• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A duhet mbrojtur monumenti i Bashkim Vllaznimit në Prishtinë

March 21, 2018 by dgreca

Ylber-Vokshi-Ylli-210x160

Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/

Pik së pari duhet hulumtuar dhe analizuar kur,ku dhe përse u ndërtua ky monument në këtë lokacion, që nga aspekti urbanistik i ka shkaktuar dëme të mëdha funksionimit normal të kësaj zone të qytetit të Prishtinës. Me atë zgjidhjen ”famoze“ urbanistike të atyre viteve revolucionare komuniste, nën moton “të rrënojmë të vjetrën të ndërtojmë të renë”,është bërë krimi ma i madh urban i asaj qyteze që ishte emëruar kryeqytet i Kosovës. U rrënua mu bërthama e qytetit të vjetër për të ndërtuar infrastrukturën e re administrative dhe politike, për të ia humbur gjurmët dhe identitetin urban të krijuar me shekuj. Ky plan ogurzi u realizua me sukses, pa guxuar dikush të kundërshtoi,e sot në shumë shkolla të arkitekturës analizohet dhe trajtohet si shembull i keq në fushën e urbanistikës së qytetit.

Mu në këto vite (1961) u sajua sheshi dhe monumenti i Bashkim Vllaznimit, duke ndërprerë rrugën apo aortën natyrore komunikuese që ekzistonte në atë zonë të qytezës, në mes të pjesës lindore (Vellushë-Germi ) dhe asaj perëndimore ( Tophane-Arbëri), që edhe sot i ka pasojat e veta duke krijuar një fyt të ngushtë komunikacioni në trafikun automobilistik në mes të atyre dy pjesëve të qytetit, Me “baj-pasin” e krijuar rreth objektit të Komunës së Prishtinës, sot kur është shumëfishuar komunikacioni,  paraqet një pengesë të madhe që me procesin e rehabilitimit urban të asaj zone duhet seriozisht trajtuar dhe zgjidhur.

Zgjidhja ma e preferuar do të ishte kthimi i rrugës komunikuese të dikurshme që lidhte këto dy pjesë të qytetit e që dhunshëm e ndërpre me ndërtimin e sheshit, që nënkupton dislokimin e monumentit dhe ri-dizajnimin e asaj zone me kapacitetet reja të dizajnit urban. Lidhshmëria në mes të Komunës dhe Kuvendit të Kosovës mundet të arrihet me forma tjera që do të rrjedhin nga rehabilitimi urban i asaj zone.

Jam përkrahës i madh i vlerësimit  dhe mbrojtjes së identitetit urban të krijuar me shekuj. Nuk do të thotë se çdo objekt i vjetër apo përmendore të ka vlera arkitektonike,artistike apo historike,e aq ma pak që atribute të tilla të kenë monumentet apo përmendoret ideologjike të një kohe të caktuar,të cilat vdesin dhe zhduken së bashku me përfundimin e ideologjisë si në rastin konkret asaj komuniste,pasi që u treguan të pa qëndrueshëm në kohën e sotme. Mbrojtja e tyre me çdo kusht,si po tentojnë disa,duke u thirr në disa vlera jo të qëndrueshme, mundet të ketë efekte të pa dëshirueshme negative.

Natyrisht ato monumente që  kanë vlera të pa kontestueshme artistike janë shpallur si monumente në mbrojtjen e shtetit dhe është vështirë të zhvlerësohen nga dikush tjetër. Në rastin konkret monumenti i Bashkim Vllaznimit as që është vlerësuar si i tillë, edhe se sipas disave  ka vlera artistike. Dilema profesionale ende ekziston se sa   ky punim është punuar për këtë mjedis apo është katapulltuar nga ndonjë projekt tjetër, që ka qenë dukuri normale në ato kohëra.

Në atë zonë të sheshit në perimetrin mbrojtës, gjinden edhe rrënojat të disa objekteve (Hamamit të vogël, Xhamia e Çarshisë,një shtëpi karakteristike) të cilat janë në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme shtetërore të MKRS. Është i domosdoshëm sinkronizimi i hapave të ardhshëm me Ministrin.

Një është e sigurt kthimi i rrugës së vjetër që sot do të lidhte rrugën “UÇK” me atë “Nazim Gafurri” me modifikimin e udhëkryqit ekzistues,me shpronësime simbolike, nuk do të pengonte askënd e në anën tjetër do të çlironte komunikacionin automobilistik në të gjitha drejtimet.

Janë të njohura raste të shumta në botë që për interesa madhore janë dislokuar   edhe objekte nën mbrojtje, e në rastin konkret kemi të bëjmë me një përmendore që është menduar ti shërbejë propagandës agresive politike të  vëllazërim bashkimit,i ndërtuar në vitin 1961, mu në kohën kur represioni ndaj popullatës shumicë shqiptare të Kosovës kishte mbërritur kulminacionin e vet, nga regjimi ushtarako policor sllavo komunist (koha e Rankoviqit ).

Nostalgjikët e asaj kohe kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e asaj përmendoreje duke u thirrur në memorien historike apo disa vlera tjera, që pushteti i asaj kohe ka tentuar ti propagoi me të gjitha mjetet e mundshme. Por kur ato u imponuan me dhunë dhe represion,si e tregoi realiteti i ma vonshëm në Kosovë, atëherë atë periodë nuk duhet vlerësuar pozitivisht,aq ma tepër që ky monument nuk është vlerësuar të jetë në listën e monumenteve të mbrojtura nga shteti.

Krejt çka mundet me u tolerua sot është dislokimi i tij në një lokacion tjetër së bashku me simbole tjera të kohës,që do të iu shërbente hulumtuesve, historianëve, nostalgjikëve,turistëve dhe të tjerëve me i studiuar dhe analizuar atë kohë të kaluar, që ma së miri shpjegohet me anën e këtyre përmendoreve të së kaluarës tonë,e jo me insistime të pa qëndrueshme të kërkojnë frenimin e proceseve progresive dhe të dobishme urbanë në atë pjesë të qytetit me rikthimin e rrugës,që për momentin është i domosdoshëm.

E sa i përket  emërtimit të asaj hapësire sheshi  “Adem Jashari” kjo tregon miopin politike të atyre që sipërfaqësish japin ose marrin vendime të tilla që ma së paku e ka merituar personaliteti i tij që e flijoi jetën për lirinë e Kosovës. Vendi adekuat i një sheshi të tillë duhet definuar dhe caktuar pas një pune profesionale të ekspertëve të urbanistikës dhe të tjerëve,që në Kosovë u tregua si nocion i huaj në fushën e urbanistikes dhe planifikimit hapësinor në shekullin 21.

Mobiliari urban pjesë e të cilit janë edhe monumentet ideologjike të një kohe të kaluar, si është monumenti i dedikuar idesë së Vëllazërim Bashkimit në qendër të Prishtinës i quajtur “Monument dedikuar Luftëtarëve të Rënë”,do  të zhduket ashtu si  ka ndodhur me skulptura dhe përmendore të ndryshme në të kaluarën. Kjo ka ndodhur në Ballkan pasi pa kurrfarë  kriteresh janë vendosur përmendore ideologjike duke  i zëvendësuar ato të kaluarat, duke mos menduar në qëndrueshmërinë kohore të tyre.

Frikohem se fatin e ngjashëm do ta kenë edhe shumë përmendore dhe monumente nga lufta e fundit në Kosovë pasi të kalon euforia çlirimtarë, pasi janë ndërtuar dhe vendosur në lokacione të ndryshe pa analiza hapësinore dhe urbane, e që do të tregohen të pa qëndrueshme me kohën.

Ndërmarrja e domosdoshme e këtyre ditëve e Komunës së Prishtinës në sanimin sipërfaqësor të shkallëve dhe platos së sheshit sipas trendeve aktuale në botë, pa ndryshuar pozitivisht asgjë,sipas kërkesave dhe nevojave të kohës, tregon pa aftësinë tonë dhe mos guximin për të ndërmarrë diçka pozitive për të mirën e të gjithë neve, pa cenuar principet ndërkombëtare të planifikimit urban,që në rastin konkret kishte mundësi,e që i apostrofova në këtë shkrim. Prandaj reagimet publike që u plasuan në tregun mediatik këto ditë nga individët dhe asociacionet e ndryshme,nuk janë të qarta se për çka po polemizohet kur asgjë nuk po ndryshon nga koncepti komunist i para gati 60 vite.

Veprime të tilla kemi edhe në disa raste tjera në Prishtinë dhe qytete tjera,kjo formë e punës dhe mos punës po na hakmerret në kualitetin e jetës urbane edhe ashtu të varfër në Prishtinë dhe Kosovë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Bashkim-Vllazrimi

Prishtina dhe zgjedhjet lokale 2017

October 17, 2017 by dgreca

Ylber-Vokshi-Ylli-210x160

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/Të jesh spektator dhe të torturosh vetveten me debatet, nëpër studio të ndryshme televizive, në mes të kandidatëve potencial për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale 2017 që do të mbahen në këtë fundjavë tetori,është një maltretim psikik,një formë e fyerjes së inteligjencës personale dhe profesionale që ma në fund pas 18 vite duhet me e ndryshuar me forcën e argumenteve realiste me vota. Duke e marr në konsideratë realitetin e jetës në Kosovë të cilin e ka krijuar mu kjo klasë politike, e cila prapë po tenton që me premtime diametralisht të kundërta me mundësit reale të shoqërisë të mashtroi elektoratin.Po përcjelli këto ditë një fushatë të shfrenuar partiake aspak të bazuar në gjendjen reale të cilën banorët e Prishtinës janë duke e vërejtur,përjetuar,duke e prekur,janë duke e ndie ma së shumti në lëkurën e vetë dhe janë shumë të brengosur me atë se çka po iu premtohet atyre dhe gjeneratave të ardhshme. Po iu ofrohet apo  servohet  një jetë konfuze, e pa sigurt, e pa perspektivë,me projekte jo realiste të cilat në të shumtën e rasteve as që janë kompetenca të  Komunës .Do të fokusohem në fushatën zgjedhore që po zhvillohet në kryeqytet pasi konsideroi se ajo është barometër i të gjitha zhvillimeve nëpër Komunat tjera në Kosovë. Pa kurrfarë dileme, funksionimi i një vendbanimi është i ndërlidhur direkt me posedimin apo përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane. Me zbatimin e tyre korrekt dhe profesional edhe situata e mirëqenies së popullatës do të ishte ma e mirë, Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur këto vite në Kosovë.

Një e arritur e qeverisjes aktuale në Prishtinë është fillimi i zhdukjes së frikës ndaj pushtetit, që ndaj shqiptarëve është kultivuar me shekuj,nga sunduesit e huaj e besa edhe nga ata vendor pas vitit 1999. Transparenca dhe llogaridhënia kanë filluar të japin rezultatet e para fillestare pozitive,zyrtarët shtetëror dhe Kryetari i kryeqytetit po trajtohen si personalitete të thjeshtë e jo si ”njerëz të fort të hyqymetit”.

Të bërit kryeqytet ka filluar të jetësohet edhe se me vështirës të mëdha pasi detyrimi me iu përmbajtur disa rregullave (ligjeve) që i imponon jeta e përbashkët urbane për disa është shumë e vështirë. Janë këto të arriturat fillestare,që para disa viti as që mundeshe ti imagjinoje, natyrisht ndaj këtyre ndryshmeve pozitive kishte,ka dhe do të ketë kundërshtime  të ndryshme. Forma klasike e sabotimit dhe bllokimit të proceseve të ndryshme është tërësisht e pa pranueshme, pasi humbësit ma të mëdhenj do të jenë vet qytetarët e kryeqytet. Kjo ka ndodhur këto vite sipas zyrtarëve komunal, shpresoj se ma në fund do të kuptojnë se aty ata duhet të jenë si shërbyes të popull e jo me i trajtuar kundërshtarët politik si armiq politik.

