Artan Nati/
Libri “Jeta e Galileos” i Berthold Brecht-it, ka një shkëmbim midis astronomit të madh dhe një studenti të tij. Nxënësi, Andrea, thotë: ‘I palumtur vendi pa heronj!’ Mësuesi shpejt përgjigjet: ‘Jo. I pakënaqur vendi që ka nevojë për ta”. A po bëhet Shqipëria tani një nga vendet e pakënaqur të Galileos? Historianët kanë debatuar prej kohësh se sa ndryshim mund të sjellë lidershipi në politikë. Në shekullin e 19-të pati një debat të famshëm mbi idetë e kundërta të udhëheqjes heroike të përshkruara nga Thomas Carlyle dhe Leo Tolstoy. Carlyle, në librin e tij “Mbi heronjtë, adhurimi i heroit dhe heroizmi në histori” (1840), argumenton se heroi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndërsa në “Lufta dhe Paqja” (1869), Tolstoi mohon që udhëheqja heroike nuk është fare e mundur. Tolstoi argumentoi se historia formon dhe përcakton liderët, ndërsa Carlyle mendonte se ishte anasjelltas. Në epilogun e tij te “Lufta dhe Paqja”,Tolstoi shkruante për heronjtë se: “Individët shpesh besojnë se po veprojnë me vullnetin e tyre të lirë dhe po bëjnë zgjedhje të pavarura. Megjithatë, në një kontekst historik këto veprime nuk janë vërtet të lira, por përkundrazi janë pjesë e një modeli më të madh historik ose “shkaku i historisë” që ka qenë i paracaktuar”. Ky qëndrim i Tolstoit ishte shumë larg pikëpamjes së Carlyle se “historia është biografia e njerëzve të mëdhenj”. Teoria e lidershipit të Njeriut të Madh të Carlyle ra shpejt në disfavor. Të qenit i vetëdijshëm për pashmangshmërinë absolute të një fenomeni të caktuar mund të rrisë energjinë e një njeriu që e simpatizon atë dhe që e konsideron veten si një nga forcat që e kanë krijuar atë. Çdo njeri me talent që shfaqet në të vërtetë, d.m.th., çdo njeri i talentuar që bëhet forcë shoqërore, është produkt i marrëdhënieve shoqërore. Duke qenë se është kështu, është e qartë pse njerëzit e talentuar, siç thamë, mund të ndryshojnë vetëm veçori individuale të ngjarjeve, por jo prirjen e tyre të përgjithshme; ato janë vetë produkt i kësaj prirjeje; po të mos ishte për këtë prirje, ata kurrë nuk do të kishin kaluar pragun që ndan potencialin nga realja. Me fjalë të tjera, forcat sociale janë përcaktuese, por udhëheqësit individualë kanë një rol jetik në kapjen dhe drejtimin e tyre drejt rezultateve specifike. Një nga njerëzit e mëdhenj të shekullit të 19-të, “Kancelari i Hekurt” që bashkoi Gjermaninë, Bismarku, i tha vetë Rajhstagut në 1869: “Ne as nuk mund ta injorojmë historinë e së kaluarës dhe as të krijojmë të ardhmen. Ndikimi im në ngjarjet nga të cilat kam përfituar zakonisht ështtë i ekzagjeruar; Ne nuk mund të bëjmë histori: [në vend të kësaj] duhet të presim derisa të bëhet”. E megjithatë, unë besoj se individët bëjnë një ndryshim. Në vend të kësaj, unë do të argumentoja se edhe në demokracitë moderne të shekullit të 20-të dhe të 21-të të ndërtuara mbi kushtetuta liberale, të rrethuara nga kontrollet dhe balancat institucionale, një opozitë e fuqishme politike dhe një shtyp i lirë, janë shfaqur liderë individualë që rezultuan të ishin më të mëdhenj se sistemet që i prodhuan ata. Personaliteti i jashtëzakonshëm i Churchill-it e përjetësoi atë si buldog britanik me zemër luani që qëndronte sfidues në këmbët e mureve të qytetërimit perëndimor. Gënjeshtra impulsive dhe shpesh vulgare të Trump-it u tregoi amerikanëve se sa të brishta ishin shtyllat e republikës që ata kishin ngritur. Gjithashtu Margaret Thatcher bëri reforma të mëdha e të paimagjinueshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke shkatërruar sistemin dominues të sindikatave që kishte mbytur rritjen ekonomike britanike dhe duke hapur kështu rrugën për iniciativën e lire. E njëta gjë mund të thuhet për Ronald Regan në USA,që bëri të mundur të shkatërrojë këtë “konglomerat të egoizmit, servilizmit politik dhe verbërisë morale” siç e quante Thaçer.
Individë të tillë mund të jenë më të mëdhenj se ideologjitë dhe sistemet në të cilat operojnë shumë në Shqipëri e përshëndetën Edi Ramën si një figurë kaq transformuese. Ai ndërtoi mbi mesazhin klasik të partisë socialiste një kult personaliteti që çoi në konceptin e “Edi Ramës”. Rama kënaqej duke e portretizuar veten si hero,duke zotëruar të gjitha përgjigjet, i gatshëm për të prerë nyjen gordiane të problemeve të pazgjidhshme të kombit. Çdo fushatë zgjedhore, lokale apo e përgjithëshme, u ndërtua rreth personalitetit të lartë të liderit të saj. Nuk ishte një parti apo një ideologji që fitoi zgjedhjet, ishte një individ.
Nuk ka dyshim se dështimi spektakolar i Ramës në të gjitha frontet si, emigracioni masiv dhe largimi i intelektualëve, rrogat më të ulëta në rajon,korrupsioni masiv, kapja e shtetit nga oligarkët, kriminalizimi i jetës së vendit dhe shumë të tjera – konfirmon përsëri kufijtë e asaj që mund të arrijë lidershipi i pandërprerë individual. Ndërsa neveria popullore rritet ndaj trajtimit të krizës aktuale në vend, është e qartë se lidershipi individual i Ramës nuk mjafton për të shpëtuar Shqipërinë. Me zgjedhjet në prag, mbështetësit e Ramës strehohen në teorinë “Nuk ka alternativë”. Por kjo ofron ngushëllim të pakët. Historianët ushtarakë shpesh citojnë Marshallin gjerman Rommel i njohur gjithashtu si “Dhelpra e Shkretëtirës”, si një shembull të një gjenerali të madh, i cili u mposht nga armiq shumë më inferiorë se ai. Kundërshtarët e tij gëzonin avantazhe që kishin më shumë rëndësi sesa cilësitë e lidershipit të Rommel-it, si fuqia organizative, burimet e duhura dhe një kauzë që njerëzit mund të mblidheshin rreth e qark. Rama është me fat që dy vetitë e para nuk janë ende në dispozicion të kundërshtarëve të tij. Por pasi të jenë, nuk do të mjaftojë vetëm udhëheqja më e madhe se sistemi për ta shpëtuar atë, ose për të fundosur Shqipërinë. Ndoshta në atë pikë, Shqipëria nuk do të jetë më vendi i pakënaqur i frikës së Galileos.