Nga Qerim LITA/
Demonstratat shqiptare të vitit 1981 në Kosovë, nxorën në pah të gjitha të pavërtetat që i plasonte diplomacia e Federatës së atëhershme jugosllave në botën demokratike perëndimore, për “arritjet e shumta” politike, kombëtare, ekonomike, kulturore, arsimore, sociale etj., të shqiptarëve në atë federatë. Rol të rëndësishëm në zbardhjen e këtij realiteti, gjithsesi se pati emigracioni politik shqiptar, përkatësisht, organizatat dhe partitë politike që vepronin në atë kohë në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA. Përfaqësitë diplomatike jugosllave, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pandërprerë e informonin Beogradin zyrtar, për aktivitetet e shumta të mërgatës shqiptare, siç ishin tubime, demonstrata, peticione etj., nëpërmjet së cilave, mërgimtarët shqiptarë fuqishëm qëndronin pas kërkesave të drejta të studentëve shqiptarë në Prishtinë. Njëkohësisht, nëpërmjet këtyre manifestimeve, ata shprehnin mllefin e tyre për dhunën dhe terrorin e forcave policore e ushtarake jugosllave ndaj popullsisë civile e të pambrojtur shqiptare në Kosovë, duke kërkuar nga faktori demokratik perëndimor, që të merr masa urgjente për ta ndërprerë atë dhunë të paparë. Gjithnjë duke ju referuar burimeve sekrete të diplomacisë jugosllave, kuptojmë se bartëse e aktiviteteve të tilla në SHBA, ishte Organizata “Lidhja Kosovare” selia e së cilës gjendej në Çikago, e cila nëpërmjet degëve të veta shtrihej edhe në Nju Jork, Detroit, Boston, Toronto, si dhe në shumë qendra tjera të rëndësishme evropiane si: Paris, Bruksel, Kopenhagë, Munih, Romë etj. Në ballë të saj qëndronin atdhetarët dhe veprimtarët e shquar të kauzës shqiptare si: Hafëz Jusuf Azemi, Prof. Luan Gashi, Bardhyl Shatku, Vasil Andoni, Ekrem Bardha etj.
Për të parë se si diplomacia jugosllave e përshkruante aktivitetin e Lidhjes Kosovare gjatë periudhës kohore 1981-1990, nëpërmjet gazetës KOHA, në disa vazhdime do tw publikojmë një numër të konsiderueshëm të dokumenteve të hartuara nga përfaqësitë diplomatike jugosllave në Çikago, Nju Jork, Uashington, Detroit, Toronto etj. Në këtë numër, po i publikojmë pesë njoftimet e Shërbimit për Hulumtim e Dokumentim pranë Sekretariatit për Punë të Jashtme të RSFJ, dërguar shërbimeve përkatëse republikane e krahinore, ku këta të fundit informohen për aktivitetin, përkatësisht “manifestimet anti-jugosllave” të “Lidhjes Kosovare” në SHBA, gjatë periudhës kohore 21 mars- 13 prill 1981. Dokumentet po i paraqesim në tërësi dhe në mënyrë kronologjike:
BEOGRAD, 21 MARS 1981: “Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e Lidhjes Kosovare, mbajtur më 21 km në Aurorë në të cilën kanë marrw pjesë: Jusuf Azemi, Azem Aliu, Ismail Kashtanjeva, Olloman Rushiti, Ajet Rushiti, Naci Korati, Ilmi Hasani, Sadri Shariu, Ismail Osmani, Hysen Ismaili, Shefaki Ismaili, Halil Felbehari, Mulla Nimeti, Nafez Jusufi, nuk u bë fjalë për ndonjë ftesë apo pjesëmarrje eventuale në demonstrata të emigracionit nacionalist ustash, të caktuar për 10 prill. Përkundrazi, u shqyrtua mundësia e mbajtjes së demonstratave të veta për pjesën e parë të prillit (Uashington apo Nju Jork) me rastin e burgosjes së studentëve në Prishtinë dhe Prizren lidhur me çrregullimet kohë më parë në Universitet. Motoja bazë e demonstratave është – shkelja e “të drejtave njerëzore” në KASK dhe “ajka” komuniste ndaj inteligjencës së re shqiptare nga ana e policisë brutale jugosllave. Në to siç thuhet do të marrin pjesë degët nga Çikago, Nju Jorku e Uashingtoni. Paralelisht me organizimin e demonstratave, u bë fjalë edhe për zgjedhjen e një delegacioni të Lidhjes Kosovare, i cili me të njëjtin rast do ta vizitonte senatorin Persi, eventualisht kryetarin e SHBA ku do tu dorëzohej peticioni adekuat. Mbledhja mbaroi pa vendime konkrete”.