Duke u nisur nga gjendja reale-faktike e cila vërehet-shihet në zhvillimet urbane në kryeqytet,pa u thirrur apo bazuar në ato “teoritë konspirative”,thashë thënat, dyshimet,supozimet të cilat nuk munden me u dokumentuar me fakte reale,atëherë e ndiej vetën të lirë të jap qëndrimet e mija profesionale lidhur me situatën reale urbane në kryeqytet. Ashtu si është,si e kanë keqpërdorur gati të gjithë që e kanë pasur mundësinë në pushtetin komunal, si dhe bashkëpunëtorët e shumtë nga të gjitha partitë politike pa përjashtim. Koha tregoi se për zhvatje,keqpërdorime të shumta,ndërtime pa leje,mos respektim të rregullave shoqërore dhe ligjore të gjithë bashkohen,janë një.

Pas zgjedhjeve të fundit po vërehet një frymë e re, të cilën për me e përjetësuar tërësisht duhet kohë e gjatë dhe punë e mundimshme permanente, pasi ndryshimi i mendësisë së të jetuarit në një mjedis urban kërkon edukim të ri, në një  mjedis të ri në kryeqytet, pasi mënyra tradicionale e jetës në fshat tërësisht ndryshon.

Në Prishtinë pas luftës ndodhi vërshimi i pa kontrolluar i popullsisë nga të  gjitha anët e Kosovës dhe diasporës,lehtë të manipulueshëm  me premtime zgjedhore tërësisht të pa realizueshme,pasi nuk kanë bazë të qëndrueshme pik së  pari në dokumentet hapësinore dhe urbanë realiste,që i mungojnë kryeqytetit. Në thelb ma shumë iu ngjasojnë “fontanave të dëshirave” se sa projekteve të analizuara dhe të shkoqitura nga planet rregulluese të hollësishme ,që duhej ti kishte Prishtina.

Ky nivel i votuesve është lehtë të mashtrohet pasi të dy palët nuk besojnë se duhet respektuar dokumente hapësinore dhe urbane, të cilat në të kaluarën janë keqpërdorur me të madhe nga ana e pushtetarëve,dhe se do të vazhdohet të punohet me të vjetrën. Kjo lehtë vërehet nga sjelljet arrogante dhe premtimet jo realiste elektorale të disa pretendentëve për kryebashkiak.

Sa të pa informuar janë disa kandidat për kryetar të Prishtinës dhe këshilltarët e tyre,as që e dinë se për çka duhet punuar Hartën Zonale të Komunës, e disa deklarojnë publikisht se duhet pasur disa Harta zonale !  Ato sipas tyre është dashur punuar në vitin 2014 pa e ditur se ajo është e pa mundur, pasi Udhëzimi Administrativë për përmbajtjen e sajë Ministra e ka bërë publike në muajin e dhjetor të vitit 2015, pas gati 3 vite.

Është interesant se si  opozita në asamblenë komunale e ka pasur adut kryesor politik mos përpilimin e Hartës Zonale duke mos i ditur procedurat teknike. Me vetëdije apo pa atë, ata ishin pjesëmarrës aktiv në bllokimin e vazhdimësisë të aprovimit të planeve rregulluese të parapara edhe me ligjin aktual,të përgatitura për miratim për disa zona në kryeqytet. Nuk duhet apstrahuar faktin se Ministria edhe me ligj ka krijuar një bllokadë totale të procesit të planifikimit hapësinorë në tërë territorin e Kosovës, me ligj ka lejuar vazhdimësinë  e ndërtimeve jo ligjore që kishin filluar që nga viti 1999.

Ti referohemi Hartës Zonale, me anën e të cilës duhet të zgjidhen të gjitha problemet urbane është vetëm një mashtrim elektoral i votuesve,pasi përpilimi teknik i ati dokumenti hapësinor kërkon shumë kohe dhe ekspertizë e cila ka munguar në Prishtinë këto 18 vite. Problem edhe ma i madh do të jetë zbatimi i saj pasi në Prishtinë ka pasur degradime të pa rehabilitushme. Duhet ndryshuar mendësinë urbane së pari të politik-bërësve tanë e pastaj popullit, proces i cili kërkon kohë me dekada me ndryshuar filozofinë primitive jetësore të këtij mileti.

Në këto vite ne i kemi treguar botës së civilizuar se nuk dimë të urbanizojmë edhe zona të lira të qytetit,duke bërë keqpërdorime dhe abuzime të rënda, si ishte lagjja “Mati 1”, kurse Ministria (MMPH) tek pas 6 vite padit Komunën e Prishtinës për lejet ndërtimore,në kohën e fushatës zgjedhore,a thua për çka ekziston kjo Ministri . Kjo qasje e shtetit ndaj problematikës urbane është shqetësuese dhe në njëjtën kohë dëshpëruese se ku e kanë katandisur popullin e vetë këta njerëz që me pa përgjegjësi ekstreme kanë vepruar këto vite në shekullin e ri.

Ndërtimet pa leje nuk janë kompetencë ekskluzive e komunave ato duhet trajtuar sipas ligjit të cilin e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës,çdo premtim i kandidatëve për kryetar të komunës si për taksën e legalizimit dhe kriteret tjera për legalizimin e objekteve pa leje ndërtimi, është mashtrim klasik i votuesve dhe si i tillë duhet sanksionuar me votë. Gjithashtu premtimet elektorale se do të rehabilitohen disa lagje apo do të ndërtohen unazat e kryeqytetit, janë jo realiste,atë nuk kanë arritur ti realizojnë edhe shoqëritë shumë ma të pasura,ato intervenime kushtojnë shumë,do të mbesin ashtu si relikte të një kohe kur nuk ka funksionuar ligji, për të iu treguar pasardhësve tonë se si është jetuar në Prishtinë në fillim të shekullit 21.

