Nga Keze Kozeta Zylo/
Gëzuar ditëlindjen e dashur Lindita!
Desha të të këndoja në telefon “Happy Birthday”, por zëri im përballë nje artisteje të madhe duket sikur përplaset dhe thyhet midis tingullit tënd të magjishëm… Është më mirë të të uroj poetikisht, që është dhe dashuria ime e hershme deri në frymën e fundit. Mirësia e shpirtit tënd, zëri hyjnor dhe bukuria fizike mbyten në sytë e tu blu si deti në Vlorë, ku je lindur dhe rritur, valëzat e bardha të të cilit të kanë ledhatuar mijëra herë, por Andrea me veglën muzikore “Oboe” që ka luajtur mjeshtërisht nëpër skena e frymon dhe i nxjerrë xhevahiret nga deti në hapësirat pafund, atje ku e kanë vendin kjo racë artistësh. Ç’perla ka oqeani, dhe ç’yje ka qielli, por mjerisht vetëm shteti shqiptar është pa polumbar dhe pa astronom…
Pasi dhe disa koncerte në Operën Kombëtare, Ju u larguat si dy artistë, në vitet 90-të, ikët për ëndrrat tuaja, u larguat në vendin me të afërt në Greqi…
Greqia si gjithmonë që di t’i rrëmbejë të bukurit e Artit ndër kohëra dhe hapësirë, të pranoi ne TV-n kryesore të saj me konkurs të rreptë, ku ti ja dole mbanë dhe i magjepse si Hyjneshë, parardhëset e tua Hyjneshat greke, nëpër skenat greke dhe në Europë.
Erdhe në Amerikë pa mbështetjen e askujt arrite të mbaroje Master në Mannes College of Master of Music in Voice from Mannes College of Music at New School University dhe për një vit vazhdove “Professional Studies Program at Mannes College of Music”. Në bazë të kësaj merite sot po punon si mësuese muzike e liçensuar në shtetin e Nju Xhersit. Doje të mbijetoje, iu fute studimit, por koha po fluturonte për të qenë ne skenat e botës…
Në se do të kishje mbështetje nga shteti shqiptar si artiste me një karierë të shkëlqyeshme, dhe shteti yne do i shikonte të gjithë artistët dhe të talentuarit pa preferenca partiake, me syrin e nënës, me siguri do të ishje shumë, shumë më e dëgjuar se shumë të përkëdhelurit në breza…
Ti mbijetove edhe pse me babain në burg… Sot ai të bekon nga qielli që ti po e nderon kudo.
Je e vetmja shqiptare që ke dhënë koncert në Carnegie Hall në New York, por mjerisht shumë media në Shqipëri ju bëjnë jehonë ahengjeve dhe muzikës tallava…
Ke bashkëpunuar ngushtë me artistë ndërkombëtarë. Ke kontribuar për Diasporën si dhe në programin artistik të Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe koncertin klasik që u organizua në Manhattan që hapi siparin në 100 Vjetorin e Pavarësise, në Diaspore, organizuar nga TV “Alba Life” dhe nje grup artistësh me udhëheqës pianistin e talentuar, artistin Petrika Melo.
Si pjesë e Diasporës ke dhënë disa koncerte në disa festa të organizuara si nga gazeta e mirënjohur “Illyria”, Motrat Qiriazi, Vatra, New York, Mass Besa dhe Holy Trinity Albanian Church në Boston. Je një mbështetëse krenare për populllin e Kosovës për të cilin dhënë koncert në Kombet e Bashkuara për të sensibilizuar njerëzit.
Herën e fundit ke qenë për Shoqatën “Ana e Malit” në 100 vjetorin e Pavarësisë, por jo e fundit siç te thanë organizatorët në Ditën e 7-8 Marsit ku more çmimin e lartë të mirënjohjes nga kjo organizatë frytdhënëse dhe atdhetare.
Ti ece udhëve të artit dhe të dijes me guxim dhe ndershmëri, herë si mjellmë e herë si Zanë Mali, dhe ja arrite, ja arrite aq bukur sa një ditë kori botëror i specializuar shpresoj të të dhurojë në skenë lule me mbishkrimin: “LULE PËR TY LINDITA! LULE PER TY ARTISTE VLONJATE SHQIPTARE, AROMË GRUAJE”!
12 Mars, 2015
Staten Island, New York