
Artan Nati/
Para disa ditësh, në një qoshe të rrjetit social më të dashur për shqiptarët, jo për debat, por për lavde e sharje, një zotëri postoi një bisedë: “A e njeh dhe e vlerëson Luftën Nacional-Çlirimtare?” Përgjigjja erdhi krenare si raport partie: “Familja ime kishte katër partizanë dhe një bazë. Si të mos e njoh e ta vlerësoj?” Me pak fjalë, në Shqipëri s’të duhet mendim kritik, mjafton të tregosh “kartelën e luftës” dhe je i mbrojtur nga çdo pyetje e sikletshme. Kështu, historia na bëhet si CV për Facebook: kush ka gjysh partizan, e ka të kaluarën të ndritur. Ndërsa ata tregtarë të ndershëm, ata patriotë të Ballit Kombëtar e Legalitetit, ata që patën fatin të jenë “në anën e gabuar”. janë fshirë me një klik si “miq të panevojshëm” nga kujtesa kolektive. Në vend të një diskutimi serioz mbi pasojat, mbi dhimbjet dhe dështimet që pasuan luftën, ne bëjmë atë që dimë më mirë: i kthejmë ngjarjet historike në flamuj virtualë, si statuset ku shkruajmë “Jam krenar se gjyshi im ishte…”. Ndërkohë, askush nuk pyet për ata të tjerët, tregtarët që u shpronësuan, familjet që u internuan, patriotët që u pushkatuan.
Nëse do ta vendosnim Luftën Nacional-Çlirimtare në një vitrinë muzeale, dilema do të ishte: ta vendosim në sallën e lavdisë apo në bodrumin e turpit? Sepse për disa është “epope e ndritur”, për të tjerë është thjesht manuali shqiptar i “si të humbasësh Europën Perëndimore dhe të përqafosh Stalinin”. Dilema vazhdon: të nderojmë partizanët që u rreshtuan nën komandën e një partie të sapoimportuar nga Beogradi, apo të kujtojmë se ata, mes pushkës dhe flamurit, mbollën edhe farën e komunizmit që na mbajti 45 vjet në bunker? Dhe në anën tjetër, ç’të themi për “alternativën”? Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Njëri ëndërronte Shqipërinë e Madhe, tjetri fronin mbretëror, por përfunduan duke u grindur më shumë mes tyre sesa me pushtuesin.
Pra, a kemi me çfarë të krenohemi? Por nëse krenaria nënkupton vizion për të ardhmen, atëherë lufta e madhe na dha një dhuratë ironike: një shtet partizanësh që ndërtoi diktaturën dhe shkatërroi çdo shans për të qenë pjesë e Europës që sot e shohim me vizë. Pyetja themelore për sot është: si ta trajtojmë këtë trashëgimi? Ta ngremë në piedestal si shenjtëri kombëtare apo ta çmontojmë si një gjenerator të së keqes që na ktheu në një muze të izoluar? Ndoshta përgjigjja është më e thjeshtë: ta shohim siç është, një epokë ku idealizmi i vërtetë u përzje me cinizmin politik, ku trimëria u përdor si kapital për pushtet, dhe ku lavdia u pagua me dekada prapambetje.
Sepse historia jonë, ndryshe nga partizanët e kinemasë, nuk ecën në mal me këngë, por endet ende me pyetjen: ishim heronj të lirisë apo viktima të një mashtrimi? Kjo pyetje vazhdon e na ndjek edhe sot pas 35 vitesh demokraci. Shembulli i parë: 29 Nëntori. Çdo vit, zyrtarët tanë, bij të ish-bllokmenëve ose nipër të atyre që dikur i shpallën “armiq të popullit”, mblidhen me kurora lulesh. Disa përulen tek varret e partizanëve, të tjerë tek ato të Ballit Kombëtar, dhe të gjithë bëjnë sikur kujtojnë të njëjtën histori. Rezultati? Një Shqipëri ku kemi dy festa për një luftë, dy versione për një fitore, dhe asnjë konsensus për të ardhmen. Një komb që nuk bie dakord as për datën e çlirimit!
Shembulli i dytë: përkujtimoret.
