballkan. Autori po ashtu në këtë pjesë shpalos edhe shumë ngjarje historike të zhvilluara në këtë kohë në krahinën e Plavë-Gucisë, duke prezantuar të dhëna tepër interesante dhe të pastudiuara thellësisht deri me sot. Përhapja e fesë islame në këtë krahinë, paraqet kapitull mjaft interesant në brendinë e këtij libri. Kjo temë bosht shqyrtohet në kapitullin, “Përhapja e fesë islame”, ku autori sqaron se kah fundi i shekullit XVI dhe fillimi i shekullit xVII, gjendja në Shqipëri ishte e mjerueshme. “Ishte kjo koha kur Perandoria Osmane e kishte arritur kulmin e zgjerimit të vet dhe ishte bërë fuqi e madhe ushtarake dhe politike në tri kontinente, në Azi, në Evropë dhe në Afrikë… Shumë nga kryengritjet që kishin shpërthyer gjatë shek. XVI dhe gjysmës së parë të shek. XVII në Shqipëri, e sidomos në viset veriore të saj ishin shuar egërsisht nga jeniçerët e pamëshirshëm otomanë. Nga frika se mos shpërthejnë kryengritje të reja në këto anë, Porta e Lartë, e mbante të shtrënguar grushtin shtypjes”, ndaj shqiptarëve, e sidomos të atyre të besimit katolik me qëllim që t’i detyronte të islamizohen dhe kështu t’i shkëpuste edhe ata nga hallka që e lidhnin Shqipërinë me Evropën Perëndimore. (fq..54). Kështu, sipas autorit, pas shumë ngjarjeve dhe kryengritjeve , procesi i islamizimit u përfshi edhe në krahinën e Plavës dhe të Gucisë. Autori po ashtu argumenton se datë të caktuar të fillimit të islamizmit nga kjo popullatë është vështirë të caktohet, mirëpo sipas disa të dhënave do të ketë filluar diku rreth viteve të ’80-ta të shek. XVI. Këtë fakt të përafërt e dëshmon edhe kur sipas disa fakteve historike në vitin 1471 në Plavë ishte ndërtuar një xhami, se ajo u ka shërbyer pushtetmbajtësve të ardhur nga Turqia. Sipas shënimeve të Pjetër Mazrekut rreth vitit 1638 shumica e popullatës së Plavë-Gucisë me rrethinë kishin kaluar në fenë islame. Në këtë kohë , përveçse në Plavë edhe në Guci ekzistonte një xhami. Ndërsa, sipas autorit, duke nxjerrë të dhënat e studiuesit Memiq, në dhjetëvjetëshin e dytë të shek. XVII, 70 familje, gjegjësisht 8 për qind të kësaj popullsie ishin myslimanë.
Në vijim autori Dedushaj na i prezanton edhe shkaqet pse popullata e kësaj krahine u detyrua të pranojë fenë islame: për shkak të dobësimit të fesë katolike, ku mungonin dukshëm priftërinjtë e shkolluar shqiptaro-katolikë; për shkak të agresivitetit të kishës ortodokse – serbe, të cilët filloi ta përkrah edhe vetë Selia e Shenjtë (Vatikani) në FRomë, si dhe ta ndihmonin shtetet evropiane me qëndrimet e veta diverzioniste ndaj kryengritjeve shqiptare; nga presioni i Perandorisë Osmane dhe gjendja e mjeruar e masave të gjera popullore, e shkaktuar nga zgjedha e sistemit feudalo-ushtarak osman, apo ndonjëherë edhe dëshira për të fituar sa privilegje ekonomiko-klasore dhe administrative në këtë sistem. Në vazhdim autori Dedushaj jep edhe shumë argumente të tjera, po ashtu pasqyron edhe shumë ngjarje dhe zhvillime historike me temën bosht, ngjarje këto që paraqesin fakte dhe dëshmi historike tepër interesante dhe që kanë një rëndësi të veçantë në pasqyrimin e kësaj çështjeje dhe fakti historik, që për shqiptarët akoma është temë