Kriledjan Çipa/
Në Ditën Ndërkombëtare të Arkeologjisë dëshiroj ti kushtoj dy reshta Llambi Durrollit, pionierit të arkeologjisë në Vlorë dhe themeluesit të institucioneve të trashëgimisë kulturore të qytetit. Durrolli është themeluesi dhe drejtuesi i parë i muzeumeve të qytetit të Vlorës, pas çlirimit të vendit. Fatkeqësisht, edhe pse kontributi i tij është i rëndësishëm, vlerësimi për të ka munguar. Emrin e tij e kam dëgjuar për herë të parë nga kolegu i ndjerë Ilia Çano. Ai thoshte se Llambi (apo xha Llambi siç e thërisnin në moshën e thyer) ishte një idhull për ta, model frymëzimi, profesionist i pasionuar, por dhe model qytetarie. Llambi me origjinë Korçar, kishte studiuar në Itali përpara Luftës së Dytë Botërore. Ai në fund të viteve 1930 dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi si arsimtar në rrethin e Vlorës, ndërsa direkt pas përfundimit të luftës u angazhua në fushën e kulturës, ku vend të rëndësishëm në aktivitetin e tij zinte arkeologjia. Ai morri pjesë në gërmimet arkeologjike në nekropolin e Apollonisë, si pjesë e ekipit të arkeologes Aleksandra Mano, si dhe në gërmimet e stadiumit të Amantias me arkeologët Skënder Anamali dhe Hasan Ceka. Pjesmarja në këto ekspedita e ndihmoi në formimin e tij në fushën e arkeologjisë. Ai do të kryente fillimisht një studim mbi qytezën e Armenit, që do ta botonte në revistën Buletini i Arkeologjisë. Ishte i pari që kreu gërmime në qytetin antik të Olympes (fshati Mavrovë). Gjatë kohës që ishte drejtues i Muzeumeve të Vlorës, realizoi gërmime arkeologjike edhe në Shpellat Prehistorike të Velçës. Ai mblodhi një numër të konsiderueshëm objektesh arkeologjike, që përbëjnë sot fondin kryesor të Muzeut Historik të Vlorës. Ndër vite raportoi një numër të konsiderueshëm gjetjesh arkeogjike nga Vlora dhe zona rurale përreth, që përbëjnë një informacion të pasur për njohjen e periudhës antike në këtë zonë. Ai ishte aktiv për më shumë se 40 vjet në arkeologji, duke dhënë kontributin e tij të çmuar në këtë fushë. Krahas angazhimit në arkeologji e muzeologji, Durrolli ju përkushtua për vite me radhë mirëmbajtjes, konservimit dhe restaurimit të monumenteve të kulturës, duke u emëruar si Kryekujdestari i parë i Ateljesë së Monumenteve të Vlorës (sot DRTK Vlorë) në varësi të Institutit të Monumenteve. Kontributi i Llambi Durrollit meriton të kujtohet, vlerësohet dhe ti jepet vendi që meriton në rrethin profesional, si dhe në hierarkin e vlerave të qytetit të Vlorës. Puna e tij në fushën e arkeologjisë dhe administrimit të trashëgimisë kulturore, do të ngelet përgjithmon burim frymëzimi