-Kryeministri Mustafa falënderoi ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson për mbështetjen e dhënë për Kosovën/
PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim, në Prishtinë, ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson.
Njoftimi i dërguar thekson se, kryeministri Mustafa gjatë takimit, shprehu mirënjohjen e popullit dhe të qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe dhe kontributin që Lordi Robertson ka dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe në proceset e mëtejshme në Kosovë.
Kryeministri Mustafa theksoi se ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë ngjarje të jashtëzakonshme historike, të cilat u finalizuan falë vendosmërisë së burrështetasve të mëdhenj në SHBA dhe Britani të Madhe dhe drejtuesve të NATO-s, ku rol të posaçëm pati edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Lordi Xhorxh Robertson.
“Republika e Kosovës është sot shtet demokratik, sovran dhe i pavarur falë përkrahjes që populli jonë dhe lufta e tij çlirimtare mori nga shtetet demokratike nga vendet lidere të botës demokratike, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet tjera evropiane pjesë e Aleancës Veriatlantike, e cila udhëhiqej nga Lordi Xhorxh Robertson”, theksoi kryeministri.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar Lordin Robertson për progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, për integrime evropiane si dhe për forcimin e gjithanshëm të shtetit.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera të BE-së, si dhe për vendosmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke çmuar përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për zhvillimin e vendit dhe për stabilitetin rajonal.
Lordi Robertson theksoi rëndësinë që ka për Kosovën zhvillimi i përgjithshëm i demokracisë, duke veçuar nevojën për stabilitet dhe debat politik përmes mjeteve demokratike.
Lordi Xhorxh Robertson, po ashtu, shprehu përkrahje të mëtejshme për progresin në Kosovë./b.j/