
Prof. Dr. Fejzulla Berisha/
Kundërshtim kombëtar dhe institucional ndaj përpjekjeve për kriminalizimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
I. Qëllimi dhe thelbi i projekt-peticionit
Në emër të së drejtës historike, morale, juridike dhe ndërkombëtare të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje,
Prof. Dr. Fejzulla Berisha, profesor i së drejtës publike dhe të drejtave të njeriut,
ngre këtë Nismë–Projekt Peticion Kombëtar, me qëllim që institucionet e Republikës së Kosovës – Kuvendi, Qeveria, Presidenca, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Universiteti i Prishtinës dhe të gjitha institucionet akademike e publike – ta kanalizojnë këtë iniciativë në mekanizmat kompetentë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ky peticion përfaqëson ndërgjegjen kombëtare, juridike dhe akademike të Kosovës, që synon të mbrojë dinjitetin historik dhe legjitimitetin e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe të denoncojë çdo përpjekje për ta vendosur Lirinë e Kosovës në bankën e të akuzuarve.
II. Liria e Kosovës – rezultat i rezistencës legjitime dhe i ndërhyrjes ndërkombëtare
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është shprehja më autentike e të drejtës së popujve për vetëvendosje dhe rezistencë të armatosur ndaj shtypjes sistematike dhe gjenocidale.
Ajo lindi si reagim ndaj politikës së shfarosjes së kombit shqiptar në Kosovë, e ushtruar për dekada nga regjimi serb, i cili mohoi lirinë, identitetin, gjuhën, arsimimin dhe ekzistencën e popullit shqiptar.
UÇK-ja u mbështet nga populli i Kosovës, nga vullneti ndërkombëtar për drejtësi dhe u përmbyll me ndërhyrjen humanitare të NATO-s në vitin 1999, ndërhyrje që ndali një gjenocid dhe hapi rrugën për krijimin e shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në vitin 2010, konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare, duke përforcuar legjitimitetin juridik të shtetit të Kosovës.
Prandaj, liria e Kosovës nuk është dhuratë politike, por produkt i sakrificës njerëzore, i drejtësisë ndërkombëtare dhe i ndërgjegjes universale për liri.
III. Dhomat e Specializuara – deformim i drejtësisë dhe ndëshkim i lirisë
Dhomat e Specializuara në Hagë, të ngritura mbi raportin e manipuluar dhe politikisht të motivuar të Dik Martyt (2010), përbëjnë një devijim të thellë nga parimet e drejtësisë ndërkombëtare.
Në vend që të shërbejnë drejtësisë, ato janë shndërruar në mekanizma të drejtësisë selektive, ku agresori amnistohet, ndërsa viktima gjykohet.
Në thelb, ato:
-Cenojnë sovranitetin kushtetues të Republikës së Kosovës, duke ushtruar juridiksion jashtë kornizës së ligjit themeltar të saj;
-Kriminalizojnë luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së, duke e barazuar atë me agresionin e ushtruar nga Serbia;
-Krijojnë precedent të rrezikshëm ndërkombëtar, ku luftërat për liri trajtohen si krime, ndërsa shtypësit mbeten të paprekur.
Ky është deformim i drejtësisë, sepse drejtësia që ndëshkon lirinë pushon së qeni drejtësi – ajo bëhet padrejtësi e institucionalizuar.
IV. E drejta ndërkombëtare në mbrojtje të luftës çlirimtare
E drejta ndërkombëtare njeh dhe garanton të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe rezistencë kundër dominimit, okupimit apo regjimeve raciste.
Kjo e drejtë bazohet në:
-Rezolutën 1514 (XV) të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Dekolonizimin (1960), dhe
-Rezolutën 2625 (XXV) për Marrëdhëniet Miqësore ndërmjet Shteteve (1970),
-të cilat sanksionojnë se popujt që luftojnë për çlirim kombëtar kanë të drejtë të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për arritjen e lirisë, përfshirë edhe rezistencën e armatosur.
Në këtë kontekst, lufta e UÇK-së nuk është konflikt etnik apo luftë për pushtet, por rezistencë për mbijetesë dhe dinjitet njerëzor.
Asnjë gjykatë nuk ka mandat moral apo juridik për ta gjykuar këtë të drejtë, sepse ajo është e garantuar nga ndërgjegjja njerëzore, nga ligji natyror dhe nga parimet universale të së drejtës ndërkombëtare.
V. Kërkesat institucionale
Ky Projekt–Peticion Kombëtar kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës:
Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë një Deklaratë Kombëtare për Luftën Çlirimtare të UÇK-së, duke e shpallur atë pjesë të identitetit, sovranitetit dhe legjitimitetit kushtetues të shtetit të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë, të paraqesë një kërkesë zyrtare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për rivlerësimin e bazës juridike dhe legjitimitetit të Dhomave të Specializuara.
ASHAK dhe Universiteti i Prishtinës të themelojnë një Këshill Shkencor–Juridik për Mbrojtjen e Luftës Çlirimtare, me mandat për përgatitjen e memorandumeve akademike, juridike dhe diplomatike ndërkombëtare mbi legjitimitetin e luftës së UÇK-së.
Të gjitha institucionet shtetërore, akademike dhe shoqërore të bashkërendojnë një front të përbashkët moral, politik dhe diplomatik për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
VI. Thirrje për ndërgjegje, unitet dhe përgjegjësi kombëtare
Liria nuk është krim — ajo është themeli i ekzistencës kombëtare.
Ky Peticioni Kombëtar nuk është vetëm shprehje formale, por akt moral, politik dhe historik, që do të shërbejë si dokument institucional i ndërgjegjes kolektive për mbrojtjen e Lirisë, Dignitetit dhe Së Vërtetës së Kosovës.
Në këtë frymë, kjo nismë është thirrje për unitet kombëtar, për bashkim institucional dhe për ringritje të vetëdijes historike të popullit shqiptar, që Liria e Kosovës të mos gjykohet kurrë, por të mbrohet e të nderohet përjetësisht.