
Artan Nati/
Në Perëndim, qoka nuk konsiderohet as dhuratë, as dekoratë morale, as shenjë fisnikërie kulturore. Ajo nuk vendoset në xhaketë si medalje, por çohet në mes të sheshit dhe, po qe nevoja, digjet në dritë të diellit. Sepse atje, respekti nuk jepet me buzëqeshje, por fitohet duke mbijetuar kritikën. Shembulli klasik është Dale Peck, eseist dhe kritik amerikan, i cili në vitin 2002 bëri atë që çdo sistem letrar e urren më shumë: foli troç. Ai botoi në gazetën “New York Times” artikulin, pa asnjë filtër diplomatik, me titull “The Snark Manifesto” ose “Manifesti i sarkazmës”. Peck deklaroi se kritika letrare amerikane kishte degraduar në klub miqsh, ku lavdërimi ishte bërë ligj dhe miqësia kriter estetik. Ai nuk u mor me hijet, por me ikonat: Rick Moody, Jonathan Franzen, David Foster Wallace, emra që në sallonet letrare trajtoheshin pothuaj si relike të shenjta. Fjalia që ndezi zjarrin ishte e pamëshirshme: librat nuk mbijetojnë për shkak të vlerës, por sepse sistemi i mbron si specie të rrezikuara.
Efekti ishte i menjëhershëm dhe brutal. Media e kapi skandalin me instinkt grabitqari, polemika shpërtheu, kampet u ndanë, dhe për herë të parë kritika e butë u quajt publikisht kompromis, ndërsa lavdërimi pa argument u etiketua si dembelizëm intelektual. Reputacione që dukeshin të betonizuara u lëkundën dhe disa kritikë u detyruan të dilnin në publik për të shpjeguar pse kishin lavdëruar libra që, në heshtje, nuk i kishin besuar kurrë.
Por mbi të gjitha, u rrëzua qoka. Nuk pati më strehë, nuk pati më “respekt reciprok”, nuk pati më heshtje të kulturuar. Gjithçka ndodhi para publikut: ishte e zhurmshme, ishte e dhunshme, ishte e pakëndshme dhe pikërisht për këtë arsye, ishte e vërtetë. Në atë moment, letërsia nuk u plagos, por u pastrua.
Imagjinoni tani të njëjtën skenë të transplantohet në Shqipëri. Eseja nuk do të arrinte kurrë te shtypshkronja. Do të vritej që në redaksi, me arsyetimin klasik se “nuk është momenti”, “nuk ndihmon klimën kulturore” ose “krijon përçarje”. Autori, ndërkohë, do të etiketohej menjëherë sipas fjalorit standard: i paguar, i hidhur, me mision nga ish sigurimi, patjetër xheloz. Jo për atë që tha, por për faktin se guxoi ta thoshte.
Më pas do të vinte ndëshkimi real, ai i butë dhe i heshtur: përjashtimi i porositur nga gazetat letrare, pikërisht nga ata që ishin dënuar në mbrojtje të fjalës së lirë. Çmimet, juritë, panelet, promovimet, festivalet, të gjitha do të mbyllnin dyert me një buzëqeshje korrekte. Në Shqipëri, në ndryshim nga perëndimi, qoka funksionon si virtyt kombëtar dhe si garanci karriere. Sa më pak tekst të ketë lavdërimi, aq më i sigurt është. Lavdërimet pa lexim nuk rrëzohen kurrë, kritikët nuk sfidohen, dhe polemika trajtohet si sëmundje sociale, jo si funksion i shëndetshëm i kulturës.
Këtu qëndron dallimi fatal. Në Perëndim, qoka mund të kthehet në njollë reputacioni: kritiku që nuk bind humbet kredibilitet, dhe lavdërimi pa argument përfundon në turp publik. Në Shqipëri, qoka është e pathyeshme. Ajo nuk shqyrton, por certifikon, nuk sfidon, por ruan, nuk përplas ide, por harmonizon interesa. Është mekanizëm mbijetese, jo instrument gjykimi.
Për pasojë, kritika shqiptare mbetet një sallon i mbyllur, një rrjet miqsh të përhershëm, një hierarki buzëqeshjesh, heshtjesh dhe respektesh të ndërsjella. Libri nuk testohet kurrë në debat, por nderohet paraprakisht. Nuk lexohet për t’u vlerësuar, por për t’u përfshirë në rreth.
Dhe kështu, ndërsa në Perëndim qoka vdes në dritë dhe letërsia fiton standard, në Shqipëri qoka jeton rehat në hijen e lavdisë së rreme. Letërsia mbetet e pazhvilluar, e paprovuar dhe e heshtur, por gjithmonë e shkëlqyer në retorikë.
Në mitologjinë e saj moderne, kritika letrare paraqitet si një hapësirë e zhurmshme përplasjesh, një arenë ku idetë ndeshen, tekstet sfidohen dhe autorët zbresin nga piedestalet për t’u ballafaquar me leximin publik. Ajo supozohet të jetë ura mes veprës dhe shoqërisë, një gjykatë estetike që flet me gjuhën e argumentit dhe jo të interesit. Kjo është tabloja ideale, ajo që përmendet me solemnitet në librat e teorisë dhe në fjalimet akademike. Por sapo largohemi nga kjo skenografi dhe shohim realitetin kulturor shqiptar, tabloja zbehet: kritika nuk mungon, ajo thjesht ka ndryshuar profesion. Nga analizë është kthyer në ceremoni, nga konflikt në konsensus, nga gjykim në miratim të butë.
