Në vazhdimësinë e aktiviteteve të ndryshme të mbajtura këto ditë me rastin e Festës Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar Shqiptar, Hirësia e Tij, Imzot +THEOFANI, i Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave bëri Shërbesën e “Doksologjisë së Flamurit” me bekimin e flamurit, mbas përfundimit të Litrgjisë Hyjnore me këtë lutje:
“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, bekoje flamurin tonë dhe shpëtoje shtetin dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe nevojë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë nën hijen Tënde dhe bëna të denjë ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet dhe ditë të shumta, këtu dhe kudo. Se Ti je Perëndi mëshirëplotë dhe njeridashës dhe ty ta drejtojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të.Shenjtë, tani e përherë dhe në jetë të jetëve. Amin!
Popullit shqiptar dhuroji o Zot jetë, paqe, shpëtim, përparim dhe mundje kundër armiqve dhe ruaje për shumë vjet!” (Fan S. Noli, “Doksologjia e Flamurit”, Libri i “Kremtoret e Kishës Ortodokse” 1947, F. 765-770).
Më pas Hirësia e Tij lexoi një lutje të veçantë për Kombin Shqiptar, të kompozuar nga vetë ai për këtë eveniment, si vijon:
LUTJE PËR KOMBIN SHQIPTAR
O Perëndi i etërve tanë, Krijuesi i gjithësisë dhe i racës njerëzore, të cilët sipas pëlqimit Tënd hyjnor i ndave në kombe të ndryshme, e midis tyre edhe atë të Kombit Shqiptar; drejtoje vështrimin Tënd hyjnor mbi të dhe me anën e duarve të Tua jetëbërëse bekoje popullin Tënd Shqiptar në të gjitha trevat e tyre, aty ku Ti i krijove dhe i vendose sipas vullnetit Tënd të gjithëpushtetshëm, duke u dhuruar atyre që lartazi të gjitha gjërat e mira dhe të dobishme të kësaj bote, por mbi të gjitha dhuroju atyre dashuri për njëri-tjetrin që të jenë të bashkuar kurdoherë dhe kudo ata sot ndodhen nëpër botë. Ndriçoi mendjet e tyre që të shikojnë dhe të njohin vëllezërit e tyre të një gjaku. Zbuti zemrat e tyre që të duan dhe ndihmojnë bashkëkombësit e tyre që janë në nevojë. Fry mbi ta Frymën Tënde të Tërëshenjtë, që të futet ndër ta fryma e dashurisë, mirëkuptimit, unitetit dhe ndihmës vëllezërore dhe të ndjekin porositë e Tua; duke larguar prej tyre frymën keqbërëse të përçarjes, urrejtjes, cmirës, xhelozisë, përbuzjes, ndarjes dhe mosdashjes që i largon ata prej Teje.
Se i shenjtë, i mirë dhe njeridashës je o Perëndia ynë, tani e përherë dhe në jetë të jetëve. Amin!
Nga
† THEOFANI
i Filomilisë dhe i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave.