
Sokol Paja/
Komunistët në Shqipëri i sulmuan brutalisht besimet fetare, institucionet klerikale, klerikët dhe trashëgiminë fetare, tradicionale e kulturore duke e shpallur në kundërshtim me ideologjinë zyrtare marksiste-leniniste. Që me ardhjen në pushtet komunistët kërkonin me çdo mjet e çdo kusht një kontroll të plotë mbi mendjen dhe jetën e qytetarëve. Përmes kontrollit absolut do kishin dominim absolut. Për komunistët feja ishte veçse “opium për popullin”. Pas veprimeve fizike të përndjekjes, burgosjes e eleminimit të klerikëve e shkatërrimit të institucioneve fetare, shteti komunist zhvilloi një propagandë të ashpër ateiste ndaj fesë në Shqipëri duke shënuar kulmin më 1967 kur Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Pasi i zhduku nga faqja e dheut, shteti komunist përmes propagandës ateiste synonte ta zhdukte fenë eshe nga zemra e mendja e njerëzve. Feja u sulmua prej komunistëve për shkak të kundërshtisë ideologjike, përpjekjes për domimin e kontroll absolut në shoqëri, konsolidimit të pushtetit absolut, frika e ndikimit të jashtëm, ndërtimi i shoqërisë së proletariatit pa fe, krijimin e njeriut të ri komunist si krijesë që mishëronte tiparet e revolucionit marksist.
Në luftën ndaj fesë në Shqipëri, përveç të tjerash, një aspekt të rëndësishëm në propagandën ateiste komunistët orkestruan një goditje të përqëndruar ndaj librave të shenjtë siç janë Bibla dhe Kurnai dhe ikonat fetare që përbëjnë bazën e besimit. Libri më i rëndësishëm për besimin musliman, Kurani shënjestrohet nga shkrimi propagandistik ateist “Ç’është Kurani?” i gazetës “Mësuesi” në datën 21 prill 1967. Kurani quhet sipas ateistëve një kopjim i Biblës dhe se Kurani nuk kishte as lidhje kronologjike as logjikë. Sipas autorit qoftë edhe nga titujt e sureve (kapitujve) dhe vendosja e materialeve Kurani s’ka sens. Shkrimi ateist pa emer autori citon: “Kapitujt e Kuranit janë radhitur pa kurrëfarë sistemi e lidhje dhe është marrë parasysh kryesisht madhësia e tyre. Në shumë raste titujt e kapitujve, nuk kanë lidhje direkte me përmbajtjen dhe janë vënë rastësisht”. Kurani, sipas autorit anonim të shkrimit, ka përmbledhur në vete jo vetëm supersticionet dhe dogmat e arabëve paganë, por edhe të të krishterëve, të hebrejve, të magjistarëve, të budistëve; kështu ka mundur t’u përgjigjet, së paku pjesërisht, mendimeve të pasuesve të të gjithë feve. Kurani sipas këtij shkrimi propagandistik ateist në pikëpamjet shoqërore që predikon Kurani janë reaksionare ku në emër të Allahut ato konsakrojnë sistemin shfrytëzues.
Në Bibël sipas E. Jarosllavskij, në shkrimin “Bibla, për ata që besojnë dhe ata që nuk besojnë”, botuar në revistën “Ylli” të vitit 1961, zbulohen dhe mishërohen kontradiktat dhe absurditetet mbi botën. Bibla sipas komunistëve nuk është aspak libri më i vjetër, pasi ka edhe libra të tjerë që e tregojnë krijimin e botës dhe të njeriut në një mënyrë tjetër. Teoritë fetare sipas autorit ateist që gjenden në Bibel nuk janë të vërteta të vetme. Mitet biblike sipas autorit komunist janë trillim i një njeriu të egër, të paditur, injorant, i cili nuk ka mundur të mbeshtetej në sukseset e shkencës, nuk ka patur instrumentat astronomikë për të studjuar hapsirën qiellore.
