-Shtatorja e kampiones olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, përurohet në vendlindjen e saj – Pejë/
PEJË, 28 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/ Në qytetin e Pejës, në vendlindjen e saj, është bërë përurimi i shtatores së kampiones olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi, e cila është mbështetur e realizuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.
Në ceremoni të organizuar enkas për këtë ngjarje morën pjesë personalitete të shumta të jetës sportive e politike të vendit, ndër ta Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe ka nderuar me pjesëmarrjen e tij edhe vet kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili ka ardhur për të përuruar shtatoren e xhudistes Majlinda Kelmendi.
Në fjalën e saj, Ministrja Dumoshi, tha se me punën e tyre, Majlinda Kelmendi e Driton Kuka na kanë bërë krenarë të gjithëve, dhe uroi xhudisten Kelmendi për shtatoren e saj, duke e vlerësuar si heroinë të gjallë.
“Ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komunën e Pejës, shumë shpejtë do të fillojmë ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos” duke marrë premtime për përkrahje edhe nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, me ç’rast edhe e falënderoj kryetarin Vizer për këtë gjë. Po ashtu, të gjithë xhudistëve e xhudisteve që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike u dëshiroj sukses dhe uroj që të gjithë të kthehen me medalje nga Tokyo”, tha mes tjerash ministrja, duke konsideruar se suksesi ynë në xhudo nuk është i rastësishëm për shkak të shpirtit luftarak që na karakterizon.
Ndërsa kryetarja Osmani theksoi se “pavarësisht sfidave dhe problemeve që mund të hasin na kanë dëshmuar se mund të rrezohemi, edhe si popull dhe të ringritemi edhe 1 mijë herë nëse është nevoja. Ngrite vendin aty ku ne si politikan nuk mundëm kurrë. Rinia ka qenë shumë hapa para nesh. Ka ardhur koha që edhe institucionet të vijnë në hapin tënd e ta bëjnë krenar vendin”.
Kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, tha se Majlinda është mënyra më e mirë e inspirim për sportin, prandaj sipas tij, duhet të jemi krenarë të gjithë./b.j/