Prishtinë                                                                             *arch. Ylber Vokshi -Ylli, 17  tetor 2017                                                                                   arkitekt i pavarur-   ylberv@gmail.com-Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Prishtina dhe, zgjedhjet lokale 2017

Pse Kosova nuk aplikoi në UNESKO

October 13, 2017 by dgreca

epa06261122 (FILE) - View of the UNESCO's great conference room during the 38th session of the United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO) General Conference at the UNESCO headquarters in Paris, France, 09 November 2015 (reissued 12 October 2017). According to reports from 12 October 2017, diplomats said the USA were planning to withdraw from the UNESCO. The withdrawal is seen as a response in protest against the full membership to the United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO) granted to Palestinians. EPA-EFE/CHRISTOPHE PETIT TESSON

Nga  arch. Ylber Vokshi -Ylli/

Sa në shikim të parë dukej befasi mos aplikimi  Kosovës për tu anëtarësuar në UNESCO, edhe ma neveritës ishte shpjegimi i MPJ ( Ministria e Punëve të Jashtme ) që e ndërmori një hap të tillë për ta shtyrë aplikimin për anëtarësim. Që të jetë ironia edhe ma e madhe njoftohemi se ky veprim është ndërmarrë në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të Kuintit. A thua përse këto shtete u ”detyruan” të na mbështesin,përse nuk tregohen shkaktarët e vërtetë të kësaj situate nënçmuese që vet ne e kemi krijuar.

Pa mëdyshje ky veprim është rezultat i mos punës kronike dhe jo-profesionale që është e domosdoshme në këto raste,çka pritëm që përkrahësit ndërkombëtar të na turpërojnë duke i kundërshtuar veprimet tona jo serioze,jo vetëm në rastin konkret por edhe në shumë raste tjera,që mendja e shëndoshë e njeriut normal kurrqysh nuk mundet ti arsyetoi. Edhe situata politike konfuze pas zgjedhjeve parlamentare nuk mundet të jetë arsyetim i qëndrueshëm,thelbi i problemit qëndron në filozofinë jetësore tek vet ne,deshëm apo nuk deshëm atë duhemi pranuar për fat të keq.

Për njohësit e rrjedhave kulturore ky veprim tregon shumëçka, e ma së paku seriozitet dhe përgjegjësi në inkuadrimin e shtetit tonë të brishtë në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare, të rëndësishme për funksionimin e shtetit, si është rasti konkret i këtyre ditëve me mos aplikim në UNESCO  ( Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ).

Janë të pa shpjegueshme veprimet dhe sjelljet e përgjegjësve institucional me pasivitetin e treguar në periodën dy vjeçare pas dështimit të vitit 2015, kur në  mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme në Paris, nuk arritëm të pranohemi si anëtare të barabartë me 195 shtetet tjera të kësaj organizate,shumë të rëndësishme të OKB-së.

Pas dështimit të vitit 2015,pritej mobilizim gjithëkombëtar duke angazhuar edhe ekspertët  nga Shqipëria që kishin dituri dhe eksperiencë, pasi tre site ishin të pranuara në UNESCO, si Butrinti,Berati dhe Gjirokastra. Ata së bashku me institucionet dhe ekspertët e shumtë vendor dhe  ndërkombëtarë,duhej të përgatiteshin në mënyrë dinjitoze dhe me ekspertizë profesionale,me forcën e argumenteve që i kemi me bollëk, të konkurrojmë për anëtarësim në këtë mekanizëm rëndësishëm ndërkombëtar në vitin 2017.

Ky mobilizim mungoi,institucionet që e kanë obligim dhe paguhen për këtë me paturpësi dështuan dhe zgjodhën abstenimin apo mos aplikimin këtë herë. Jam i sigurt se kjo apati  do të vazhdoi edhe në të ardhmen, nëse do të lejohet kjo mos punë dhe mos përgjegjësi.  Angazhimi në këtë proces shumë të vështirë të aderimit në UNESCO është dashur të jetë gjithëpërfshirës,nuk ka pozitë dhe opozitë në këto raste,duhej angazhim permanent i ekspertëve të shumtë,intelektualëve të pavarur,që të përfaqësojmë sa ma mirë shtetin e Kosovës.

Jam i vetëdijshëm se aderimi në këtë organizatë ka konotacione të mëdha politike,është i ndërlidhur me sferat e interesit, me lojëra të ndyta politike ku kundërshtarët e kësaj çështje të prirë nga Serbia patën sukses edhe kësaj radhe, falë pa-aftësisë tonë, që nuk po dimë të shfrytëzojmë përkrahjen e pa-rezervë të botës progresive të udhëhequr nga SHBA-të,dhe gjendjen faktike në terren.

Për klasën aktuale politike e rëndësishme është tendenca permanente për të nënçmuar dhe anatemuar ekspertët e shumtë që kanë vepruar në këtë lami në Kosovë me dekada. Ata as që janë konsultuar ndonjëherë  për disa çështje apo kritere që kërkohen në këto raste. Për të bindur botën me na pranuar, duhen veprime të shumta konkrete të cilat e kamë bindjen po na mungojnë për të iu kundërvu propagandës agresive serbe.

Mendova së perioda dy vjeçare “2015-2017” do të jetë e mjaftueshme, për të plotësuar kërkesat elementare që  ishin kërkuar për aplikim të serishëm, si përgatitjen e dosjes për aplikim duke filluar nga përkrahja institucionale,karakteristikat teknike, legjislative,kapacitetet teknike,formimin e grupeve të punues me ekspert,përpilimin e planit të punës,planin e konservimit,planin e menaxhimit,si dhe planin e shfrytëzimit promovimit të monumenteve,si dhe fushave tjera që i mbulon kjo organizatë.