BEOGRAD, 27 MARS 1981: “Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e degës lokale të Lidhjes Kosovare në Detroit, Ekrem Bardhi, kryetar i LK (Lidhjes Kosovare – Q.L.) në Detroit, Jusuf Azemi nga Çikago, gjithashtu është shqyrtuar çështja e demonstratave, ku është theksuar nevoja e sigurimit të mjeteve për udhëtimin e pjesëmarrësve në Uashington përkatësisht Nju Jork. Është marrë konkluzioni që pjesëmarrësit vetë ti mbulojnë shpenzimet e udhëtimit me autobus nga Detroiti e Çikago, ndërsa ndërkohë do të vendosin për terminin më të përshtatshëm. Ka mbisunduar mendimi se e shtuna dhe e diela nuk janë ditët më të “mira” për shkak se gjatë këtyre ditëve nuk punon administrata, ndërsa pjesëmarrësit në ditë pune, nëse dëshirojnë të udhëtojnë për Uashington janë të detyruar të marrin ditë pa pagesë. Në fund është vendosur që për këtë çështje të bisedohet përsëri në mbledhjen e degës, i cili do të duhej të mbahet në afat prej dhjetë ditësh. Përndryshe Vasili (Andoni-Q.L) ngelë në SHBA edhe për 4 deri 5 muajsh me qëllim të vizitave degëve të LK.”
BEOGRAD, 6 PRILL 1981: “Punkti i SHHD pranë Sekretariatit Federativ për Punë të Jashtme nga Çikago, njofton se Jusuf Azemi dhe Ajet Rushiti në shoqërim me Luan Gashin nga Nju Jorku më 29 muajin e kaluar (mars 1981 –Q.L.) kanë udhëtuar për Uashington. Qëllimi i udhëtimit ka qenë të vendosen kontaktet me ndonjë përfaqësues të administratës si edhe të shqyrtohet mundësia për mbajtjen e ndonjë demonstrata më të zgjeruar në të cilën do të merrnin pjesë emigrantët nga më shumë qytete të SHBA. Lidhur me këtë “Lidhja Kosovare” ka caktuar mbledhje me 5 prill k.v. në të cilën do të informoheshin për rezultatet e vizitës në Uashington dhe marrjen e qëndrimit përfundimtar për demonstratat”.
BEOGRAD, 8 PRILL 1981: “Punkti ynë në Çikago njofton si vijon:
1. Në mbledhjen e degës së atjeshme të Lidhjes Kosovare, i cili është mbajtur më 5 prill (1981-Q.L.) nën udhëheqjen e Jusuf Azemit, është vendos që me 20 prill të organizohen demonstrata në Çikago, në shenjë përkrahje të elementeve irredentiste në KAS të Kosovës. Demonstratat do të mbahen para konsullatës së Përgjithshme në kohën prej orës 11 deri 12. Është vendosë që demonstratat të kenë karakter paqësor, pa dhunë, fyerje etj. Për këtë qëllim është zgjedhur ekipi prej dhjetë vetë i cili ka për qëllim që në vendtakim (Aurora) të bëj kontrollimin e secilit demonstrues dhe nëse gjen armë (revolver, thikë etj.) të njëjtën ta merr dhe ta ruaj në selinë e Lidhjes Kosovare, derisa të kthehen nga demonstratat. Janë paraparë parulla të cilat kërkojnë mbrojtjen e të “drejtave njerëzore të shqiptarëve” dhe përmbajnë insistime për lirimin nga burgu të “shqiptarëve liridashës” dhe njëkohësisht e dënojnë “tiraninë komuniste” nga dora e të cilëve kanë ra “njerëz të pafajshëm”. Leja për demonstrata është lëshuar më 6 prill. Udhëheqja e Lidhjes Kosovare, ka lëshuar urdhëresë deri te anëtarësia e saj, që të dalin në demonstrata, përkatësisht që “nuk guxon të ketë asnjë shqiptar i vërtetë” i cili mund të gjejë ndonjë arsye për abstenim. Përndryshe, udhëheqja maksimalisht është mobilizuar që demonstratat të jenë të suksesshme, për çka është planifikuar pjesëmarrja edhe e grave dhe fëmijëve.
2. Për demonstratat e grupimit të emigracionit nacionalist shqiptar, të cilat janë caktuar për 13 prill në Uashington, në mbledhjet e degëve lokale në Çikago e Detroit të datës 5 prill, është vendosur të organizojnë transport të veçantë (autobus) duke i shfrytëzuar edhe linjat e rregullta dhe veturat e veta, me qëllim të arritjes së suksesit të plotë. Kryhet presion ndaj anëtarësisë së Lidhjes Kosovare dhe ndaj mbarë pjesëtarëve të nacionalitetit shqiptar, pa marr parasysh ngjyrat ideologjike, që pjesëmarrja në Uashington të jetë sa ma masive, për çka është evidente përdorimi i mjeteve arrogante. Nga Çikago planifikohet shkuarja e rreth 200 pjesëmarrësve, ndërsa nga Detroiti rreth 150.
3. Në mbledhjen e sipërpërmendur në Çikago, është grumbulluar shuma prej 11.000 dollar për financimin e shpenzimeve rreth dërgimit të telegrameve protestuese, peticioneve etj., mbarë shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve perëndimore për shkak sjelljes “brutale” ndaj kombit shqiptar në “Jugosllavinë komuniste”. Këto letra duhet të dërgohen nga qendrat evropiane (Bruksel, Romë etj.).
4. Vasili (Andoni – Q.L.) ende qëndron në Detroit, nga ku organizon pjesëmarrjen në demonstratat e 13 dhe 20 prillit. Atij i është dhuruar shuma prej 11.000 dollarë që duhet ti dërgoj në Evropë. Do të ngel në SHBA deri në mbarim të demonstratave, e më pas do të kthehet në Romë.”
BEOGRAD, 16 PRILL 1981: “Më 13 prill 1981 në Uashington me fillim në ora 11,30 sipas kohës amerikane nën organizimin e të gjitha organizatave e grupeve të emigracionit në SHBA, u mbajtën demonstrata anti-jugosllave në të cilat morën pjesë rreth 1.400 demonstrues. Në këto demonstrata morën pjesë demonstrues – emigrant që jetojnë në Çikago, Nju Jork, Detroit, Millvoki, Kenopa dhe nga vende tjera, ndërsa nga Evropa morën pjesë vetëm Vasil Antoni me disa bashkëpunëtor, me të cilët erdhi nga Italia. Fillimi i demonstratave, në ballë të të cilave ishin disa hoxhallarë, ishte nga parku i madh para Shtëpisë së Bardhë, ndërsa kolona lëvizte në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, kah pallati i Kongresit, dhe nga aty kah ambasada jugosllave ku policia kryente sigurim të mirë dhe nuk lejoi që demonstruesit të afrohen deri te ajo. Këtu, më shumë se 15 demonstrues mbajtën fjalim ku në mënyrë të hapur e të ashpër e sulmuan vendin tonë (Jugosllavinë – Q.L.). Është me interes të vihet në dukje se drejtuesit e demonstratave nuk folën, ndërsa nxitën emigrant më të ri të jenë më ekstrem dhe ta shijojnë rolin e barabartë me udhëheqjen. Demonstruesit nga aty u kthyen para pallatit të kongresit ku hynë brenda Jusuf Azemi dhe Ekrem Bardhi (profesor i pensionuar nga Detroiti) ku i pranoi senatori Persi dhe u premtoi se pushteti amerikan sa i përket demonstratave në Kosovë do të intervenojnë deri te qeveria jugosllave. Demonstruesit mbanin pankarte dhe brohoritnin parulla me përmbajtje armiqësore në gjuhën shqipe dhe kroate, edhe atë: “Poshtë Jugosllavia!”, “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë kriminelët jugosllav!”, “Rroftë kombi shqiptar”, “Rroftë kombi kroat” etj.
Nga territori ynë (Maqedonisë –Q.L.) si pjesëmarrës të demonstratave i identifikova personat si vijon: vëllezërit Servet e Sami Xhaferi, Jusuf Azemi, me bashkëshorten e fëmijët, Daut Azemi (vëllai i Jusufit), Llokman Lutfiu me tërë familjen, Aliriza …, nga fshati Dobrosht, Alil Zylbeari me tërë familjen, Bardhyl Shatku nga Gostivari me tërë familjen, Alirami Dauti me bashkëshorten, Haki Idrizi nga fshati Sedllarcë e Epërme, Shukri Memeti nga Tetova emigrant në Toronto, Sinan Abdiu, nga fshati Reçicë e Madhe me bashkëshorten, emigrant në Çikago, Remzie …. nga fshati Odër me djalin. Shumica e demonstruesve ishin nga rrethi i Kërçovës, ndërsa Ajet Rushiti, i cili është organizator sa i përket pjesëmarrjes masive të emigrantëve nga Kërçova, ka agjituar duke u kërcënuar për pjesëmarrje të domosdoshme në demonstrata. Për 20 prill 1981 në ora 10,00 janë caktuar demonstratat para konsullatës tonë (jugosllav –Q.L.)”. (Në numrin e ardhshëm shpalosim disa burime diplomatike jugosllave që flasin për aktivitetin e Lidhjes Kosovare, korrik-tetor 1981)
*(Ky cikel shkrimesh botohet me kerkesen e Jusuf Azemit ne Chikago.)