Në Shqipëri, kritika letrare ka pësuar një transformim të heshtur, pothuaj të padukshëm, por thelbësor. Ajo nuk ushtron më funksionin e saj përçarës dhe emancipues, por vepron si ritual afirmues, si një akt mirësjelljeje kulturore që synon ruajtjen e ekuilibrave, jo tronditjen e tyre. Për ta emërtuar këtë gjendje, mund të përdoret termi Q.O.K.A – Qasje Oportuniste Kritike Afirmuese – një akronim që tingëllon i pafajshëm, por përmbledh një regjim të tërë diskursiv, ku kritika nuk mat vlerën e tekstit, por peshon marrëdhëniet shoqërore që e rrethojnë atë.
Në këtë regjim, gjykimi estetik nuk zhduket: ai thjesht shndërrohet në akt simbolik lavdërimi. Kritiku nuk pyet më “çfarë bën ky tekst?”, por “çfarë pozicioni ka ky autor?”. Analiza zëvendësohet nga konsensusi, argumenti nga fjalia e ngrohtë, konflikti estetik nga paqja artificiale. Dhe kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së dijes apo aftësisë kritike, por nga një ndërthurje e frikës kulturore, interesit simbolik dhe mungesës së institucioneve që do ta mbanin fushën letrare të hapur ndaj përballjes.
Q.O.K.A nuk është ves individual, as sjellje sporadike. Ajo është strukturë kolektive. Brenda saj, vepra letrare shërben si pretekst, jo si objekt i vërtetë analize. Autori trajtohet si kapital simbolik që duhet menaxhuar me kujdes dhe kritiku shndërrohet në administrator marrëdhëniesh, në garant të harmonisë dhe jo në interpretues të pavarur. Në këtë kuptim, kritika nuk prodhon më kuptim, por stabilitet. Ajo nuk hap debate, por mbyll mundësi.
Nëse do ta përkthenim këtë situatë në gjuhën e Pierre Bourdieu-së, do të thoshim se fusha letrare shqiptare vetë-riprodhohet përmes lavdërimit reciprok. Pozicionet mbrohen jo me argumente teorike, por me komplimente. Kush lavdëron sot, siguron heshtje nesër. Kush kritikon, rrezikon përjashtimin nga rrethi i ngrohtë i njohjeve, promovimeve dhe parathënieve.
Origjina e kësaj gjendjeje nuk është e rastësishme. Shqipëria vjen nga një përvojë totalitare ku kritika ishte instrument ideologjik, një mjet ndëshkimi dhe jo mendimi.
Kjo prodhoi një frikë strukturore ndaj gjykimit negativ. Pas rënies së sistemit, kjo frikë nuk u shndërrua në liri kritike, por në heshtje konsensuale. Kritika nuk u çlirua; ajo u neutralizua. Sot, askush nuk të ndalon të kritikosh, por të gjithë të bëjnë të ndihesh i papërshtatshëm nëse e bën. Q.O.K.A është kështu vazhdimësi psikologjike e censurës, por në formë vullnetare, të internalizuar dhe të buzëqeshur.
Kjo qasje bie ndesh drejtpërdrejt me traditën e kritikës moderne perëndimore, ku figura si Adorno apo Barthes e shohin konfliktin interpretativ si kusht themelor të mendimit kritik. Për ta, kritika që nuk rrezikon është dekor dhe kritika që nuk përplas është propagandë e heshtur. Q.O.K.A, përkundrazi, e trajton konfliktin si kërcënim ndaj rendit kulturor. Ajo prodhon qetësi, por jo zhvillim; stabilitet, por jo kuptim. Në këtë kuptim, nuk kemi të bëjmë me dështim kritik, por me anti-kritikë të sofistikuar, të veshur me gjuhë etike dhe solidariteti.
Një nga justifikimet më të shpeshta është ai i tregut të vogël: “jemi pak, duhet të sillemi mirë me njëri-tjetrin”. Por ky argument ngatërron mbijetesën me pandryshueshmërinë. Historia letrare tregon se zhvillimi estetik nuk lind nga përkëdhelja reciproke, por nga përplasja e ideve. Solidariteti pa kritikë nuk prodhon cilësi, prodhon homogjenitet dhe mediokritet të paketuar bukur.
Pasojat e dominimit të Q.O.K.A-s janë të dukshme: inflacion vlerash letrare, kanone të paqëndrueshme, mungesë figurash kritike autoritative dhe një publik gjithnjë e më skeptik ndaj diskursit letrar. Letërsia izolohet nga shoqëria dhe reduktohet në ritual të brendshëm, në një bisedë të pafundme mes të njëjtëve emra.
Kjo qasje manifestohet konkretisht në disa forma të njohura. Parathënia ka zëvendësuar kritikën: libri certifikohet estetikisht para se të lexohet. Recensat mediatike funksionojnë si akte mirësjelljeje, pa analizë formale dhe pa asnjë gjykim negativ. Autorët e konsoliduar mbrohen nga një heshtje selektive që i kanonizon pa i vënë në provë. Kritika negative, kur shfaqet, etiketohet si problem personal dhe jo si debat teorik.
Akademia, nga ana e saj, riprodhon referenca autoritative, por shmang qëndrimin interpretativ, duke prodhuar një kritikë pa tension dhe pa rrezik.
Në fund, Q.O.K.A nuk është thjesht një term polemik, por një mjet diagnostik për të kuptuar krizën e kritikës letrare në Shqipëri. Ajo shënon kalimin nga kritika si akt emancipues në kritikë si mekanizëm sigurie sociale. Rikthimi i kritikës nuk kërkon më shumë lavdërime, por më shumë guxim interpretativ, më shumë konflikt të arsyetuar dhe më pak frikë nga prishja e qetësisë. Sepse në momentin që kritika pushon së qeni e pakëndshme, ajo pushon së qeni kritikë.