
Dr. Eugent Kllapi/
Fabula e këtij libri është e njohur në shekuj, por autorja përpiqet ta sjellë këtë njohje më të fortë dhe më aktuale me anë të së thjeshtës, jetikes, funksionit të së përditshmes, modernitetit të reales dhe dëshirës për të qenë njeri.
Romani klienti endet dhe thuret në këtë fabul në procesin e të kundërtave tek njeriu. Midis Tanatosit dhe Erosit, midis negatives dhe pozitives në vlera e ndërtuara në shoqëri, midis çmendurisë dhe normalitetit, midis mendimit të sëmurë dhe të marrë për pak dashuri, dhe dashurisë normale që mund të kthehet edhe si sëmundje e marrë, lojën midis plusit dhe minusit, procesin e të kundërtave që fillon sa ka filluar të ketë jetë njerëzore dhe nuk mbaron as për ditët e sotme.
Këtë përpiqet të shprehë në një panoramë sa të përgjithshme në dramën e konkretes.
Autorja me anë të një trilli mbresëlënës, një përshkrimi befasues për nga thjeshtësia dhe rrjedhshmëria e të thjeshtës, e të prek mes, sa e të shijuarit në çdo faqe të librit mundohet që për një histori të ndërtojë një kullë plot me bedena në drama njerëzore që vlojnë përbrenda për dashuri.
Në këtë këndvështrim ajo të ofron marrëdhënien njerëzore, çmendurinë ta përcjellë në tensionin e dashurisë, dashurinë ta përcjellë në tensionin e mirësisë dhe mirësinë në tensionin e vlerës për jetën.
Po a ja arrin dot autorja këtë? Shumëkush ka këndvështrimin e vet por autorja në këtë volum faqesh arrin të ndërtojë disa personazhe që nxjerrin krye në deviacionin mendor, konfuzitetin, sipërfaqësoritetin, dramat e shumëfishta të së përditshmes dhe tragjedinë që lind nga e thjeshta e qenies njerëzore.
Ngjarjet ndodhin në SHBA. Në qendër të romanit vihet dialektika e brendshme e një personazhi si Piteri që është në kufijtë e të zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes, midis të qenët të sëmurë nëpërmjet deviancave mendore, obsesionit, manjakërisë dhe të qenët i neglizhuar, i harruar, i vrarë shpirtërisht, i urryer, i fyer.

‘’Unë nuk kisha kujt t’i pështirosesha më’’, shprehet autorja në vetën e parë për personazhin e Piterit. Kjo vetë e parë e ndjek tërë romanin në deshifrimin e karaktereve.
Një qenie njerëzore që ngrihet nga bullizmi, nga ndrydhjet dhe nga indiferenca, e kundërta e dashurisë.
Në anën tjetër të peshores ngrihet një personazh tjetër kryesor, Ana. Një vajzë shqiptare që duket e përkorë nga dashuria, e kundërta e indiferencës, por jo si vajzat e tjera megjithëse me të njëjtën dramë. Dëshirën për dashuri. E kush nuk do e donte! Këtu Ana futet në labirinthet e saj, kjo ndihet faqe më faqe ku Ana sa zbehet dashuron e zjarrtë, si nga sjelljet e saj dhe nga ditari i cili përshkruhet deri në detaj për nga personaliteti i saj nga autorja. Ajo nxjerr një karakter të zakonshëm që vlon dallgë të jashtëzakonshme brenda vetes pasi nuk njeh, nuk gjykon aq sa duhet dhe nuk është e keqe si femër. Dhe këtu ajo udhëton me vetveten dhe kohën e saj. Si thotë autorja:
‘’Ne udhëtojmë jo që t’i arratisemi jetës, por që jeta të mos arratiset me ne’’
Ajo përpiqet të nxjerrë më të mirën e vetvetes porse e mira bashkëjeton me të keqen. Dhe realisht ajo bashkëjeton në roman mjeshtërisht nga autorja falë personazhit tjetër Piterit, ana tjetër e medaljes i cili ndryshe nga Ana, që në vetvete është një mirësi konfuze sa ëngjëllore, është një ëngjëll që thurr të keqen për të triumfuar si i mirë. A nuk bëhet gjithçka për dashuri?! Ai është ngjizur nga vetë e keqja edhe pse ai nuk donte të ishte kaq impotent i së mirës. Me anë të së keqes ai vlon deri në vlim për të qenë i mirë. I keqi i mirë për Anën që do bëhet i miri për keq për të megjithëse në ndërgjegjen e vet mendon se do bëjë mirë. Çmenduria udhëzon dashuri siç do ajo të jetë. Por a mund të bashkohen të kundërtat? A mund të jenë një, Erosi dhe Tanatosi?! Kjo marrëdhënie shoqërore zhbirilon detaje që Mirela Kanini ofron aq shumë për lexuesin e thjeshtë i cili kërkon dramë, dashuri, vuajtje, mirësi, dëlirësi dhe trishtim, vdekje.
‘’Disa plagë nuk mbyllen kurrë. Thjesht ndalojnë së rrjedhuri gjak’’ shprehet autorja në libër.
Me pak ngulm çdo lexues do të gjejë aty si karakterin normal dhe atë anormal nëpërmjet disa personazheve dhe derivateve të tyre siç janë të dashurit e Anës, Karlosi dhe Mariusit të mirë, por që duken si dhurata patatinash në dashuri. Të dashurit e Piterit në roman nga ana tjetër duken si Piranja që hanë njëri-tjetrin në llojin e vet, të dashur dytësorë që duken rreth e rrotull kësaj vorbulle që Mirela i ngreh dhe përpiqet të na i servir me stilin e saj elokuent. Dalëngadalë të gjithë kërkojnë sikur të hanë vetveten në fabulën e Tanatosit, një personazhi apo një qenie që i bën keq vetvetes dhe bashkëjeton ngjitur me Erosin, që do të dashurojë. Ndjenjat kanë dramat e tyre që vrasin ndjenja nga ku drama të reja rilindin. Kjo është jeta!
Një libër fantastik për t’u lexuar me një frymë brenda disa orëve me një hyrje fenomenale për të shpjeguar psikozën e një njeriu të sëmurë, një zhvillim dinamik i karaktereve dhe një fund mbresëlënës për mënyrën si serviren ngjarjet deri në fund. Ato rrjedhin. Kush do të vdesë dhe pse? Në emër të kujt, të së mirës apo të së keqes, vallë a do mbijetojë ndokush? Në emër të marrëzisë apo dashurisë?!
Po a nuk jeton kaq afër marrëzia me dashurinë?!
Me anë të të zakonshmes mbretëria e shkrimit mund të na shprehë të jashtëzakonshmen.
A nuk jemi dhe ne ky lloj njeriu i thjeshtë që fshehim gjenialitetin tonë sa ndonjëherë errësirën duke e vrarë veten për të qenë më të përkryer?
Në qoftë se jeni të tillë lexojeni! Do të ngeleni të suprizuar dhe të kënaqur deri në fund.
Një libër që ia vlen! Nuk do ta kuptoni sa shpejt do të mbarrojë, mbase i ktheheni përsëri nga e para sepse kjo është Mirela Kanini! Një autore që thjeshtësinë e paraqet aq bukur në mbretërinë e elokuencës së saj e duket sikur nuk mbaron asnjëherë por bëhet pjesë padashur e vetes suaj. Duket si një libërth xhepi që avullon sa mundohesh të mbërrish në fund.
Ajo ia arrin të futet në mendjen e Lexuesit.
Klienti vlen!