Shumë mirë që në qershor 2016 u themelua “Task Forca”për përcjelljen e procesit të anëtarësimit si  dhe u promovua “Strategjia Kombëtare  e Trashëgimisë Kulturore 2017-2027 ”. Mungoi pa shpjegim miratimi i Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe ai për Bashkitë Fetare që ishin parakushte për anëtarësim. Opinioni kurrë nuk u informua se çka punoi ajo  “Task forca “ e themeluar mu për këtë qellim, e cila me forcën e argumenteve të shumta teknike dhe faktike duhej të arsyetonte kërkesën për anëtarësim, por si duket shumë pak kanë punuar apo asgjë. pos për promovim mediatik. Edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) shpalli vetëm 23 asete në mbrojtje të përhershme të trashëgimisë kulturore,çka është shumë pak duke e krahasuar me numrin e madh të tyre, që për çdo vit evidentohen si të përkohshme .

Kaptinë e veçantë është sjellja së institucioneve tona ndaj propagandës agresive Serbe në ”luftën” kundër pranimit të Kosovës në UNESCO,kurrsesi nuk mundet të justifikohet këto veprime. I lejohet Serbisë të keqpërdorën ato 1247 artefakte të Kosovës, të cilat i ka uzurpuar dhe ende nuk i ka kthye edhe se ishte obligim ndërkombëtar (pako e Ahtisarit). Për keqardhje ishte rasti me keqpërdorimin e tyre në ekspozitën e organizuar në Paris në fund të vitit 2016. Njejtë ndodhi edhe këtyre ditëve kur në prag të sesionit vjeshtorë të asamblesë të UNESCO-s ,Serbia lancoi një film dokumentar me shumë të pa vërteta. E tërë kjo u mundësua nga pasiviteti i ynë i pa shpjegueshëm, i mbështjell me misteri se çka është duke ndodhur me sjelljen  e zyrtarëve të lartë shtetëror kështu. A ka dikush në këtë shtet që me argumente të shumta ti kundërvihet kësaj propagande “gebelsiane”.

Ajo çka është ma dëshpëruese në tërë këtë proces konsiston në atë se sa nuk jemi vetëkritik me tërë situatën e krijuar në vitet e pas luftës së fundit,posaçërisht në fushën e trashëgimisë kulturore dhe historike, të cilën në të gjitha anët me të gjitha mjetet edhe sot po e shkatërrojmë. Me vetëdije me të madhe po e zhdukim të kaluarën tonë,fare pa u brengosur për identitetin tonë urban dhe rural. Ndërtimet me leje e pa leje,uzurpimet e pronës publike,prishja e zbulimeve arkeologjike,zhdukja e tyre, janë vetëm një imtësi në arsenalin e veprimeve kundër ligjore që i kemi bërë këtyre viteve.

Kush na ka faj për këtë të huajt apo vet ne, të mendojmë pak për ketë çka jemi duke i bërë vetes,bota shef pasi ne këto veprime i bëjmë haptas pa u ngurruar fare,pa u fshehur nga organet shtetërore,që në princip nuk reagojnë edhe se e kanë detyrë parësore me e mbrojtur rendin,ligjin dhe kushtetutën.

Politikë-bërësit tonë së bashku me diplomacinë senile po i lejojnë këto veprime të Serbisë duke mos reaguar,e anëtarësimi i yni në këto organizma ndërkombëtare është jetik për të gjithë ne, pasi me pranin tonë në UNESCO do të jemi kontribuues të mëdhenj në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe forcimin e IDENTITEIT tonë në këta hapësira me shekuj.

 

 

 

 

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

13 tetor 2017                                                                                    arkitekt i pavarur

ylberv@gmail.com

 

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, nuk aplikoi në UNESKO, PSE KOSOVA

Harta zonale e komunave të Kosovës dhe zgjedhjet lokale 2017

October 11, 2017 by dgreca

Ylber Vokshijpeg

Shkruan:arch. Ylber Vokshi -Ylli/     

Përmbajtja e dokumenteve hapësinore në thelb është e njëjtë në tërë rruzullin tokësor  që rezulton me produktin final të planeve me  emërtime të ndryshme, varësisht se si pajtohen pjesëmarrësit në proces nga shoqëritë e ndryshme. Natyrisht ka modalitete dhe përmbajtje të ndryshme që e kanë një rezultat final,organizimin e mirëfilltë të territorit të vendit dhe mirëqenien e banorëve të saj.Pra emërtimi i tyre nuk është i rëndësishëm por përmbajtja e tyre të cilën duhet harmonizua me kërkesat realistë të asaj shoqërie. Harta zonale e komunës e emërtuar me Ligjin e Planifikimit Hapësinor të vitit 2013, në thelb duhet ti ketë rezultatet përfundimtare të njëjta si Plani Zhvillimor urban i cili ishte në Ligjin e vitit 2003. Këto emërtime vetëm pa nevojë kanë krijuar huti,dikur quhej Plani urbanistik i qytetit,një emërtim adekuat i kohës.

Nuk e di a janë përmendur ma shumë se në këtë fushatë zgjedhore domosdoja e përpilimit të dokumenteve hapësinore  për funksionimin e komunave tona. Nga aspekti profesional kjo është një arritur e madhe, pasi pas 18 vite po potencohet rëndësia e tyre,por po vërehet se sa të pa informuar janë kandidatët nga ana e këshilltarëve të tyre për rëndësinë e përpilimit të Hartës Zonale Komunale,dokument hapësinor i dyti për ka rëndësia sipas ligjit aktual.Përmendja e saj në kontest politik në disa raste ishte jo serioze,nënçmuese e në disa raste edhe qesharake, si ishte rast me një kandidat i cili i referohej  mos përpilimit të tyre në shumës,duke mos ditur se Komuna mundet të ketë vetëm një Hartë Zonale. Ka disa parakushte që duhet plotësuar niveli Qendror dhe Komunal (MMPH dhe Komuna ) që të filloi përpilimin e ati dokumenti, ato nuk janë bërë deri me tani. Për këtë është dashur të jetë i informuar kandidati për kryetarë, e jo të kërkoi me këmbëngulje që Harta Zonale  është dashur të bëhet në vitin 2014.

