
Kosta Nake/
Poezitë e Lasgush Poradecit, edhe pse kanë kaluar dekada nga vitet e botimit, janë si kujtimet e fëmijërisë që nuk fshihen kurrë deri në fund të jetës, madje ngjiten në përjetësi, sepse u riofrohen brezave me të njëjën freski e bukuri, janë si dashuria e parë që gjeti shtrat te trashëgimia e Rilindjes shqiptare dhe lulëzoi në pranverën e Pavarësisë. Kontaktet e drejtpërdrejta me Europën e përparuar e ushqyen dhe e selitën talentin në rrugën e mundimshme për përpunimin mjeshtëror të mendimit dhe të vargut, e dëshmuar në këtë vëllim me sjelljen e disa poezive në dy-tre dhe katër variante, vetëm e vetëm që çdo fjalë e theks të vendoset në vendin e duhur, si “Poradeci” (2), “Marshi i djalërisë” (2), “Syt’ e lumtur” (2), “Syt’ e varfëruar” (2), “Vdekja e nositit” (2), “Lamtumirë” (4), “Më zu një mall” (3), “Ne porta nga mulliri” (2), “Trashëgimi” (2), “Valimi i dashurisë” (3), “Durimi” (4).
Në parathënien e poetit që përfshihet në këtë vëllim, paralajmërohen kërkesat e larta ndaj vetes: “Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosura nga arti.” (f. 3) “Sepse dyke qenë të përsosura, të derdhura si në mermer, pas mbarimit të kohës qëndron gjuha e tyre…” (po aty) Atëherë kur gjuha shqipe nuk ishte futur ende në hullinë e standartit, poeti lëvroi njërin nga dialektet me kujdes të admirueshëm, “…mundohem me fuqitë e mija t’ja nxjerr në shesh toskërishtes pontecialitetin e saj shpirtëror, bekimin e harmonive të saj…” (f. 4)
Kur Lasgushi shkruan për potencialitet shpirtëror, sakaq na shkon mendja te përmbajtja e poezive të tij ku qartësisht dallohen ato që i kushtohen historisë dhe figurave të mëdha kombëtare, lirikat e natyrës shqiptare të derdhura me aq art dhe lirikat e dashurisë si pjesë e qenësishme e një shoqërie që mbështetet mbi familjen realizuar përmes fijeve aq të shumta shpirtërore.
Poezitë atdhetare që u përmenden në dy vëllimet e para, janë pasuar edhe në krijimet e botuara në shtypin periodik me një shtrirje të gjerë në kohë. E tillë është poezia “Trashëgimi” (f. 229) “që mban erë Shqipërije,” poezia “Himni i flamurit” (f. 288) një ndihmesë në krijimin e identikitit për shpirtin e shqiptarit, poezitë polemizuese për Ernest Koliqin dhe Gjergj Bubanin, poezia “Kënga e Shqipërisë së re” (f. 298) me një pasqyrë të shtypit shqiptar në emigrim dhe atdhetarëve që punuan për të informuar dhe ideuar lëvizjen e madhe.
Lasgushi është poeti më skrupuloz i vargut të matur duke filluar nga vargu 4-rrokësh te 18-rrokëshi – vargu më i gjatë i matur në letërsinë shqipe që mban vulën e tij me katër realizime mjeshtërore: “Kur të më jesh e zemëruar” (f. 99), “Dritë fshehtësije” (f.151), “Fluturimi” (f. 263), “Zemërimi jonë” (f. 271).
“Dhe më pëlqen ah! zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj,
Ndaj rri mendohem dyke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj?
Dhe ja! ma fal çfardo mërije! dhe ja! ta fal çfardo mëri!
Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri.” (f. 271)
Ndër vargjet e rëndë kulmon poezia “Naim Frashërit” (f. 37) ku Lasgushi e larton figurën e ndritur të Rilindjes duke përdorur pikërisht vargun e famshëm 16-rrokësh naimjan.
Llojet e strofave, rimave dhe theksave ritmikë janë një tregues tjetër i punës së jashtëzakonshme çka kontraston me vërshimin e pakontrolluar të vargut të lirë të ditëve tona.
Nga distikët mund të veçohen poezia e famshme “Kroji i fshatit tonë” dhe poezia “Sy’ e varfëruar” me përdorim të epanostrofesë dhe të këmbëve trokaike:
“Shkonje pranë meje mu në mes të ditës,
Dyke m’i mbërthyer syt’ e tu soditës./
Syt’ e tu soditës, syt’ e tu të ngjyer,
Kur më patnë haruar ishte mbrëma thyer.” (f.68)
Tercinat përfaqësohen me poezinë “Kur m’u rrite vogëloshe” (f. 200), e konceptuar si një shkallëzim rritës: m’u rrite, më sbukuroshe, m’u fsheve, më turpëroshe, përvëloshe; me poezinë “Dita e njëzetetetës” me rimën e jashtëzakonshme ABA që ruhet fillim e mbarim në nëntë strofa, me poezinë “E mora shoqëzën në krah” e shumënjohur si tekst kënge dhe kulmon me poezinë e famshme “Vdekja e nositit” me këmbë jambike dhe rimat AAA:
“Pa nis ah! gjirin ta godas…,
Dh’ e hap ah! gjirin më një ças…,
Dh’ i ngij ah! zoqtë e vdes me gas!…” (f.129)
Strofa 4-vargëshe me gjatësi të njëjtë të vargjeve është zotëruese, por veçohet poezia “Përse të dua” me tre vargje 6-rrokësh dhe vargun e katër epiforik “prandaj” në fund të shtatë strofave; poezia “Ti moj shoqe” ku vargu i fundit është 4-rrokësh ose sa gjysma e rrokjeve te tre vargjet paraardhës; te poezia “Syr’ i fshehur” alternohet vargu 8-rrokësh me atë 6-rrokësh, kurse te poezia “Më zu një mall” alternohet vargu 7-rrokësh me vargun 5-rrokësh.
Strofën 5-vargëshe e ndeshim te poezia “Malli i vjershëtorit” me rimën ABAAB. Interesante është edhe poezia “Trumba gjak” me këmbë jambike dhe ngarkesë të madhe onomatopeike:
“Tika-tak, tik-tak:
Godet kjo zemra sot,
Tik sot e tak me mot;
Tik-tak, tik-tak,
Shkon jeta pak nga pak.” (f. 266)
Me strofa 6-vargëshe janë ndërtuar poezia “Shpirtit” me rimën ABACCB, poezia “Të kërkova me qiri” ku operohet me dy vargje 4-rrokësh të ndërkalluar mes katër vargjeve 8-rrokësh me rimën AABBAA, dhe poezia e famshme “Gjuha e zjarrtë” me rimën ABACBC:
“O këng’ e shentëruar, o verb i larë n’ar.
O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar.
O fshehtësir’ e ndezur në fill prej shkrepëtime.
Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj me kartë,
Porsi një kraharuar ti dhemb, o Gjuhë e zjarrtë,
Porsi kullim i gjakut që rreh në zemrën time.” (f. 145)
Poezitë “Letërkëmbim” dhe “Kundrimi” janë sprova për një ndërtim strofik Lasgushian: alternim i tercinës me distikun me rimën AAB BA. Poezia “Përjetësia” në dy variante dhe e shkruar në kohë të ndryshme është përjashtim: largimi nga vargu i matur dhe krijimi i efekteve pamore me shkrim të theksuar.
Tingëllima nuk mund të ishte jashtë inventarit strofik dhe shfaqet te poezia “Dëshirave”.
Poezia monokolone zë një vend të rëndësishëm në thesarin poetik të Lasgushit me larmi vargjesh e rimash, si: “Një yll përjetësie”, “Rri me shëndet”, “Resurrectio”, “Njeriu dhe Zoti”, rapsodia “Bjenë telat”, etj.
Ilustrime stilistike
Poezia është si një rrahje zemre te përballja e parë e secilit me Të Bukurën e Dheut, por poeti e tejkalon njeriun e dashuruar sepse zemra e tij nuk rreh vetëm për sytë e bukur e shtatin e hijshëm, por edhe për çeljen e një luleje, për kuqëlimin e horizontit në lindjen dhe perëndimin e diellit, për flladin parëverak, për arin vjeshtarak, për bardhësinë e borës; zemra e poetit rreh kur shikon të zgjatet dora e lypësit, kur loti nuk frenohet dot në faqet e nënës, kur një grusht shtrëngohet nga padrejtësia, kur një klithmë dhimbje prish gazin e të tjerëve. Por zemra që rreh, ngre sakaq ura komunikimi me shpirtin dhe mendimin duke kërkuar dhe zbuluar fijet e pafund midis tokës dhe qiellit, midis njeriut dhe natyrës, midis shkakut dhe pasojës. Magjja e zemrës fillon përgatitjen e brumit poetik, mendimi i jep forma dhe nuanca pafund, prandaj poezia është krijuar që në antikitet dhe vazhdon të krijohet edhe sot si formë e pazëvendësueshme komunikimi mes krijuesit dhe lexuesit.
Pasuria e strofave, vargjeve dhe rimave shkon paralelisht me pasurinë e figurave stilistike dhe veçimi i më pikanteve prej tyre është një sprovë e vështirë sepse citimi i tyre do të kërkonte hapësira të reja duke iu rikthyer edhe shembujve paraprijës.
Një dukuri mjaft e përsëritur është krijimi i një gjerdani fjalësh brenda vargut duke i kaluar nëpër vizat lidhëse:
Gushë-e-llërë-e-gji-bardhoshe (f. 201), aq hije-rëndë-e-zemër-shkret (f. 79), leshëra-cullufe-dredhur (f.165), e-ëmbla-mi-shoqe-shumë (f.199) Një mal-e-hon-e-det-ah! llaftari (f. 212)
Shembuj me metaforën dhe krahasimin kemi sjellë te vëllimi poetik “Ylli i zemrës” për të portretizuar vashën e dashuruar.
Në figurat e kuptimit shembujt i përkasin personifikimit, paralelizmit figurativ dhe antitezës. Poezia “Vesa dhe loti” (f. 274) i paraqet personazhet e bisedës që në titull.
“Kur ndaj tufës borziloku/ Lulëzonte lul’ e kuqe,/Afër saj un’ isha zogu/ Që çukiste çdo burbuqe.” (f. 165) “Kur bje kallinjve drapri im,/Qit zjarr si vetëtimat,/Kur syri im shtje një vështrim,/Godet në zemër trimat.” (f. 232) “Nuk janë vjersha këngërije/Po janë iskra fshehtësije.” (f. 239)
“Bashkohesh brënda me përjashtësi,/Bashkohesh jashta me përbrendësi” (f.210), “dëshira çelur, gazi mbyll.” (f.183)
Te figurat e shqiptimit poetik aliteracioni, anafora, apostrofa, epifora, pasthirrma dhe përsëritja janë ndër më të përdorurat në poezitë e Lasgushit:
“Dashuronte dashurija, një dashuri – një fshehtësi, m’e fshehur sesa fshehtësija” (f. 82). “Vetullo, moj vetullushe,/Gjarpëro, moj gjarpërueshe,/ Fluturo, moj fluturushe.” (f. 273)
Shembulli tipik i përdorimit të epiforës është poezia “Përse të dua” (f. 241) me shtrirje në gjashtë strofa: vetë, largë, prapë, vashë, grua, përhera.
“Rroftë! fusha oshëtiu,/ Rroftë! pylli uturiu,/Rroftë! deti ja buçiti,/Rroftë! pushka ja kërciti!” (f.153)
“As eja! eja! eja! në zjarr të gjirit tim” (f. 94), “Dhe ik… e ik… e ik… e ik…” (f. 217)
“Ububu! më le të shkretë/ Ah! posa të njoha.” (f. 131)
Duke analizuar vëllimin poetik “Ylli i zemrës” përmenda fjalorin “e hipotekuar” Lasgushian, ashtu siç ka edhe një fjalor letrar Kadarejan, ashtu siç ka edhe një gegërishte të moderuar Fishtjane që përbëjnë një ndihmesë parësore të poetëve dhe shkrimtarëve tanë në pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Dy vëllimet e Lasgushit, duke qenë të botuara rreth një shekull më parë, të krijojnë mundësi për të parë evoluimin e ngadalshëm të gjuhës. Këtu ndeshen trajta fonetike krahinore që sot janë standartizuar, si: çduket, çfaqet, çkëlqen, dyke, gjyrmë, i fellë, fëngjill, djelli, qjelli, ljepur, zembra, mburimi, ryn, rrjeth, lith, ndes, ritem, tmer, më lumtërovi, etj.
Këtu mund të shtojmë edhe përdorimin e fjalëve zvogëluese dhe përkëdhelëse: zemërëz, syçkëzat, thembërza, shkronjëz, pasqyrëzë, herëzën e parë, etj.
Ndër figurat e sintaksës poetike përveç enumeracionit, ka një përdorim të shkallëzimit ngjitës ose zbritës. Një përdorim tjetërlloj është shkallëzimi zbritës në poezinë “Ç’dëgjoj me sy të trembur” që shtrihet në të katra strofat: kënga vjen nga lart – zbret zëri – pikoj përdhe këndimi – po humb ushtimi i zëritë – u shua fare.” (f. 184)
“I çik, i puth, i luan, i rrëkëllen me gas,” (f. 84), “Valimi i anijes së letë/ qetohet, ndalohet, mbaron:/Gjeniu i anijes përpjetë/Hepohet… anohet… valon.” (f.124), “Ajo u ndes e mori valë, ajo u doq, ajo u poq.” (f.187) “Qesh e qan e zjen/ E s’jep të qetë/ E zjen e beren e shfren,/ E s’vdes përjetë.” (f. 287)