Nga Shefqet Kërcelli/
Në Shqipëri vazhdojnë debatet për ligjin e ri për Arsimin e Lartë i cili miratua pas mesnatës së datës 21 korrik me votat e shumicës së majtë. Kryetari i opozitës Lulzim Basha paralajmëroi dje një aksion për të penguar hyrjn e tij në fuqi, që nga ndërhyrja pranë presidentit deri të ankimimi në Gjykatën kushtetuese. Por nga ana e tij kryeministri Edi Rama tha se ligji përfaqëson një reformë revolucionarizuese të sistemit të lartë arsimor në vend. Seanca maratonë e datës 21 korrik në parlament dhe debatet e zjarrta mes shumicës dhe opozitës, nuk kanë mjaftuar për të zbutur zhurmën e madhe që ka shkaktuar ligji për arsimin e lartë. Përkundrazi. Edhe në ditët në vijim po vazhdojnë replikat në distancë mes palëve. Ja si u shprehën liderët e dy forcave kryesore politke në vend për këtë ligj të rëndësishëm.
Rama: Ligji garanton konkurrencën dhe nuk përjashton askënd.
Kryeministri Edi Rama mbrojti ligjin e arsimit të lartë, të kaluar ditën e martë në seancën e posaçme të Kuvendit, duke deklaruar se ligji garanton konkurrencën dhe nuk përjashton asnjë nga e drejta e arsimimit. “Produkti është shumë i mirë dhe është për të ardhur keq kundërshtia që bëhet në emër të të varfërve, duke spekuluar në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mëyrën më të papranueshme. Ligji garanton konkurrencë dhe që asnjë i ri apo e re, që ka dëshirë të ndjekë universitetin dhe që e meriton, të mos pengohet nga varfëria në familje, sepse është shteti që do të mbështesë të gjithë fëmijët e shtresës së varfër për të kryer me sukses përfundimet ku ata dëshirojnë”, tha Rama. Ligji mbështete financiarisht jo vetëm këtë shtresë, por edhe studentët e shkëlqyer dhe ata që zgjedhin programet e përcaktuara si prioritet kombëtar.
“Ky është një ligj që hap rrugën për të sjellë Shqipërinë në kohën e re europiane pas 20 e ca vitesh korrupsion dhe privilegjesh për një kastë që është financuar nga buxheti i shtetit dhe nuk ka kthyer mbrapsht investimin e marrë”, deklaroi kryeministri. Rama ripërsëriti se financimi shtetëror shkon i gjithë për të mirën publike, për rritjen e konkurrencës dhe cilësisë. Basha: Në Kushtetuese ligjin e arsimit të lartë. Rama-Meta, shkatërruan autonominë
Partia Demokratike paralajmëoi kundërshtimin deri në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për arsimin e lartë, të miratuar ditën e martë nga mazhoranca.
“Ne do të marrim një aksion të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të çdokujt, sesi hidhen në kosh të plehrave përpjekjet e mijëra gjimnazistëve? Si goditen të zotët, të aftët? Si stimulohen të paaftët? Çfarë do të thotë kjo për studentët? Një fushatë ndërgjegjësuese që nis sot e do të vazhdojë. Së dyti Partia Demokratike do të ndërmarrë një aksion masiv institucional, që nga Presidenti e deri tek Gjykata Kushtetuese, ku opozita do të jetë në krah të studentëve dhe pedagogëve që kanë të drejtë”, tha Basha. Për opozitën është akoma më e qartë se ligji u shërben interesave të një pakice njerëzish. “Me vendimin e djeshëm është hapur një betejë e madhe me njërën anë qeverinë dhe pakicën klienteliste korruptive, interesat e të cilës u shpërblyen dje, dhe nga ana tjetër të gjithë shqiptarët, që nga fëmijët e deri tek prindërit e gjyshërit”, u shpreh kreu i opozitës. Basha ironizoi duke thënë se ligji i arsimit të lartë është votuar nga deputetë pa diplomë, me diploma të rreme dhe me rekorde kriminale. Basha përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në seancë plenare nga deputetët e opozitës, kur thanë se ligji do të rrisë kostot dhe tarifat duke u hequr të drejtën e arsimimit shtresave të varfra. Por jo vetëm kaq. Sipas Bashës, ligji shkatërron cilësinë përmes shkatërrimit të autonomisë me një qëllim të vetëm; vënien nën kontroll të pedagogëve. “Me këtë vendim, Rama-Meta kërkojnë të përdorin si marioneta pedagogët, në shtesa të pushtetit në vend të zërit të pavarur dhe të përvojës akademike shkencore që janë dhe duhet të jenë”, deklaroi Basha.
Ligji i ri, i cili është kundërshtuar dhe nga një pjesë e pedagogëve dhe studentëve, do të nisë nga zbatimi vitin e ardhshëm akademik, në mënyrë që gjatë këtij harku kohor të përgatiten dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore.