Kastriot Fetahu/
Poezia që sapo lexova, sikur i kishte çekiçë ato rreshtat e dhëmbëzuar si tehu i asaj sharrës së drurit në mësimin e shkronjës “sh” në abetare. Një kandar nga ata me gurë, në mendjen time, bënte gjithmonë atë zhurmën “rrak-shtrak”, njëjtë me atë të atij fshatarit plak që del e shet fiq në fundin e mëhallës e dukej sikur peshonte poezitë e lexuara.
Ajo pyetja se me çfarë maten apo peshohen poezitë më rëndonte gjithmonë si guri i kandarit në fundin e bishtit…
Nuk e kam gjetur dot shpjegimin pse vjetërimi i njeriut është në përpjesëtim të drejtë me zhvillimin progresiv të mendimit filozofik të tij!
– Sa vjeç ishte Chehov kur shkroi “Xhaxha Vanja”? – doja të hiqja mendjen, po përsëri vargjet sharrë të asaj poezie, nuk dija nëse më sharronin, apo godisnin trurin, si një sqep qukapiku në një dru të vjetër…
Mirë që nuk e lexova autoren.
Unë tjetërsohesha sa herë lexoja ca si poezi ku shkronja “ë” mungonte në fund të fjalës dhe shkruheshin me vargje shkronjëmunguar!
Po të ishte ajo poetja e bukur, autorja e kësaj poezie, do e shaja unë?
Jo, jo, atë nuk mundem edhe në turrën e druve të më digjni dhe sikur në vend të kardinalëve të Vatikanit, vendimin ta marrin ata dy këpucarët e vjetër në atë kthinën pranë dyqanit të zarzavateve tē rrugicës sime.
Po… vërtetë pse duhet ta përbuz atë poeten, vetëm pse lexova diçka që i ngjan poezisë, aq sa katrori i ngjan rrethit?
Po sikur ajo ta mësoj këtë e të më thotë se çfarë dështaku jam në pjesën tjetër të jetës apo në shkenca të tjera jashtë letërsisë?
Po sikur të më tregojë se sa i pavlerë jam para Hygo, Pushkin, Marquez, Dickinson, Charles Baudelaire e të tjerë?
Ja që edhe unë jam ca mediokër në boshtin e abshisave për vlerën numerike letrare, që atashohem në të.
Lutem të jem në anën e djathtë të origjinës së tij!
Mu kujtua ai filmi me Hipolitin…
Nënqesha, se popuj të tjerë kanë nxjerrë Nobelistë dhe nuk endin në qiejt e tyre të mendimit të tilla re të ngarkuara me jone urrejtjeje kundër amatorëve.
Qytetërimi është solidaritet, respekt e dashuri, dialogova me vehten!
Pse e minojmë paqen sociale ne??
Po për klimën e komunitetit të krijuesve, të fundit jemi në Europë?
Letërsia është opinion apo shumatore aksiomash?
Po opinioni është e vërteta apo arsyetim variabël në kohëra që lidhen midis tyre me ura?
Limiti në sistemin e referimit të gjykimit të drejtë për vlerat letrare nuk jam unë dhe nuk duhet ta harroj, që të mos zhytem në delirim personaliteti e të bie në pozitat e një narcisti, pasi njësia matëse e mediokritetit është relative dhe jo një etalon i “Louvre Museum”, arsyetova!
Sikur të ishte gjallë Konfuci.
Po Bukowski do të më rreshtonte tek inteligjentët plot dyshime apo do të më degdiste andej nga ata idiotët e mbushur plot vetbesim??
Më kujtohet zysha e matematikës kur ngrinte zërin në klasë, se nuk kuptonin limitin dhe më drejtohej mua ta shpjegoja.
Po unë pse nuk vazhdova matematikën ku shkëlqeja, po kërkoj të provoj se mund të bëhem poet?
Qesha përsëri, se më kishte intriguar gjithmonë ideja empirike, që poetët kanë dashnore të bukura dhe se femrat e bukura nuk i donin as limitet dhe as integralet.
Po… nuk u bëra dot dhe as e gëzova dot këtë benefit.
Mirë se ajo vajza nuk shkruan si duhet, por është e lirë të “zhgarravisë”, me pasionin që ka, ç’të dojë brenda etikës, se ndodhet në “shtëpinë e vet”, po unë ç’ dreqin dua që vjell kundër saj çorbën, që më thartohet në stomakun e mendjes?
“Të shkruash nuk është një variabël ekuacioni eksponencial, po një artificë aforistike e përjashtuar nga teoria e dialektikës së Hegelit”, “shantazhova” vehten për të ndaluar bullizmin kundër platonikëve.
A është poezia monopol i disave??
Ej, sa i madh është treguar Platoni kur ka formuluar arsyen pse shkruajmë poezi!
Dikush në ditën e saj kumtoi që “nuk lexova asnjë varg, se nuk postoi asnjë nga këta poetë…”
Ky sikur të jetë Maoja i ri, që hyjnizon këtë herë “katërshen kineze”!
Sa mirë që nuk jam Poet, po një dashnor fjalësh të ngatërruara midis metafora profanësh dhe krahasime nga ato të fëmijërisë kur dallgën e dija një kafshë më grabitqare se peshkaqeni!?
Kulmi arriti kur dikush tjetër donte të ngjiste malin e kritikës letrare pa qënë as matrioshkë e Sizifit, kur komentonte me shkrim analfabetik si hieroglifet e “Epit të Gilgameshit” te statusi i tij, duke theksuar “na mbytën… injorantët e poezisë”.
Kjo firmos “me gjisht”, mendova, se duket që nuk ka lexuar as “Gjysmagjelin” të ilustruar me figura!
Në USA jetojnë në paqe në diversitet racash.
Kjo është një prej judenjve, që do të gjuante me gurë Jezusin e jo Barabën me verdiktet inkuizitivë që jep për krijuesit.
Kushedi se sa e shëmtuar është në shpirt dhe sa asimetrike duhet ta ketë fytyrën!
-Unë di shumë libra të cilët i kanë mërzitur lexuesit e tyre, por unë nuk di asnjë libër që ka bërë vërtet ndonjë të keqe,- më erdhi në kujtesë kjo thënie e një prej mëndjeve më të ndritura në botë, VOLTERI.
Sa trishtim kur të shajnë “mediokër!”
Po Kadare quhet kështu, krahasuar me Dostojevskin apo Tolstoin??
Përgjigja nuk është një postulat, sepse hipotezohet mbi sisteme referimi dhe përsëri të vërtetat janë relative!
Edhe pika e mbështetjes së levës së Arkimedit nuk është absolute.
Pse Raskolnikov është antihero?
Sa dua të jem si ai, pasi hero nuk u bëra dot kurrë.
Kush jemi ne, që etiketojmë “mediokër” njerëzit me dëshirat pozitive në nivele shprehjeje masovike modeste, duke zbrazur mllefin me një lloj kënaqësie sadiste dhe cinizëm të pafre?
Kritika letrare nuk ka të bëjë me etiketimin e krijuesit në rrjete sociale, por të veprës së tij në forume të caktuara dhe në raporte individësh të vetëpranuar, i fola vetes si për të marrë anën e njerëzve të ekuilibruar, që nuk nxitojnë si mushka në errësirë.
Tani vërtet nuk ngatërroj katrorin me rrethin, po ndodh që edhe unë ndonjëherë kordën e quaj tangjente në poezi!!
Komuniteti i poetëve më ngjan si ai bregu i detit me guralecë, ku asnjë nuk është i njëjtë me një guralec tjetër në madhësi, formë dhe ngjyrë!!
E vështirë për mua, e më keq akoma për këtë të “Gjysmagjelit”, të kuptojmë për ç’ vlerë të “N” targohesh “mediokër” në këtë relacion?!
A nuk janë cilësuar mediokre edhe “produkte” të shkrimtarëve e poetëve të shquar?
Mediokriteti më duket si atmosfera që mbështjell sipërfaqen e tokës dhe… të gjithë kemi kontakt me të!!
Mungesa e dashurisë në shpirtrat tanë dhe frustrimi nga dështimet, mendova, nuk na jep të drejtën ta kompensojmë me pogrome vrastare mbi shpirtrat e brishtë.
Sa i madh atamani Taras Bulba që u bënte ballë pogromeve të panëve polakë!!
Duhet të kërkojmë ekzorcistë për të larguar demonët që na kanë pushtuar, po nuk duhet ti ngatërrojmë me magjistarët fallxhorë horoskopllinj.
Qetësova veten, se të paktën nuk jam ajo që me “shfryrje hipopotamike” mallkon si plakat e xhindosura kur ju thyenim xhamat e shtëpisë, duke luajtur me top në fëmijëri dhe sa keq që as ngjan fare me plakën Nurihan!!
Kur do të zbulohet algoritmi që të dallojë ligësinë e njeriut nga mediokriteti i tij… po vrisja mendjen!
A nuk është më mirë të ketë sa më shumë Poetë dhe sa më pak kriminelë e të korruptuar?
Nuk ka ndodhur që të vrasë ndonjë Poet një grua, po atëherë pse e përçmojmë “mediokër” pjesën që përpiqet të gërmëzoj në “shtëpinë e vet”?
As ai Poeti italian nuk e vrau Xhuliana De Sio te “Dramë dashurie”!!
Një “ushtri” Poetësh na duhet për të rilindur popullin, vazhdova, nisur nga Sigmund Freud që thotë: “Njerëzit nuk e duan vërtet lirinë, sepse liria përfshin përgjegjësi dhe shumica e njerëzve janë të frikësuar nga përgjegjësia.”
A mos ndoshta padashur kam ndihmuar të ndërtohet një sistem aparteidi letrar në këtë rrjet social?
Nëse është kështu, do të më kishte zili edhe vetë Frederik de Klerk, i fundit president aparteidi, që i dorëzoi pushtetin Nelson Mandelës në Pretorian e largët, por ai nuk jeton më.
Vendosa t’i shkruaj asaj poetes, që të mos ndihet si një digë behari për vërshimet e dimrit, por edhe pse dua ta trishtoj De Klerkun, hije në shpirtrat tanë.
Çekiçët dhe sharra… pushuan në mendjen time!