Mesazhet dhe idetë që na sjell Enver Memishaj – Lepenica me veprën “Major Ahmet Lepenica … “/
Nga Gani Ratkocieri, studjues, “Mësues i Popullit”/
Në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, që filloi ditën fatlume të 28 nëntorit 1912, duhet vlerësuar e kujtuar edhe Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës e vitit 1920, sepse këto ngjarje vulosën me gjak dhe rishpallën Pavarësinë Kombëtare të harruar e të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.
Është përfundimi i arritur në mirëkuptim të plotë prej të gjithë historianëve dhe studjuesve, sepse: Fuqitë e mëdha më 17 dhjetor 1912 nuk e pranuam pavarësinë e Shqipërisë, por vendosën që Shqipëria të ishte autonome nën sovranitetin e Sulltanit, ndërsa më 29 korrik 1913 Shqipërinë e shpallën principatë autonome sovrane dhe të trashëgueshme.
Lufta e Parë Botërore: 4 gusht 1914 – 11 nëntor 1918, e përmbysi Pavarësinë e Shqipërisë dhe Fuqitë e Mëdha, më 26 prill 1915, e ndanë Shqipërinë në copa, copa ndërmjet Greqisë, Serbisë dhe Italisë. Në këto kushte patriotët shqiptarë të zhgënjyer nga Fuqitë e Mëdha, i dualën zot vetes me Kongresin e Lushnjes dhe Luftën Heroike të Vlorës, në vitin 1920.
Enver Lepenica me veprën “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”, vjen të dritësojë një prej herojve të Epopesë së Vlorës më 1920, një personalitet të shquar të asaj lufte komandantin e sajë, major Ahmet Lepenicën.
Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare janë botuar disa monografi për figura që kanë dhënë kontribut të madh për të mbritur në 28 nëntor 1912.
Por pavarësisht rëndësisë së këtyre veprave, me përjashtim të gazetave “ 55 “ dhe gazetës “Republika” pjesa tjetër e shtypit dhe televizionit heshtin!?
Këtë fat ka pasur edhe vepra e njëmbëdhjetë e botuar nga studjuesi apasionuar Enver Memishaj-Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Luftës së Vlorës 1920”. Një libër voluminoz prej 500 faqesh, i shkruar me pasion kombëtar, duke dritësuar jo vetëm major Ahmet Lepenicën por krahas tij edhe figura të tjera që luftuan nën komandën e tij.
* * *
Në trajtimin e figurës famëmadhe të major Ahmet Lepenicës, autori është treguar objektiv, pa pasion, njohës i mirë i kushteve e rrethanave historike në të cilat ka jetuar, vepruar e luftuar major Ahmet Lepenica. Ngjarjet historike janë mbështetur në dokumenta e fakte të kohës, në kujtime të botuara dhe në folklor, pra kemi një trajtim shkecor të ngjarjeve dhe heroit të veprës, gjë që e ka vënë re me të drejtë edhe Prof. Dr. Bardhosh Gaçe në vlerësimin e veprës.
Në këtë mënyrë është trajtuar e përshkruar edhe Lufta heroike e Vlorës e vitit 1920.Vepra të këtij lloi i ndihmojnë historianët, për të shkruar me objektivitet historinë tonë kombëtare.
Përmbajtja e veprës është trajtuar sipas rendit kronologjik, pjesmarrja e heroit në lëvizjen Xhontruke, lufta e tij në krah të heroit kombëtar të Turqisë Mustafa Qemal Ataturkut, por sapo u shpall Pavarësia Kombëtare këta oficerë atdhetarë erdhën dhe dhanë kontributin e tyre për themelimin e shtetit shqiptar, policisë, xhandarmërisë dhe ushtrisë.
Autori ka përshkruar bukur takimin e Ahmet Lepenicës me Isa Boletinin në Vlorë: “Trimat u kuptuan shpejt. Ahmet Lepenica i Labërisë u bë mik me Isa Boletinin e Kosovës, miqësi që simbolizonte bashkimin e kombit tonë”, f.40
Një vend të veçantë i ka kushtuar autori kushteve dhe rrethanave historike në të cilat u shpall Pavarësia Kombëtare, mbrojtja e shtetit shqiptar, nga ujqit e jashtëm dhe çakejtë e brendshëm të tipit të Esat Pashë Toptanit, apo Haxhi Qamilit. Autori ka dijtur të nxjerrë në dukje rolin që ka luajtur major Ahmet Lepenica në këto amulli e mjegulla, ngritje e ulje të historisë sonë: kudo ku kërkohej një dorë e fortë thirrej ky atdhetar trim i cili me atdhetari, zgjuarsi dhe aftësi të larta ushtarake zgjidhte situatën ashu siç e donin iteresat e atdheut.