Shko në një qytet të Shqipërisë dhe pyet: kush është heroi këtu? Në Fier do të gjesh bustin e një partizani, në një fshat tjetër një lapidar të Ballit. Pra, në vend që të kemi një memorie kombëtare, kemi një mozaik bustesh që shajnë njëri-tjetrin. Një vend që ka më shumë përmendore për partizanë dhe ballistë se sa për shkencëtarë, mësues e sipërmarrës. Dhe s’është çudi pse historia jonë duket si një reality show pa fund. Shembulli i tretë: politika e sotme. Në parlament, socialistët shfaqen si trashëgimtarë të “lavdisë partizane”, ndërsa demokratët si nipat e “ballistëve antikomunistë”. Pra, edhe sot, 80 vjet më vonë, ne bëjmë sikur votojmë për të ardhmen, por në fakt zgjedhim mes dy të kaluarave: bunkerizimin apo nostalgjinë monarkiste.
Pra, satira është se Lufta Nacional-Çlirimtare ende nuk ka mbaruar. Ajo vazhdon çdo 29 Nëntor në ceremoni, çdo seancë parlamentare në fjalime, dhe çdo debat televiziv ku historianët bërtasin me njëri-tjetrin. Dhe ne qytetarët, si gjithmonë, mbetemi spektatorë të një historie që më shumë na ka ndarë sesa na ka bashkuar. Si mund të na ndihmojë eksperienca botërore?
Në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore, gjermanët nuk dolën të bëjnë paradë me flamuj nazistë dhe as të thoshin “Hitleri ishte djalë i mirë, por e teproi pak me tanket”. Jo! Ata u përballën me të shkuarën, e pranuan fajin dhe ndërtuan demokracinë mbi të. Në Spanjë, pas luftës civile, u deshën dekada për të hapur arkivat e për të ballafaquar plagët, por sot së paku ka një debat publik serioz mbi të kaluarën. Në Shqipëri? Ne festojmë 29 Nëntorin duke e quajtur “dita e lavdisë”, ndërsa gjysma e popullsisë e quan “dita e mallkimit”. Një gjerman i sotëm do të shokohej po të shihte sesi ne vazhdojmë të debatojmë: “A ishin më të mirë partizanët që sollën diktaturën apo ballistët që s’u morën vesh mes tyre?”. Ndërkohë, Europa e cila doli nga lufta me Plan Marshall, fabrika e universitete, na shikon ende si një vend ku bustet flasin më shumë se librat e historisë.
Dhe ja ku hyn satira shqiptare: ne nuk kemi bërë asgjë për të trajtuar plagët. Ashtu siç bëjmë me çdo problem, e kemi mbuluar me flamur e këngë. Në vend që të pyesim “pse përfunduam 45 vjet në diktaturë?”, ne preferojmë të bëjmë paradë me gjyshërit partizanë pa menduar aspak per vuajtjet e të tjerëve, ndërsa politikanët e sotëm qeshin me gotën e shampanjës në dorë.
Spanjollët flasin për “Paktin e Harresës”, gjermanët për “denazifikimin”. Ne? Kemi “paktin e përfitimit”: kushdo që është në pushtet, zgjedh versionin e historisë që i shërben. Një ditë është lavdia partizane, ditën tjetër është heroizmi i ballistëve. Dhe qytetari i thjeshtë mbetet konfuz: të valëvisë flamurin e kuq me yll apo të thërrasë “Rroftë Mbreti”? Pra, ndërsa kombet e tjera i kanë trajtuar të kaluarat si plagë për t’u mbyllur me drejtësi dhe reflektim, ne i kemi trajtuar si skenë për komedi politike. Në vend të një katarze kombëtare, kemi një farsë kombëtare.
Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të mos harxhojë më miliona për buste të reja, ceremoni lulesh dhe përkujtimore ku politikanët mbajnë fjalime bosh. Në fakt, e vërteta është se të dyja palët dështuan. Partizanët fituan luftën, por na futën në bunker për 45 vjet. Ballistët dhe legalistët ëndërruan Shqipërinë e madhe dhe fronin e Zogut, por nuk arritën të ndërtojnë dot as një plan serioz për vendin. Sot, 80 vjet më vonë, ne vazhdojmë të rrotullohemi mes dy flamujsh, ndërkohë që Europa për të cilën luftuam na sheh ende si një vend që nuk di t’i bëjë paqe as me të shkuarën e vet. Sepse në fund, ndoshta e vetmja mënyrë për ta fituar më në fund këtë luftë është të pranojmë se askush nuk e fitoi. Dhe të fillojmë të mendojmë jo se kush ishte më i drejtë dje, por si të bëhemi normalë sot.