Valdete Cenalia/
Në librin “Prof. Rexhep Krasniqi-një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, profesor Besim Muhadri e ka përshkruar qartë figurën e Profesor. Dr. Rexhep Krasniqit, si një njeri që punoi dhe luftoi për një Shqipëri natyrale, për një Shqipëri etnike. Njeriu që kurrë nuk e ndali luftën kundër së keqes që kishte pllakosur Shqipërinë dhe shqiptarët, si ata që jetonin brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ashtu edhe ata që jetonin në trojet e veta etnike, por që kishin ngelur padrejtësisht brenda territoreve jugosllave, ndaj të cilëve ushtrohej dhunë e po mundoheshin t’i asimilonin dhe shfarosnin.
Profesor Besim Muhadri në librin e përgatitur për Prof.Dr. Rexhep Krasniqin, na jep një informacion të mjaftueshëm për jetën dhe veprimtarinë e Profesorit të nderuar, i cili 24 vjet më parë vdiq këtu në Nju Jork, duke lënë prapa një veprimtari të shquar në fushën e atdhetarisë dhe të studimeve historike e politike për shqiptarët. I lindur 28 shtator 1906 në Gjakovë kaloi një jetë të dhimbshme, duke mbetur jetim që në moshën 8 vjeç e për t’u adaptuar më pas si “bir shpirti” nga Bajram Curri, i cili më pas do ta shoqërojë vetë në regjistrimin e shkollës në Vjenë, ku edhe doktoroi në fushën e historisë, për t’u bërë njëri ndër doktorët e parë të shkencave historike në trojet shqiptare. Pas kësaj kohe ai kthehet në atdhe, ku jep kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit, por edhe të udhëheqjes, kurse pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore, detyrohet të largohet nga vendi, ku jetoi dhe veproi në mërgim, Austri, Australi dhe së fundi në Nju Jork, ku edhe vdiq. Pas vdekjes së Mit’hat Frashërit, udhëhoqi “Komitetin Shqipëria e Lirë, të cilin Komitet e udhëhoqi për plot 35 vjet me radhë.
Përmes librit të përgatitur e të redaktuar nga vetë ai, Prof. Dr. Besim Muhadri na e sjell mjaft qartë dhe të pastërt figurën e një njeriu brilant si në fushën e shkencës, ashtu edhe në fushën e kontributeve politike në favor të atdheut dhe Kombit të tij, siç ishte prof. Dr Krasniqi.
Në kapitullin e parë trajton prejardhjen, origjinën dhe shtrirjen e popullit shqiptar si dhe zhvillimin e kësaj popullsie brenda hapsirës së vet historike.
-Tema e Kongresit të Berlinit dhe pasojat e këtij Kongresi për Verilindjen e Shqipërisë.
Vrasja e Mehmet Ali Pashes në Gjakovë me përmasa tragjike, pushtimin e Podgoricës, Shpuzës, Zhabiakut nga ana e Malit të Zi.
-Temën e Konfliktit për marrjen e Plavës dhe Gucisë dhe përfundimi i Lidhjes së Prizerenit dhe çështjen e kufirit etnografik të Kombit Shqiptar në Verilindje;
Temën e luftërave për lirinë e popujve kristian të Ballkanit, në të cilën profesor Krasniqi shpreh qartë arsyet e shpërthimit të këtyre luftërave dhe zhvillimin e tyre duke trajtuar problemin bullgar, grek. Pastaj ai flet edhe për zhvillimin kulturor e kombëtar të shqiptarëve si dhe përpjekjet e sllavizmit ku gjuha shqipe mbizotëroi e jetoi në themelin e gjuhës familjare.
Temën e rrjedhës së ngjarjeve para luftës Ruso-Turke ku Perandoria Ruse mbeti e pakënaqur nga Protokolli i Londrës 31 Marsit 1877 ku Fuqitë e Mëdha dhanë pëlqimin për paqen e bërë me serbët, Turqia të nënshkruante me Malin e Zi të njëjtën paqe për çarmatimin e fuqive të veta ushtarake etj.
Temën e copëtimit të tokave shqiptare pas përfundimit të luftës Ruso-Turke, ku në mars 1878 në Shën Stefan nënshkruhet një traktat, sipas të cilit pjesët e tokave shqiptare i kaluan shteteve fqinje, favorizohet Bullgaria, kurse Rusia detyronte Turqinë të jepte viset shqiptare, që solli edhe Kongresin e Berlinit si dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, mbajtur më 10 qreshor 1878, si kundërshtim i copëtim i tokave shqiptare nga ana e fuqive të mëdha.
Në librin “Profesor. Dr. Rexhep Krasniqi- një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, profesor Besim Muhadri prezanton shumë shkrime të tjera interesante të shkruara nga ana e Rexhep Krasniqit gjatë kohës sa ishte kryetar i Komitetit Shqipëria e lirë, shkrime të publikuara nëpër revista të kohës e në libra të veçantë, madje edhe në në gjuhën angleze. Përmes këtyre shkrimeve profesor Krasniqi opinionit ndërkombëtar ia bënte me dije çështjen e pazgjidhur shqiptare e në veçanti atë të Kosovës, ndërkombëtarizim të cilin e bënë pranë diplomacisë amerikane në SHBA, në kohën kur kishte filluar valë e madhe shpërnguljesh të popullsisë shqiptare duke ngritur si problem në OKB.
Po ashtu profesor Besim Muhadri, në librin kushtuar Rexhep Krasniqit, prezanton edhe shkrime të autorëve të tjerë që flasin për figurën e Rexhep Krasniqit. Ndër ta është edhe publicisti Idriz Lamaj, një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rexhep Krasniqit, që falë kontributit të tij në ruajtjen e arkivit të profesorit, e ka parë dritën e botimit edhe ky libër që po promovohet sot, por i shkruar katër vite më parë. Idriz Lamaj jep të dhëna interesante për Rexhep Krasniqin, por edhe për Xhafer Devën. Më të parin kishte punuar në të njëjtën zyrë 17 vjet, kurse me të dytin 10 vjet.
Po ashtu shkrime interesante të prezantuara në këtë libër janë edhe ato të studiuesve si Nuredin Ahmeti, Hamdi Thaçi, Frank Shkreli, Alban Dobruna e Nexhat Çoçaj. Përmes të cilave shkrime sikur plotësohet portreti politik, atdhetar dhe historik i profesor doktor Rexhep Krasniqit.
Prandaj libri “Prof. Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të shqipërisë etnike” ,i përgatitur dhe i redaktuar nga profesor Besim Muhadri, me të drejtë mund të quhet një kontribut i rëndësishëm në ndriçimin e figurës së Rexhep Krasniqit, apo siç e thotë edhe recensenti i librit Dr. Alban Dobruna një hap i rëndësishëm në hostoriografinë shqiptare, sepse koncepti, qasja dhe formimi i profesor Rexhep Krasniqit përbën një përafrim me shkollat historiografike evropiane dhe një gërshetim me traditat e shkollës historiografike shqiptare.
Duke përfunduar këtë shkrim timin për këtë libër, e përgëzojmë profesor Besim Muhadrin për këtë kontribut të veçantë në lidhje me nxjerren në dritë të këtij libri, i cili shpërfaq në mënyrë komplekse figurën e Rexhep Krasniqit në këtë format libri.