nga Albert HABAZAJ, studiues/*
Duke e ndjekur nga afër, me interesim dhe respekt, poezinë e autorit Felek Bleta, vërej se ajo ecën në shtratin origjinal të burimit nga nisi gurgullimën, të cilën unë dëgjoj me ëndje. Jo vetëm në kuptimin sasior, me botimin e disa vëllimeve poetikë, por sidomos në rrafshin cilësor, patjetër mbi përvojën e fituar gjatë trajnimeve intuitive natyrale, me këngën mbushur me furtunë, me lule e me mjalt të vendlindjes, përgjatë shekujve, poeti i Vërmikut i paraqitet lexuesit të sotëm dhe dashamirëve të kënëgës me vëllimin e freskët “Rrugëtim”. Limfa që ushqen poezinë e Felek Bletës është kënga popullore, epika dhe lirika e traditës së hershme folklorike të Vërmikut, krijuar dhe interpretuar nga të parët e atyre banorëve të mirë, trima, bujarë, të diturisë dhe të besës,që nxorrën emra të lartë, si Hamit Çela Lumi, Avdurrahman Ali Çiraku, të tjerë para tyre e të tjerë pas atyre burrave, që bënë histori, jo vetëm për Vermikun, Kurveleshin e Poshtëm, Labërinë e Vlorën, por morën përmasa kombëtare. Limfa që ushqeu poezinë e Felek Bletës është kënga, që lindi nga gurra popullore e Vermikut, ku piu xha Agua e Veiz Bleta e pararendësit e tij dhe sidomos tekstet dhe meloditë që mësoi, krijoi, interpretoi dhe ruajti mësuesi i përkushtuar Serri Tushe, mbështetur në vargun tradicional, me rimë të puthur AA, apo vargjet e alternuara ABAB. Ai ia la stafetën Felekut, i cili e pasuroi më tej, i dha ritëm, i dha fytyrën e kohës, ruajti traditën, dhe mbi atë shtrat ngriti me elengancë poezinë e jetës së Vermikut dhe banorëve të tij, në një kuotë të bukur, që nuk ishte arritur më parë. Një meritë e veçantë e Felekut është, se në kushte shumë më të papërshtatshme, se të parët e tij kulturorë, e ruajti këngën tradicionale. Kur u prishën shumë vlera, ku patjetër as folklori s’ mund të bënte përjashtim, ai mblodhi djemtë me shpirt artisti dhe zemër atdhetare të Vërmikut të tij, krijoi me sakrifica një grup lab shumë simpatik dhe të dashuruar pas këngës së të parëve të tyre, u bëri tekstet, si lule nderimi për historinë, gjeografinë , për lumin e jetës së fshatit të tij dhe më shumë dhe e mban gjallë dhe sot e kësaj dite fisnikërisht në respekt të vlerave më të mira shpirtërore, trashëguar nga banorët e kësaj treve në kohëra. Më vjen mirë, që evidentoj, se mbi shtratin e traditës së këngës së madhe të Kujtim Micit, Hamdi Pulos, Lefter Çipës, Llambro Hysit, të Feti Brahimit, Muhamet Tartarit, Pelivan Bajramit, Nexhip Serës etj., të cilët ecën në udhën e brezit të Qazim Ademit, Xhebro Gjikës, Mato Hasanit e xha Selimit me shokë, po ngrihet e ravijëzohet një grup i ri krijuesish popullorë të talentuar si Kristo Çipa, Nertesi Asllani e Felek Bleta, që i japin zjarr e furtunë, këngës magjike labe.
