– Si në një skaner të kujdesshëm romani”Lulet e Pjeshkës” i Hasan Bajos, pasqyron njollat e errta dhe dukuritë më tipike në gjirin e një shoqërie në reanimacion e sipër dhe pa shpresë shpëtimi…./
NGA AGIM BAJRAMI/
Në tregun e sotëm të librit ka shumë tituj ku mund të humbasësh i tëri, pa patur, asnjë mundësi orientimi. Kjo sepse librit artistik i janë sulur shumë sot. Liria e shprehjes dhe krijimit ka zgjuar prirje dhe pasione të panjohura dhe të çuditshme deri më dje tek njerzit. Të gjithë duan të shkruajnë ,por sa dijnë ta bëjnë këtë ,kjo është një gjë tjetër. Për fat të keq shumica e tyre mbesin në kuadrin e një fotografimi të rëndomtë ,ose në hiperbola heroizmash dhe fantazish të pa cak. Prandaj edhe largimi i lexuesit nga libri artistik është një veprim i justikuar.Vepra artistike simbas Fermin duhet të ketë” disa kate” dhe shpejtësira leximesh. Me këtë pretendim zura të shfletoj edhe unë librin e Hasan Bajos “Lulet e pjeshkës”dhe nuk u zhgënjeva ,përkundrazi. Eshtë një roman që jo vetëm të mban ndehur shpejtësinë e leximit por edhe të të mbushë me një tërësi gjendjesh shpirterore:Dhimbje ,krenari dhe urrejtje… Të gjitha në harmoni dhe raporte të caktuara estetike me njëra tjetrën. Eshtë një vepër që përmban vizione të fuqishme artistike dhe historike , ku po të citonim një shprehje të Milan Kunderës ka për synim të fiksojë çaste të mëdhenj, dhe ku kontrastet e tyre kanë një funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Ka shumë pak rëndësi që Hasan Bajo nuk ka qenë një emër i njohur më parë për lexuesit. E rëndësishme është graviteti i ideve dhe mesazheve që arrin të përcjell ai për bashkëkohësin. Që në krye duhet thënë se autori ka arritur të shpërfaqë para nesh faqe të akullta nga një kohë e pakohë ,si dhe një leksion se si duhet rilexohen veprimet e njerzve në një nga diktaturat më të egra në atë kohë. Hasan Bajo është një krijues që me frymën e tij të tejdukshmërisë ,fuqinë e fantazisë dhe me materialet e shumtë jetësore që zotëron ,arrin të shpërfaqet i natyrshëm para lexuesit,duke thyer kështu çdo kornizë skematike.Duke qenë edhe vetë një i burgosur i ndërgjegjes për 10 vjet në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe Qafë Barit ,duke i provuar vetë mbi shpinën e tij torturat,punën e rëndë dhe regjimin e jetës së një skllavi autori ska bërë gjë tjetër veçse të sistemojë tërë atë mori impresionesh dhe ngjarjesh të pafundme që të mbesin në mendje. Në këtë kontekst shumë kapituj të kësaj vepre mund të konsiderohen edhe si një rrëfim i sinqertë i një njeriu që kthehet nga Golgota.Por pozitive është që vepra i ka shpëtuar karakterit të një rrëfimi personalizues.Më shumë se kaq në gojën e tij janë futur mijra zëra dhe rrëfime personazhesh dhe heronjsh të tjerë.Është një vepër me tekst të korektuar por me një pafundësi gjendjesh emocionale.
Si në një skaner të kujdesshëm vepra pasqyron njollat e errta dhe dukuritë më tipike në gjirin e një shoqërie në reanimacion e sipër dhe pa shpresë shpëtimi. Servilizmi frika,spiunimi, varfëria e tejskajshme pasiguria janë pjesë e procesit të verifikimit të atij sistemi totalitar,por edhe një sprovë për verifikimin e heronjve dhe antiheronjve të tij që nuk ishin pak.
