– Mustafa: Kosova duhet dhe është e aftë të ndërtojë një shtet të së drejtës, ta vejë drejtësinë në vend/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Korrik 2015.-Lufta e popullit të Kosovës ka qenë për liri, Serbia nuk la shteg tjetër, tha theksoi kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
“Serbia e Millosheviçit kreu në mënyrë të organizuar dhe sistematike krime çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, të cilat u dënuan nga e gjithë bota demokratike. Përmasat e këtyre krimeve e shtynë bashkësinë ndërkombëtare të ndërhynte për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja dhe shpopullimi që i kanosej nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe”, tha kryeministri Mustafa.
Prandaj, vijoi ai, “asnjë lloj pretendimi për t’i vënë në peshojë ato ngjarje të tmerrshme me krimet individuale, që mund të ketë kryer ndonjë ish-pjesëtar i UÇK-së, nuk mund të ketë kurrfarë baze”.
“Mirëpo, ne, Republika e Kosovës, si shtet i ri, si shtet evropian i ligjit dhe i së drejtës, duhet të tregohemi të gatshëm për t’i përmbushur obligimet dhe zotimet tona përpara drejtësisë ndërkombëtare, të cilën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë, nuk duhet t’a paragjykojmë si të njëanshme dhe selektive”, u shpreh Mustafa.
Lufta e popullit të Kosovës, vijoi ai, ka qenë luftë për liri, ka qenë luftë për ekzistencën tonë në këto troje, sepse dhuna dhe terrori serb e kishte sjellë popullin e Kosovës në një situatë hamletiane – të jesh apo të mos jesh!
“Dhe, natyrisht, siç do të bënte secili popull tjetër liridashës, populli i Kosovës, pas përpjekjesh të gjata për zgjidhje paqësore, u detyrua t’i rrokte armët në dorë, sepse Serbia nuk la asnjë shteg tjetër”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai përkujtoi se, falë politikës vizionare të Presidentit Rugova, falë kauzës sonë të drejtë çlirimtare, bota e qytetëruar, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet e tjera të Aleancës Veriatlantike, ndërmori fushatën e madhe 78-ditëshe ajrore kundër forcave serbe duke e detyruar Serbinë e Millosheviçit të nënshkruante kapitullimin, të nënshkruante humbjen e luftës.
“Sot, po këta miq që na ndihmuan të arrinim lirinë e synuar shekuj me radhë, na inkurajojnë që të ballafaqohemi vetë me aktet e liga që mund të kenë kryer individët, që të dëshmojmë se jemi të denjë dhe të aftë për të vënë drejtësi, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme mund të jetë kjo për secilin prej nesh”, tha Mustafa.
Kosova, vijoi ai, duhet dhe është e aftë të ndërtojë një shtet të së drejtës, ta vejë drejtësinë në vend.
“Veç kërkesës për të zbardhur rastet për të cilat angazhohet drejtësia ndërkombëtare, ne e kemi për borxh të zbardhim të gjitha vrasjet politike të pasluftës. Këtë ua kemi borxh viktimave, ua kemi borxh familjarëve të tyre, ua kemi borxh bashkëluftëtarëve të tyre dhe ia kemi borxh shtetit të Kosovës. Institucionet tona duhet t’i lirojmë nga arenat ku njëra palë fajëson tjetrën për vrasje dhe krime. Këto çështje duhet t’i zgjidhin organet e drejtësisë”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është mbajtur sot në Prishtinë Akademi Përkujtimore kushtuar luftëtarëve të lirisë të rënë në betejën e lavdishme të Loxhës: Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj. Në këtë Akademi, me pietet të lartë është përkujtuar edhe Komandanti i Zonës së III-të të Dukagjinit dhe i Betejës së Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj.
“Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Loxhës, heronjtë dhe dëshmorët e të gjitha betejave të zhvilluara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhanë jetën e tyre për një Kosovë të lirë, për një Kosovë të vlerave të mirëfillta demokratike, në të cilën jeta e secilit qytetar, pa dallim kombi, besimi a race, është njëlloj e vlefshme, është njëlloj e pacenueshme. Këto edhe janë idealet tona, idealet dhe synimet e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat ne do t’i bëjmë realitet, pavarësisht se rruga që kemi para vetes nuk është aspak e lehtë dhe ende kërkon nga ne vendime të rënda, por të domosdoshme”, përfundoi në fjalën e tij kryeministri Mustafa.