Në librin e biblës sipas autorit ateist, gojëdhënat biblike kanë karanter antishkencor të origjinës së botës të tokës, bimeve, kafshëve e njeriut. Gojëdhënat biblike sipas autorit pasqyrojnë përfytyrimet naivë të njerëzve primitivë mbi botën që i rrethon. Bibla sipas autorit komunist justifikonte skllavërimin e njerëzve dhe shpall të përhershëm ndarjen në klasa shfrytëzonjës dhe të shfrytëzuar dhe e ligjëron ekzistencën e marrëdhënieve të sundimit, nënshtrimit si edhe pabarazinë shoqërore. Komunistët shpreheshin se “Feja e mbyt mendimin e lirë krijonjës, mendjen kureshtare duke kërkuar përulje dhe nënshtrim përpara perëndisë që nuk ekziston” por feja sipas autorit shkon edhe më tej duke penguar njerëzit që luftojnë për çlirimin e tyre, frenon zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Sipas autorit komunist Jarosllavskij vetëm ideologjia marksiste-leniniste jep kuptimin shkencor të botës dhe na mëson si ta shpejgojmë botën por edhe si ta ndryshojmë botën në të mirë të gjithë njerëzimit.
Pano Çuka në shkrimin “Dërrasa të Pikturuara”, botuar në gazetën “Pararoja” të datës 21 gusht 1972 demaskon ikonat e besimit të krishtërë ku i zhvesh nga “shenjtëria” e tyre dhe i quan një mjet për pasurimin e tregtarëve dhe të priftërinjve e klerit. Futja e ikonës si element në besim sipas autorit ateist u bë me trillime nga më të ndryshme nga priftërinjtë për të sunduar më lehtë besimtarët duke shpikur mrekulli dhe duke ua veshur ikonave dhe duke i paraqitur para masës së besimtarëve si të shenjta. Shkrimi ateist citon: “Vraponi pra naivë në kishat e “shenjëta” dhe tek shërbëtorë të tyre të “shenjtë”, t’ju shpëtojnë me forcën e tyre çudibërëse. Dhe në të njëjtën kohë, dridhuni. Po thatë një fjalë, ikonat e “shenjëta” dhe etërit e “shenjtë” mund t’ju hedhin në zjarr dhe t’ju përvëlojnë” propagandonte ateizmi zyrtar i komunistëve.
Ateizmi i kohës i quan si një tmerr për besimtarët ikonat që gjenden në objektet fetare dhe se tek këto dërrasa të kalbuara binin pre naivët fetarë. Feja, traditat shqiptare që komunistët i quanin zakonet prapanike, sipas ateistëve, kanë qenë gjithmonë agresive në qëndrimet e tyre ndaj gruas. Sipas autorit “gruaja në shtëpi ajo i nënshtrohej burrit dhe, po të mos i qëndronte e përulur, e përzinte nga shtëpia, kishte të drejtë të merrte shumë gra”. Pozitës skllavëruese të gruas sipas komunistit Qemal Hoxha në shkrimin “Lumturinë tonë po e gjejmë tek partia dhe jo tek feja e zoti”, botuar në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 31 Mars 1967, vetëm lufta ndaj fese e zakoneve prapanike, do i jepte fund. “Babai i Teqes Halimi gjatë luftës Nacional –Çlirimtare u hoq si asnjanës por pas çlirimit, duke u prekur nga reforma agrare, u hodh kundër pushtetit popullor. Ai grumbulloi rreth vetes njerëz të pakënaqur dhe në vendet që i quante të shenjëta kishte fshehur arme” deklaronte autori ateist. Sipas komunistit në shkrim, gjyqi i popullit i dha dënimin e merituar, pasi populli duke ecur në rrugën që i tregoi partia dhe jo feja, sipas autorit e kuptoi qartë që këto besime nuk janë tjetër veçse opium për të mashtruar e gënjyer njerëzit, propagandonin komunistët.