
Luan Rama/
Një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit, Lionel Jospin (Zhospen) u largua sot nga kjo botë i përshëndetur nga politika evropiane dhe veçanërisht nga e majta dhe e djathta franceze për kontributin e tij të veçantë në progresin e shoqërisë franceze dhe pikësëpari të një politike të ndershme, të pastër dhe larg kompromiseve politiciene për të qëndruar medoemos dhe me çdo kusht në pushtet. Ishte pikërisht ky politikan, që kur humbi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, ai deklaroi se nuk do ti kthehej më politikës. Dhe këtë fjalë ai e mbajti duke fituar respektin dhe simpatinë e një populli të tërë. Kryeministri Jospin e vizitoi Shqipërinë dhe kishte një simpati të veçantë për vendin tonë.
Ai krijoi një fond prej 5 milionë euro për krijimin e një qendre kulturore franceze në Tiranë dhe një financim afatgjatë më pas, por mjerisht, për interesa meskine të botës shqiptare, ky projekt nuk u realizua. Kujtoj kur në një takim të parë me kryeministrin e ri Majko, të takuar në Lyon, kohën më të madhe ai i foli për ish kryeministrin Nano dhe vizionin e tij evrpian dhe kishte besim që Shqipëria shumë shpejt do të integrohej në Bashkimin Evropian. Një simpati e veçantë e lidhi atë me presidentin Rexhep Meidani. Por ky integrim do të vononte. Kujtoj gjithashtu kur e shoqërova në vizitën e tij të parë dhe të fundit në Shqipëri, mbresa që i botova dhe në librin “Nën hijen e eklipsit” mbi angazhimin francez për mbrojtjen e Kosovës. Kujtime që mbeten të pashlyera në kujtesë për një politikan si ai, në një kohë kur “makiavelët” kanë përmbytur botën e politikës!
Jospin në Shqipëri
Nuk kaluan shumë ditë dhe kryeministri francez do të nisej për në Shqipëri, Maqedoni dhe pastaj të vazhdonte rrugën e nisur drejt Kajros, në Egjipt, ku do të shkonte për një vizitë zyrtare të planifikuar shumë kohë më parë. Që në mëngjes herët nisem për në aeroportin ushtarak Villacoublay, jo larg Parisit. Pas pak vjen dhe Jospin, me një pamje të shpenguar dhe të qeshur. Dje kishte folur gjatë me kryeministrin Majko, i cili ndodhet në Bon për një vizitë zyrtare të planifikuar më parë. Fatkeqësisht, ata s’do të takohen, edhe pse është një vizitë historike për shqiptarët: ardhja për herë të parë e një kryeministri francez në historinë e marrëdhënieve franko-shqiptare. Në aeroport, pasi takohemi të gjithë, me shoqëruesit e këshilltarët e tij, ngjitemi në avionin qeveritar. Nisemi për në Tiranë, kësaj radhe pa gazetarë. Fluturimi është i këndshëm dhe rrugës kryeministri më pason fotografitë që janë bërë në Matignon me presidentin Meidani, kur ai ishte për vizitën e tij zyrtare. Qesh gjithashtu dhe me një fotografi ku kemi dalë së bashku. Sa i rreptë duket në punë, aq dhe i lirë dhe me humor është ky kryeministër në një ambient jashtë pune. Jospin, «trashëgimtari rrebel» (l’héritier rebelle), e cilëson në librin e tij me të njëjtin titull publiçisti francez Gerard Leclerc, botuar më 1994, duke kujtuar se karriera e tij është e lidhur me epokën miterandiste.
Student i ENA- s, shkolla e politikanëve të rinj të Francës, që i ri, ai ishte fillimisht një simpatizant i lëvizjës komuniste. Madje një kohë drejtonte «Grupin e studimeve revolucionare». Demonstratat e studentëve dhe të puntorëve francezë më 1968 do të jënë vendimtare për nismën e karrierës së tij si politikan. Ai atëherë ishte një diplomat në zyrat e ministrisë së Jashtme franceze por ai vendosi ta braktisë ministrinë dhe të merrej me studime të tjera. Eprorët e tij, që njihnin kapacitetin e këtij diplomati të ri, vendosën ta joshin duke e dërguar në Harward të Amerikës për të ndjekur kursin e famshëm në atë kohë të Henry Kissinger. Por menjëherë, sapo u kthye nga Amerika, Jospin këmbënguli gjersa u largua nga diplomacia. Fillimisht ai u kthye në një profesor universitar dhe më vonë u fut drejtpërdrejt në politikë. Në fillimin e viteve 80-të ai u afrua shumë më socialistët dhe rrethin e ngushtë të Miteranit, i ngarkuar për lidhjet mes partisë socialiste franceze dhe të partisë komuniste, çka do të sjellë më pas që në qeverinë e parë të Miteranit të ketë katër ministra komunistë.
Më 1981 merr pjesë në fushatën elektorale dhe është ndër figurat e rinisë socialiste. Sapo Miterani zgjidhet president, ai e cakton atë drejtuesin kryesor të partisë. Një barrë e rëndë për politikanin e ri. Shumë shpejt, Jospin u bë një nga bashkëpuntorët e afërt të Miteranit, krahas Delor, Lang, Morua, etj. Më 1983, me rënien e qeverisë së parë dhe ardhjen e Fabiusit kryeministër, në partinë socialiste franceze ndihen një sërë rrymash që luftojnë për të dominuar në partinë socialiste. Është koha kur pushteti ndikonte mbi partinë dhe kur Jospin ngrihet kundër diktatit të qeverisë mbi partinë. Ishte kjo një luftë e gjatë dhe e lodhshme që do të sjellë më vonë, më 1988, largimin e tij nga drejtimi i partisë dhe hyrjen në qeveri si ministër i Arsimit. Më 1991 ai nuk arriti të zgjidhej deputet në zonën elektorale të tij dhe detyrimisht largohet nga qeveria. Rikthehet në partinë socialiste dhe më vonë rifutet përsëri në qeveri, po si ministër i Arsimit. Por kjo periudhë do të jetë e shkurtër. Më fitoren e së djathtës më 1993, ai i rikthehet politikës. Më 1995, gjatë fushatës presidenciale, kongresi i partisë e cakton si kandidat të saj për këto zgjedhje, deri sa më vonë do të zgjidhet në mënyrë triumfale kryeministër.
… Kur i afrohemi bregdetit shqiptar Jospin mundohet të vëzhgojë nga dritarja e avionit peizazhin që shtrihet poshtë buzë detit Adriatik, i cili e impresionon menjëherë. Afrohem dhe i tregoj për zonën e Durrësit dhe ndërkohë avioni bën një kthesë të madhe duke iu drejtuar Rinasit. Duke u afruar, spikasim helikopterët “apache” dhe qindra mjete të tjera të blinduara që janë stacionuar në mes të aeroportit. Pamja është impresionante. Në Rinas, është shtruar “qylymi i kuq” siç ndodh për vizitat e zyrtarëve dhe të përsonaliteteve të larta shtetërore. Në historinë e marrëdhënieve të të dy vëndeve, është hera e parë që një kryeministër francez vjen në Shqipëri. Jospin zbret i pari dhe pas tij nxitoj ta shoqëroj gjatë takimeve me përsonalitetet shqiptare që presin ta takojnë: zëvendëskryeministri Ilir Meta, ministri i Jashtëm Paskal Milo, e personalitete të tjera. Mjaft prekëse ishin imazhet e kosovarëve të instaluar në kodrën e liqenit të Tiranës, ku pata rastin, të dëgjoja nga goja e shumë grave përdhunimin e tyre nga ushtarët serbë. Pranë nesh, disa gazetarë francezë më pyesnin dhe kërkonin tu përktheja diçka. Në fakt, pas pak duhet t’i hipim një avioni ushtarak për të shkuar deri në Tiranë. Udhëtimi është i shkurtër drejt Tiranës. Është një ditë e bukur dhe Tirana duket si në pëllëmbë të dorës.
Zbresim në fushën e stadiumit “Qemal Stafa” dhe prej andej me këmbë drejt e në presidencën e Republikës, ku na pret presidenti Meidani. Një pritje mjaft e ngrohtë ku, veç ministrit Milo, ishte dhe Kastriot Islami, i cili është caktuar nga qeveria për menaxhimin e një “komisioni të emergjencës”. Pas këtij takimi u rikthyem përsëri në stadium për të marrë helikopterin dhe për t’ju drejtuar me shpejtësi Elbasanit ku është instaluar komanda franceze e kolonelit Gros, me rreth 800 trupa, kryesisht francezë, danezë dhe një detashment grek. – “Nous étions ici parmi les premiers, avec notre pont aerien et nos hélocopteres” (“Ne erdhëm këtu ndër të parët me krijimin e kësaj ure ajrore dhe helikopterët tanë) – thotë kryeministri Jospin, që i shoqëruar nga kryetari i bashkisë dhe prefekti i Elbasanit, viziton kazermat e rregulluara nga francezët. Nga Elbasani, gjysëm ore më vonë, helikopteri na çoi në Kolonjë, një fshat buzë rrugës, midis Fierit dhe Lushnjës, jo larg nga Pojani i Apollonisë antike. Një kazermë e vjetër e ushtrisë ishte shndruar më urgjencë në një kamp të madh ku ishin vendosur mijra kosovarë të ardhur nga Kosova.