Në libër është vlerësuar veçanërisht bashkëpinimi dhe roli i Isa Boletinit dhe Ahmet Lepenicës, të cilët detyruan mbeturinat e ushtrisë së Shefqet Turgut Pashës që marshonin drejt Vlorës së pa fuqishme të ktheheshin në Vjosë dhe të niseshin për në vendin e tyre nga limani i Semanit:
“Ismail Qemali e kuptoi rrezikun dhe ngarkoi dy heronj, Isa Boletinin dhe Ahmet Lepenicën, të cilët u dolën turqve përpara në Vjosë, duke e detyruar Xhavit Pashën të nisej nga limani i Semanit. Asnjë shërbim tjetër të mos i kishin bërë atdheut Isa Boletini me kosovarët e tij trima dhe Ahmet Lepenica, kjo do të mjaftonte për t`i dhënë atij një vend nderi në historinë tonë kombëtare”, sepse ata shpëtuan Pavarësinë e Shqipërisë, f.41.
Studjuesi Enver Lepenica, ndoshta ndër të parët ka përshkruar heroizmin e 400 luftëtarëve të Isa Boletinit që nën komandën e major Ahmet Lepenicës luftuan me trimëri dhe çliruan krahinat jugore të Shqipërisë nga pushtimi grek.
“Qeveria e Vlorës dërgoi një kompani prej 120 luftëtarësh dhe vuri në dispozicion të Ahmet Lepenicës edhe 400 “djemtë” e Isa Boletinit. Me këto forca Ahmeti çliroi Leskovikun, Kolonjën, Tepelenën, Gjirokastrën dhe Përmetin”, f. 57.
Figura e Ahmet Lepenicës është dritësuar e ndriçuar edhe në luftën që ai ka bërë kundër tradhëtive të brendshme, nga tadhëtarë të lidhur me pushtuesin, ose të mbetur skllevër të otomanizmit, ose për interesa e kapriço personale siç ishte rasti bejlerëve të Cakranit.
Autori me nje gjuhë të bukur e llogjike mbështetur në dokumenta e fakte e ka trajtur figurën e major Ahmet Lepenicës si një gjigand i pamposhtur që vjen duke u rritur, deri sa vijmë në Kongresin e Lushnjes që ai e mbron me armë. Ishte kohë e trazuar dhe pa këtë mbrojtje ai Kongres që shpëtoi Shqipërinë nuk mund të bëhej, prandaj lavdia bie mbi këta burra që e mbrojtën.
Në këtë vijueshmëri të ngjarjeve historike autori na shpie tëk lavdia e Ahmet Lepenicës në Epopenë e Vlorës në atë ngjarje famëmadhe e të lavdishme që në histori ka hyre me emrin Lufta e Vlores 1920.
Enver Lepenica është autori parë që e përshkruan të plotë këtë epope që bënë vlonjatët dhe më pas populli shqitar. Me Komitetin e “Mbrojtjes Kombëtare”, me në krye Osman Haxhinë, me shtabin e luftës më në krye major Ahmet Lepenicën, me çetat e fshatrave të Vlorës, Tepelenës dhe me ato të qyteteve të tjera që erdhën në Vlorë pas datës 10 qershor 1920.
Është e rëndësishme gjithashtu se autori në një kapitull ka botuar faksimile të dokumentave që mbështesin ngjarjet historike që ai trajton, si dhe një kapitull për këngët që i ka ngritur populli major Ahmet Lepenicës, këtij biri të shquar të tij. Veçanërisht të tërheq vëmëndjen urdhëri i emërimit të major Ahmet Lepenicës: Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare. Një urdhër i shkruar me dorë, në majë të malit të Beunit, mbi fshatin Vajzë i firmosur nga 12 anëtarët e Komitetit si dhe me vulën e atij Komiteti.
Lufta e Vlorës dhe roli që major Ahmet Lepenica luajti në këtë epope vigane të popullit tonë zë me të drejtë vendin më të madh në libër.