Këso veprimesh me trajtimin hapësinor dhe urban të hapësirës në Komunat tona e kemi evidentë në të gjithë Kosovën. Janë përpiluar dokumente të ndryshme hapësinore dhe urbane,për atë janë shpenzuar mjetë të mëdha materiale,pyetja është sa dhe si është punuar sipas atyre dokumenteve, përkundër premtimeve elektorale që shumë rrallë janë plotësuar nga Kryetarët e Komunave.Rezultatet e këtyre veprimeve pas 18 vite shihen,preken dhe akuzojnë,kanë rezultuar me qindra mija ndërtime pa leje,me një situatë të rëndë urbane dhe rurale,sot është vështirë të mashtrohen prapë votuesit. Premtimet elektorale në shumtën e rasteve janë jo reale,jo serioze, të pa bazuara në planifikim të mirëfilltë hapësinor dhe urban. Kur kësaj i shtojmë edhe kualitetin manipulativ të disa ligjeve dhe akteve nën ligjore, gjegjësisht të udhëzimeve administrative të punuara nga Ministria, si është rasti i UA nr  24/2015,gjegjësisht të nenit 44  për Hartën Zonale të Komunave,atëherë situata është tërësisht e pa qëndrueshme.Për të shpjeguar këtë çështje më duhet të shërbehem me disa të dhëna puro profesionale dhe ligjore, që nuk janë në interesin e lexuesve të shumtë  të shkrimeve të mija,prandaj iu kërkoi falje publike  atyre.Parimi bazik në përpilimin e akteve nënligjor apo  udhëzimeve administrative sipas njohësve të fushës është se domosdo duhet të jenë të bazuara në ligjet adekuate, e jo për të bërë devijime që janë në kundërshtim me ligjin, si është rasti konkret. Ekziston vetëm një rrugë e përpilimit të Hartës Zonale të Komunës e ajo duhet të jetë produkt i dokumenteve të nivelit ma të lartë, gjegjësisht Planit Hapësinor të Kosovës,Hartës Zonale të Kosovës dhe Planit Zhvillimor Komunal, zgjidhje tjera nuk mundet me pas, nuk ka askund në botë. Kjo vetvetiu nënkupton se ma parë duhet punuar dhe miratuar planet e nivelit ma të lartë e pastaj të Hartës Zonale të Komunës.Do të tentoi të shpjegoi këto anomali që duhesh të jesh i rafinuar me i parapa.  Harta Zonale e Komunës NUK mundet të punohet  para se të bëhet apo të plotësohet Plani Zhvillimor Komunal sipas ligjit të vitit 2013 (neni 44 pika 1 e UA nr 24/2015), produkt i të cilit duhej të ishte. Për çudi në dispozitat përfundimtare të ati UA (neni 44 pika 3) ka një udhëzim se në raste të tilla ajo duhet të jetë në pajtim me standardet ndërkombëtare të aplikueshme për planifikim hapësinor çka nënkuptohet,nëse Komuna fillon punën e përpilimit të saj para miratimit të normave teknike të planifikimit hapësinor.

Ajo NUK mundet të punohet para se të bëhet  Harta Zonale e Kosovës me të cilën duhet me qenë në  harmoni,ligjdhënësi ynë “gjenial” e lejon këtë sipas nenit 44 pika 2, ku udhëzon që ajo duhet të jetë në pajtim me Planin Hapësinor të Kosovës dhe me interesat tjera nacionale … Kjo tregon një diletantizëm tërësisht të pa pranueshëm,të pa lejueshëm dhe të pa qëndrueshëm me problematikën hapësinore të territorit.E kamë theksua disa herë këtyre viteve se atëherë kur u shtjerrën të gjitha format e “suksesshme” të abuzimit me hapësirën urbane dhe rurale të Kosovës, duke shfrytëzuar periodën emergjente  të pas luftës,me jo-ligjshmëri ekstreme,duke mos i respektuar as normat dhe standardet elementare të ndërtimit,gjegjësisht të planifikimit hapësinor,urban dhe arkitektonik, filloj loja e re me përpilimin e ligjit të ri të Ndërtimit dhe Planifikimit hapësinor në vitin 2012 dhe 2013.Këto dy ligje ende janë në fuqi por ende nuk janë tërësisht funksional, pasi MMPH ende nuk  ka përpiluar të gjitha udhëzimet administrative, si është ai për Planet rregulluese të hollësishme  (neni 17 i LPH),për të cilët Ministria nuk e ka pa të rëndësishme që edhe pas 4 vite të përpiloi  udhëzimin administrativë, se çka duhet të përmbajë ai dokument. Edhe ato akte nënligjore gjegjësish udhëzime administrative kanë të meta të mëdha që në disa raste ato i bëjnë jofunksionale.