Po bëj një copëz udhë nëpër vjershëzat e Felek Bletës: Vjersha e parë “Liria”, tepër lakonike, vetëm me 6 vargje, AA,BB, CC, në tetërrokshin tradicional, ku krahas porosisë morale, si ata pleqtë e moçëm për vlerën e lirisë, autori na tërheq me një ndjenjë të kënduar nga ai, ku lirinë e krahason me “një nuse delikate/ plot xhelozi e inate”. “Sparta e ditëve tona” – një poezi e këngëzuar (në fakt, pothuaj, tërë vjerëshërimi i F. Bletës është poezi e këngëzuar, relativisht e gjatë, pak jashtë natyrës këngëtore, por ndërkohë, e merituar për Vlorën. Këtë poezi, Feleku e krijoi për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare dhe e këndoi me grupin e tij, te Sheshi i Flamurit, që priti 1 milionë shqiptarë. Kënga është e mbushur me lëng të kulluar jetësor dhe me sherbet figurativ, që e bën shumë të shijshëm shpirtërisht tekstin, ku del në pah dhe ndjenja kombëtare e Bletës, nëpërmjet kësaj lirike patriotike, me vargun AABB. “Djepi”, vetëm në 4 vargje na jep një impuls më të gjerë gjeomjedisor për gadishullin tonë të lashtë të Ballkanit. “Në Përmet”, me varg të alternuar ABAB, më tepër tingëllon si poezi se sa si këngë, ku autori shfaq në vargje shqetësimin qytetar për rrënimet vandaleske ndaj vlerave kulturore kombëtare të banditëve zuzarë. Me “Trojën”, Bleta na jep reflekse drite për këtë qytetërim mesdhetar magjik, që sot është shuar.“Nga ësht’ ky burrë emërdëgjuar/ që kaq mister e mban,/ që flet një gjuhë të pakuptuar/ kur lutet e kur shan?!”. “Napoleoni”- e nisur me një strofë, me varg të alternuar ABAB, 9 rroksh me 6 rroksh, e ndërtuar në trajtën e një pyetjeje retorike, është një nga vjershat më të këndshme që kam lexuar, ku përzihet ndjesia emocionale e poetit lab: (e pret me ndere e peshqeshe) me bulëzimet e urtësisë dhe filozofisë popullore: “se njerëz lindin përditë, por fenomenet rrallë”. Një legjendë epike , që lundron në krahët e imagjinatës romantike të Bletës, më rrëmbeu si një ëndërr e bukur, për këndvështrimin fisnik të autorit, i cili, dukshëm, vërehet që e simpatizon Napoleonin e Madh, prandaj, si duket, i ka kushtuar një poemth apo vjershë të gjatë, mbushur me adhurim, me dëshira, me një gjuhë të rrjedhshme e të tejdukshme. Ky Napoleon, që na paraqet Felek Bleta, është shumë i adhurueshëm, edhe për ne, për shqiptarët, që kanë pirë qumësht nga mbesa e ilireshës. Hamendëson poetikisht autori, që Napoleoni, ndoshta, se e thërriste gjaku i të parëve, “Një kontinent nga gjumi zgjoi/ Një kontinent tronditi”. Vjersha “Napoleoni” më shijon, sikur të ketë dalë nga “Tregimet e Moçme Shqiptare”në vargje. Si ato thesaret e rralla të shpirtit e të kujtesës së popullit tonë, që na ka dhuruar Kryemjeshtri Kuteli! Aq shumë më pëlqen. Lexojeni, se sinqerisht, do të jeni dakort me mua dhe do të kënaqeni me musht arti e krenarie. Është e çuditshme se, në Labëri, në Vërmik, në Tërbaç, në Vranisht, në Dukat, në Pilur, në Himarë, gjithandej në Shqipëri, ka shumë djem e burra me emrin Napoleon. Te “Memiu” kemi fllad dashurie për vendlindjen, për gurin e babës dhe të nënës, e cila plotësohet me lirikën patriotike “Gjyshi arbëror”, me “Pirron e Epirit”, që vjen si histori e heroit të madhërishëm në vargje, me legjendën “Toskë e Molosë”. “Për Eqerem Canaj”, dallon për përkushtimin respektor ndaj mësuesit, në trajtën e një jetëshkrimi artistik për shkrimtarin E. Canaj, me varg të lëshuar lëndinave të kaltra të frymëzimit. “ Plaku babaxhan”, vjen më tepër si rikrijim nga një rrëfenjë me 6 rroksh, që bredh nëpër livadh dhe ka zënë një arë, ku këput ca gjethe satirike, kritike, realiste për gjendjen sociale të Vlorës, duke dhënë dhe mesazhe për respekt reciprok, mbi bazën e kontributeve, në kontekst. As këtu nuk del dot nga natyra e tij romantike dhe idealiste Felek Bleta, qytetar i kohës dhe këngëtar i traditës. “Nëpër orbita”, autori, si bleta nëpër lule mbledh nektar e polen respekti në vargje për mikun e tij Gëzim Hoxha. “Matogjini”, i lë mbresa autorit, sepse mbi atë traditë të shkëlqyer labe, ushqeu Shevqet Musarajn, sepse në atë gurrë të krahinëzës së Mesaplikut dolën kristalet e Perlat Hasanit, Dasho Matodashajt, Dane Hoxhës, Agim Rukës, Bardhyl Shehut, Bekim Pipës, e më të rinjve, sepse nga ballkoni i Matogjinit “Mirëmëgjez të thotë drita,/ mirëmëngjez gurrat e këngës”. Më tej vjen një lirikë të thjeshtë e të dhembshur. Unë e dija stërrall Vëmiku Felek Kapedanin, por, në vjershën“xha Sulos”, e pashë që iu njom syri e i dhembi shipirti, kur i iku miku i tij fisnik, Sulejman Murati nga Velça. “Ëndrra dhe kujtime”, një këngë malli, e mbushur me romantikën, sa të zjarrtë, aq të kristaltë, që na bën të gjithëve, ne, labëve të Lumit të Vlorës, ta kthejmë fytyrën nga vendlindja, ta duam më shumë atë, konkretisht të bëjmë për Nënën Labëri. “Mesapliku”, është në shtratin e vetë të poezisë së këngëzuar, me varg të dyzuar, 8 rroksh të shtrirë në 16 rroksh; noton në lumin poetik atdhetar të Shefqet Peçit, por me stilin e Felek Bletës. “Gjeniu kryegjeni”. Edhe këtu, Bleta ndihet i sigurtë në fushën e tij. Lirika patriotike e autorit krijon marrëdhënie natyrale me epikën legjendare dhe epikën historike. Me stilin e tij të dallueshëm, bukur, por pa bujë ai i drejtohet strategut të kohërave, Aleksandrit të Madh, profili madhështor i të cilit, “me një shpat’ e mbi një kal, / mbi tre kontinente rri”. Poezia “Nderi i Kombit” është një këngë, që rrjedh e kulluar, sipas traditës labe. I kushtohet labit tonë, shqiptarit të madh Zenel Gjoleka, bëmat e të cilit gjëmuan deri në Mal të Zi e na bëjnë, edhe ne, stërnipërve të tij, të jemi ballëlartë, të ndihemi krenarë dhe të bëjmë detyrën ndaj Shqipërisë, si ai, në kushtet e sotme. Ngjarjet, personazhet dhe datat historike janë të preferuara për muzën e poezisë popullore, që lëvron thjesht e bukur poeti nga Vermiku, Felek Bleta. “Lidhja e Prizrenit” është një lule mirënjohjeje për atë Kuvend Burrash të Kombit, sipas Shembullit të Madh të Gjergjit. Ai Kuvend i Burrave të vendit të Shqipes, “shkundi…botën me mbretër e lugetër”. “Gjithnjë të respektuar”, është një vizatim nostalgjik, që natyrisht vjen si pasqyrim artistik i realitetit të sotëm dhe konturohet si poezi sociale. “Për ca miq bolenas”. E kthjellët si vesa, vjen kënga me ligjërime e F. Bletës për miqtë e tij të këngës e të penës, me nota lirike, historike dhe atdhetare. I ka gdhendur me sinqeritet e me ndjenjë portretet e Isuf Bushit, Ruzhdi Bajramit, Nertesi Asllanit, Kujtim Lilës, Faslli Koçiut e bujarit Gjolek Bushi. “Dy vërmikas të dëgjuar” është një poezi, që na jep përshtypjen, sikur përjetojmë çaste nën tingujt e një marshi epik. Normalisht, këtë ritëm të theksuar, autori e motivon, se u këndon dy emrave të dëgjuar, jo vetëm për Vërmikun, por për Vlorën e Labërinë, siç janë Hasan Bleta dhe Avdurrahmën Çiraku. “Homazh”. Është një poezi e trajtës universale, se dhe poeti, si thërrmijëz e së tërës njerëzore, e shpreh keqardhjen e tij për të ikurit para kohe nga kjo jetë, duke nxjerrë në pah edhe një vlerë të brendshme, që ai bart, siç është ndjenja e altruizmit, gjë që vërehet te shumë poezi të autorit. Mjafton të përmendim disa, si vjershën e dhembshur “O djal’ i burrëruar”, kushtuar Andon Tushit, që u largua nga jeta në moshën 50 vjeçare apo mallëngjimin për Edison Bletën e shkretë në vjershën “Gjysmë udha”, që më sjell ndërmend lartësinë e teksteve dhe vijës melodike të bilbilit të Bolenës, Nertesi Asllani, por në rastin e Felekut, hidhërimi merr përmasa të lëngshme e të nxehta emocionesh, që vetëm njeriu i fortë i përballon, siç i ka hije dhimbja burrit. Ka dhe vlera estetike dhe etike vjershërimi i Bletës, se ai merr pjesë në dhembjen e të tjerëve e do t’ua lehtësojë sadopak hidhërimin, duke lëmuar, sipas tradiitës së të parëve fjalën e zgjedhur. Nuk thotë: “vdiqe 50 vjeç” autori, por loton me penë: “ike në mes ditëve të tua, në gjysmën e jetës” Bukur. Edhe vdekja i duhet njeriut, se e provon peshën specifike të tij, si karakter, si burrë, si njeri. Kujtimi, te vjersha “Rritu flutur”, kushtuar Xhevahir Bletës, që la pas bijën e tij të vogël, merr një dritërim të veçantë përmes notave liriko – elegjiake. Si ustai, që zgjedh gurët e i vë në mur, edhe poeti i Vermikut i zgjedh e i vë fjalët atje ku duhen e ashtu si duhen. Në fakt, fjalët i dalin vetë nga thellësia e shpirtit, nuk i zgjedh ai, burojnë ato për të na dhënë, sipas mendimit tim, një nga këngët e përvajshme më të spikatura e me mesazhe për jetën. Dhe ja ku shpaloset një faqe tjetër e natyrës së Felekut te vjersha “Në udhët e jetës”. Autori është në botën e tij të bukur të vendlindjes, se me biblila kënge e bujarë të jetës atdhetare – kulturore, si Dushan Xhuveli, me Josifin, Zonjën e dy Viktorët, Albanin, Fredin e Ysniun, Krenarin, Laton e Kreshnikun, Merkon, Adhurimin e xha Veizin, Julin e Pajtimin, me Sokolë e asaj Babice të re , banuar nga Vërmikas, Felek Bleta ka kapur qiejt, është kaq i lumtur e i malluar, sa vetëm me këngë shpërthen, se, duke kënduar këngën e të parëve, shoqëruesen e pandarë të jetës së malësorit lab, në gëzime e në halle, poeti merr “mjalt nga ato lule/ dritë nga ai diell” e na i jep ne. Te “Meteorët”, me një sfrofë me katër vargje të lira, e zgjeron gjeografinë e këndvështrimit poetik deri në Urale. Tek gjykimi empirik, që i bën fenomenit, qëndron e veçanta intiutive, që jepet për t’i vënë kapak muhabetit “alla labçe”… Bardhosh Gaçes i kushton një poezi të bukur, me ndjenjë dhe të thjeshtë, siç është vetë Mjeshtri i Madh dhe, ajo që na ngelet në mendje, është, se autori, e vlerëson profesorin për urat e mermerit, që i ngre Labërisë me histori, jo vetëm në kuptimin metaforik, si dhe për faktin, që autori evidenton se, Profesorit të Urtë, i falen amatorë dhe profesorë. “Këta barinj Labërie”është titull mëse i thjeshtë i një poezie, por që nuk i bëj asnjë koment, se më kënaq trajtimi në vargje, që i bën Feleku traditave, dokeve, mënyrës së jetesës, në tërësi anëve më të mira të jetës tradicionale të trevës etnografike të Labërisë. Shkurt, me këtë vjershë labërishte të Lekut, ndihem mirë, se shijoj, si lezet me kripë një thelë të pjekur poetike nga etnografia e Labërisë tonë të dashur. Motivet kosovare e pasurojnë më tej poetikën atdhetare të autorit, jo thjesht, se e pa me sy Mitrovicën shqiptare. Palca poetike e Felekut feks që është kombëtare, jo vetëm se i këndon, si Kurvekeshit, Himarës e Labërisë, po aq me zjarr, si ai, dhe Çamërisë e Zagorisë. Historia në vargje rrjedh me këngët për Halim Xhelon, Hodo Nivicën, Hamit Lumin, Gjokekën, Karafil Bletën, Ali Pashë Tepelenën, Biblilenjtë, deri dhe Justinianit të Parë e Marko Boçarit , si dhe të parës dhe të fundit, Nënës Labe. Një puhizë e freskën vjen edhe nga disa lastarë të brishtë me disa gazmore, fabula, skicime poetike për tema të ditës etj., të cilat kërkojnë ujitje, prashitje, krasitje, gjithë shërbimet e duhura, që të rriten të shëndetshme e të qëndrueshme në një vëllim tjetër poetik të autorit Felek Bleta.
*(Parathënie e librit “RRUGËTIM” e autorit F. Bleta)
Vlorë, 19. 07. 2013
Nga Felek BLETA
Hirshëm…
Ja dedikoj Albert Habazit
Rrudh’ e ballit pleqërishte
Dhe pse herët, ka lezet,
Tek një vatër labërishte
U rrit hirshëm një poet.
Kjo vatër emërdëgjuar
Me zjarrin që s’ka të shuar…
Të gjithë jemi për të ikur
Nga kjo botë në atë botë,
Ti nuk shkon duke zvarritur
Por me hapin tënd të fortë.
S’e qas drita errësirën
As e keqja do të mirën…