Artan Nati/
Humanizmi është një sistem mendimi që përqendrohet te dinjiteti i qenieve njerëzore dhe vlerat e tyre. Gjithashtu në filozofi, humanizmi është një qëndrim që thekson dinjitetin dhe vlerën e një individi. Një premisë bazë e humanizmit është se njerëzit janë qenie racionale që posedojnë brenda vetes aftësinë për të vërtetën dhe mirësinë. Ne të gjithë duhet shohim veten si një qenie humaniste në jetën e përditshme. Gjithmonë të përpiqemi të shohim të mirën tek një person kur ai/ajo na zemëron ose na mërzit dhe të mendojmë se ndoshta ai person ka pasur një ditë të keqe dhe të jetosh jetën për momentin është e vështirë. Sokrati ishte madje një lloj humanisti i hershëm. Ai mund të citohet të ketë thënë: “Të njohësh të mirën do të thotë të bësh të mirën”. Ai besonte se askush nuk kryen vullnetarisht një vepër të keqe, sepse e keqja vjen nga injoranca, injoranca nuk është marrëzi, por mungesa e njohurive. Nëse të gjithë njerëzit do të mendonin si humanistë, a do të përhapej paqja në të gjithë globin? Ishte pikërisht kjo pyetje që secili prej nesh mendonte dhe u bë tema qendrore e bisedave, pyetjeve e përgjigjeve, pas takimit të komunitetit Shqiptar në ambientet e kishës ortodokse shqiptare në Çikago. Në këtë takim të drejtuar dhe organizuar nga përfaqësuesi i AANO Prof. Dr Jani Gjoni, ku morrën pjesë kryesia dhe shumë anëtarë të Vatrës, dega Çikago, foli autorja e librit “Lulja e Vlorës”, Dr. Ana Kohen.” Lulja e Vlorës” fokusohet në traditat romaniote të familjes së Dr. Kohen, të cilat ata duhej t’i kremtonin në fshehtësi për shkak të shtypjes së fesë nga diktatura shqiptare. Të mbetur pa shtetësi, pasi nuk kishin asnjë dokument dhe nuk do të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste, familja kishte një skemë të guximshme për t’u larguar nga Shqipëria për në Perëndim, pikërisht nën sytë e policisë sekrete. Kohen përfundimisht u bë dentiste në Greqi dhe më pas në qytetin e Nju Jorkut, duke mësuar zanatin e implanteve dentare nga shpikësi i tyre dhe duke krijuar praktikën e saj shumë të suksesshme. Jeta e saj mori një dimension humanitar si Presidente e Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane, duke ndihmuar refugjatët, gratë dhe fëmijët, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Pyetja qëndrore e takimit ishte se si ishte e mundur që Shqipëria kishte më shumë hebrej pas luftës krahasuar me periudhën para lufte, si edhe përkrahja e madhe morale dhe materiale që shqiptarët i dhanë kësaj popullsie, në rastin konkret familjes së autores së librit. Mendoj se kjo është një pyetje që e ka shpjegimin në historinë e veçantë të kombit tonë krahasuar me vendet e tjera europiane, por edhe me ato të lindjes së mesme. Nevoja për të mbijetuar, si një komb i vogël i rrethuar nga një aleancë ortodokse nën ndikimin e Rusisë dhe e ndihmuar kjo nga një neglizhencë e Perëdimit për rajonin tonë, kërkonte një angazhim të ri për mbijetesë. Shqipëria e ndarë në tre besime të ndryshme fetare i tregoi botës se nuk ishte një identitet i ndarë më tresh, por kishte tre përbërës të një identiteti ashtu si Pashko Vasa shkruante “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.Ata filluan të identifikohen fillimisht si shqiptar dhe së dyti si besimtar i një feje të caktuar, pra fillimisht ishin qënie njerëzore me përkatësi të caktuar kombëtare që respektonin besimin fetar të gjithsecilit. Në këtë mënyrë shqiptarët treguan një mentalitet racional, por që vinte njeriun në qendër të racionalitetit të tyre dhe të besimit të tyre fetar . Kjo mënyrë racionale e të menduarit dhe të vepruarit krijoi një fenomen të ri në mënyrën e të menduarit në Shqipëri duke vënë në qendër të vëmëndjes njeriun dhe vlerat e tij humane si edhe racionalitetin në funksion të kombit, duke tejkaluar kështu ndasitë fetare dhe duke vënë vlerat humane në funksion të racionalitetit. Gjithashtu tradita shqiptare e besës e shprehur qartë në kanunin e Lekë Dukagjinit , jo vetëm ndaj mikut, por biles ndaj kujtdo që trokiste në derë për ndihmë ishte një virtyt i lartë i shqiptarit. Kanuni i Lekë Dukagjinit konsiderohet si një nga format e para në botë të sistemit të drejtësisë dhe organizimit shoqëror. Pikërisht ishin këto vlera shqiptare të krijuara dhe evoluara në shekuj që gjetën zbatim në ndihmën humane, sakrifikimin e jetëve të tyre për të fshehur popullsinë hebreje ndaj persekutimit nazist. Popullsia hebraike e ndodhur në Shqipëri, por edhe ajo e ardhur nga vende të tjera, u trajtuan nga populli ynë si qënie njerëzore të barabarta, por edhe si miq në vendin tonë. Dhe ky fenomen nuk ishte rastësi dhe as për koniukturë, por ishte pikërisht reflektim i atyre vlerave shqiptare të mbrujtura në shekuj si edhe i ‘besës” shqiptare. Duke përjetuar këto vlera njerëzore dhe mikpritje të veçantë deri në sakrifikim, popullsia hebraike pas lufte ishte shumë më e madhe se ajo para lufte. Kjo vlerë shqiptare u tregua përsëri ndaj ndihmës që iu dha ushtarëve pushtues italianë kur ata iu drejtuan për ndihmë shqiptarëve si pasojë e persekutimit të tyre nga nazistët. Pikërisht janë këto vlera që përshkruhen me realizëm dhe mjeshtëri te libri “Lulja e Vlorës” si një shenjë respekti dhe mirënjohje të thellë ndaj vlerave më humane të treguara nga populli ynë. Mirënjohja e Dr Ana Kohen ndaj ndihmës që iu dha komunitetit hebre në Shqipëri dhe anasjelltas ndihma e madhe e saj ndaj komunitetit tonë në Amerikë tregon se Lulja e Vlorës u shndërrua në lulen e humanizmit e të mirëkuptimit. Lulja e Vlorës na tregon të gjithë ne shqiptarëve, por edhe njerëzve, popujve të besimeve fetare të ndryshme apo kombësive të ndryshme se në rradhë të parë duhet ta shikojmë njëri tjetrin si qënie njerëzore, si tipari kryesor që na bashkon të gjithëve duke respektuar besimet fetare, idetë, mendimet e traditat e komuniteteve të tjera, në funksion të ndërtimit të një të ardhshme më të mirë individuale dhe të përbashkët.