Ti referohemi ati plani  me anën e të cilit duhet të zgjidhen të gjitha problemet urbane është vetëm një mashtrim elektoral i votuesve, pasi përpilimi teknik i ati dokumenti hapësinor  të avancuar kërkon shumë kohe dhe ekspertizë e cila ka munguar në Kosovë këto 18 vite. Problem edhe ma i madh do të jetë zbatimi i saj,duke u bazuar në atë se si është punuar deri me tani,sipas meje është e pa mundur ta punojnë të gjitha Komunat,vetëm po e mashtrojmë vetveten. Duhet ndryshuar mendësinë urbane së pari të politik bërësve tanë e pastaj popullit, proces i cili kërkon kohë me dekada me ndryshuar filozofinë primitive jetësore të këtij mileti

Ministria edhe me ligj ka krijuar një bllokadë totale të procesit të planifikimit hapësinorë në tërë territorin e Kosovës, që si duket ishte dhe është edhe qëllimi i tyre,të vazhdoi  kjo formë e ndërtimeve që kishin filluar që nga viti 1999. Ndryshe si të shpjegohen pikat 1, 2 të nenit  44 të UA nr.24/2015  për Hartën Zonale të Komunave. Është jashtë të gjitha principeve dhe rregullave teknike ajo çka është paraparë apo urdhëruar me këtë nen. Kjo haptas tregon paditurinë elementare të përpiluesve të sajë me procedurat natyrore të përpilimit të dokumenteve hapësinore që janë të njëjta në tërë botën e civilizuar. Krijimi i një konfuzioni të tillë të qëllimshëm po i vërteton koha dhe si të tillë duhet tërësisht ndryshuar-reviduar.

Premtimet elektorale se do të rregullohen disa lagje janë jo realiste,atë nuk kanë arritur edhe shoqëritë shumë ma të pasura,ato intervenime kushtojnë shumë,do të mbesin ashtu si relikte të një kohe kur nuk ka funksionuar ligji për të iu treguar pasardhësve tonë se si është jetuar në Kosovë në fillim të shekullit 21.

A thua do të kemi ndonjë herë fushat të zgjedhjeve lokale të bazuara vetëm në fakte reale, që me trajtimin e tyre profesional do të ngrihej dhe përmirësohej mirëqenia e banorëve të vendbanimeve në Kosovë.

Prishtinë, tetor 2017

arch. Ylber Vokshi -Ylli

arkitekt i pavarur

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, dhe harta zonale, Zgjedhjet 2017

Ministrja Reshitaj dhe “një planifikim i duhur hapësinor”

September 26, 2017 by dgreca

Ylber-Vokshi-Ylli-210x160

Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/

Në një prononcim publik gjatë një takimi me kryeministrin Haradinaj e para e MMPH-së ( Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ),deklaroi se Kosovës i duhet ”një planifikim i duhur hapësinor” dhe kjo çështje do të jetë prioritet i ministrisë që do ta udhëheqë ajo. Pas tërë asaj çka  ishim në gjendje ti bëjmë territorit të vendit tonë kjo deklaratë befason për të mirë, por duhet me qenë realist për me konkluduar sa është realiste kjo deklaratë e Ministres, pasi kthimi i situatës ku  do  të respektohen ligjet ,normat dhe standardet ndërkombëtare të planifikimit hapësinor ati urban dhe arkitektonik do jetë shumë vështirë të aplikohen, pasi për 18 vite ato nuk janë respektuar, mu nga kjo klasë politike që deri me tani e ka udhëhequr Kosovën. Për atë e kemi kaosin me ndërtime në vendbanimet urbane dhe rurale në tërë vendin, ku kualiteti i jetës është shumë i varfër.

Në shekullin e ri në Kosovë është ndërtuar ashtu si kanë diktuar individët e privilegjuar, grupet e ndryshme të interesit,të përkrahura nga klasa ynë politik në pushtetin lokal dhe qendror. Ajo çka është ma tragjike ka munguar kontrolli shtetërorë, që ka ndikuar direkt në kualitetin dhe SIGURIN e ndërtimeve në të gjitha anët e Kosovës. Të jetë ironia ma e madhe mu partia e kryeministrit Haradinaj (AAK) që nga fillimi i funksionimit të MMPH (2002) e ka udhëhequr këtë Ministri deri në vitin 2007. Menaxhimi skandaloz me keqpërdorime të mëdha me hapësirën dhe urbanistikën e vendit në ato 6 vite, ishte bazament i mirë që të ketë vazhdimësi kriminale edhe nga pasardhësit e tyre deri në ditët e sodit.

Pretendimet e Ministres Reshitaj për ”një planifikim të duhur hapësinor”aq janë abstrakte,po duken të pa mundura për momentin pasi kërkojnë sakrifica dhe veprime të dhimbshme, për të iu kthye rrugës së drejtë  në respektimin e ligjeve,normave dhe standardeve të planifikimit hapësinor,urbanizmit dhe arkitekturës në tërësi. Këtë e vërtetojnë veprimet dhe lejimet 18 vjeçare të kësaj klase aktuale politike, e cila nuk është në gjendje ti bënë ndryshimet e duhura. Vetëm ndryshmet rrënjësore politike dhe ardhjen e një gjenerate e re të politik-bërësve të pa komprometuar,të bazuara në profesionalizëm dhe të arriturat shkencore të botës së civilizuar, do të jepte shpresë se fusha e planifikimit hapësinor dhe urbanizmi do  të ndryshoi për të mirë edhe tek ne.

Ndoshta një shpesë e vogël ekziston për ndryshime pozitive, nga e dhëna se z.Haradnaj ka pasur kohë të mjaftueshme dhjetë (10 ) vjeçare në opozitë parlamentare, me pa gabimet e mëdha që janë bërë në ato vite dhe si degradoi në ekstrem funksionimi i kësaj Ministrie deri në ditët e sodit nga qeveritë pasardhëse, me pasoja tronditëse për tërë territorin e vendit që do të reflektohet negativisht në të ardhmen tonë. Për të riparuar situatën e krijuar,atë që ka mundësi teknike, do të duhen intervenime të dhimbshme në hapësirë e cila kërkon kohë dhe shpenzime të mëdha materiale. Në të kundërtën duhemi me i detyruar gjeneratat reja  me jetuar në kushtet primitive urbane dhe rurale që iu kemi krijuar në shekullin 21.

Isha pjesë e kësaj Ministrie që nga fillimi që si profesionist i fushës së planifikimit hapësinor dhe urban, sado pak me të tjerët të kontribuoj në formësimin dhe funksionalizimin e saj, që duhej të kishte trajtim të veçantë në procesin e forcimit të shtetit të Kosovës. Ferrin profesional që e përjetova atyre viteve (5) më detyroi që të reagoi haptas, pasi kurrsesi nuk u pajtova me mënyrën e punës dhe mospunës në atë dikaster shtetëror, që për fat të keq ka vazhduar deri në ditët e sodit. Trajtimi i problematikës që i takon kësaj Ministrie në këto vite ishte skandaloz me pasoja katastrofave, posaçërisht në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban që ka krijuar një situatë kaotike, dhe përfundoi me 350 000 ndërtime pa leje në një pjesë të Kosovës, të cilat ende po ndodhin në disa pjesë të vendit.

Ka shumë probleme të mëdha që kjo Ministri duhet ti trajtoi seriozisht në periodën vijuese nën udhëheqjen e z.Reshitaj,që së paku të filloi të funksionoi ashtu si e kërkojnë normat dhe standardet ndërkombëtare në fushën Planifikimit Hapësinor,do të iu rikujtoj disa ma të rëndësishmet :

  • Rishikimi të gjitha ligjeve aktuale që kanë të bëjnë me fushën e ndërtimit e posaçërisht ligji i Ndërtimit dhe Planifikimit Hapësinor të bëra në vitin 2012 dhe 2013, të cilët tërësish e pa nevojë e ndryshuan këtë veprimtari, kinse në emër të reformave progresive në fushën e ndërtimeve. Në thelb vetëm krijuan një situatë konfuze, e cila nuk është përcjell me përpilimin e akteve nënligjore as sot e kësaj dite për ti bërë ato funksionale.
  • Rishikimi i të gjitha dokumenteve ekzistuese hapësinore,përpilimi i të rejave realiste dhe të zbatueshme, e jo si deri me tani formale dhe që nuk ishin të bazuara në gjendjen faktike në terren.
  • Monitorimi i realizimit të tyre si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Kjo çështje u tregua shumë e dëmshme, pasi u lejuan komunat që në mënyrë të kundër ligjshme të bëjnë çka të donë me urbanistiken e tyre.
  • Realizimi i kontrollit shtetëror të kësaj veprimtarie në nivelin qendror dhe lokal. Ky trup ishte themeluar në vitin 2010, por Qeveria Kosovës as që ishte e interesuar për dokumentet që i kishte bërë Këshilli për Planifikim Hapësinor i Kosovës deri në vitin 2013, kur në mënyrë perfide arritën ta largojnë dhe ta  shuajnë tërësisht këtë  institucion profesional në të dy nivelet shtetërore,që do t’i ndihmonte Shtetit për të avancuar dhe kontrolluar problematikën Hapësinore,Urbane dhe Arkitektonike,  përkundër kundërshtimeve të shumta me argumente të profesionistëve.
  • Kontrolli shtetëror i veprimtarisë së profesionistëve me anën e LICENCIMIT të tyre,proces i cili në mënyrë të turpshme u pezullua, pas punës dhe përgatitjeve disa vjeçare në Ministri. Ende sot pjesëmarrësit në procesin e ndërtimit nuk detyrohen ti japin përgjegjësi shtetit fal gupeve mafioze të interesit.
  • Trajtimi i ndërtimeve pa leje duhet tërësisht ndryshuar pasi “lojërat” e luajtura deri me tani që 18 vite u treguan të suksesshme. Propozimet për legalizime skajsmerishtë do të dëmtojnë shtetin dhe funksionimin normal të tij në të ardhmen.

Ka edhe shumë çështje tjera që duheni trajtuar seriozisht por në ketë shkrim të shkurtë kamë potencuar vetëm disa ma të rëndësishmet ,që qeverisja e ardhshme e Ministres Reshitaj domosdo duhet trajtuar dhe tejkalua,duke u bazuar në kërkesat reale të popullit të Kosovës për zhvillimin e territorit shtetëror.

 

Prishtinë                                                                             *arch. Ylber Vokshi-Ylli

25 shtator 2017                                                                                arkitekt i pavarur

ylberv@gmail.com

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Ministrja Reshitaj, Planifikimi hapsinor

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ndërgjegjja etnike shqiptare në Himarë gjatë shekujve XVI–XVIII: Feja, arsimi dhe identiteti kombëtar
  • FILLIMET E BISEDIMEVE BEOGRAD – PRISHTINË, PRITSHMËRITË DHE SFIDAT SIPAS GAZETËS DIELLI
  • Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti urojnë 26 vjetorin e çlirimit të Kosovës
  • Bajram Curri – Origjina dhe familja
  • Rrulat e Detit të Vdekur ndryshuan kuptimin tonë për Biblën. Ato mund të jenë disa prej tyre edhe më të vjetra nga sa mendonim?
  • MEDIA SHQIPTARO – KANADEZE NË PEISAZHIN MEDIATIK KANADEZ – “TV PASQYRA SHQIPTARE”, TELEVIZIONI I SHQIPTARËVE TË KANADASË
  • Çlirimi i Kosovës – 12 Qershor 1999: Një kthesë historike drejt lirisë dhe shtetndërtimit
  • Nga diaspora në atdhe: Homazhe dhe përurime në Prishtinë për nder të 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës
  • “26th anniverssary of Kosova Liberation: a sucsesfull democratic state-buidling story”
  • Kulti i vëllezërve martirë – nga Flori e Lauri te Muji e Halili  
  • Here is our day-to-day schedule for the Albanian Film Festival 2025!
  • 7 senatorë për t’u ndjekur kur republikanët bëjnë ndryshime në projektligjin e madh të Trump
  • 100 vjet kisha ortodokse shqiptare e Shën Gjergjit në Trumbull Connecticut
  • AKTI BARBAR I VRASJES SË NXËNËSVE NË GRAC, DHEMBJE E MADHE  
  • “Tërbimi Ariut Polar nga breshëri i Dronëve të Ukrainës”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT