Analizë propozim ligjit të ndërtimeve pa leje/
Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/
Të shtihesh se asgjë e keqe nuk ka ndodhur në Kosovë këto shtatëmbëdhjetë (17) vite,në fushën e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Arkitekturës,me lejimin e ndërtimeve pa leje në tërë territorin e vendit, nuk është etike,e ndershme. Në fund të propozohet një draft ligj i tillë,nuk mundet të lenë indiferent ata që me këmbëngulje kërkuan dhe u angazhuan të ketë rend dhe rregull në fushën e ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit ligjorë, ku të gjithë banorët e sajë duhet të ishin të barabartë, çka nuk po ndodhë me këtë propozim ligj për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Po frikohem se kjo qasje jo serioze do të ju shërbej si model,se si mundesh me ndërtuar në të ardhmen në Kosovë pasi askush nuk po sanksionohet por po propozohet e kundërta, po shpërblehen.
Nëse principet e demokracisë keqpërdoren skajshmërisht si në rastin e tendencave për të hartuar një ligj të ri për legalizimin e ndërtimeve pa leje, të cilat u lejuan të bëhen me dekada,atëherë kjo çështje shumë lehtë mundet të kaloi në anarki, pos pasojave afatgjate që po i përjetojmë këto vite të “demokracisë”,ka rrezik real të ndikoi direkt në organizimin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Ndryshe si të shpjegohet rruga që është zgjedhur nga politikë-bërësit tonë që pas 15 vite të aprovojnë një ligj që u tregua i pa zbatueshëm,dështoi në zbatim,kurse tani na ofrohet një propozim i ri i ligjit i cili me mënyrën se si është konceptuar, direkt ndikon në fyerjen e inteligjencës dhe mendjes së njerëzve normal, me të vetmen pyetje si është e mundur që dikush të mendoi kështu,ku do ta dërgon këtë shoqëri kjo formë e të menduarit dhe të vepruarit.
Me sa arrogancë propozohen disa zgjidhje të cilat direkt do të ndikojnë në stabilitetin urban dhe në të ardhmen e kësaj shoqërie,nga na lindi ajo ideja për “Listën e pritjes” e cila në pafundësi do të lejon ekzistencën edhe të atyre ndërtimeve që nga aspekti teknik,pronësor dhe juridik, janë në kundërshtim ekstrem me mjedisin ku janë ndërtuar dhe me principet dhe rregullat që duhet ti kultivonte një shoqëri normale dhe demokratike. Ato ndikojnë direkt në kualitetin e jetës urbane posaçërisht në vendbanimet kryesore dhe në tërë territorin e vendit.
Vetëm shikoni foton e ndërtimeve pa leje në kryeqytet,njeriu normal tmerrohet me atë që ka ndodhur në Prishtinë, me lejimin e ndërtimeve pa leje të cilat një prokurore,zyrtarë i lartë shtetëror, ishte detyruar ti përshkruan kështu: “Kryeqyteti i Kosovës ka mbijetuar luftën gati pa pasoja, mirëpo sipas disa analizave ndërtimet e pasluftës e kanë dëmtuar 75 % të strukturës ekzistuese të qytetit duke përfshirë këtu edhe pjesët e vjetra dhe historike të qytetit“, Situata është e ngjashme edhe në vendbanimet (qytetet) tjera në Kosovë.
Siguria dhe stabiliteti i këtyre objekteve (mbi 400 000) të ndërtuara pa kontroll shtetëror (mbikëqyrje) është kaptinë e veçantë të cilën duhet trajtuar seriozisht pasi është në pyetje jeta e njerëzve të cilët jetojnë dhe veprojnë nëpër ato hapësira. Nuk mjafton vetëm një dëshmi vizuale-sipërfaqësore e profesionistit e cila në Kosovë është formale, duke e ditur se askush deri me tani nuk ka dhënë përgjegjësi,që të legalizohet një objekt. Sot ka metoda dhe mjete që e vërtetojnë stabilitetin statik të objekteve, të cilat domosdo duhet aplikuar për të dokumentuar sigurinë e tyre nga ndikimet e ndryshme si janë tërmetet. Çështje thelbësore është se kush ka fuqi monetare ti paguaj ato ekzaminime që kushtojnë.
E kamë theksuar disa herë se nuk zgjidhet kjo problematikë me një ligj të ri pasi i kaluari dështoi. Kjo problematikë është shumë ma komplekse, duhet analizuar dhe ri-shqyrtuar shkaqet përse u injoruar ligji aktual nga ata që kishin ndërtuar pa leje,përse numri i atyre që aplikuan për legalizim ishte simbolik,vetëm 2493 veta ma pak se 1%,nga numri i përgjithshëm i të paraqiturve në 28 komuna që është zyrtarisht 352 836 raste. Në thelb është mos gatishmëria e vendimmarrësve tonë me e zbatuar ligjin,blerja e kohës deri sa të “harrohet” kjo çështje dhe të jetësohet në praktikë ky realitet që vetë e kanë lejuar,është qëllimi përfundimtar i tyre.
Një koment i një lexuesi të një shkrimi timin kritik lidhur me trajtimin e ndërtimeve pa leje më ka detyrua të mendoi shumë se si ne po tentojmë që me ligj të zgjidhim këtë plagë që e ka katandisur Kosovën. Ai më shkruan “ Nuk duhet qe ai qe e ka ndërtuar një objekt pa leje te kërkoje legalizim,por duhet qe pushteti ne këtë rast komuna te e vendose cili objekt legalizohet e cili jo. Dhe ai qe nuk legalizohet ai rrëzohet. Komuna e legalizon objektin dhe ia dërgon faturën qe ndërtuesi dmth pronari te e paguaj. Nëse nuk e paguan duhet konfiskuar objektin,edhe u krye. E jo me lutje …a po donë me legalizua,çfarëdo vendim i tjetër është marrëzi.” Me këtë qëndrim është ndërthurur e tërë filozofia e funksionimit të një shteti të pretenduar demokratik. Natyrisht një qëndrim të tillë duhet me ia përshtatur rrethanave të reja të krijuara, në princip duhet pasur qasje të ngjashme konstruktive e jo me luajtur me jo seriozitet me ndjenjat e shumicës së banorëve të ndershëm të Kosovës.
Si të arsyetohet çmimi simbolik i taksave të legalizimit,si të iu shpjegohet banorëve të banesave ku ka pasur mbindërtime të dhunshme (neni 18), se ai uzurpator i pronës private në ndërtese me leje,pos atyre maltretimeve fizike,psikologjike,sociale që në vazhdimësi iu ka krijuar banorëve rezident, do të paguaj taksë komplet deri në 500 euro për atë ndërtim edhe se atë e ka ndërtuar mu në qendër të kryeqytetit, ku m2 sot shitet 2500-3000 euro. Gjithsesi ata uzurpator duhet detyruar të paguajnë edhe hapësirën e shfrytëzuar- uzurpuar për ndërtim,nëse dëshirohet të ketë drejtësi sociale dhe urbane. A kanë menduar këta me mendje të shëndoshë që po tentojnë të legalizojnë krimin urban dhe financiar, pa u brengosur për sigurinë e banorëve të tyre. Kjo formë arbitrare e punës me siguri do të ketë reaksione zingjirore me pasoja të pa parashikueshme për gjeneratat e ardhshme.
Duke e analizuar ketë propozim ligj dhe përmbajtjen e tij me shumë kontradikta dhe lëshime substanciale, me përfitime të pa imagjinueshme për ata që nuk i kanë respektuar ligjet,normat dhe standardet e ndërtimit dhe dokumentet hapësinore dhe urbane të shteti, duke ndërtuar kudo ku kanë dashur e mundur,pa kontroll shtetërorë,duke rrezikuar sigurinë dhe kualitetin e një jete normale urbane,njeriu mbetet pa fjalë. Për të gjitha këto ata po shpërblehen në vend që së paku të kenë pasoja materiale,të paguajnë taksat si ata të paktët që ndërtuan duke i respektuar rregullat dhe ligjet që i kërkon jeta e dinjitetshme urbane në një mjedis,si me u arsyetuar ndaj atyre a ka menduar dikush ?
Tek tani pas 17 vite po konstatojnë se ligji ekzistues i aprovuar para dy vite po na del i mangët dhe duhet me bërë ligj të ri, e kështu në vazhdimësi. Si duket zgjidhja shihet në shtyrjen e problemit në pafundësi,me përpilimin e ligjeve të reja. Nga ajo çka është propozuar në këtë propozim ligj për mënyrën e legalizimeve, shumë çështje janë të pa pranueshme me pasoja të mëdha në të ardhmen,me krijimin e ndasive të mëdha sociale,me mos dëgjueshmërinë qytetare,mos respektimin e ligjit,me humbje të mëdha materiale etj.
Ka kërkesa absurde në këtë ligj të cilat askujt nuk do ti shërbejnë,për atë çdo garniturë e re ekzekutive (Ministër) do të prolongoi dhe shtyjë procesin në pafundësi, duke propozuar dhe aprovuar ligje të reja. Ky do të jetë fati i të gjitha atyre ndërtimeve pa leje në Kosovë, me pasoja të mëdha dhe të pa riparueshme në të ardhmen.
Do të tentoi të iu rikujtoi vendimmarrësve Kosovar,e posaçërisht Komisionit Parlamentar për Bujqësi,Pylltari dhe Planifikim Hapësinor dhe Delegatët e Kuvendit të Kosovës,të cilët do ta aprovojnë ketë ligj,me pasojat që do të rrjedhin nga ky ligj nëse aprovohet,e që do të ndikojnë direkt në ecurit e ardhshme negative në fushën e ndërtimit. Më duhet të apostrofoi disa çështje elementare dhe kryesore që janë përfshirë në këtë projekt ligj e munden të kenë konotacione të pa pranueshme si :
- Në “ Kapitullin I ” duke u thirrur në Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës të vitit 1974 (neni 81, paragrafi 1) dhe Ligjin për tokën ndërtimore Gazeta Zyrtare KSAK, Nr14/80 me ndryshim plotësimet,lejohet apo mundësohet të kërkohet legalizim njëjtë si të ishte ndërtimi i ndodhur në parcelë për të cilët kanë të drejtën e shfrytëzimit,pa precizuar se cili nen i Ligjit lejon një gjë të tillë,apo me dokumentuar përse duhet bërë legalizimin,pasi nuk ka ligj në botë që lejon një gjë të tillë. Tjetër është përse ne i lejuam këto ndërtime për shtatëmbëdhjetë (17) vite.
Nuk zgjidhet kjo problematikë me ligje të veçanta por me zbatimin e atyre ekzistueseve ose eventualisht me rregullore adekuate në raste specifike si ishte lufta e fundit.
- Në nenin 3 të shpjegimit të përkufizimet,pika 1.27 hasim në një term të sajuar “Lista e pritjes” – listë e ndërtimeve pa leje që do të identifikohen përmes këtij ligji dhe trajtohen sipas iniciativave plotësuese. Kjo rrënjësisht do të ven në dyshim karakterin e trajtimit, me tendencë të hapët për ti legalizuar,mos me i trajtuar kurrë, edhe ato ndërtime në pronë publike të uzurpuara, në pronë shoqërore, në toka bujqësore nën komasacion dhe nën sistem të ujitjes, zona të mbrojtura, sipërfaqe të mbrojtura, sipërfaqe të veçanta të mbrojtura, zona të veçanta dhe korridore të infrastrukturës,që kurrsesi nuk duhet lejuar pasi kurrë nuk do të kemi rend dhe respektim ligji në fushën e ndërtimit.
- Jam kureshtar të di cili dhe si do të duket ai programi të cilin do ta miraton Qeveria brenda tri (3) viteve pas rekomandimeve të KOMTETIT (si në kohën e komunizmit). Cilat do të jenë ato programe,në çka do të bazohen,si do të trajtohen ato ndërtime të cilat substancialisht do të pengojnë titullarët e tokës private,publike shoqërore, apo ndërtimet mbi instalime ndryshme.(neni 4 pika 9 ).
“Lista e pritjes” mundet të jetë edhe pos tri vite pasi nuk ka afat përmbyllës, e me atë edhe mos trajtimi final i dhjetëra mijëra objekteve pa leje.
- Askund nuk është precizuar përmbajtja e dokumenteve që duhet plotësuar për legalizim (neni 8 pika 1,përkufizimi 1.1.) apo (neni 15 pika 2.) dhe rastet tjera në nenet 16,17,18, 19 dhe 20.
- Këtu është esenca e tërë kësaj qasje të rrezikshme ndaj ndërtimeve pa leje ku”Lista e pritjes” do të shërbej si mburojë e tyre në pafundësi,me fjalë të tjera ky nen i përkrah të gjitha format e krimit të organizua në fushën e ndërtimit (neni 11).
- Pa marrë parasysh cilës kategori i takojnë të gjitha objektet duhet trajtuar njëjtë.(neni 13 pika 3).
- Në nenet 15,16,17,18 aktet nënligjor që duhet nxjerrë nga Ministria nuk e kanë të definuar kohen e lejuar me nenin 27 të këtij ligji.
- Në nenin 17 pika 5.4 inspektimet nuk guxon ti bëjnë profesionistët e angazhuar nga pronari,ky është konflikt klasik interesi.
- Në formulimin e nenit 20 kamë vetëm dy pyetje: Kush i paguan shpenzimet për ata që nuk paguajnë ? dhe Në emër të kujt lëshohet leja e legalizimit ?
- Neni 21 pika 1- Konfuz në kundërshtim me nenin 1 pika 1.1.
Pika 2 –Vetëm dëshmi- vërtetim nga Komuna,vërtetimet tjera mundet me pas ndërhyrje abuzive.
- Neni 23. pika 1-Ndërtimet në vijim nuk kërkohet të paguajnë taksë për legalizim:
Pika 1.1 – Kurrsesi nuk duhet lejuar këtë,mundet të ketë keqpërdorime,duhet kuptuar përse paguhen taksat.
Pika 1.4 – Ka shumë ndërtime të ndryshme pa leje ndërtimi të ndërtuara në këtë periodë nga viti 1999-2004 ,çka me bërë me ato,pos atyre nga pasojat e luftës,a me i liruar edhe ato nga pagesat ? Ketë nuk duhet lejuar.
Pika 6—“pse paratë nuk do të kthehen”,- A ka logjik kjo
- Mungon neni 25
- Neni 27 pika 4 “Afatet nga ky nen nuk zbatohen për programe për trajtimin e ndërtimeve në Listën e Pritjes” Kjo nënkupton se “Lista e pritjes” do të ekziston në PAFUNDËSI.
- Neni 28 Aktet nënligjore të cilat duhet përpiluar MMPH-ja nuk janë të precizuar-definuar apo caktuara,si për shembull në rastet e cekura ma larë apo nga nenet 15, 16, 17, 18.
Këto ishin vetëm disa sugjerime nga analiza e bërë draft ligjit të propozuar i cili në fazat e ardhshme duhet të pësoi ndryshime edhe të tjera, pasi qasja për zgjidhjen e kësaj problematike është e pa pranueshme dhe tendencioze. Besoi se këtë herë do të ketë debate publike të shqyrtimit të tij, e mos të ndodhë si herën e fundit në vitin 2013-2014,kur u miratua ligji i kaluar nr. 04 / L – 188.
Për të trajtuar këtë problematikë komplekse e cila është si kancer në indin urban të qyteteve dhe vendbanimeve tona, është dashur bëre kategorizimin e ndërtimeve ilegale pasi këto grupe secili i ka specifikat e veta,e jo ashtu si parashihet në ligjin e ndërtimit për objektet të cilat duhet ndërtuar në të ardhmen. Duhet bërë klasifikimi e atyre ndërtimeve pa leje në:
- Objekte banimi individuale private në pronën e vet,që janë detyruar të ndërtojnë pa leje edhe se kanë parashtruar legalisht kërkesa për ndërtim.
- Objekte banimi individuale private në pronën e vet.
- Objekte banimi individuale private në pronën e huaj të uzurpuar publike, shoqërore,private etj.
- Objektet e banimit në hapësirat e uzurpuara të banesave ekzistuese – mbindërtimet – ndërkulmet.
- Objekte banimi të përbashkëta në prona të ndryshme-publike,shoqërore,private, në toka bujqësore nën komasacion dhe nën sistem të ujitjes, zona të mbrojtura, sipërfaqe të mbrojtura, sipërfaqe të veçanta të mbrojtura, zona të veçanta dhe korridore të infrastrukturës.
- Objekte me funksione të ndryshme-polivalente në prona të ndryshme,
- Objekte me funksione të ndryshme-që janë në konteste pronësore të pa zgjidhura në
- Raste tjera specifike.
Mos të mendojnë këta zotëri se në këtë mënyrë mekanike do të fillojnë të zgjidhin problemet e krijuara me ndërtimet pa leje,vetëm me konstatimin se ligji i vitit 2014 ishte i keq. As ky draft ligj nuk do të jetë ma i mirë,tani apetitet me vazhduar kjo jo – ligjshmëri do të rriten,shteti me sjelljet e veta pasive po e mundëson ketë. Vazhdimësia me këtë qasje do të zgjat deri sa të “harrohet” kjo çështje. Gjeneratave të reja do të iu servojmë këtë trashëgimi urbane të shëmtuar me të cilën do të kenë probleme në vazhdimësi. Mallkimi ynë nuk do të mjafton me ndryshuar situatën, kërkohen veprime konkrete edhe të dhimbshme.
Nëse do të miratohet ky propozim ligj,athua kënd mundesh me bindur se edhe në të ardhmen nuk do të kemi ndërtime pa leje pasi kjo formë e ndërtimeve po paguhet, më çmimet e taksave disa herë ma të lira nëse aplikon me ndërtuar me leje. Kjo formë skajshmërisht do të dëmton ata që janë të prirë me zbatuar ligjet e shtetit të tyre,është mënyre perfekte se si nuk duhet vepruar shteti,stimulon vazhdimësinë e jo ligjshmërisë dhe anarkisë.
Një çështje do të jetë e sigurt,gjeneratat e ardhshme do të jenë të detyruara të bëjnë rehabilitime urbane të domosdoshme, kostoja e të cilave do të jenë shumë ma të mëdha se përfitimet e parapara nga legalizimet e propozuara me çmime simbolike. Duhet analizuar situatën se a ia vlen të zbatohet kjo formë e propozuar e legalizimit të ndërtimeve pa leje,ku shteti do të jetë humbës i madh nga aspekti material e për pasojat tjera as që mundesh me imagjinuar. Në një mënyrë po shpërblehen me benificione të pakuptimta atë që kanë ndërtuar pa leje,që nuk e kanë respektuar ligjin dhe shtetin. Si me u arsyetuar ndaj atyre që kanë respektuar ligjet e ndërtimit dhe kanë ndërtuar me leje.
Disa metoda të legalizimeve janë treguar efektive në botë në kohëra të ndryshme,ato u anashkaluan me qellim në rastin tonë,përse nuk u bënë hulumtime ma detale për të përfituar nga ato eksperienca. Rrënimet nuk janë zgjidhje, posaçërisht të atyre të banimit – strehimit të cilat janë të mbrojtura me konventa ndërkombëtare,ato duhet të bëhen vetëm në rastet ekstreme. Kjo dukuri e shëmtuar,jemi të vetëdijshëm,do të ketë pasoja të rënda në proceset socio-demografike,mbrojtjen e mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore,për atë është i domosdoshëm çrrënjosja e fenomenit me metoda demokratike,pa dhunë,me punë dhe vetëm me punë profesionale.
Duhet të pajtohemi me fatin tonë,duhet me iu treguar gjeneratave të ardhshme se si kemi jetuar,vepruar e besa edhe toleruar shumë çështje urbane që nuk duhej bërë. Nuk duhet lejuar që shoqëria jonë (shteti) të pësojë edhe ma shumë materialisht me rrënime. Jam i bindur se gradualisht do të vinte vetë te ndërrimi i titullarit të objekteve dhe pronës me aplikimin e atyre metodave të legalizimit të sprovuara në botë. Në një mënyrë do të ndëshkoheshin të gjithë ata që nuk i respektuan ligjet e ndërtimit të kohës,e jo me këso propozime të pa pranueshme të shpërblehen.
Prapë edhe një herë apeloi të kokat e pakta progresive në Kosovë që me forcën e argumenteve të senzibilizojnë opinionin me pasojat dhe të kundërshtojnë,të stopojnë këto veprime të dëmshme për të ardhmen e gjeneratave të reja. Uroi që kjo formë,e papranueshme nga aspekti profesional,të zgjidhjes së problemeve të ndërtimeve pa leje,të jenë të fundit. Kjo shoqëri duhet të frymoi dhe respektoi të gjitha ligjet aktuale të fushës Planifikimit Hapësinor dhe Urban, dhe së në të ardhmen të ndërtoi sipas normave dhe standardeve të ndërtimit,ashtu si vepron e tërë bota e civilizuar.
Prishtinë : arch. Ylber Vokshi-Ylli
24.09.2016
arkitekt i pavarur
ylberv@yahoo.com
Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)