
Dr. Agim Z. Dobruna/
Viti 2025, shënon 810 vjetorin e gurëthemelit të një dokumenti që vendosi standarde në liritë dhe të drejtat e njeriut. Ky dokument historik, i njohur si MAGNA KARTA, shënoi një moment kyç në zhvillimin e sundimit të ligjit,madje mund të konsiderohet si një nga dokumentet më të rëndësishme për civilizimin njerëzor. Magna Karta (Magna Carta) u hartua më 15 qershor 1215 nga Mbreti Xhon i Anglisë (John Lackland) pas trysnisë së baronëve anglezë, në vitet në vijim ajo u ndryshua dhe u plotësua…Konsiderohet një nga themelet e së drejtës kushtetuese dhe demokracisë në botën perëndimore. Dokumenti u hartua për të kufizuar pushtetin mbretëror dhe për të mbrojtur të drejtat e fisnikëve, veçanërisht kundër taksave të rënda dhe abuzimeve të pushtetit.
Parimi më i rëndësishëm i Magna Kartës është se askush, përfshirë vetë mbretin, nuk është mbi ligjin. Ajo vendosi gjithashtu idenë se asnjë person nuk mund të burgoset apo ndëshkohet pa një proces të drejtë gjyqësor.
Magna Karta ka qenë një frymëzim për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në shumë vende të botës. Ajo pati një ndikim të madh në zhvillimin e shtetit të së drejtës, duke frymëzuar dokumente dhe lëvizje të rëndësishme historike, si:
Kushtetuta e Amerikës (1789),
Revolucioni Francez (1789),
Komuna e Parisit (1781)…
Ende ekzistojnë katër kopje origjinale të kartës së vitit 1215, dy prej të cilave ruhen në katedralet ku u depozituan fillimisht—në Lincoln dhe Salisbury—ndërsa dy të tjerat ndodhen në Bibliotekën Britanike.
Në përgjithësi, Magna Karta vendosi themelet për konceptet moderne të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave civile, duke shërbyer si model për shumë lëvizje historike që synonin liri dhe barazi….