Asnjë tjetër nuk e ka përshkruar aq bukur tërë zhvillimin e kësaj luftë heroike, bazuar në dokumenta arkivale, në shtypin e kohës, në kujtimet e luftëtarëve të botuara, dhe në këngët popullore. Lufta e Vlorës ishte një “Termopile” e vërtetë, madje ja kalon asaj sepse falë kësaj lufte Shqipëria u çlirua, u bashkua dhe në dhjetor të atij viti për herë të parë u njoh si shtet edhe nga bota e jashtëme.
Autori mbështetur edhe në gjykimet e historianëve të shquar si Prof. Dr. Muin Çami etj arrin në përfundimin se “merita kryesore e fitores në fushën ushtarake në Luftën e Vlorës, i përket pa diskutim këtij burri të harruar dhe të mohuar padrejtësisht”, f. 179
Është meritë e autorit që citon në ligjiratë të drejtë shumë studjues e historianë, për ngjarje dhe fenomene historike çka i bën përfundimet e arritura prej tija të pa diskutueshme.
* * *
Vlerat dhe rëndësia e këtij libri për historinë tonë qëndrojnë veçanërisht në faktet se :Ahmet Lepenica ka qënë një demokrat i vërtetë. Ai gjatë periudhës 1911 deri më 1924, periudha më e vështirë e historisë sonë kur diskutohej në se do të kishte Shqipëri apo jo dha ndihmesën e tij të vyer dhe vendimtare, duke marrë pjesë në të gjitha ngjarjet historike që vendosej fati Shqipërisë. Ai kurrë nuk pa interesat personale, por mbi të gjitha vuri interesat e atdheut të tij. Ai nuk la pas as fëmijë, as pasuri dhe asgjë prej gjëje por la pas veprën dhe emrin e tij të mirë si shembull frumëzimi për brezat e ardhshëm dhe si ide se mbi të gjitha duhet vëmë interesat e atdheut pavarësisht nga sakrificat që duhet të bëjmë.
Enver Memishaj Lepenica, me veprën e vet, ka meritën e madhe sepse e zbuloi e ndriçoi dhe e përshkroi major Ahmet Lepenicën, duke ja kthyer historisë sonë ashtu madhështor, heroik, atdhetar dhe veteran i çështjes sonë kombëtare pa njollë, pra i ngriti atij monumentin që meritone, në peidestalin e nderuar të burrave të kombit tonë.
Nga ana tjetë në këtë vepër kemi për herë të parë një përshkrim të plotë dhe të dokumentuar të Luftës së Vlorës 1920
Për vlerësimin dhe lartësimin e figurës famëmadhe të ushtarakut të pa mposhtur, veteranit pa njollë dhe atdhetarit të shquar duhet të kemi parasysh përfundimin e arritur nga autori në këtë libër se “ Në ato kohëra ishte trimëri e madhe të ishje shqiptar, por ishte trimëri edhe më e madhe të ishje ushtar si major Ahmet Lepenica, një ushtar i ndipedencës sonë kombëtare”.
Gjuha e autorit është e thjeshte e qartë dhe e kuptueshme pa ngarkesa të tepërta, pa prekur gjuhën dialektore kur autori citon në ligjiratë të drejtë personazhet historik. Kjo mënyrë të treguari e bën lexuesin të arri vetë përfundimin e ngjarjeve historike para se ta lexojë në libër nga autori. Jeta dhe kontributi heroit të librit major Ahmet Lepenicës, në historinë e Shqipërisë, shtrihet në një periudhë të gjatë kohore prej vitit 1905 kur ai hyri në lëvizjën Kombëtare, po veçanërisht gjatë periudhës kur po ngrihej shteti shqiptar e bëhej Shqipëria, të treguara e dokumentuara shumë bukur nga autori, çka e kthen librin në një enciklpoedi të vogës të historisë sonë
Në fund të veprës së tij autori ka dhënë bibliografinë: Arkivi Qëndror i Shtetit, Biblioteka Kombëtare, Dokumenta, literatura historiografike me 105 libra duke shënuar edhe faqet ku flitet për major Ahmet Lepenicën, Kujtimet e botuara nga institucione shkencore, folklorin, shtypin 51 gazeta shqiptare dhe të huaja, 15 revista të ndryshme, artikuj që autori ka botuar për major Ahmet Lepenicën që nga viti 1978, dhe në fund ky kapitull mbyllet me indeksin e emrave, gjith ky aparat e ngre veprën që anaizojmë në një vepër të mirëfilltë shkencore.