Subjekti i romanit fillon nëpërmjet një thyerje interesante. Parullat antiregjim. Janë ato që hapin romanin dhe që paralajmërojnë një subjekt me përplasje të forta. Duket se me këtë fillim parashikohet edhe fundi i turpshëm i një regjimi të dështuar , që mbahej në këmbë vetëm në sajë të terrorit. Një djalë i ri i veshur me endrra lirije dhe një kitar që emeton tinguj në një peisazh të zymtë… Një bashkërendim energjish ndonëse të pandjeshme përballë asaj që dukej si e pamundur, Diktatures.Megjithëatë autorit i mjafton simbolika për të paralajmëruar atë që pritej:Thyerjen.Ai është i bindur se ndryshimet e mëdha mund të lindin edhe nga ëndrra. Në krahun tjetër si një masë e stërmadhe me të gjithë instrumentet e tij me të sofistikuara,hetues, policë,spiunë, prostituta dhe servilë qëndron pushteti. Hija e tij është aq e rëndë sa e shoqëron personazhin ngado.Është një hije në trajtë prangash dhe dyer të rënda qelish dhe hetuesish kriminelë,si dhe provokatorësh të rrafinuar si Luli.Duke tentuar të japë me vërtetësi këtë kategori të urryer njerzish të regjimit autori kërkon ti mëshojë faktit se ishin ata dhe një kategori tjetër njerzish me karakter të dobët që e ndihmuan jetëzgjatjen e tij.Përpjekja për ta hequr qafe atë e kishte të paralajmëruar ndëshkimin.Në roman heroi kryesor krahas vetive të tij pozitive është i veshur vazhdimisht edhe me një shtresë ankthi.Ishte një kohë që kërkonte nerva të forta.Duhej guxim, shumë guxim.Në roman heroi kryesore dhe pse i vetmuar dhe i braktisur nga të gjithë është i shoqëruar nga kënga e tij shpirtërore- Shpresa. Është kjo e fundit që e shoqëron atë në çdo çast. Jo më kot simbolika e kitarës shpërfaqet herë pas here në rrefimin dhe veprimtarinë e tij. Diktatorët gjithmonë e kanë pasur zët artin.Largimi nga” kloni” i vendosur prej tyre konsiderohej shkarje, dhe faj dhe kanë qenë me dhjetra ata që e paguan me vite të tëra burgu kërkesën për tu ndier sado pak të lirë përmes artit të tyre. Kjo sepse diktaturat s’janë gjë tjetër veçse sisteme inkuzicioni.Duke depërtuar në brendi të tyre autori arrin të pikturojë jo pak atë atmosferë të zymtë ankthi që ka mbizotëruar me dekada të tëra mbi atdheun e tij të përkulur keqas nga ky lloj inkuzicioni. Të gjendur nën këtë trysni ishin shumë prej individëve siç ishin Luani, Nexhi etj., që shitën gjithçka ,gjer edhe nderin dhe dinjitetin e tyre vetëm për ca benefite të veçanta për atë kohë , ashtu siç kishte të tjerë që arritën ti qëndronin denjësisht këtij presioni siç ishte vetë autori,Lani,xha Qamili etj.Natyrisht që botëkuptimi dhe idealet e autorit do ti shihnin me neveri të parët. Për te ata s’janë gjë tjetër veçse antiheronj mjeranë. Prandaj gjatë karakterizimit të tyre filli alegorik i autorit është i dukshëm dhe mbizotërues.Hetuesit,spiuni tek ura dhe treni të mbeten gjatë në kujtesë dhe evidentojnë aftësitë e veçanta individualizuese të shkrimtarit. Kjo i jep të drejtë postulatit të njohur se kur shkrimtari ka jetuar gjatë me personazhin arrin ti hyjë atij edhe nën “lëkurë “. Ky është një shkak që duke ndjekur lëvizjet e tyre të krijohet përshtypja se edhe ti diku duhet të jesh takuar me ta. E keqja dhe ligësia që mbartin ata është aq e madhe dhe mbizotëruese sa të lerë gjurmë deformimi dhe terrori tek një popull i tërë.Ishte një kohë kur survejohej dhe frymëmarrja, është pohimi nëntekstual i narratorit. Për të shmangur disi këtë lloj atmosfere burgu të stërmadh ai detyrohet të fus herë mbas here edhe momente të bukura lirike siç ishte dashuria e tij me Senën ,apo momentet e bisedave të tij me nënën. Janë skena ku spikat aftësia individualizuse e autorit ,por edhe poetika e brendshme e prozës së tij.
Lulet e pjeshkës edhe përkundrejt titullit të saj të gjetur që simbolizon pranverën me blerimin dhe bukuritë , në tërë hapësirën e saj tekstore të kujton zbritjen brenda një kove të ngushtë drejt fundit të një pusi të thellë e me ajër të pakët. Ne e ndjemë në çdo çast gërvimën e litarit dhe përplasjen e kovës në faqet e pusit, duke e ndihmuar përfytyrimin tonë të depërtojë më në brendi të kohës dhe labirintheve të saj të ngatërruara.Ç’ndodh me të në ato çaste? E thjeshtë.Në çdo metër zbritje pamja ngushtohet dhe frymëmarrja nis të të bëhet më e vështirë. Lexuesi pret nga çasti në çast që litari të këputet dhe të ndodhë gjëma.Dhe ky parashikim kobndjellës ndodh vërtet. Protogonisti arrestohet.Skena e arrestimit dhe aktorët realizues të saj janë një nga më mbresëlënset në këtë roman.Një arkitekturë palogjikshmërie dhe egërsie shtetërore.Piktura e këtij momenti s’di pse më kujton personazhet tragjike të Arkipelagut Gulag të Solzenicinit. Të njëjtat kurthe dhe mënyra survejimi dhe arrestimesh. Të njëjtat akuza qesharake dhe publik i indoktrinuar.Lëvizjet e personazhit të kujtojnë ecjen e një udhëtari në xhungël. Në këtë rast raportet jetë ,vdekje qëndrojnë në ekuilibra të brishtë dhe delikate. Ky është një nga shkaqet që mbajtja e frymës dhe klithma e mbytur të jenë pjesë përbërëse e procesit të leximit. Subjekti narrativ i këtij romani edhe pse në vështrimin e parë i ngjan një historie individuale asnjëherë nuk mund të kuptohet si i tillë. Rrëfimi në vetën e parë është veçse një lloj “rrengu” për ta mbajtur më pranë lexuesin ,gjë që është e motivueshme.Sot kemi një numër të madh librash me kujtime nga të burgosur të ndërgjegjes me këtë temë që përkundër subjekteve të mbushur përsëri nuk arrijnë të ngjallin vemëndjen tonë. Stili i rëndomtë me të cilin janë trajtuar ato mendoj se është një nga shkaqet.Në “Lulet e pjeshkës “stili i autorit përkundrazi karakterizohet nga një zhdervjelltësi e theksuar ,linja që ndjekin dhe plotësojnë njëra tjetrën, gjuhë e gjallë, elokuencë rrëfimtare dhe frazeologji e pasur.Duket se mes narratorit dhe lexuesit nuk egzistojnë aspak distanca dhe mure.Kjo jo vetëm për shkak të prezencës së heshtur nëpër faqet e librit ,por edhe një lloj fryme intimiteti që të afron rrëfimi i tij.Romani nuk shpërqëndrohet në linja të shumta ,megjithëatë merr përsipër të trajtojë dimensione kohore të gjëra,fate njerzish dhe histori të ndryshme.Ndërtimi i dialogëve ,monologjet e shumtë dhe zbërthimet psikologjike të personazhit e bëjnë më së miri këtë. Protogonistit të librit në segmentet kohore nëpër cilat kalon i është dashur të vihet përballë alternativash të vështira jetësore, nëpërmjet të cilave ai ka arritur të evidentoj pjesë të karakterit të tij të fortë prej heroi. Individi dhe diktatura dallohen nga njeri tjetri jo vetëm nga mënyra sesi vizatohen ,por edhe nga simpatitë dhe antipatitë që rrezatojnë ata në atmosferë.Dhe kjo ja rrit vlerat kësaj vepre. Ndërsa tek i pari autori ka futur shumçka nga vetvetja,si botën e gjërë shpirtërore ,lirizmin e brendshëm ,dashurnë për jetën dhe etjen për ndryshim. ,tek i dyti ngjyrat e përshkrimit janë aq të errëta sa të kujtojnë natyrshëm një përbindësh. Personazhet pozitivë të këti romani janë njerëz me një botë të bukur ,pamvarësisht nga presionet dhe kufizimet e jetës.Sakrificat ë jetës jo vetëm nuk arrijnë ti ndryshojnë ata por në të kundërt i bëjnë më të bukur ata.Ata para lexuesit si karaktere të formuar në furtunë ,me të gjithë begraundin e tyre të plotë shpirtëror dhe moral. Parë në këtë kontekst libri shtron edhe pyetjen e njohur:Cila duhet të jetë fizionomia e një heroi në raporte me kohën që i përket?Përgjigja është e qartë: Të bëjë atë ç’ka të mundë për tu ndjerë i lehtësuar përballë vendit dhe ndërgjegjes së tij. Veprimi i parë në këtë kontekst është konturimi i qëndresës brenda vetes. Një qëndresë e heshtur por sfiduese.Personazhet e këtij skalioni e kishin të qartë se veprimet prej adoleshentësh çonin më shumë” ujë në mulli të armikut”… Kështu që ata kishin krijuar një mur ndarës me atmosferën servile që mbisundonte në atë kohë.
Mos duartrokitja e veprimeve vrasëse të regjimit është një xhest i madh distancues.Në anën tjetër ai është edhe një thirrje e nënkuptuar katarsisi për pjesën e pandërgjegjshme të turmës:Mos u bëni pjestar të krimit edhe ju o të burgosur pa pranga dhe skllevër bindjësh naive!
Heroi qendror i veprës është i prerë për ti krijuar vet vetes një estetikë të veçantë mbijetese. Ai di të jetë i ftohtë dhe i alegorik me shërbëtorët e regjimit ,por i butë dhe i dashur me njerëzit e rrethit të tij. Dashuria e tij me Senën është një lloj sfide për një ambient të tillë ku mbijetesa ishte dhe mbetej qëllimi më parësor. Fryma egzistencialiste nuk e cënon aspak profilin e tij.Ngjyrat e gjalla të jetës dhe shpresës janë ende dominuese në këtë vepër.Në çdo hap të tij autori i rrethuar gjithmonë nga dashuria e nënës ,dhe kujtimi i babait të tij.Kjo i jep protogonistit edhe një dimension më shumë force përballë provokimeve dhe presionit të hetuesve dhe zyrtarëve brutalë të organeve të diktaturës.Figura e nënës sikur del nga blloku i shenjtë i kujtimeve të tij ,sa herë që gjendet në vështirësi dhe është një nga më të realizuarat në këtë vepër. Po kështu edhe karakteri interesant i xha Qamilit, Senës. Kujtimit te çmendur etj.Tek figura e Petraqit autri shpërfaq para lexuesit një anë të njohur të hetuesive të regjimit ,aftësitë e tyre kriminale për ti shpërfytyruar kundërshtarët e tyre.Ndonëse personazhet qëndrore janë përfaqësues të një brezi të humbur,në sytë e tyre bulëzon ende shpresa. Kjo sikur e mbron romanin në çdo moment nga disfatizmi dhe deheroizmi. Vuajtjet dhe martirizimi i tyre na bën ti shohim me neveri etiketimet djallëzore të misionarëve famëkeqe të Katovicës , se gjoja në Shqipëri të gjithë kanë qenë bashkëvuajtës dhe bashkë fajtorë ,gjë që bie ndesh me faktet e njohura historike.Në këtë kontekst qëllimi parësor i autorit duket se ka qenë edhe ringritja në piedestal e heronjve të nëpërkëmbur të demokracisë shqiptare ,dhe demaskimi i antiheronjve. Fakti që në këtë vend rrjedh ende vreri i punëve të këqija të këtyre misionarëve,dhe emri demokraci është ende larg, i jep të drejtë shqetësimit të autorit Hasan Bajo.Lulet e pjeshkës duhet përshëndetur kështu edhe si një memorie e artikuluar për një kohë pa liri dhe humanizëm,por edhe një akuzë dhe kujtesë për një regjim nga më barbarët që ka provuar ky vend deri mëtani.E keqja në këtë vend nuk vonon. Rreziku i rikthimit të saj egziston fuqishëm.Sinjale janë të dukshme.Ndaj vetvetiu të vjen në mend fraza e njohur dhe sinjifikative e Julius Fuçikut: Njerëz mos harroni!