shqyrtimi dhe vazhdon të mbetët. Autori Dedushaj në dy kapitujt vijues, “Ngjarjet në gjysmën e II të shek. XVII dhe shek. XVIII, po ashtu edhe kapitulli tjetër në vijim, “Shekulli IX”, na pasqyron ngjarje dhe dëshmi historike që janë zhvilluar në këto troje gjatë këtyre viteve, po ashtu edhe rezistencën e këtij populli karshi sulmeve dhe agresivitetit që pushtuesit u kanë bërë. Autori me këtë rast hedh dritë edhe mbi shumë figura pjesëmarrës dhe rezistues të denjë deri në flijim gjatë këtyre kryengritjeve, si emrin e Pjetër Bogdanit, Mehmet Pashë Bushati, pastaj Kara Mahmut – pashë Bushati, i cili arriti t’i bëjë tregtarët dhe zejtarët e Shkodrës si dhe fiset kryengritëse të Malësisë së Mbishkodrës, Dukagjinit dhe Mirditës, Në vitin 1786 organizoi një mbledhje me krerët shqiptarë, malazezë, hercegovas dhe boshnjakë, ku u formua “Lidhja e Konferencës Ilire”, e cila kishte për qëllim dëbimin e Turqisë nga këto troje. Pas përgatitjeve të nevojshme në nëntor 1787 filloi lufta e cila ishte shumë r furishme që zgjoi edhe vëmendjen e Evropës. Malazezët nuk morën pjesë në këtë luftë, sepse kishin krijuar një marrëveshje, dhe me ndërhyrjen e Rusisë e sulmuan Bushatliun pas shpine duke ia fundosur disa anije në Liqenin e Shkodrës, derisa ai ishte i zënë në luftë me Sulltanin. Pas vdekjes së Kara Mahmut pashë Bushatit në krye të Shkodrës vjen Ibrahim pashë Bushati – i ligu, quhej nga shqiptarët “i ligu”, sepse çfarë thoshte Sulltani ai vepronte. Sipas autorit Dedushaj, edhe shekulli i XIX përshkohet me shumë ngjarje të rëndësishme historike dhe një vetëdije shumë e lartë kombëtare. Autori me këtë rast përpos shumë ngjarjeve tepër të rëndësishme që i shpalos, ai potencon edhe shumë emra dhe personalitete historike bartës dhe rezistues të këtyre ngjarjeve. Përpos shumë figurave që autori nuk mund t’i anashkalojë janë edhe, si Binak Alia, Sokol Rama, Shaqir Curri, Osman Omeraga, Bali Dema, Zeqo e Jakup Ferri, Man agë Shehu, Adem Shahmani, Zenel Gjoleka, Haxhi Zeka, Nikë Leka-Pepaj, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mulla Jaha, Kadri Bajra, Filip Çeka, Isul Sokoli, Ali Pashë Gucia, Husi i Shaban Begut, Mullla Jahë Musiqi, Selman agë Kurti, Nuro Sejdirexha, Abdyl-be Tesheviqi, Halil Agë Mullafejziu, Halil Sejdiu, Agan Nuri, Nuc Shahmani, Omer Shabaj, Mehmet dhe Bilall Shehu, Rushid Jakupaga, Nuredin Bejta, Mehmet agë Jakupi, Ajdin agë Kurti, Ali Koja, Brahim Jakupi dhe shumë e shumë të tjerë, që më siguri do t’u hymë në hak pasi që po i anashkalojmë pa i potencuar. Një çështje që begaton këtë kapitull, autori këto ngjarje, këto kryengritje dhe këtë rezistencë të kryengritësve të kësaj krahine e përshkruan edhe përmes vargjeve popullore, që rapsodët autoktonë i kanë vënë në vargje popullor dhe sot këndohen në këto anë. Kapitulli, Kryengritjet e viteve 1909-1012, shpalos shumë ngjarje dhe fakte historike që kanë të bëjnë me kryengritjet e viteve 1909-1912, ngjarje që kanë lënë vulën e tyre në rrugëtimin historik të këtij populli. Shqiptarët rezistencën e tyre e bënë të prirë nga luftëtarët dhe patriotët e denjë të asaj kohe. “Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi, Isa Boletini, Ahmet Delia, Hasan Ferri etj., secili në krahinën e vet e organizonte popullin dhe lidheshin besën për vdekje dhe liri. Më 21-25 maj 2012 u mblodhën në Junik 250 përfaqësues të popullit shqiptar, kryesisht të Kosovës, por edhe nga viset e tjera shqiptare dhe formuan Komitetin e Kryengritjes së Kosovës me në krye me Hasan Prishtinën, i cili më 25 maj e lëshoi një thirrje për të gjithë shqiptarët: “Sot Shqipëria e Veriut dhe e Jugut i kanë kapur armët që me anë të kryengritjes t’i fitojnë të drejtat e natyrshme dhe të siguruara më ligj, që u janë marrë. Ajo dëshiron dhe pret ndihmën njerëzore të të gjithë bashkatdhetarëve dhe botës së qytetëruar. Atdheu pret prej nesh bashkimin. Janë afruar minutat, kur do të vendoset fati i Shqipërisë”. Si përfaqësues i Plavës dhe Gucisë në këtë kuvend merrte pjesë Hasan Ferri. Në këtë mbledhje u hartuan edhe kërkesat që ishin të ngjashme me ato të lidhjes së Prizrenit: Të njihen kufijtë e Shqipërisë, flamuri kombëtar, nëpunësit shqiptarë, gjuha zyrtare shqipja, shkolla shqipe etj., të cilat kërkesa iu paraqiten menjëherë Qeverisë turke dhe Fuqive të Mëdha. Po ashtu në vazhdim autori jep edhe shumë të dhëna të tjera që në ato kohë janë zhvilluar në këto troje arbërore. Ai jep faktin se duke e vërejtur rrezikun që po i kanosej trojeve shqiptare, Hasan Prishtina me patriotët tjerë të kohës u detyrua që të përfundojë marrëveshjen me Sulltanin, i cili më 14 gusht 1912 pranoi pikat e Hasan Prishtinës, të cilat pika shqiptarëve iu garantoheshin shumë të drejta ekonomike, politike, administrative dhe kulturore. Është e vërtetë se nuk ishte fituar një autonomi e cila ishte kërkuar në fillim, sepse “patriotët nuk mundën të ngulin këmbë për fitimin e saj, pasi tani forcat ushtarake të monarkive të Ballkanit ishin tubuar në kufijtë e Shqipërisë dhe çdo moment pritej sulmi i tyre. Kështu pra mori fund kryengritja e vitit 1012, gjegjësisht kryengritjet shqiptare 190-1012 kundër pushtuesit pesëshekullor osman.” (fq. 146-147). Shpalosje historike me tepër interes paraqiten në kapitullin, “Caktimi i kufijve të Shqipërisë”, me ç’rast autori Dedushaj flet për caktimin e kufijve të Shqipërisë që u përcaktuan në Konferencën e Ambasadorëve më 1913, ku u përcaktuan kufijtë e shtetit të Shqipërisë, në të cilën konferencë pothuaj gjysma e tokave të gjeografisë etnike shqiptare mbeti i copëtuar, përkatësisht e ndarë nga trungu amë. Pra, me plot të drejtë mund të konstatojmë se Konferenca e Ambasadorëve më 1913 në Londër, bëri një padrejtësi të madhe në dëm të popullit shqiptar, duke e copëtuar atë në disa shtete. Në këtë mënyrë veproi edhe Konferenca e Parisit më 1919. Edhe kapituj vijuesi, si “Lufta e Parë Botërore”, “Mbretëria SKS (Jugosllave)”, “Lufta e Prillit dhe pushtimi fashist” dhe “Koha e sundimit të PKJ (LKJ)”, paraqesin kapituj interesant për jetën dhe zhvillimet e popullatës shqiptare, në këto kohë dhe periudha tepër specifike për këtë popull dhe këto troje etnike.
Në përfundim vlen të konstatojmë se libri “Krahina e Plavë – Gucisë nëpër shekuj”, të autorit Rexhep Dedushaj, është një libër me vlerë të veçantë dhe që begaton fondin e librave tanë të karakterit historik.