Sapo Jospin iu afrua kampit, kosovarët e rrethuan për ta takuar. Një nënë më lot në sy i tregonte për tmerret që kishte përjetuar; një tjetër i kërkonte që të ndihmoheshin ata që kishin mbetur nëpër malet e Kosovës. “Na mjafton një kafshatë bukë, por ju lutemi, ndihmoni ata që kanë mbetur atje që të mos vdesin nga masakrat dhe uria”. – Do t’ ju ndihmojmë patjetër, – ju përgjigjej Jospin, duke ju shtrënguar duart me radhë, dhe i ndjekur nga gazetarët francezë e të huaj, hyn për të parë dhomat e tyre dhe shërbimin mjeksor. Më pas bisedon më ushtarët francezë që po instalojnë një stacion pompimi të ujit të pishëm. Dikush nga kosovarët më afrohet dhe më tregon krahun e tij me një plagë të madhe, ende të pambyllur: – Ja ç’më kanë bërë serbët! Një vëlla ma kanë vrarë para syve të mi. Nuk di se ku i kam fëmijët… Papritmas sytë e tij të pikëlluar shndrisin nga një shkëlqim i vëçantë: – Ani, ne do të kthehemi në Kosovë!
Një revoltë e madhe dhe një ndjenjë shpagimi vlonte brenda shpirtit të tij… Të njëjtat imazhe dramatike dhe në një kamp pranë Rrushbullit. Kryeministri francez ishte prekur nga ky spastrim etnik që me siguri i kujtonin karvanet e hebrenjve në kampet naziste të pëqëndrimit që i çonin drejt dhomave të gazit!
Kthimi me helikopter drejt Tiranës i ngjante një skene filmi. Kryeministri francez, që fillimthi ishte ulur krah Islamit, u ngrit dhe kërkoi të ndrohet më pilotin e dytë, i cili i lëshoi vendin, duke marrë kufjet e tij. Ndërkohë helikopteri ushtarak shtoi shpejtësinë dhe iu drejtua luginës së ngushtë. Jopsin mbante timonin dhe drejtonte helikopterin. Kolegu im që ishte pranë meje, ambasadori Christman, hapi sytë i habitur dhe duke buzëqeshur u shtrëngua fort duke u mbajtur pas hekurave të helikopterit. Buzëqeshja e tij ishte e shkurtër pasi pashë që u zbeh në fytyrë. Helikopteri vërtitej më shpejtësi me manovrime tepër të guximshme dhe mjaft afër tokës.
Padyshim, Jospin dukej i gëzuar që kishte takuar kosovarët dhe ushtarët francezë e po kështu politikanët shqiptarë, i vendosur për të ndihmuar gjer në fund shqiptarët e Kosovës dhe kauzën e tyre. Të gjithë e kishin pritur atë krahëhapur. Të gjithë kishin besim se kjo luftë, në sajë të NATO-s do të përfundonte me fitoren e së drejtës dhe të lirisë në Kosovë. Në të njëjtën ditë, të njëjtën gjë kishin shprehur edhe zëvendëskancelari austriak Schuessël, ministri i mbrojtjes së Anglisë Xhorxh Robertson, si dhe gjenerali amerikan Henry Shëlton, kryetar i shefave të shtabeve të ushtrisë amërikane. Shifra e UNHCR që është botouar në të gjitha mediat e botës ka arritur në 371 mijë të deportuar në Shqipëri, 154400 në Maqedoni, 62 mijë në Mal të Zi, etj. Botimi në 30 prill i raportit të “Medecins sans Frontieres” (Mjekët pa kufi) me titullin “Hetim mbi deportimin e shqiptarëve”, e ka tronditur opinionin publik botëror ndërkohë që shumë intelektualë serbë nëpër Evropë, ata që e akuzonin Milosheviçin, tashmë e mbështesnin atë në qëndresën e tij “heroike” kundër bombave të NATO-s. Dëshmitë në këtë raport janë të shumta. Midis tyre dhe një grua nga Prishtina, e cila dëshmonte:
“Në Prishtinë nuk kishin mbetur shqiptarë veçse në qëndër të qytetit. Njërëz të maskuar më armë na detyruan të linim shtëpitë, duke na çuar drejt stacionit të trenit. Një tren i gjatë na priste. Ai u nis menjeherë. Në kufi, ne qëndruam brenda në tren më orë të tëra. Kur portat u hapën ata na thanë të ecnim mes shinave sepse rruga ishte minuar…”